Të nderuar lexues të gazetës lokale të fshatit Kallarat! Jam Kolonel Tonin Marku, aktualisht në detyrën e Përfaqësuesit Ushtarak të Shqipërisë në Komandën e NATO-s në Norfolk, Virginia, SHBA. Ju drejtohem sot me ketë shkrim të shkurtër në shenjë respekti e mirënjohje për familjen e Myzafer Qejvanit, me origjinë nga Kallarati i Vlorës, e cila prej disa vitesh banon këtu në Amerikë.
Shkak për këtë shkrim u bë komenti i bërë në facebook nga kolegu, miku dhe shoku im Besnik Gjonbrataj një fotojeje të publikuar nga ana ime për paradën e vendeve të NATO-s, zhvilluar në Norfolk, Virginia, më 24 prill, 2014, ku pjesëmarrës ishte edhe Selaudin Qejvani me origjinë nga Kallarati. Në këtë koment ndëmjet të tjerash thuhej: ”E veçantë e kësaj parade është që edhe bashkëfshatarët tanë nga Kallarati, Myzafer Qejvani dhe djali i tij Selaudini, bashkohen me ushtarakët shqiptarë në Amerikë dhe japin kontributin e tyre në këtë paradë larg atdheut të tyre në Norfolk, Amerikë, duke përcjellë atje traditat dhe zakonet më të mira shqiptare dhe ato kallaratase”.
Sa për lexuesin, çdo vit në Norfolk organizohet një paradë nga të gjitha vendet e NATO-s, ku secili vend, përfshi edhe Shqipërinë, nëpërmjet tendave, afishimeve dhe parakalimit paraqesin vlerat historike, kulturore, artistike, turistike, zakonet e traditat më të mira të vendit. Në paradën e sivjetshme Shqipëria performoi në nivelet më të larta të mundshme. Tenda e Shqipërisë u ndoq me shume interes nga shumë vizitorë, civilë, ushtarakë të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere, nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar me banim në zonën e Hpmpton Roads, ku dhe është e vendosur Komanda e ACT-së. Kontribut në këtë paradë dha i gjithë personeli ushtarak, që shërben në Komandën e NATO-s Norfolk, si dhe shumë familje shqiptare, që prej kohësh banojnë në këtë zonë, ku duhet përmendur dhe falënderuar padyshim për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre të lartë në realizimin e këtij aktiviteti edhe Selaudin Qejvani me veshjen kombëtare, si dhe të bashkëshortes së tij, Anja Çipi së bashku me familjen e saj.
Besniku duke ditur njohjet, që unë, një bir mirditori, kisha me këtë familje kallaratase nga Vlora, të cilat ia kisha shprehur më parë, më kërkoi që të shkruaja diçka më tepër rreth kësaj familje dhe pjesëmarrjes së tyre në paradën e përvitshme në Nortfolk. Duke pranuar me kënaqësi kërkesën e Besnikut dhe me dëshirën e hershme për të shkruar diçka për këtë familje kallaratase këtu në Amerikë, lexuesit e nderuar të gazetës “Kallarati”, edhe pse këtë familje mund dhe duhet ta njohin më mirë se unë, të më lejojnë që me modesti dhe shumë shkurt të tregojë se si unë e njoha këtë familje këtu në Amerikë dhe si i ruajmë dhe forcojmë çdo ditë lidhjet tona shoqërore e familjare larg atdheut.
