KUJTIME PËR NDËRTIMIN E FSHATIT, NGA BASTRI HOXHAJ

Pas djegies së fshatit në rrëzë të malit të Bogonicës nga andartët grekë më 1914, fshatarët tanë zbritën dhe ndërtuan shtëpitë e tyre pranë tokave të tyre poshtë në ultësirë. Mirëpo këto toka ndodheshin të shpërndara në tërë territorin e Kallaratit, prandaj edhe shtëpitë e ngritura në ato toka ishin po ashtu të shpërndara larg e larg njëra tjetrës.

Rreth viteve 60-të u hodh ideja e grumbullimit të fshatit. Këtë grumbullim shtëpish, përveç nevojave të tjera, e kërkonte edhe elektrifikimi i fshatit që do të bëhej në një të ardhme jo të largët, përndryshe, ato familje që nuk do ndërtonin shtëpitë brenda vijave të verdha që do të caktoheshin, nuk do të përfshiheshin në marrjen e dritave elektrike. U fillua nga puna me vendosjen e të parës vijë të verdhë në lagjen e Qafës së Ubavit, pastaj në lagjet e Morrezës e të Bashait. Për të tri këto lagje vijat e verdha u caktuan nga Urbanistika e rrethit Vlorë sipas planit rregullues të hartuar prej saj, pas një studimi të kryer në vend. Kështu nisi grumbullimi i fshatit, duke ndërtuar shtëpitë brenda vijave të verdha të këtyre lagjeve.

Në vitet 1970-71 u bë edhe elektrifikimi i fshatit, duke përfituar drita vetëm familjet që banonin brenda vijës së verdhë. Deri më 1978 rreth 90% e shtëpive ishin ndërtuar brenda vijave të verdha. Duke qëne se kooperativa bujqësore ishte bërë ca më e fuqishme se më parë, ashtu sikurse edhe shteti e ndërmarrjet ekonomike të rrethit, u bënë përpjekje për ndërtimin e infrastrukturës së vogël të fshatit, e cila pothuajse nuk ekzistonte ose ajo që ishte nuk i plotësonte nevojat. Në pranverë të vitit 1978 u bë një mbledhje e zgjeruar me veprimtarë të fshatit. Midis shumë folësve, mësuesi ynë i nderuar, Bilal Breshanaj, me forcë parashtroi idetë e tij: “Puna e parë që duhet të bëjmë-tha ai-duhet t’i vëmë emër fshatit, sepse i mungon”. U morën masat e duhura dhe në krah të majtë të lapidarit të sotshëm të dëshmorëve, i cili në atë kohë nuk ishte ngritur, u ndërtuan dy kolona të bukura me tulla silikate të bardha që silleshin nga Tirana. Mbi këto kolona u vendos një hark me llamarinë, në të cilin shkruhej: “KOOP. BUJQ. “MUMIN SELAMI”,SEKTORI KALLARAT”. Ndërkohë punohej për ndërtimin e kopshtit të ri për fëmijët te pusi i Toçe. Për ujësjellësit në Morrez, Basha e Qafë të Ubavit u ndërtuan veprat e marrjes së ujit pranë burimeve, sipas standardeve të kohës. U ndërtuan prita që burimet të mos ndryshonin rrjedhën. Tubat prej eterniti që ishin përdorur deri në atë kohë nuk kishin dhënë rezultat,prandaj u zëvendësuan me tuba metalikë të zinkuar dhe si hap i parë u bënë çezma publike në të tria lagjet, ku mbushnin ujë familjet, pinin fshatarët dhe kalimtarët. Më vonë vijat e ujësjellësit erdhën duke u shtuar e zgjeruar, ndërkohë shumë familje e futën ujin në shtëpi apo në oborr. Për hapjen e kanaleve organizoheshin herë pas here punë vullnetare. Ndërtime të tjera vazhdonin pa ndërprerje, si zgjerimi i magazinës së kooperativës, ndërtim stallash, kanalesh ujitjeje për arat, lera e depozita uji për bagëtitë në male etj. Ndërtoheshin rrugë bujqësore e blegtorale. Cilësia dhe ritmi i ndërtimeve erdhi gjithnjë në rritje.

