IDAJET LLANAJ, RRËFEN NJË PJESË TË JETËS SË TIJ

Intervistë e dhënë për gazetën “Kallarati”

Idajet LlanajIdajet Llanaj, një ndër banorët më të vjetër kallaratas me banim në Fier qysh nga viti 1956. Gjithë jetën e ka kaluar në kërkim të naftës. Nuk ka puse nafte duke filluar nga Patosi, Kuçova, Peqini, Cërriku, Mallakastra, Marinza, Ballshi, Cakrani, Karbunara, Gorrishti, Amonica, Delvina etj, ku të mos ketë shkelur dhe punuar Idajeti në rolin e punëtorit të thjeshtë, teknikut, specialistit dhe të drejtuesit të lartë në një sektor kaq të vështirë siç është  ai i kërkimit dhe nxjerrjes së naftës deri sa doli në pension në vitin 1991. I pasionuar në kulm për punën, por edhe ndaj librave sidomos atyre me karakter historik, që me tërë kuptimin e fjalës mund ta quash “historian pa diplomë”. Njeri i përkushtuar ndaj familjes dhe i dashuruar me vendlindjen, Kallaratin dhe krejt Labërinë. Aktualisht pensionist, por prej vitesh i angazhuar në lagje, ndaj Shoqatës “Kallarati” dhe asaj të “Labërisë”.

Dita, vajza  e tij, së bashku me dhëndrin Bandillin, nipi Genti dhe mbesa Ada e bëjnë Idajetin bashke me bashkëshorten Beqaren të kalojnë një jetë të bukur e modeste. Për të gjitha këto cilësi e virtyte të reflektuara gjatë karrierës së tij në punë, në sektorin e naftës, nuk janë të pakta edhe dekoratat e dhëna nga drejtuesit më të lartë të shtetit të asaj kohe. Një vlerësim i veçantë i është bërë edhe nga shoqata “Labëria”, duke i dhënë atij titullin “Veprimtar i Shquar i Shoqatës”.

Me gjithë modestinë për të mos folur për jetën e tij dhe të familjes, por me dëshirën e madhe për të folur dhe treguar gjithçka që di dhe ka të bëjë me vendlindjen e tij, Kallaratin, mundëm t’i merrnim Idajetit intervistën e mëposhtme:

Pak nga historia e fisit Llanaj dhe më konkretisht familjes tuaj.

     Së pari ju shpreh falënderimet më të sinqerta për marrjen e kësaj nisme për të më intervistuar. Ju kam ndjekur edhe nëpërmjet numrave të tjerë të gazetës “Kallarati”, që po bëni intervista me njerëz intelektualë, veteranë, njerëz të thjeshtë të punës dhe të dijes kallaratas. Ju përgëzoj për këtë punë. Kushdo që mund të intervistohet ka se çfarë të tregojë jo vetëm për veten e vet, por për Kallaratin, historinë e tij shumëvjeçare, për atë kontribut të çmuar të njerëzve të tij, jo vetëm për çlirim kombëtar e shoqëror, por edhe për ndërtimin e vendit si para viteve 90, ashtu edhe sot në kohën e demokracisë, aq më tepër për të moshuarit, siç jam edhe vetë. Njerëz të tillë me vlera duhen vlerësuar, kujtuar, çmuar dhe nderuar. Edhe për ndonjë që është harruar, nuk është vonë asnjëherë. Megjithëse kësaj radhe ju keni vendosur të më intervistoni mua, edhe unë do të pranoj me kënaqësi të tregoj diçka jo vetëm për vete, por në përgjithësi për Kallaratin.

     Historia e familjes time dhe në përgjithësi e fisit Llanaj nuk është aspak e shkëputur nga historia e Kallaratit. Ashtu siç historia e fshatit tonë është e hershme dhe  me vlera, edhe historia e fisit tonë Llanaj, është po kaq e hershme. Prandaj unë do të flas më parë për diçka për Kallaratin e pastaj për familjen time.    

