I kam dashur gjithmonë të katër stinët e vitit
Dhe pranverën, dhe verën, dhe vjeshtën , dhe dimrin.
Kurrë nuk kam thënë më pëlqen vetëm pranvera,
Ashtu si nuk kam qeshur përherë.
Se e di: duhet të vdesë diçka, që të lindë një tjetër.
Se e di, duhet të shuhet një buzëqeshje, që të çelet një tjetër.
Se e di:s’do të kishte pranverë pa dimrin
Dhe kopshtet s’do kishin lule
Dhe pemët s’do lidhnin fruta
Dhe njerëzit s’do lindnin njerëz të tjerë.
Atëhere në botë çdo gjë do qe e vjetër,
Dhe tingujt të vjetër do të qenë.
Dhe deti do kish ngrirë si i lëpirë nga një përbindësh.
Prandaj lotët i dua,
Edhe kur janë të qeshur,
Edhe kur janë të trishtuar.
Me ta rritim dashuritë,
Me ta mbytim vdekjen.
I dua të katër stinët e vitit.