KUJTIMI KUJTON DHE NDERON NË 60-VJETOR BABAIN DËSHMOR

– TREGIM I JETUAR –

“Disa njerëz edhe kur janë ndarë nga jeta, sado kohë të ketë kaluar, për veprat dhe cilësitë e tyre jetojnë midis të gjallëve në breza dhe kujtohen e nderohen prej tyre”. Një nga këta është edhe Ferik Teslim Strataj.

Me Ferik Stratajn u njoha 65-vjet më parë, më 30 maj 1944 në Përmet, pas punimeve të Kongresit Antifashist Nacionalçlirimtar. Më prezantoi një kushëriri im, Namik Abazaj. Unë partizan i Brigadës së 5-të partizane, ata të Brigadës së 8-të partizane. Feriku ishte rreth 25-28 vjeç, kurse ne të dy, 15-vjeçar. Namiku më foli me kënaqësi e përzemërsi për cilësitë dhe trimëritë e Ferikut, si pjesëtar i çetës territoriale të Kallaratit dhe në radhët e Batalionit të 3-të të Brigadës së 8 Sulmuese.

Nuk nënvlerësoj asnjë njeri e as një fis të fshatit Kallarat, se është fshat me histori, me njerëz shumë të mirë, atdhetarë e luftëtarë. Të tillë janë Tozajt, Karabollajt, Jonuzajt, Qejvanajt, Meçajt, Gjonbratajt, Breshanajt, Shakajt etj. Po në këtë rast veçoj Ferik Stratajn, i biri i Teslim Stratajt të dëgjuar si atdhedashës e luftëtar, pjesëmarrës në shumë luftëra, në të cilat ka treguar trimëri, ashtu siç veçohet Meçan Selami për kontribute në fushën e arsimit e të edukimit.

Veçoria e dytë e Ferik Stratajt ishte se ai, si luftëtar i lirisë, pushka e tij u dëgjua në Gusmar më 1942 dhe pothuaj në të gjithë Shqipërinë në përbërje të çetës së Kallaratit dhe të Brigadës së 8 S të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ai luftoi në Borsh, në Konispol, në Gjorm, në Zagori, në Përmet, Gjirokastër, në Berat, Kuçovë e Lushnjë, në Tiranë e deri jashtë kufijve, duke filluar nga Podgorica e Malit të Zi e deri në Vishegrad të Bosnjës Jugore për çlirimin e tyre. Për cilësitë e larta dhe aftësitë e tij organizative e drejtuese Feriku u bë komandant i kompanisë së dytë të batalionit të tretë të brigadës.

Veçoria e tretë e Ferik Stratajt është se edhe dy vëllezër të tjerë të tij, Cania e Sinani ishin partizanë. Pra, familjarisht Stratajt merrnin pjesë në LANÇ. Por për Ferikun lufta nuk kish mbaruar. Ai pas çlirimit dha jetën për mbrojtjen e kufijve shtetërorë.

Më 1949 unë, bashkë me Liza Dodën nga Shkodra dhe Kozma Llazarin nga Lukova e Sarandës isha me punë mësues në shkollën 7-vjeçare të Kallaratit. E kujtoj me mall kënaqësinë që kam ndier midis kallaratasve, të mëdhenj e të vegjël. Disa prej emrave të tyre i ruaj edhe sot në kujtesën time pas 60 vjetësh. Nuk mund të harroj përkrahjen dhe kujdesin e Duze Barjames, të Muço Gjonbratajt, të Telo Zhibajt, të Xhevo Jonuzajt dhe shumë të tjerëve. Besoj se nuk do të ketë shtëpi në Kallarat që të mos e kem vizituar dhe të mos më ketë mirëpritur. Isha 19-vjeç. Jo si përgjegjës i shkollës, si i vranishnjot dhe si anëtar i organizatës së partisë, po pritesha si djali i tyre. Aty punova 9 muaj, duke u strehuar nga 3 muaj tek Tefo Fegia e Karabollajve, te Hanko Toçia e Janjajve (nënë e dëshmorit Islam Janjaj) dhe 3 muajt e fundit te nënë Duzja, nëna e Heroit të Popullit Mumin Selami dhe deputete e Kuvendit Popullor.

Deri në atë vit (1949) nuk ishin shëruar plotësisht plagët e luftës. Toka e ajri vazhdonin të binin era barut. Njerëzit shkelnin akoma mbi gëzhoja, mina e bomba. Agjenturat e huaja dhe të arratisurit bënin gjëma. Ndërhyrja jugosllave në punët e brendshme të Shqipërisë kish sjellë shumë pasoja. Musto Korrocka, Sali Azemi, Laze Nuro e të tjerë të arratisur bënin krime, vrisnin edhe njerëz të pafajshëm e të thjeshtë.

Prandaj shqiptarëve në punë, në ara e në male me bagëti u kishte mbetur pushka në sup. Presioni i qarqeve shoviniste në të katër anët e kufijve ndaj Shqipërisë ishte shumë i madh. Greqia deklaronte botërisht se donin e do të marrin të ashtuquajturin “Vorio Epir”.

Populli shqiptar iu përgjigj me këngën:

Kotokoja me Zervën

Kërkojnë viset tona

Neve ju përgjigjemi

Se s’jemi makarona

Të gjithë jemi betuar:

Do t’i mbrojmë ata kufij

Zerva po të duash eja

Se dhe ne jemi gati

T’i provosh armët tona

Djemtë që ka populli.