     Siç mësohet nga historia, vendbanimi i hershëm i Kallaratit ka qenë në veri të Buronjave të Kuçit në vendin e quajtur Kunjovë ku edhe sot janë toponimet me emrin Kallarat. Për shkak rënies së sëmundjes të kolerës kallaratasit u detyruan të shpërnguleshin nga Kunjova e të vendoseshin kryesisht në  Pelingri ose Fshatin e Djegur siç e quajmë sot. Shumë të tjerë u larguan në drejtime të ndryshme në jug të Shqipërisë, por edhe jashtë kufijve në Greqi. Ndërtimi i shtëpive në Pelingri u bë mbi bazën e mëhallëve, pasi edhe shpërngulja e tyre nga Kunjova nuk u bë e njëjtë për të gjitha mëhallët. Sipas kujtimeve të Dule Stratit e Meçan Selamit, mëhalla e Gjokone ku bën pjesë edhe fisi Llanaj u shpërngulën më vonë, kështu që shtëpitë i ndërtuan në lindje të shtëpive të tjera. Me djegien e fshatit rrëzë Bogonicës, familjet kallaratase u ulën dhe ndërtuan shtëpitë në vendin ku ndodhet sot në të dy anët e lumit të Shushicës, pranë ujit, rrugës por edhe tokës. Shtëpia e familjes time ka qenë në Qafën e Ubavit, atje ku edhe sot banorët e atjeshëm e thërrasin ‘tek e Llane”.

     Sipas gojëdhënave dhe referuar shumë historianëve, por edhe gjuhëtarëve mbiemri Llanaj rrjedh nga Llan plus prapashtesën aj dhe quhet Llanaj, si karakteristikë e shumë mbiemrave në jug të Labërisë, që sipas gjuhëtarëve më të shquar, vendbanimet me prapashtesën “aj si Kallarat etj e kanë prejardhjen nga pellazgët. Referuar të parëve tanë, por edhe më të moshuarve në Kallarat, familja Llanaj ka rrjedhën e saj historike të organizimit pak a shumë si më poshtë: nga babai: Idajet-Gaçe-Ferat-Halo-Llano-Malo-Llano-Dimjo (Dhimo)… etj dhe nga nëna: Bejkë-Damo-Haxhiu-Sejko-Sako… etj.

     Si çdo familje kallaratase edhe familja Llanaj ka dhënë kontributin e saj modest në të gjitha ngjarjet historike, e trashëguar kjo brez pas brezi. Gjyshi im Ferat Halo Llanaj ishte vëlla vetë i tretë së bashku me Shemen dhe Ruston. Shemja ishte arsimuar në Janinë dhe nga viti 1913-1917 në qeverinë e Ismail Qemalit pati punuar doganier në Korçë.

     Më 1913, me vendim të Qeverisë së Vlorës, gjyshi im Ferati mori pjesë në përbërje të çetës në luftën për mbrojtjen e Janinës, ku edhe u plagos dhe u strehua për tre muaj në Kazanë e Margëlliçit, fshati Vrastov në familjen e Tahir Zeqo Aliut me të cilët ruajmë edhe sot marrëdhënie shumë të mira. Në luftën që organizoi Kallarati më 1914 kundër antardëve grekë që dogjën fshatin krahas shumë bashkëfshatarëve tanë mori pjesë me  armë në dorë edhe gjyshja jonë Vuladi (Daut) Llanaj dhe gjyshi Ferat Halo Llanaj. Më 1920 fisi Llanaj me Shemen, Feratin dhe Gaçon morën pjesë në luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, xhaxhai Malo Ferat Llanaj, i cili jetonte në zonën e Topalltisë u burgos dy herë në kampin e Porto Romanes i akuzuar për mbështetje të çetave partizane në zonën e Vlorës. Gjithashtu shtëpia jonë në Qafën e Ubavit për vetë pozicionin e vet ka qenë bazë e luftës nacionalçlirimtare, për pasojë në vitin 1944  u dogj.

