Himara, e vërteta që nuk duhet fshehur, intervistë e botuar në Gazetën Shekulli

 
Ngjarjet e ndodhura gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2003, e shtynë gjuhëtarin Rami Memushaj, të shkruajë një libër për Himarën. Pse Himara është shqiptare dhe sa e rrezikuar është ajo nga greqizimi
 
Alma Mile

 
Grekë apo shqiptarë? Kjo është pyetja që gjuhëtari Rami Memushaj kërkon t’i japë përgjigje në librin e tij “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”. Në një libër prej 200 faqesh, ai jep argumente shteruese për kombësinë shqiptare të banorëve të Himarës. Siç shprehet vetë Memushaj, shkak për të ndërmarrë këtë iniciativë janë bërë ngjarjet e vitit 2003, kur ditën e zgjedhjeve lokale, banorë të Himarës dolën me flamuj grekë ndër duar dhe krahasuan Shqipërinë me Alkaedën. Memushaj nuk synon të bëjë filozofira. Ai është gjuhëtar dhe si i tillë, ai ka përdorur të gjithë argumentet që i ofron fusha e tij, duke filluar që nga folklori, këngët popullore, ninullat, këngët e vajit, legjendat, për të kaluar tek emrat e njerëzve e vendeve, që nuk dëshmojnë gjë tjetër, veçse përkatësinë shqiptare të Himarës dhe të banorëve që jetojnë në të. Por libri për Himarën nuk sjell vetëm argumente, ai është edhe një thirrje për pushtetarët, ata që premtojnë, që nuk mbajnë premtime, që të mos e lënë në harresë Himarën, pasi rrezikon që politika greke që tregohet më e zgjuar e ta përdorë këtë situatë në favorin e saj. 
 
Keni shkruar një libër për Himarën. Çfarë ju shtyu të ndërmerrnit këtë iniciativë?
 
Kjo ka të bëjë me të vërtetën. Kur në mbrëmje bie shqiptar dhe në mengjes ngrihesh e të thonë se je francez, anglez, bullgar…, kjo të trondit, sepse dije një të vërtetë tjetër dhe papritur dhe pa argumente të ofrojnë një tjetër të vërtetë. Kështu është edhe problemi i Himarës. Ngjarjet që ndodhën na e bënë problemin më të pranishëm, sepse në fakt problemi ka ekzistuar prej vitit 1991. Kryesisht për arsye ekonomike, popullsia e Himarës e shihte veten si të persekutuar nga regjimi komunist. Himariotët ishin ata që kishin rrahur kurbetin, ishin njerëzit e zanateve e profesioneve të ndryshme dhe kjo periudhë i ngushtoi këto mundësira. Kjo është një arsye pse ata u revoltuan me shtetin e tyre, që nuk u dha atë që takonin, ndërkohë që u hap një tjetër dritë jeshile, një shtet tjetër u dha mundësira të mëdha, sidomos në punësim. Tri fshatrat e Palasës, Dhërmiut dhe Himarës, dinin mirë greqisht, kështu që parapëlqeheshin në tregun grek dhe kjo i vuri në një pozitë më të favorizuar me emigrantët e tjerë shqiptarë që nuk njihnin gjuhën. Pastaj edhe politika greke, që në fakt është një politikë primitive, që i përmbahet metodave të shek. XIX, në bazë të së cilës, Shqipëria nga Shkumbini e poshtë do t’i takonte Greqisë dhe nga Shkumbini e sipër i takonte Serbisë. Por ajo ka vënë në funksion edhe fonde të mëdha të cilat dalin nga taksat e popullit grek, apo nga BE, kjo nuk dihet, por fakti është që ajo filloi t’i trajtojë ndryshe, të paguajë pensione, për vuajtjet në komunizëm, etj, ndërkohë që shteti ynë ende nuk ka arritur të kompensojë të përndjekurit, ata që kanë qenë në burgje. Këto arsye bënë që një pjesë e himariotëve të tjetërsohen, të harrojnë se janë shqiptarë, të pranojnë që janë grekë, të flasin greqisht. Duke u përballur me këtë realitet, unë që jam nga ajo anë u trondita thellë dhe ishte pikërisht kjo shtytja e parë. Nuk them që ishte arsye patriotizmi, por himariotët janë shqiptarë, kështu e kemi mësuar nga prindërit tanë, kemi mësuar e lexuar. Kështu që iu vura punës për të treguar këtë të vërtetë. Sigurisht që nuk mund të mëtoj se i kam thënë të gjitha, unë thjesht kam sjellë disa argumente që tregojnë se himariotët janë shqiptarë dhe se Himara është pjesë e Labërisë e Shqipërisë së Jugut.
  