Më 2 gusht 1949 ushtria monarko-fashiste greke sulmoi kufirin e Shqipërisë së jugut Sarandë-Gjirokastër-Korçë. Gramozi, Vidohova e Kapshtica ishin drejtimi i mësymjes kryesore të ushtrisë greke. Në saj të numrit të madh të forcave dhe mjeteve luftarake që hodhi në sulm pala greke, forcat e saj u futën në thellësi të tokës sonë, por shpejt u bllokuan. Toka jonë u bë varri i tyre. “Para patridha! Ju bënte thirrje Zerva. Para po s’ma mban”, -përgjigjeshin ushtarët grekë. Nga ata u vranë e u zunë robër shumë. Ata erdhën për lesh dhe ikën të qethur. Ushtria jonë dhe populli ynë u dha një mësim të madh grekëve dhe fqinjëve të tjerë sa që nuk e harruan për 45 vjet.

Kufijtë e Shqipërisë janë të shenjtë. Për ta derdhet gjak. Edhe në gusht të vitit 1949 ata u mbrojtën me gjak se edhe nga ushtarakët tanë disa dhanë jetën. Një nga këta ishte edhe shefi i zbulimit të regjimentit të 26, kapiteni Ferik Strataj që ra duke luftuar dhe që mbeti një lapidar në Kapshticë, një dëshmor, një yll i pashuar.

Lajmi i hidhur i kësaj mandate pati jehonë të madhe jo vetëm në Kallarat, por edhe në fshatrat e Kurveleshit e të Lumit të Vlorës. Ai ishte i martuar me Azbije Meten nga Bolena, me të cilën kishte lindur djalin Aqif e vajzën Sabre. Rënia heroike e Ferikut e rëndoi edhe më shumë familjen Strataj, se akoma nuk ishin tharë lotët për vdekjen e Aqifit 10-vjeçar.

Trupi i pajetë i Ferikut, i mbuluar me flamurin kombëtar, me dekorata e kurora lulesh mbërriti në Kallaratin e tronditur nga kjo ngjarje. Këshilli popullor dhe organizatat politiko-shoqërore kishin marrë të gjitha masat për pritjen e tij. Ishin përgatitur kurora e lule shumëngjyrëshe të stolisura nga vajzat e klasës së IV të shkollës, si dhe një recital artistik i përgatitur nga të rinjtë Haxhi Gjonaj, Haxhi Karabollaj, Bilal Breshanaj etj, dhe nxënësit Hanko Qejvanaj, Pashako Karabollaj, Lilo Abazaj, Abaz Dautaj, Sami Karabollaj, Fane Breshanaj etj.

Përcjellja e dëshmorit për në varrezat e dëshmorëve në Kuç u bë nga i gjithë populli i Kallaratit dhe nga të ardhur nga Vranishti e Bolena dhe fshatra të tjera. Kishin ardhur edhe sekretari i Komitetit të Partisë të Vlorës, Vasil Neranxi, sekretari i parë i Komitetit të Partisë dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv i Kotës, përkatësisht Hetem Lifto e Kamber Alikaj etj.

Në Kuç u bë një pritje e madhe nga populli i këtij fshati. Në ceremoninë e varrimit të Ferikut folën shumë vetë, midis të cilëve edhe Duze Barjamaj. Ndërsa të rinjtë e nxënësit e shkollës së Kallaratit recituan vjersha e këngë trimërie partizane.

Shtëpia e Stratajve për ditë, javë e muaj priste njerëz pambarim. Azbijea, një grua e urtë dhe fizikisht e dobët, i priste ngushëllimet me sytë plot lot.

Por pas tre muajsh një ngjarje e gëzueshme do ndodhte në Strataj. Azbijea lindi djalë. Ky qe një gëzim i madh në atë familje. Emrin ia vunë Kujtim. Ky djalë sivjet mbushi 60 vjeç dhe është krenar për babain e tij, gjyshin e tërë fisin, si dhe për fshatin Kallarat.

Kujtimi punon e jeton i lumtur në qytetin e Vlorës, por është i pandarë me Kallaratin e kallaratasit. Ai me bashkëshorten e tij Natasha, një grua shembullore, kanë lindur, rritur dhe edukuar 4 vajza, 4 shqiponja, njëra më e mirë se tjetra.

Kjo është një familje e shëndoshë që nderohet e respektohet. Ajo jeton e punon me nder e dinjitet dhe mbron e vë në jetë idealet e Luftës Nacionalçlirimtare, për të cilat babai i Kujtimit, Feriku luftoi e dha edhe jetën kur e deshi interesi i atdheut.

Kallarati dhe Labëria veprën e Ferikut e ka përjetësuar dhe në vargjet e këngës që këndohet në dasma e gëzime:

Për vitin dyzet e nëntë

Shokë do betohemi

Ferik Strati lule djalë

Kapiteni në ushtri

Shokë të gjithë dëgjoni

Erdh monarkua në kufi

More urdhrin e shkove

Me shokë nja dy a tri

Ferik Strati të kërkojnë

Të shkosh prapë në kufi etj.

Strofa e fundit është një thirrje aktuale që del nga thellësia e shpirtit të gjithë popullit patriot sot që në Shqipëri nuk ka as kufij e as ushtri që ta ruaj. Shqipëria është bërë han pa porta dhe jeta lesh e li.

Ish-mësuesi i 1949-ës në Kallarat dhe veteran i LANÇ

Vranishnjoti Nazif DUKA

Next Post

NJË TRIM NGA KALLARATI

Sht Gus 11 , 2012
                                Një trim nga Kallarati               Oficer i dalluar               Ferik Teslim Strati               Ra dëshmor duke luftuar                                     Në […]