Sot Myzaferi dhe familja e nderuar e tij janë shqiptaro-amerikanë, por me origjinë gjithmonë e konsiderojnë veten nga Kallarati i Vlorës. Kallarati, si e gjithë Vlora, ka qenë dhe ngelet vendi i traditës dhe i vlerave të larta patriotike, ku bijtë e saj, pavarësisht largimeve nga vendi i lindjes për arsye të ndryshme, përfshi këtu edhe ato ekonomike, asnjëherë nuk kanë harruar vatrat e tyre ku u lindën, nuk kanë harruar vlerat e mira njerëzore, mikpritjen, traditën dhe ndjenjën e patriotizmit. Në një artikull mbi historinë e bukur të Kallaratit, ndër të tjera, kisha lexuar një shprehje shumë domethënëse në drejtim të ruajtjes së vlerave krahinore si : “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro”. Me këtë dua të them se një nga ato bij të krahinës tuaj është edhe Myzafer Qejvani dhe familja e tij e përbërë nga tre djemtë dhe vajza.
Jam njohur fillimisht me djalin e madh të Myzaferit, Selaudinin në qytetin e Norfolkut në vitin 2012, në këtë qytet ku unë vijoj të kryejë detyrën si ushtarak. Që në takimin e parë më këtë djalë të sjellshëm, shumë miqësor në komunikim, i prerë në shprehjet e tija karakteristike të Vlorës, pavarësisht moshës së tij të re me një diferencë 20 vite me mua, më krijoi respekt dhe më la mbresa të mëdha. I larguar nga Kallarati që në moshë të re në kërkim të një jete më të mirë si shumë moshatarë të tij, fillimisht në Greqi, më pas në Angli dhe së fundmi i bashkohet trungut familjar me banim në Michigan të SHBA, aty ku babai i tij, Myzaferi kishte disa vite që ishte vendosur si rezultat i një llotarie amerikane të fituar. Selaudini ka mbaruar arsimim e mesëm e të lartë në SHBA, është i diplomuar Inxhinier Ndërtimi, por natyra e tij të mahnit pasi ai nga zgjuarsia që e karakterizon, nga devotshmëria për të punuar, ai nuk di t’i thotë jo asnjë pune. Pra Selo është i gjithanshëm, ai është inxhinier ndërtimi, por merr vesh shumë edhe nga inxhinieria mekanike, nga elektronika, ka kulturë të gjerë në shumë aspekte, ka informacion të plotë mbi legjislacionin dhe rregullat në SHBA. Selaudini është një djalë që e do sportin, një djalë që e do detin, një peshkatarë i mirë, por edhe instruktor i aftë për t’u mësuar të tjerëve si të peshkojnë. Për mua ai ngelet njeriu që më mësoi të peshkojë, vetë në brigjet e Oqeanit Atlantik. Siç duket këtë privilegj e ka nga afërsia e shtëpisë së tij me lumin Shushica në Kallarat. Ai është një djalë me norma e tradita, me rregulla tavoline dhe norma të edukatës gjatë muhabetit, zbaton shumë mirë edhe rregullat e dollisë, por gjithmonë mburret me ato që ka mësuar nga babai i tij Myzo dhe nga xhaxhallarët e tij. Por ai asnjëherë nuk harron gjyshin e tij, që i ka vdekur shpejt, përmend me mall të madh gjyshen e tij që jeton akoma sot në Kallarat, të bën përshtypje fotoja e gjyshit dhe gjyshes së tij që mban në shtëpi duke u mburrur me to e duke më thënë se “Jam krenar që jam nipi i këtyre, gjithmonë më kanë mbajtur afër dhe me kanë përkëdhelur si birin e tyre”. Me shumë respekt flet për gjyshen, pasi ajo si një zonjë e nderuar labe, megjithëse burri e la në moshë kritike, diti të rrisë fëmijët e saj me dinjitet e me nderë siç e ka zakon tradita e këtij vendi historik.
