Enkeleda Hoxhaj, vajza e Lavdi e Sose Hoxhaj (Shakaj), mbesë e Pelivan e Nako Shakaj, nëpërmjet fejsbukut të shoqatës “Kallarati”, në kujtim të 41 vjetorit të humbjes së jetës në mënyrë tepër tragjike, të tezes së saj Minushes, pikërisht më 28 qershor 1982 në krye të detyrës, duke bërë tëndën e kopesë së dhënëve, së bashku me anëtarët e tjerë të brigadës së Kallaratit, atje në malin e lartë të Bogonicës, nëpërmjet dedikimit të mëposhtëm, përcjell lot, dhimbje dhe kujtesë për të, nënën e saj, por edhe për tezet e tjera e dajon e vetëm Luanin, ndarë edhe këta para kohe nga jeta, si dhe gjyshin Pelivanin dhe gjyshen Nakon, ndarë nga jeta para një viti.
Pelivani, nje blegtor i zoti, se bashku me Nakon, linden e rriten me sakrifice dhjete femije, por qe ne vitet e pleqerise se tyre u helmuan se tepermi me ndarjen e njespasnjeshme te 5 femijeve te tyre. Megjithate ata gjeten force e kurajo per ti perballuar edhe pse me dhimbje te madhe.
Ndoshta rastësisht, por muajt prill e qershor, për këtë familje, kanë qenë muaj fatal, muaj zie e pikëllimi, pasi në këta muaj u ka shkëputur me radhë para kohe nga jeta, disa pjesëtarë të kësaj familjeje të madhe.
Ja si shkruan Enkeleda në dedikimin e saj:
Kujtojmë mes lotësh tezen tonë Minushen. Më 28 qershor 1982 zoti e deshi për vete në moshën e rinisë. E qeshura e saj ngriu në malin e Bogonicës. Dhembja dhe dashuria që kanë pasur nëna, motrat dhe vëllai i vetëm për Minushen ka qenë e madhe. Aq e madhe saqë motrat Sosia në 11 qershor të 1992, dhe Mara në 19 qershor të 1992 iu bashkuan në botën e përjetshme Minushes, duke lënë fëmijët të vegjël. Dhembja nuk u mbyll aty, po në 7 prill të 2014 u bashkohet Luani vëllai i vetëm dhe po në 19 prill të këtij viti edhe motra tjetër, Tatiana.
Mes këtyre dhembjeve, gjyshja gjeti forcë të na falte dashuri, ngrohtësi dhe këshilla për të qenë krenarë në jetë.
Fjalët e saj të ëmbla na shoqëruan deri në 11 qershor të vitit 2022, ditë kjo që gjyshja jonë në moshën 94 vjeçare gjeti qetësinë e saj shpirtërore pranë fëmijëve të saj në parajsë. Ajo iku në parajsë, me të vërtetë në një moshë të madhe, por jo siç duhet të largohet një gjyshe, që lindi e rriti 10 fëmijë, pasi përveç përballjes me vdekjet e njëpasnjëshme të vajzave dhe djalit të vetëm, në gusht të vitit 2011 iu desh të përjetonte edhe një tjetër dhimbje të madhe, atë humbjes së nipit të saj, Spartakut 26 vjeçar, djali i Haires dhe Sakos në Divjakë.
Hallet për të gjithë ne nipër e mbesa janë të mëdha, humbjet nuk harrohen, por jetën do t’a jetojmë edhe pse me dhimbje. Ne do ju kujtojmë me dashuri dhe krenari të gjithë juve në atë botë të largët – përfundon dedikimin e saj Enkeleda.
Me këtë dhimbje e këtë kujtesë për gjithë Shakajt e ndarë para kohe nga jeta, bashkohemi edhe të gjithë ne kallaratasit. Mirënjohje dhe qofshin të paharruar për jetë!
Kryesia e shoqatës “Kallarati”