    Siç është e njohur për lexuesit e gazetës, në dhjetor të vitit1940 fshatrat e Kurveleshit të Poshtëm, midis tyre edhe Kallarati u shpërngulën nga ushtria greke, ku shumica e fshatarëve tanë shkuan për strehim në Kuç, por edhe në Delvinë e gjetkë. Babai im Gaçua, si shumë të tjerë, u mobilizuan për ndërtimin e e urave të ushtrisë greke. Babai im u sëmurë rëndë dhe brenda javës vdiq si muhaxhir në Kuç në moshën 39 vjeçare. Pas një jave vdiq edhe gjyshi Ferati në moshën 64 vjeçare po në Kuç. Në këto kushte jeta e familjes sime u bë shumë e vështirë  në të gjitha drejtimet.  Që nga marsi i vitit 1941, nënës tonë Bejkës iu desh të përballonte mjaft vështirësi e të rriste me shumë mundim 5 fëmijë në kushtet edhe të luftës.  Për mbështetjen e luftës iu dha edhe statusi e Veterane e LANÇ-it.

     Idajeti- BeqarjaNë moshën 21 vjeç, duke qenë se edhe nëna e kishte të nevojshme të kishte nuse në shtëpi, u fejova me Beqaren, bijën e Sabri Demirit, fis edhe ky i njohur në Kallarat për kontribut të madh në lëvizjen nacionalçlirimtare. Në moshën 23 vjeçare, kur bashkëshortja Beqarja ishte veçse 19 vjeçe, u martova dhe pas një viti u vendosëm në qytetin e Fierit ku jetojmë edhe sot. Kemi kaluar një jetë edhe të vështirë si vetë koha që ishte, por edhe të bukur. Shtëpia jonë në Fier duke qenë edhe në udhëkryq ka qenë e mirëpritur në çdo kohë, jo vetëm për të afërmit, miqtë e shokët, por edhe për çdo bashkëfshatar që do të kishte rastin të udhëtonte drejt Tiranës, apo edhe Vlorës. Meritë në gjithë këtë ka Beqarja, pasi unë shpesh edhe për  vetë punën në sektorin e naftës, do të isha i larguar, ose do të kthehesha vonë. Që nga viti 1967 pranë nesh ka qëndruar dhe qëndron, edhe pse aktualisht është në Tiranë, vajza e motrës Zilos, Afërdita, e cila për ne është bërë me tërë kuptimin e fjalës vajzë e kaluar vajzës dhe për këtë jemi mjaft krenarë e të kënaqur. Afërdita është martuar me Bandillin ish ushtarak me origjinë nga Vërmiku, me të cilin kalojnë jashtëzakonisht mirë. Por ata që na e bëjnë jetën tani në pleqëri mjaft të lumtur janë dy fëmijët e tyre Genti dhe Ada, të cilët kanë përfunduar të dy arsimin e lartë, me të cilët unë e Beqarja kemi miqësi tepër të fortë.

        Cili ka qenë shkollimi dhe puna që keni kryer?  

     Pasi kaluan disa vite në konvikt dhe arrita moshën 15 vjeçare na shpërndanë në kantiere ndërtimi. Mua së bashku me disa shokë të tjerë na ra të shkonim në Kuçovë, fillimisht si nxënës në ekonomi e më vonë me arsimin profesional që morëm punova për vite të tëra në sektorin e naftës në kërkim, si dhe në shfrytëzim të saj. Në atë kohë për kualifikimin tim profesional më kanë ndihmuar edhe shumë kurse që bënim me specialistë të huaj, kryesisht rus e rumunë punës. Më vonë vazhdova me ndërprerje nga puna por me pagesë arsimin e rregullt të Teknikumit të Naftës. Pas përfundimit të shkollës së mesme m’u kërkua që të vijoja shkollën e lartë, por për arsye familjare nuk pranova pasi sapo isha martuar dhe nuk mund ta lija nënën dhe nusen vetëm. Prandaj vazhdova punën si teknik në puset e naftës. Gjatë viteve të punës kreva edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak 1954-1957 në Artileri Bregdetare fillimisht në Durrës dhe e përfundova atë në Sarandë.

