KALLARATI KRENOHET ME BIJ SI HARIZ GOXHAJ

Seit JonuzajNuk janë të paktë bijtë e Kallaratit që me bëmat e tyre, me trimëritë në luftë për mbrojtjen e çlirimin e trojeve shqiptare në rrjedhën e kohës dhe me shërbimet që i kanë bërë atdheut kanë bërë emër e janë shquar. Ata kanë nderuar familjen e fisin e tyre dhe Kallaratin. Një i tillë është edhe Hariz Goxhaj. Prandaj Kallarati nuk e harron atë. E kujton e do ta kujtojë brez pas brezi, si të gjithë bijtë e tjerë. Harizi kish lindur në Kallarat më 7 gusht 1911 në një familje tejet të varfër të Goxhajve, në kohën që Shqipëria akoma nuk i kish këputur vargojtë e robërisë së gjatë otomane. U rrit me të keq në varfërinë dhe mjerimin e tejskajshëm që përjetonte Shqipëria e atyre viteve edhe pas shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Në rininë e tij, nevoja ekonomike për të mbijetuar e kish detyruar Harizin, si shumë kallaratas të tjerë, të rropatej poshtë e lart, si në Selenicë, Kuçovë e Vlorë, në kërkim pune dhe të bënte çdo punë që gjente. Viti 1935 e gjeti në Kuçovë Hariz Goxhajn bashkë me bashkëfshatarët e tij, Dalan Haxhi Abazaj, Azbi Asllan Breshanaj, Feti Xhelo Tozaj e të tjerë. Atje punonin në nxjerrjen e naftës, por kushtet i kishin shumë të vështira, trajtoheshin keq, punonin me orar të zgjatur, flinin nëpër mullarë bari të fshatarëve dhe paguheshin pak. Prandaj nisën të protestonin, duke kërkuar përmirësimin

e kushteve të punës e të trajtimit. Në një bisedë që kam zhvilluar me Hariz Goxhajn rreth vitit 2ooo, ai më përshkroi veprimtarinë e tij që nga viti 1935.Ja se çfarë tregonte Harizi. Në tetor të 1935-s u krijua në Kuçovë Shoqëria “Puna” me kryetar Mafuz Lazen. Në të u futën të gjithë kallaratasit që punonin në nxjerrjen e naftës atje. Më 11 shkurt të 1936-s u bë një grevë, në të cilën morën pjesë të gjithë kallaratasit. Kërkesat tona në këtë grevë ishin: shtim page, 8 orë punë, përfitim leje etj. Mirëpo greva jonë u shtyp me dhunë nga ministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe, Hetem Toto. U bënë edhe përjashtime nga puna. Ndër ata që u përjashtuan nga puna më 1936 ishte edhe Feti Xhelo. Dhe Harizi e vazhdoi të tregonte kujtimet e tij. Më 6 prill 1939-tregon ai- u mblodhëm te Posttelegrafa e Kuçovës, duke kënduar këngën “Eja mblidhu këtu, këtu…” që ishte parrulla jonë për t’u mbledhur. U nisëm për në Berat për të kërkuar armë. Rruës gjenim fletushka propagandistike italiane që hidhnin aeroplanët. Ne i mblidhnim e i digjnim. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, ne u larguam nga Kuçova dhe erdhëm në Vlorë, ku u futëm për të punuar në shoqërinë italiane “Çelpa” që ndërtonte ujësjellësin e Vlorës. Këtu në “Çelpa”, përveç meje, tregon Harizi, ishin edhe Dalan Haxhiu,, Feti Xhelua, Muço Xheviti, Haxhi Ilazi me të birin, Sadikun, Numan Sadushi (Goxhaj), Arif Breshanaj, Xhemil Xhelo me të birin, Sinanin, Malo Hitaj, Besim e Thanas Kasëmi e Sinan Hitaj. Në vjeshtë të 1940-s bëmë një grevë (Sinan Hitaj u hodh i pari në grevë), sepse italianët donin të na përzinin nga puna. Ju jeni të kuq që bëni grevë, na tha karabinieria italiane. Do t’ju dërgojmë në ishuj të Italisë, më thane mua tregon Harizi. Pastaj ma kthyen, duke më kërcënuar se do më dërgonin në fshatin tim për t’u paraqitur në komunë. Pas kësaj, ikëm nga “Çelpa” dhe u futëm në ndërmarrje të tjera, tha Harizi. Harizi në Vlorë bënte pjesë në një celulë treshe, në të cilën, përveç tij, ishin Fuat Goxhaj dhe Razip Sherifi nga Vranishti. Kjo celule treshe quhej “Treshe e Kuqe” dhe Harizi kishte pseudonimin “Fusha” dhe Fuati “Gishti”. Si detyrë kishin të bënin sabotime në armë, meqenëse Harizi punonte në ofiçinën e armëve të ushtrisë, si dhe në drejtime të tjera. Lidhjet i mbanin me Besnikun (Hysni Kapon) nëpërmjet Banush Goxhit që ishte përgjegjës i grupit guerril e ndonjë tjetri. Tanimë Harizi kishte krijuar dhe familje, ishte martuar me Qamilenë. Në shtëpinë e Myzejen Mustafait në Topana, ku banoja unë,-vazhdon tregimin Harizi-, Mumin Selami shtypte komunikata me një makinë shkrimi OLIVET. Komunikatat i shpërndanim unë e Qamua. Më vonë, për arsye sigurie nga që mund të diktohej në Topana, Mumini e vazhdoi shtypjen e komunikatave në një ferrë të madhe në Kuzumbaba, në anë të një përroi dhe prej andej na i sillte neve për t’i shpërndarë. Por më vonë shkoi edhe më larg. Vente e i shtypte komunikatat në Radhimë. Në fillim në shtëpinë time, tregonte Harizi, vinte edhe Duzja, herë me umunin, herë vetëm.