Libri ka kohë që i ka shkuar lexuesit, si është pritur ai?
 
Libri është pritur përgjithësisht mirë dhe pozitivja në këtë rast është se ai u ndoq nga disa botime të tjera nga ana e akademisë, e cila u vu në pozitë të vështirë, pasi duhet të ishte pikërisht Akademia e Shkencave e para që duhet të nxirrte një botim të tillë. Ajo organizoi një projekt për botimin e një përmbledhjeje për Himarën, ku përfshihen fusha të ndryshme. Ka të bëjë me kulturën, besimin, traditën. Gjithashtu kanë dalë edhe libra të botuar nga historianë e himariotë. 
  
Kur thoni që Himara dhe himariotët janë shqiptarë, ju e argumentoni këtë me shembuj konkretë nga folklori, gjuhësorë, toponimikë, etj. Si është vjelë ky material? 
 
Unë jam nga ajo zonë e Himarës që quhet Prapa mal, një vend që përmendet dhe tek “Milosaoja”, kështu që shumë gjëra i di sepse jam vendas, shumë gjëra të tjera i di nga leximet, ndërsa materialet e tjera janë vjelë në vend nga studiuesit. Këtu do të doja të përmendja qëmtuesin e apasionuar të folklorit të zonës së Labërisë, Bardhosh Plaçi, punonjës në Institutin e Kulturës Popullore, i cili më ka vënë në dispozicion një material të bollshëm mbi folklorin, toponimet, këngët popullore, ninulla, legjenda, etj. Gjithashtu kam shfrytëzuar edhe materiale të tjera dokumentare. Duke punuar për librin “Kurveleshi”, kisha grumbulluar shumë materiale, të cilat i kam përdorur edhe për Himarën.
 
Mos Himara është nga ato çështje, të cilat është më mirë të mos i ngacmosh?
  
Nuk duhet ngacmuar, kur situatat janë të qeta, pasi në këto periudha është më mirë të ndërtosh në Himarë, të nxitet turizmi, pra është më mirë të punosh. Në periudha të tjera duhet treguar edhe e vërteta, sepse ka shumë të pavërteta. Ne nuk jemi përballur shumë me studiuesit grekë, por mund të them se ata janë shumë primitivë në argumentimin e tyre, janë shumë të rrallë ata që kanë pohime shkencore. Përgjithësisht kanë keqpërdorime të historisë dhe kjo është lehtë e vërtetueshme, pasi të gjithë mund të lexojmë në faqet e internetit, Tit Livin, Strabonin, etj, ku e zeza është shkruar mbi të bardhë. E keqja është që ne shkruajmë, por grekët nuk na lexojnë dhe do të ishte mirë që librat tanë të përktheheshin edhe në greqisht. Mesa kemi parë nëpër aktivitete të përbashkëta, ata janë shumë të verbër në argumentimet e tyre, madje edhe një vit më parë në Kongresin e akademikëve, kemi pasur një përplasje me ta. Por do të ishte më mirë që të kishim ballafaqime të shpeshta me historianët dhe studiuesit grekë, të cilët për shkak të politikës greke, e cila nuk i njeh pakicat shqiptare, janë plot paragjykime. Aristidh Kola me librin e tij mbi Arvanitasit ka tentuar që ta bëjë këtë. 
 
Ju keni shkuar së fundmi në Himarë dhe si gjuhëtar e keni më të thjeshtë ta gjykoni. A ndihet asimilimi i shqiptarëve në grekë?
  