Nuk ka puse nafte duke filluar nga Patosi, Kuçova, Peqini, Cërriku, Mallakastra, Marinza, Ballshi, Cakrani, Karbunara, Gorrishti, Amonica, Delvina etj, ku të mos kem shkelur dhe punuar  në rolin e punëtorit të thjeshtë, teknikut, specialistit dhe të drejtuesit të lartë nga viti 1951 deri sa dola në pension në vitin 1991. Një jetë të tërë kalova vetëm në këtë sektor të naftës edhe pse i vështirë por edhe i bukur. Sot ndjehem krenar që kam punuar në këtë sektor, por nuk ndihem mirë kur sot shikoj që sektori i naftës ka shumë probleme, të cilat vinë më tepër nga keq menaxhimi i saj, aq më tepër kur ky sektor jetik për ekonominë e vendit tonë politizohet dhe për shkak të aferave korruptive në ndonjë rast drejtohet nga njerëz jo kompetentë e profesionistë, nga njerëz që nuk i lidh asgjë me naftën, që nuk i lidh asgjë me këtë sektor. Më dhimbsen dhe revoltohem sot kur shikoj në televizor dhe lexoj në median e shkruar që punëtorët çohen në protesta në kërkim të të drejtave të tyre të mohuara. Qeveria e sotme duhet ta shikojë më mirë këtë sektor, sa fitimprurës, aq edhe të vështirë për ata që punojnë atje duke rrezikuar edhe jetën.

Edhe pse jo me shkollë të lartë de fakto, por de jure po, sa e pëlqeni librin dhe sa e pasur është biblioteka juaj?

Është e vërtetë që unë e kam dashuruar shumë librin dhe vazhdoj ta dashuroj edhe në këtë moshë. Duke qenë se mosha shkollore si mua dhe gjithë brezin tim na gjeti analfabetë për mungesë shkollash, na detyroi që këtë mangësi ta kompensonim duke lexuar shumë. Dëshirën për të lexuar ma nxitën shokët e mi që më mësuan të shkruaj si: Mersin Tozaj, Sheref Memushaj, Jazo Sinovarfi, Abaz Dauti dhe Mumin Selami. Gjithashtu ma trashëgoi edhe babai, i cili edhe pse i datëlindjes 1901, dinte të shkruante shqip, apo vëllai i gjyshit, Shemja kishte mbaruar shkollën e “Zosimesë” në Janinë.

Ndër librat që më ka tërhequr më shumë ka qenë  libri historik, të cilin e preferoj edhe sot. Kushdo duhet të njohë në radhë të parë historinë e vendit të tij, por edhe të vendeve të tjera. Unë ngaqë kam lexuar shumë libra të tillë, e ndiej veten  shumë komod kur ndodhem në ndonjë tavolinë duke pirë kafe,  në ndonjë dasmë a vaki  apo edhe në ndonjë vend ku kuvendohet me burra apo dhe gra dhe kam dëshirë të debatojë qoftë edhe me ata që janë intelektualë e me grada shkencore. Irritohem kur shikoj ndonjë politikan apo zyrtarë të kohës së sotme që bën gafa historike. Është e pafalshme të mos njohësh historinë tënde, të familjes, të fisit, të fshatit, të krahinës e të atdheut tënd, Shqipërisë. Prandaj do t’i drejtohesha brezit të ri që lexoni sa më shumë, njiheni historinë e vendit tuaj dhe punoni për ta bërë atë sa më të bukur. Jo çdo gjë ta jep interneti, edhe pse për kohën e sotme është shumë i nevojshëm. Dikur një mjeshtër më thoshte “nga praktika lindi gramatika”. Gjatë jetës kam lexuar edhe shumë libra shkencorë të lidhur  ngushtë me profesionin tim. Sa për librat politikë, jo se nuk  kam lexuar, por ato nuk kanë zënë ndonjëherë për mua vendin kryesor. Unë kam një bibliotekë të pasur në shtëpi. Gjithashtu  jam anëtar dhe frekuentues i rregullt i bibliotekës së qytetit të Fierit.