Siç shihet, Hariz Goxhaj me shtëpinë e tij ishte bazë për Mumin Selamin. Por ky, për veprimtarinë e tij antifashiste, si i ri revolucionar që ishte, ndiqej dhe kish rënë në gjurmë të fashistëve. Prandaj u largua nga shtëpia e Harizit, duke kaluar në një shtëpi tjetër ku, siç dihet edhe u vra. Kur e pushuan nga puna në “Çelpa”, Harizi iku nga Vlora e shkoi në Durrës së bashku me Adil Petanajn dhe Nuredin Breshanajn. Ishte viti 1940, pa filluar Lufta italo-greke. Atje u futën në sipërmarrjen italiane AIPA. Harizi e Adili si punëtorë ngarkim-shkarkimi në port, ndërsa Nuredini transportonte

me traktor materiale ushtarake nga anijet. Një ditë, thotë Harizi, për sabotim dogjëm nje makinë ushtarake me bar për ushtrinë. Pas tre muajsh Harizi u rikthye në Vlorë, ku u fut në punë si punëtor

krahu me lopatë në fushën e aviacionit së bashku me Xhafer Hyson që punonte traktorist (fundi i vitit 1940-fillimi i vitit 1941).

Pas ikjes së Harizit nga Durrësi, Nuredini kish djegur një depo ushtarake italiane. E burgosën, por për mungesë faktesh e liruan, duke e shoqëruar deri në Fier me karabinierë, ku ia dorëzuan postkomandantit të karabinierisë aty, Hasan Shamos. Ky e lëshoi, tregon Harizi, duke e porositur që të ruhej se mos e kapnin (fundviti 1941- fillimviti 1942. Nuredini erdhi në Vlorë e u fut në punë roje në “Poliçel”, mirëpo pas 2-3 ditësh u dha urdhër nga Luogotenenca që të arrestohej Nuredini, si njeri i rrezikshëm. Për këtë urdhër Xhafer Hyso, që në këtë kohë punonte polic kuesture, lajmëroi Harizin. Kyj vuri në dijeni Nuredinin, i cili pagoi një shofer, duke u bërë si ndihmës i tij që e nxorri nga Vlora nëpërmjet rrugës së Bregut dhe vate në çetën partizane “Haredin Tremishti”. Në këtë çetë do të rreshtohej edhe Harizi. Me krijimin e Zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër, Harizin, nga çeta “Haredin Tremishti” e batalionit “Hasim Zeneli”, e sollën pranë kësaj Zone si teknik armësh. Në maj-qershor të 1943-shit,-vazhdon tregimin Harizi-, në Kallarat erdhën një grup eksponentësh të organizatës së Ballit Kombëtar: Hazis Çami, Bego Gjonzeneli, Tahir Hoxha, Skënder Muço, Kudret Kokoshi, Xhemil Meço, Isuf Luzi, Hysni e Safet Allushi. Në Morrez u bë një mbledhje ku merrnin pjesë të ardhurit nga njëra anë dhe veprimtarët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të fshatit nga ana tjetër. Nisën debatet për luftën. Të ardhurit thoshin se ne do të luftojmë kur armiku të vejë më buzë të varrit, sepse tani dëmtohemi, na vriten djemtë, na digjen shtëpitë etj. Ndërsa pala jonë e Lëvizjes i kundërshtonim, duke ngulur këmbë që është e domosdoshme të hidhemi të gjithë në luftë kundër pushtueve fashistë menjëherë. Mirëpo ata nuk pranonin.Unë, thotë Harizi, thashë, këta që nuk pranojnë ta luftojnë fashizmin janë dërguar nga Luogotenenca. Poshtë Fashizmi! Poshtë ata që hanë miell nga fashizmi! Rroftë Rinia antifashiste shqiptare!