Aty janë tri fshatra që flasin greqisht, Palasa, Dhërmiu dhe Himara. Aty ka pak banorë, pasi shumica kanë emigruar në Greqi, ku e kanë përsosur dhe më tej greqishten. Ata pak që kanë mbetur, mes tyre flasin greqisht, ndërsa me turistët dhe të ardhurit në këto zona, të cilët merren me ndërtim, etj, flasin shqip. Tek një pjesë e tyre është ngulitur ideja që janë grekë, kurse sa i përket fshatrave të tjerë përreth ata flasin kryesisht shqip. Por ky asimilim, ka marrë hov pas viteve ’90, tek ata njerëz, të cilët unë i quaj “pakica vullnetare”, pasi quhen të tillë me dashje.
 
 Mund të themi që Himara ndihet e “rrezikuar”? 
 
Herën e fundit kur kam shkuar në Himarë, gjendja ishte ndryshe nga ç’e paraqisnin pamjet e televizioneve. Megjithatë kishte shenja të një propagande që përpiqet të krijojë një minoritet në Himarë. Në Himarë ishte hapur një kopsht grek i Omonias. Eshtë e vërtetë që ne kemi shkolla të huaja, por jo kopshte, që kanë si qëllim të tjetërsojnë. Ndërsa në Himarë kishte një kopsht grek, në Dhërmi ishte mbyllur kopshti shqiptar nga ana e Drejtorisë Arsimore të Qarkut të Vlorës. Kështu që grekët janë më të avancuar në propagandën e tyre dhe investojnë. Ata shfrytëzojnë pikat tona të dobëta he pafuqishmërinë tonë për të reaguar. Nëse shteti nuk investon në këtë vend, nëse nuk nxit turizmin, Himara rrezikon të mbetet gërmadhë dhe kjo është edhe në favor të grekëve, të cilët nuk dëshirojnë që bregdeti përballë Korfuzit të lulëzojë e të zhvillojë turizmin. Lënia në harresë ndikon për keq. Ata kanë nevojë të ndiejnë praninë e shtetit të tyre. Në të kundërt, rrezikohet që ata ta mohojnë përkatësinë shqiptare. Një tjetër problem janë emigrantët, fëmijët e të cilëve kanë mësuar greqisht. Pra probleme do të ketë. Megjithatë nuk mendoj se ka probleme integriteti, apo politike.
  
Gjithashtu ju jeni autor edhe i një libri voluminoz mbi Kurveleshin….
 
Libri për Kurveleshin i përket një prej atyre nismave të viteve ‘60-’70, për hartimin e historikëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të fshatrave dhe krahinave. Atëherë sa kisha mbaruar universitetin dhe më përfshinë në një grup, për të hartuar historinë e Kurveleshit, një njësi e Labërisë. Deri në shek. XIX ajo ka qenë qendra e luftës antiosmane, në shek. XX e humbi këtë rëndësi. Gjatë studimeve pashë që për këtë krahinë kishte shumë materiale, përmendej në shumë libra dhe aty për aty më lindi ideja që përpara se të shkruaja historinë e LANÇ, të shkruaja për historinë që e paraprinte e që kishte qenë më e lavdishme. Drejtuesit e mi e pranuan këtë ide, por mbeti vetëm në dorëshkrim. Pasi erdha në Katedrën e Gjuhës Shqipe, nuk kisha shumë kohë të merresha me të. Në vititn 1997, ngjarjet që ndodhën, mbyllja e universiteteve, më krijoi mundësinë që t’i rikthehesha dhe e kam përfunduar gjatë kohës që kam qenë në Itali, si lektor, pranë Universitetit të Palermos, ku literatura ishte shumë e pasur. Pra u mbyll kështu që punë e nisur më shumë se 30 vjet më parë dhe në të njëjtën kohë përmbusha një borxh që i kisha krahinës sime. 
 
 Marre nga Shekulli  

Next Post

Libri, “Histori e Kurveleshit”

Die Maj 20 , 2012
                                Parathenie Libri që po i paraqitim lexuesit, e ka zanafillën të një dorëshkrim i 35 vjetëve më parë. Në atë kohë, në kuadrin e orientimit për hartimin e historikëve të Luftës Nacionalçlirimtare të fshatrave […]
Histori e Kurveleshit