Megjithëse vetë nuk kam botuar ndonjë libër, qoftë edhe me kujtime që nuk i kam të pakta, pasi kam edhe shënime të miat dhe të parëve të mi, përgëzoj këdo që ka aftësi, dëshirë dhe që merr mundimin e shkruan. Para më shumë se 15 vjet mbaj mend  se në një takim që u organizua në Kallarat në kujtim të rezistencës së Kallaratit më 1914 kundër grekëve, Profesor Rami Memushaj m’u drejtua duke më thënë: “Më jep një material më të gjerë  për çfarë ke shkruar” dhe unë iu përgjigja: “Profesor! A boton dot libra pensionisti” Ai e kuptoi që një pensionist sot e ka shumë të vështirë të jetojë, pa le të botojë libra. Por megjithatë unë kam kontribuar në mënyrë modeste  në shumë libra të botuar nga shoqata “Labëria”, shoqata “Kallarati” apo bashkëfshatarë të ndryshëm. Mund të të veçoj kontributin në librat “Kanuni i Labërisë”, “Enciklopedia e Kurveleshit”, “Historiku i Kallaratit”, “Paraqitja demografike e fshatrave të Kurveleshit” e “Kujtime për Nënë Duzen e djemtë e saj”, dorëzuar në Muzeun e Vlorës,  etj. Vlerësoj dhe falënderoj të gjithë ata bashkëfshatarë kallaratas që shkruajnë në gazetë dhe që botojnë libra për historinë e Kallaratit dhe të Labërisë duke dhënë kontributin e tyre me qëllim që historia  të mos shterojë, por ajo të njihet e të pasurohet nga të gjithë sidomos brezi i ri.

Në Fier ka jetuar dhe jeton një komunitet jo i vogël kallaratas. A mund të na thoni diçka më tepër.

Kallaratasit, si para luftës së dytë botërore dhe sidomos mbas çlirimit u shpërngulën për një jetë më të mirë në shumë qytete të vendit: në Vlorë, Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Elbasan, si edhe në Fier.  Deri para viteve 90-të në Fier kanë jetuar  rreth 31 familje me origjinë nga Kallarati, ndërsa sot nuk kanë ngelë më shumë se 10 të tilla, për arsye të lëvizjes drejt Tiranës, Vlorës e sidomos jashtë vendit, Itali, Greqi, Gjermani e deri në Kanada e Amerikë. Familja e parë që është vendosur në Fier është pikërisht familja ime më 1956-ën, në kohën që unë u martova sepse unë në Fier kisha ardhur më parë. Më vonë u vendosën edhe familje të tjera si: Stratajt, Gjonajt, Ribajt, Kokëvelajt, Dautajt etj, pa përmendur edhe shumë bija kallaratase të martuar jashtë Kallaratit por që kanë banuar familjarisht në Fier. Ajo që unë dua të theksoj është se të gjithë kallaratasit që kanë qenë në Fier, jo vetëm brezi i parë, i dytë por edhe më të rinjtë janë karakterizuar nga sjellje korrekte dhe nuk kanë qenë njerëz problematikë. Shumë nga bashkëfshatarët tanë kanë dhënë kontribut të veçantë në këtë qytet në sektor të ndryshëm, duke qenë edhe drejtues të lartë. Mund të përmend kontributin e dhënë nga vëllezërit Enver e Xhemal Strati, Shaze Zhibaj, Besim Kasëmi, Sinan Strati, Kujtim Hysi, Dodo Tozaj, Hamit Malo Qejvani, Nesim Gjoni, Safet Shahaj, Ariana Xhelo Dautaj (Mehmeti) e plot të tjerë. Nuk mund të rri pa pëmendur edhe plakun e urtë, të mençur e teper të zgjuar, Dule Strati, historitë, këshillat dhe fjalët e tij të goditura i kujtojmë edhe sot. Gjithashtu do të theksoja se të gjitha familjet kallaratase kanë shkuar mjaft mirë me njëri tjetrin, kanë qenë të pranishme midis tyre në raste gëzimesh dhe hidhërimesh. Të tilla janë edhe sot, ku pa dyshim rol ka edhe dega e shoqatës “Kallarati” në Fier.