Gjatë kësaj kohe Selo ka qenë edhe për ne një mbështetje e vazhdueshme e veprimtarive me karakter kombëtarë, që Zyra e Përfaqësisë Shqiptare këtu në Komandën e NATO-s ka organizuar. Ai ka qenë pjesëmarrës në ceremonitë me rastin e ditës së Pavarësisë, ka qenë pjesëmarrës dhe ka dhënë kontributin e tij në paradën e përvitshme që zhvillohet këtu, ku dhe Shqipëria merr pjesë, duke bërë që vendi ynë të përformojë suksesshëm në këto veprimtari kombëtare. Në aktivitetin e fundit për disa arsye nuk dispononim kostume tradicionale të krahinës së Vlorës, dhe një ditë takojë Selon dhe i them: “Selo, unë dua që në këtë paradë ku do parakalojnë të gjitha vendet anëtare të NATO-s, ti të na përfaqësosh duke u veshur me rroba të traditës kombëtare, por problem është se unë nuk kam rroba të krahinës tuaj, i vetmi kostum që kemi është i trevave të Mirditës”. Ai qeshi dhe me tha: “Po pse mos ta vesh unë atë kostum, ai është shumë i bukur dhe jam i bindur se do më shkojë, po neve një jemi, po jemi shqiptarë or burrë”!, duke vijuar të më bind, se sipas bisedave që kishte dëgjuar, Mirdita dhe Vlora kanë shumë gjëra të përbashkëta, si në drejtim traditës, besës, burrërisë, po ashtu edhe të normave njerëzore. Dhe me të vërtetë ai u vesh me kostumin e trevave të Mirditës dhe siç duket edhe në foto përformoi në nivel të lartë në këtë ditë ndërkombëtare, duke përfaqësuar Shqipërinë në mënyrë dinjitoze, Faleminderit miku im Selo.
Selaudini dhe zonja e tij doktoresha, Anja Çipi janë një shembull që kanë se çfarë të tregojnë për jetën e tyre, janë një shembull pasi pavarësisht kalvareve që ato kanë kaluar, kanë dalë me sukses, duke u bërë njerëz të edukuar e të arsimuar, të aftë e me dinjitet për veten e tyre, për shoqërinë dhe për familjet tyre.
Selo më kishte folur vazhdimisht për prindërit e tij, por asnjëherë nuk kisha arritur t’i takoja deri në fundin e vitit 2012. Ai më thoshte se Myzo është shumë punëtor, ka bërë shumë punë të ndryshme në Kallarat, por ka qenë edhe blegtor me përvojë dhe vijon të punojë si shofer në një makine të madhe transporti, “Truck Driver” quhet këtu në Amerikë. Po ashtu më tregonte për nënën e tij Anetën, duke më thënë se na ka rritur me vështirësi të mëdha, një periudhë kohe ka qenë shumë e ngarkuar për të sepse Myzo u largua për në SHBA dhe asaj i ra e gjithë barra e familjes.
Një ditë nga fundi i viti 2012, Selo me thotë se do i vinin prindërit nga Michigani, pasi ishte bërë kohë pa i takuar, por arsyeja më e forte ishte se nga Shqipëria do vinin për herë të parë krushqit, pra prindërit e Anjes, zonjës së Selos. Ky ishte edhe rasti që m’u dha që unë dhe familja ime të njiheshim për të mos u harruar kurrë më familjen Qejvani. U takuam në shtëpinë e Selos, ku unë isha i ftuar i “Nderit”, biseduam gjatë, bëmë dolli sipas traditës dhe uruam miqësinë e re për fejesën e çiftit. Pata rastin dhe kënaqësinë t’i ftojë dhe t’i kem edhe unë në familjen time një natë, ku përsëri kaluam shumë mirë. Myzaferi me tregoi gjera shumë të bukura nga krahina e Labërisë dhe në veçanti për Kallaratin, për jetën e tij, të mirat dhe vështirësitë që kishte kaluar, kohën që kishte emigruar, qëndrimi larg familjes për një kohë të gjatë etj.