Në vitin 1981, pasi kishim përfunduar disa objekte ekonomike e sociale, në qendër të fshatit, Morrez, nisi vrullshëm puna për ndërtimin e lapidarit të dëshmorëve dhe klubit, zgjerimi i rrugës nga hyrja e fshatit deri në përroin e Ubavit. Për ndërtimin e lapidarit dhe mjedisin përreth u punua me cilësi të lartë. Kallarati ishte nga të rrallat fshatra të zonës, madje edhe më gjerë, që ndërtoi banja publike, si në qytet, me nga tre kabina për secilën gjini dhe me person përgjegjës për pastrimin e tyre. Por ndërtimi i fshatit vazhdonte. U ndërtua shkolla e re, rrjeti i ri tregtar dhe artizanal, zyrat e administratës së fshatit, si dhe të PTT-së, të rojës operative dhe vazhdoi zgjerimi i rrugës nga Qafa e Ubavit drejt Morrezës. Për kalimin e përrenjve në qendër të fshatit u ndërtuan 4 ura të mëdha e të vogla. Ndërtimet e viteve të fundit u shoqëruan edhe me mjedise shlodhëse, sheshe, lulishte, pemë, stola etj.

Në këto pak rreshta nuk mund të përfshihen të gjitha ndërtimet e më se 14 viteve. Ajo që dua të përmend më poshtë është kontributi shumë i madh që kanë dhënë burrat dhe gratë e Kallaratit, sepse shumë punë janë bërë vullnetarisht, pa pagesë nga rinia, fronti demokratik, mësuesit e nxënësit e shkollës, nga kallaratas që punonin në ndërmarrje shtetërore, nga blegtorët, punëtorë të bujqësisë etj. Në mënyrë më të drejtpërdrejtë kanë derdhur djersën dhe talentin e tyre specialistët e skuadrës së ndërtimit, e cila në këto vite u bë më e madhe se brigadë që drejtohej nga Bexhet Jonuzaj. Një nga punëtorët e specialistët më të palodhur ka qënë i ndjeri Selman Qejvanaj, për të cilin mund të themi se nuk ka ndërtim në Kallarat, ku të mos ishte edhe dora e tij. Dhe pas tij tij vinin Fadil Qamili, Fadil Azbiu, Alem Qejvanaj, Novruz Goxhaj, Ago Jonuzaj, Reshat Dautaj, Toli Habilaj, Hiko Rjepaj e Dulla Qejvanaj.

Nuk mund të lë pa përmendur kontributin e madh të ish drejtorit të Ndermarrjes Rruga-Ura të Vlorës,Hysni Leskaj, i cili ka bërë pjesën më të madhe të transportit të materialit për mure dhe mbushje të rrugëve e shesheve. Kurse i ndjeri Luan Demiraj u shkëput nga puna e ndërmarrjes së tij dhe për muaj të tërë bëri transportin e të gjitha materialeve që duheshin për ndërtimin e lapidarit të dëshmorëve, të klubit dhe mjedisit përreth. Ndërsa dy studentët e asaj kohe, Fatmir Mataj e Bako Xhaferaj, me të marrë pushimet fillonin punë përkrah ustallarëve. Ata, për punën që bënin dhe sjelljen e tyre, ishin të mirëpritur. Pas gjithë këtyre ndërtimeve që përmendëm, i kishte ardhur radha shtëpisë së kulturës dhe muzeut të fshatit, objekte të cilat do ta kishin zbukuruar edhe më shumë qëndrën e fshatit tonë.

Me ndryshimin e sistemit politiko-shoqëror e ekonomik ndodhën edhe ndryshime të tjera. Mbi 60% e popullsisë së fshatit u largua drejt qëndrave të mëdha të banimit dhe emigrimit për një jetë më të mirë. Sistemi që kemi sot jep disa avantazhe më shumë për zhvillimin e fshatit nëpërmjet investimit. Unë, si pjesëmarrës dhe si kontribuues në ato çka shënova më lart, dëshiroj që fshatit t’i kthehet gjallëria, kallaratasit të kthehen të ndërtojnë, siç ka bërë Mirjan Ribaj dhe të vazhdohet anës rrugës deri në Gjikveshe për t’i bashkuar të dy lagjet. Dëshiroj që me kalimin e kohës, të organizohemi nëpërmjet Shoqatës “Kallarati” për të asfaltuar sheshin para lapidarit të dëshmorëve në Morrez dhe sheshin e lagjes në Qafë të Ubavit.

Bastri HOXHAJ, Itali.

Botuar ne Gazetën “KALLARATI”, Nr. 45, Maj-Qershor 2009

Next Post

NE VLORE PERJETESOHEN FIGURA KALLARATASE ME EMERTIM RRUGESH KRYESORE

Pre Maj 4 , 2012
Kohët e fundit Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi një varg emrash të figurave të shquara për emërtim rrugësh të qytetit. Ndër ta u miratuan edhe një pjesë nga emrat e figurave të shquara kallaratase që kishte propozuar Shoqata “Kallarati”. Emrat e kallaratasve që do t’u vihen disa rrugëve të qytetit […]