Vazhdimisht ju ka tërhequr dashuria për vendlindjen Kallaratin, çfarë mund të na thoni për të dhe në veçanti për njerëzit e tij?

Mendoj se çdo kallaratas në çfarëdo periudhe që të jetë larguar nga vendlindja e kujton Kallaratin me shumë dashuri e dhembshuri. Edhe unë jam njëri prej këtyre. Na bëhet zemra mal kur dëgjojmë gjëra të mira për fshatin tonë në përgjithësi dhe për njerëz të veçantë të tij, Ashtu si kundër ndjejmë keqardhje kur mësojmë ndonjë lajm të keq vdekjeje, sëmundjeje, aksidenti apo diçka tjetër.

Kallarati si çdo fshat e krahinë ka historinë e tij. Dhe kjo histori pak a shumë është e dokumentuar dhe e shkruar. Lidhur me prejardhjen e emrit të fshatit Kallarat ka mendime të ndryshme. E quaj me vend hapjen e debatit para disa kohësh në gazetën tonë “Cili është mendimi juaj për prejardhjen e emrit Kallarat?”. Kam lexuar shkrimet në gazetën tonë të Profesor Ramiut, të Gafurit, Seitit etj, të cilët sipas argumenteve të tyre japin një variant të prejardhjes së Kallaratit. Me rrahjen e mendimeve jo kuturu, por mbi baza shkencore e studimore besoj se do të arrihet në një përfundim, i cili me siguri do të na çojë ose do të na përafrojë tek burimi më i mundshëm. Kjo do të arrihet përmes debatit me argumentime e kundër argumentime të bazuara. Vetëm kështu mund të shkohet drejt të vërtetës. Është logjike që përparësi në këto diskutime t’i jepet argumentimit gjuhësor, filologjik, pa shpërfillur mendimet e tjera për aq sa mund të qëndrojnë. Historia dhe të vërtetat historike nuk kanë të mbaruar asnjëherë. Gjithmonë do të gjenden dhe deklarohen fakte të reja.

Për Kallaratin ka ende gjëra të pazbuluara, për të cilat intelektualët me origjinë nga ky fshat duhet që të gërmojnë në çdo drejtim. Kallarati ka pasur dhe ka njerëz të mençur, punëtorë e të zgjuar, të cilët kanë dhënë  shumë, në radhë të parë për Kallaratin, krahinën, por edhe më shumë, për Shqipërinë. Të tillë ka shumë si në atë kohë edhe në kohën e sotme. Por për të mos ngelë qejfi unë nuk do të përmendja emra, por do të përmendja vetëm disa nga fushat ku janë shquar si: politika, arsimi, kultura, sporti, arti, letërsia, ushtria etj. Por gjithashtu mendoj se duhen propaganduar kush? kur? çfarë ka bërë cilido për Kallaratin dhe më gjerë në çdo epokë të historisë.

Në numrin e fundit të gazetës Kallarati Profesor Ramiu deklaron se së shpejti lexuesit do të gjejnë në faqet e gazetës Kallarati listën e kryefamiljarëve të fshatit tonë në vitin 1583, falë dashamirësisë së historianit Ferit Duka, i cili ka bërë përkthimin e defterit të Sanxhakut të Vlorës të vitit 1583. Gjë shumë e mirë, le të presim.

