Kur mendoj se një ditë nuk do jem, Kur mendoj se ti një ditë nuk do jesh, (ne s’do jemi për njeri-tjetrin në të njëjtën ditë) Do mungojmë në apelin e madh të jetës, Një lumë i zi ujrash të vrullshme Më mbyt Dhe s’më le të të thërras Emrin. Dallgët e tij s’më lenë të dal në breg Të kap dorën tënde të zgjatur lemerishëm, Të kapësh ti dorën time të zgjatur lemerishëm. Dhe klithma jote humbet nga rrokopuja e dallgëve Dhe klithma ime e ngrirë nuk e arrin dot klithmën tënde Të krijojë unazën false të shpëtimit të pamundur. E kuptoj sa e kotë është Të të mbush mendjen Se jeta është një peng i vdekjes Që luan me ne, krijesat naive, Që, sa jetojmë, Dashurojmë fare pak Dhe grindemi shumë Si të ishim të pavdekshëm. Petrit Qejvani,qershor 2000