GJURMË NË BRAKTISJE, POEZI

Andi Meçaj

Në këtë rrugë ka gjurmë hapash,

disa të vogla, të mëdha,

disa gjysma, të reja disa.

Po t’i ndjekësh do të të shpien te shtëpia

e braktisur në fund të rrugicës.

Do të hapësh derën, ose do të hysh me një

të shtyrë brenda, është e kalbur si kujtimet.

Do të të mbysë kolla nga pluhuri i harresës,

mos u shqetëso nuk je i sëmurë, mikrobet

i varrosën bashkë me njerëzit.

Do të shohësh copëza qelqesh dhe dritare

të shkatërruara nga koha, dikur frynte

dhe i përplaste ato. Do të shohësh

tavolinën këmbëthyer, ndoshta

nga pesha e pjatave ndër vite,

kolltukët e shqyer nga mola,

dërrasat e dyshemesë të shkulura

dhe tavanin e ciflosur nga lagështira.

Vazhdo nëpër kuzhinë, pas saj ndodhet

dhoma e gjumit, atje do të shohësh

shtratin e madh, tashmë

përtokë, të gjunjëzuar,

dikur ky oaz dashurie, falte lumturi.

Do të shohësh mure të bardhë,

korniza të çrregullta që ekspozojnë fotografi

të zbehta çastesh, dikur kanë qenë frymë brenda

rrobave dhe shpirtrave të tyre.

Ec dhe do të shohësh gjurmë, tinguj, tik-tak-un

e orës varur në komodinën e vjetër, dollapin

e teshave, me kostumet dhe fustanet e çngjyrosura,

dikur shkëlqenin më shumë se dielli.

Vazhdo të haposh, të lësh gjurmë

në historinë e braktisjes, dikur,

ndoshta dikur edhe ty do të të vizitojë dikush.

 

Nga Andi Meçaj

Next Post

SHTËPIA

Sht Qer 9 , 2012
Kam hapur krahët, sigurisht duhet të përqafoj dikë, ndoshta shtëpinë e viteve që ikin sëprapthi, ndoshta shiun që do t’u rikthehet réve, apo atë qenin e zi të zotit Andon, kur flet në tre gjuhë të huaja kafshësh. Zgjas krahët, i hap, i hap, i hap, përqafoj shtëpinë, e shkul […]
Andi Meçaj