Mesa jam në dijeni unë, në Kallarat aktualisht kanë ngelur shumë pak familje, pasi lëvizja e lirë pas viteve 90-të dhe emigrimi bënë punën e vet. Banorët e atjeshëm sot përballohen me shumë halle e probleme si në bujqësi, blegtori, frutikulturë, ku duhen bërë investime, me qëllim që prona private të lulëzojë më shumë. Mbi të gjitha do të veçoja ndërtimin e rrugës, e premtuar me shumë bujë nga mazhoranca aktuale gjatë fushatës, ndërtimi i së cilës besoj se do t’i ktheje përsëri të larguarit pranë vendlindjes.

Edhe pse është një pyetje që ua drejtojmë edhe të tjerëve, ç’mund të na thoni për shoqatën “Kallarati” dhe gazetën me të njëjtin titull?

Mendoj se krijimi i shoqatës “Kallarati” e ka justifikuar plotësisht qëllimin për të cilin u krijua. Ajo me drejtuesit e saj ka bërë që të shtohen veprimtaritë në kujtim të historisë dhe figurave të shquara të fshatit. Vend për përmirësim ka gjithmonë. Afrimi në të i brezit të ri dhe besimi tek ta duhet të jetë më i madh. Edhe për gazetën kam mendim pozitiv. Mendoj se përmbajtja, cilësia por edhe faqosja e saj kanë ardhur në rritje. Fakti që numri i botimit ka arritur në 70, tregon se është bërë një punë e mirë. Vërejtje për të qenë në nivel edhe më të lartë ka pasur dhe do të ketë gjithmonë. Të gjithë duhet të pranojmë faktin se gazeta mbahet me një redaksi mbi baza tërësisht vullnetare. Vullnetarizmi nuk është i keq pasi në çdo kohë do të gjenden njerëz të përkushtuar për ta kryer këtë detyrë. Do të ishte komoditet sikur redaksia e gazetës të kishte njerëz të paguar, atëherë me siguri edhe cilësia do të rritej, por kjo kërkon sponsorizime të mëdha. Edhe kështu siç është nuk është keq. E rëndësishme është të vazhdojë të mos fiket, por të ndriçojë, qofte edhe me pak dritë, por përsëri  të ndriçojë. 

Hapja e një numri llogarie, për të cilën ka kaq kohë që flitet dhe nuk bëhet, mendoj se do të ishte një gjë shumë e mirë, pasi kushdo kallaratas kudo që mund të ndodhet dhe që dëshiron të kontribuojë financiarisht për shoqatën, gazetën apo veprimtari të veçanta, i krijohet mundësia edhe pa qenë vetë fizikisht.                                                                                                                                                        

Sipas njoftimit të bërë nga kryesia e shoqatës, në korrik të vitit 2014 do të përkujtohet 100 vjetori i luftës së Kallaratit kundër antardëve grekë, çmendim keni për organizimin sa më të mirë të këtij përvjetori?

Çdo përvjetor ka rëndësinë e vet, por të festosh 100 vjetorin e rezistencës së një fshati kundër pushtuesve do të thotë shumë, do të thotë se ky fshat paska histori të hershme. Më gëzon fakti që kryesia e shoqatës “Kallarati” e ka marrë me seriozitet organizimin e kësaj veprimtarie, duke e bërë atë të ditur nëpërmjet gazetës, një vit më parë, me qëllim që të ketë kohë për të përmbushur të gjitha ato detyra që kryesia ka vendosur, por edhe për të planifikuar njerëzit lejen. Nëse do të arrihen të gjitha ato që janë parashikuar në program si: ngritja e memorialit në Koprift kushtuar rezistencës së Kallaratit, Kuçit e Bolenës  gjatë kryengritjes kundër Reformave të Tanzimatit; hartimi dhe botimi i historikut të fshatit; botimi i përmbledhjes së folklorit me këngë, bejte, poezi, vaje të Kallaratit dhe veprimtari të tjera, do të ishte gjë shumë e mirë. Personalisht, edhe pse për arsye moshe dhe shëndetësore mund të mos marrë dot pjesë në këtë veprimtari, jam gati të jap kontributin tim për çdo gjë që unë di për Kallaratin.