Një ngjarje tjetër e treguar nga Harizi. Në vjeshtën e vitit 1943, Shtabi i Zonës I Operative e kish nisur bashkë me Riza Taushanin të çonin një letër Besnikut në Lapardha. Aty u thanë se Besniku ndodhej te mulliri i Velçës dhe u nisën për atje. Te teqeja e Velçës ndodheshin shumë bashkëpunëtorë të pushtuesve, randaj Harizi me shokun e tij u futën në një pyll, por u diktuan dhe u rrethuan, duke ua veshur me mitralozë. I kapën e i çuan në Gjorm, ku ishte komanda e tyre, tek Aziz Çami, i cili i kujtoi Harizit kundërshtimin që i kishte bërë në Morrez. Vendosën që t’i pushkatonin. Por aty, siç tregonte Harizi, ndodheshin Demir Lato dhe Fein Çelo, të cilët nuk i lejuan t’i pushkatonin. Ndërsa Rakip Laçaj që e kishin kapur duke kaluar me mushkë, u tha se po e vratë Harizin, dijeni që ai ka vëllezër gjallë. Kështu shpëtoi Harizi, bashkë me partizanin tjetër. Me

krijimin e Brigadës së 5-të Sulmuese, Harizi do të bëhej pjesëtar i këtij formacioni partisan të lavdishëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në radhët e saj ai kryente detyrën e teknikut të armëve dhe e vazhdoi luftën deri në çlirimin e plotë të atdheut dhe arritjen përfundimtare të fitores mbi nazifashizmin. Por Harizi në luftën çlirimtare të popullit tone kishte dhe shoqen e jetës, Qamilenë me gjithë Refitin foshnjë në krah. Pra, kjo ishte veprimtaria luftarake e atdhetarit Hariz Goxhaj në shërbim të çlirimit të atdheut.

Pas çlirimit Harizi punoi në uzinën e armatimit të Ushtrisë në Tiranë, pastaj në Ministrinë e Minierave dhe në fund në minierën e Selenicës derisa doli në pension pleqërie. U nda nga jeta në mars të vitit 2001. Në luftë ai ishte një luftëtar trm e i guximshëm, në punë ishte i përkushtuar dhe i respektuar nga shoqëria. Me Qamon lindën, rritën dhe edukuan me sjellje shembullore dhe me vlera për familjen e shoqërinë djemtë Refit, Kastriot e Agron dhe vajzat Diana e Teuta. Si veteranë të LANÇ, Harizi dhe Qamilea u mbetën besnikë deri në fund të jetës idealeve për të cilat luftuan e punuan. Ata sot nuk jetojnë më, por kanë lënë emrin dhe kujtimin e tyre të paharruar.

Seit JONUZAJ

Botuar ne Nr.47 te gazetes Kallarati

Next Post

Shkronja "ë", Memushaj: Dakord me Majkon, gjuha po politizohet

Mar Gus 14 , 2012
Nga: FATMIRA NIKOLLI TIRANE – Gjuhëtari i njohur prof. Rami Memushaj e cilëson të drejtë dhe me vend reagimin e ish-Kryeministrit dhe deputetit aktual të Partisë Socialiste për shkronjën ë, Pandeli Majko. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai sqaron në mënyrë të detajuar atë që po ndodh sot me gjuhën shqipe, […]

Mund t'ju duken interesant edhe artikujt