Edhe pse larg nga Shqipëria, në familjen Qejvani ruhen të gjitha traditat dhe zakonet shqiptare dhe ato kallaratase. Flamuri kombëtar, ashtu si në cdo familje tjetër këtu në Amerikë, do të jetë i varur në muret e shtëpisë. Aneta është një amvisë e përkryer, që nuk lodhet duke gatuar ushqime të traditës shqiptare. Bile Myzua dhe Aneta kanë bërë edhe një video se si bëhet “dollma” dhe “kukureci”, të cilat kam pasur fatin t’i shijojë edhe unë në këtë familje. Në këtë familje ke qejf të dëgjosh edhe melodi me cylë dyjare, ose siç i thonë andej nga ju “longarë”, ku Myzua i bie mjaft bukur dhe siç thotë edhe vetë “Kujtoj kohën kur isha çoban në malin e Bogonicës dhe në Vale dhe çmallem me ato vende të bukura, ku kam kaluar rininë dhe një pjesë të mirë të jetës time”.
Miqësia vazhdon, për rrjedhojë me rastin e martesës së vajzës, Belit unë isha i ftuar në familjen Qejvani, dhe për vetë mbresat që na kishte lënë kjo familje edhe neve e mirëpritëm këtë ftesë. Më shumë u gëzuan fëmijët e mi sepse do merrnin pjesë në një dasmë shqiptare në Michigan. Dhe kështu u bë, pavarësisht se Michigani është 12 orë larg nga vendi ku ne jetojmë, nuk pati problem që unë të isha familjarisht në këtë dasmë, që do ngelet gjatë në kujtesën tonë familjare. Sipas traditës së Labërisë, neve na u bë respekti maksimal si ushtarak, por në radhë të parë si mirditorë. Aneta na priti me buzëqeshje sikur të ishim njerëzit e saj të afërt, me tiparet e saja fisnike, kishte gatuar shumë ushqime, dhe këtu u vërtetua thënia e djalit të saj, se “ajo vetëm ushqime tradicionale di të gatuajë”. U ndjemë si në shtëpinë tonë, patëm një pritje më të vërtetë vëllazërore, fëmijët e mi u ndjenë si tek “dajat” e tyre. Ishte një dasmë e bukur, u takuam me shumë shqiptarë të tjerë, muzika ishte edhe nga Amerika, por mbisundoi ritmi i këngëve dhe valleve shqiptare dhe të krahinës së Vlorës.
Kështu u njoha me këtë familje kallaratase, me këta njerëz të mirë, patriot të vërtetë, që e ndjejnë mungesën e vendit të lindjes së tyre, e ndjejnë mungesën e njerëzve të zemrës, mungesën e nënës, mungesën e vëllezërve, kushërinjve, shoqërisë së fshatit ku u rriten së bashku, ku kaluan vitet e rinisë, ndjejnë mungesën e gurgullimit të lumit të Shushicës, ndjejnë mungesën e aromës së malit dhe mungesën e aromës së luleve të livadheve të Kallaratit, ndjejnë mungesën e brigjeve të kristalta të detit Jon, që e kanë shumë afër, por në shpirtin e tyre gjithmonë ekziston një ndjenjë e fuqishme, ajo ndjenjë që karakterizon çdo shqiptar të denjë, kthimin një ditë në vendin e lindjes për të bërë një investim në të mirë të kësaj zone, në të mirë të atyre burrave e grave të kësaj krahine, në të mirë të brezit të ri, që kanë ëndrra te reja për një jetë më të mirë, por që për momentin po përballen me ngarkesat e saj.
Faleminderit familja e nderuar Qejvani, për bujarinë, mikpritjen, për mbështetjen e vazhdueshme, për kontributin tuaj në të mirë të çështjes shqiptare, për respektin e treguar ndaj meje dhe ndaj familjes time. Zoti ju bekoftë familjarisht! Me këtë rast edhe gjithë kallaratasve ju uroj shëndet dhe suksese kudo që ndodheni.
Me respekt. Kolonel Tonin Marku,
Përfaqësuesi Ushtarak Kombëtarë në Komandën e NATO-s Norfolk, SHBA
Ky shkrim pritet të botohet në numrin e radhës të gazetës “Kallarati”