KUVENDI I LABËRISË MBI HAKMARRJEN. jë dokument i rrallë)

Labëria ka qenë një nga krahinat e vetëqeverisura të Shqipërisë. Të drejtën e vetëqeverisjes ajo e fitoi në vitin 1492, kur himariotët e detyruan sulltan Bajazitin, që erdhi vetë në krye të ushtrive të mëdha për të shtypur kryengritjen e madhe të atij viti, të pranonte që krahina e Himarës (kështu quhej Labëria deri në fund të shekullit të 18-të) të qeverisej me kanunin e vet. Kanuni i Labërisë, ashtu si kanunet e malësive të Veriut, është një tërësi ligjesh e normash të pashkruara, të trashëguara brez pas brezi, që janë të detyrueshme për banorët e krahinës. Ai mbeti ligji i vetëm i Labërisë deri në fund të pushtimit osman, po edhe gjatë dy luftërave botërore, kur shteti kishte rënë ose kur ishte vënë në shërbim të pushtuesit, siç ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Njëra ndër normat e shumta të kanunit është ajo për mbrojtjen e të huajit që shkelte në një fshat. Në këto raste, i huaji (mik, punëtor, kalimtar) ishte në besë të fshatit. Kur një banor i fshatit vriste të huajin që ishte në dorë të fshatit, atëherë fshati duhet ta dënonte vrasësin me vdekje. Një rast i tillë përshkruhet në librin “Kanuni i Labërisë”, të përgatitur për botim nga profesori fterriot Ismet Elezi.

Në vitin 1941, në mal të Sasajt, djali i S. P. nga ky fshat vrau Foto Priftin nga Piluri me gjithë familje (dhjetë veta), një bari nga Borshi dhe qenin e stanit e i mori dhentë. I vëllai i viktimës, Savo Prifti, që ishte i burgosur në Burrel, si u kthye në Pilur, i dërgoi fjalë Sasajt se vrasësi i vëllait ishte nga fshati i tyre dhe kërkoi të zbatohej kanuni, dmth. ta gjenin vrasësin dhe ta vritnin. Po Sasaj iu përgjigj se vrasësi nuk ishte nga ai fshat. Atëherë Savua ftoi pleqtë e Sasajt që të vinin poshtë fshatit për t’u marrë vesh. Nga 11 pleq, shkuan 7, të cilët ranë në pusinë që u ishte ngritur, dhe 6 prej tyre u vranë. Çështja mbeti pezull, 11 me 6 vrasje, që do të thoshte se gjakderdhja do të vazhdonte.

Mirëpo ishte kohë lufte me pushtuesin dhe kanuni i Labërisë kishte një normë që e ndalonte hakmarrjen në kohë lufte, normë që u zbatua gjerësisht gjatë Luftës Antifashiste. Kështu që po këtë vit, për të ndaluar gjakderdhjen, u thirr një kuvend i pleqve të Kurveleshit, Bregdetit dhe të Rrëzomës. Kuvendi u mblodh në lumë të Sasajt, po nuk arriti të merrte një vendim të detyrueshëm për të dy fshatrat, sepse ditën e mbledhjes piluriotët u hakmorën duke vrarë e plagosur disa sasaj.

Për të shuar armiqësinë midis dy fshatrave, u mblodh një kuvend i dytë në Kudhës të Himarës më 28 mars 1943. Ishte koha kur lëvizja antifashiste kishte marrë formë të organizuar dhe pushteti i organeve vendore ishte fuqizuar. Ky kuvend mori një vendim, që me sa dimë, u zbatua. Vendimi u hodh në letër, “u redaktua e u lexua me zë të lartë, u dëgjua prej të gjithëve, u pëlqye dhe u nënshkrua” nga pleqtë e fshatrave pjesëmarrës.

Origjinali i këtij vendimi ka qenë ruajtur në muzeun e Qeparoit. Nuk dihet a ka shpëtuar ky dokument nga shkatërrimet e 1997-s, po, për fat, Llambro Varfi nga ky fshat i pati bërë një kopje më 10 prill 1995. Këtë kopje, për të cilën Llambrua shkruan në shënim “Kopjuar sipas origjinalit”, po e botojmë si një dokument të rrallë për kuvendet, që ishin organi më i lartë vendimmarrës në krahinat e vetëqeverisura. Por edhe për të parë se cilat ishin pikat e vendimit, cilat ishin detyrimet e palëve në konflikt dhe të fshatrave pjesëmarrëse në kuvend dhe, më në fund, për të parë se Kallarati kishte një zë në këto kuvende të Labërisë.

Rami Memushaj

Për të lexuar kopjen e vendimit sipas orgjinalit, klikoni në linkun e fejsbukut më poshtë.

https://www.facebook.com/1767538512/posts/pfbid0cWubDv5LNMTi3zrx5jPQnjzDviRVa3PTB24EqKnPpSSEQGyR2bHPS7dnB9q8857Sl/?app=fbl

 

Besnik Gjonbrataj

Next Post

KUJTOJMË HAMIT MYRDAR QEJVANAJ NË 20 VJETORIN E NDARJES NGA JETA.

Mër Pri 12 , 2023
  Vjen një ditë dhe njerëzit largohen nga jeta, por lënë gjurmë për mirë për t’u kujtuar, në radhë të parë nga familja e të afërmit, por edhe nga shoqëria e bashkëfshatarët e tyre. Një nga këta është edhe Hamit QEJVANAJ nga Kallarati, ndarë nga jeta në vitin 2003. Vajza […]