Keni më shumë20 vite që jeni në pension dhe jeni shkëputur nga puna, si e kaloni kohën në përgjithësi dhe sa aktiv jeni edhe në këtë moshë afër të 80-tave. Cili ka qenë dhe është sot kontributi juaj shoqëror?

Është e vërtetë që kam mbi 20 vite në pension dhe dihet që kur del në pension sikur shkëputesh nga shoqëria, nga ajo ngarkesë e përditshme e punës, edhe pse mund të jetë e vështirë, duket sikur të mban në tension, të bën të ndjehesh më i ri. Jeta ime në pension ka qenë pak a shumë aktive si në lagje, por në veçanti me bashkëfshatarët kallaratas këtu në Fier. Pothuajse çdo ditë takohemi, pimë kafe e shkëmbejmë mendime për situatën politike dhe shoqërore në vend, por kujtojmë edhe vendlindjen. Interesohemi kush lindi, kush vdiq, kush u martua, ku shkoi ky, ku shkoi ai etj. Këto nuk i bëjmë se duhet të dimë çdo gjë, por nisur nga dëshira e mirë që për njerëzit tanë, për bashkëfshatarët të dëgjojmë vetëm gjera të mira e pozitive. Angazhimi në degën e shoqatës “Kallarati” dhe “Labëria” këtu në Fier, sikur ma lehtësojnë edhe shëndetin dhe sikur më mbajnë  gjallë dhe më bëjnë më tepër aktiv. Në moshën që jam tani të pleqërisë, aktiviteti jashtë shtëpisë sa vjen e zvogëlohet, por megjithatë gjej mënyra të tjera për ta kaluar duke parë lajme e duke ndjekur emisione të ndryshme që nuk janë paktë në shumë kanale televizive shqiptare, duke pirë kafe me bashkëshorten, duke pritur vajzën, dhëndrin, nipin dhe mbesën të cilët na e bëjnë jetën më të bukur edhe pse në këtë moshë.

Duke përfunduar cili do të ishte urimi apo mesazhi për kallaratasit dhe lexuesit e kësaj gazete.

Kallaratasve kudo që ndodhen do t’ju uroja shëndet dhe mbarësi në familjet e tyre, por do t’ju sugjeroja që herë pas here të kthejnë kokën  në vendlindjen e tyre, Kallaratin dhe të mos e harrojnë atë për asnjë çast.

Duke ju falënderuar për rrëfimin e një pjesë të jetës tuaj, por edhe për vlerësimet dhe mendimet që dhatë për Kallaratin dhe kallaratasit, në emër edhe të redaksisë së gazetës dhe lexuesve të saj, ju uroj jetë të gjatë, pleqëri të mbarë, shëndet dhe suksese në familje e kudo.

Intervistoi: Besnik Gjonbrataj

Botuar ne gazeten Kallarati, Nr. 71, Shtator-Tetor 2013

Next Post

NJOFTIM PËR ÇELJE NUMURI LLOGARIE TË SHOQATËS “KALLARATI”

Pre Jan 31 , 2014
  Të dashur kallaratas dhe dashamirës të tij kudo që ndodheni! Me kënaqësi ju njoftojmë se tashmë shoqata atdhetare & kulturore “Kallarati” me qendër në Vlorë, do të ketë numrin e vet të llogarisë pranë Bankës Societe Generale Albania. Kushdo prej jush, që ka mundësi dhe dëshirë për të kontribuar […]
images 1