KUJTOJMË HAMIT MYRDAR QEJVANAJ NË 20 VJETORIN E NDARJES NGA JETA.

 

Vjen një ditë dhe njerëzit largohen nga jeta, por lënë gjurmë për mirë për t’u kujtuar, në radhë të parë nga familja e të afërmit, por edhe nga shoqëria e bashkëfshatarët e tyre.

Një nga këta është edhe Hamit QEJVANAJ nga Kallarati, ndarë nga jeta në vitin 2003. Vajza e tij Arjana Ndrenika (Qejvanaj) e ndodhur me banim në Amerikë, në pamundësi për të shkuar pranë varrit të tij për të vendosur një buqetë me lule, kërkoi që t’a kujtojë babain e vet nëpërmjet fejsbukut të shoqatës, e cila siç shprehet ajo vetë, me informacionet që jep na mban të informuar dhe të lidhur me fshatin e origjinës tonë, Kallaratin.

Hamiti u lind në Kallarat më 14 mars 1927 në një familje me ndjenja të theksuara patriotike e atdhetare, nga prindërit Myrdar e Meno Qejvanaj. Si gjithë fëmijët e atyre viteve u rrit mes vështirësive të mëdha ekonomike, prandaj që fare i vogël, duke qenë fëmija i madh, u detyrua të punonte me babain e tij në minierën e Selenicës. Në vitin 1943, vetëm 16 vjeç, së bashku me shumë burra e të rinj kallaratas iu bashkua Brigadës së 6 Sulmuese, ku mori pjesë në të gjitha luftimet e betejat e saj deri në Jugosllavi.

Me çlirimin e vendit qëndroi në radhët e Ushtrisë Popullore dhe dërgohet për kryerjen e studimeve ushtarake për oficer në Bashkimin Sovjetik, ku i kreu me rezultate të larta. Pasi kthehet në Shqipëri punon si kuadër i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes. Më vonë transferohet në disa qytete të vendit ku jep kontributin e tij në fuqizimin e mbrojtjes së atdheut. Ka qenë një ndër kuadrot që kontribuoi në hapjen e aerodromit të Qytetit Stalin, sot Kuçovës dhe Shkollën e Aviacionit në Vlorë. Ka mbajtur graden nënkolonel. Në vitin 1974 largohet nga ushtria si pasojë e reformës së asaj kohe.

Hamiti ishte martuar me Marjanthin me të cilën lindën, rritën, edukuan dhe arsimuan 5 fëmijë të denjë për shoqërinë.

Hamiti kishte një dashuri të madhe për vendlindjen dhe dha ndihmesën e tij në hartimin e historikut të fshatit.

Hamiti u nda nga jeta në Tiranë më 7 Prill të vitit 2003.

Kryesia e Shoqatës Kallarati në këtë përvjetor të 20- të të ndarjes nga jeta, i shpreh familjes dhe të afërmve vlerësim e mirënjohje për kontributin e tij në Ushtrinë Popullore dhe ndaj vendlindjes, Kallaratit.

Qoftë i paharruar kujtimi i Tij!

Besnik Gjonbrataj

Next Post

Jo pakicë greke në Himarë, po himarjotë me shtetësi shqiptare dhe greke

Sht Maj 13 , 2023
NGA PRO. DR. RAMI MEMUSHAJ   Përsëri Athina zyrtare, duke marrë shkas nga ndalimi i një shqiptari të vetëshpallur grek, ripërsëriti tezën e vjetër se Himara është greke. Ministri i Jashtëm Dendias dhe vetë kryeministri Micotaqis kërcënuan se, pa respektimin e të drejtave të minoritetit grek, Shqipëria do t’i ketë […]