Shokut tim të ngushtë, Marios,
i pëlqente të hidhte mace
nga kati i gjashtë,
t’u vinte flakën,
t’i lëshonte natën nëpër rrugica
si flakadanë shëtitës,
të mblidhte kaçole nëpër lokale,
t’i shtypte me gurë dhe t’ua fitonte
gjithë kaçolet e tjera në lojë
djemve të lagjes,
pastaj të hypte në tarracën e pallatit
dhe t’i vërviste që andej
me sa fuqi kishte,
ato binin si shi florinjsh nëpër rrugë,
të lagte njerëz me pistoletën me ujë,
të vriste me shpata si tre mosketjerët,
të rrihej me ndonjë që s’ia pëlqente fytyrën,
të tallte në rrugë atë që i dilte përpara.
Derisa dikush na lajmëroi
që po iknin me anije, varka,
rimorkiatorë e trape, drejt Italisë.
Atëherë u lamë lamtumirën
shakave, lojërave, ia mbathëm.
Por Marioja s’i harroi kurrë shakatë,
ndërsa kthehej nga qyteti ynë i lindjes
për në Bari, e kapën me disa kile bar të ndaluar
fshehur në astarin e palltos.
Tani, kur e marr ndonjëherë në telefon,
më thotë duke qeshur: “Shoku im i ngushtë,
këtu në burg, është një maçok i zi!”
2010
Nga Andi Meçaj