Je besimtar i madh i poezisë, miku im
sepse besimtarët më të mëdhenj
janë poetët,
dhe feja më e madhe ( më e lartë) është poezia
(sic janë dhe të zhgënjyerit më të mëdhenj)
po botën mëkatare që ka humbur udhën
për atje ku është nisur
nuk e shpëton dot poezia, miku im poet,
as besnikëria jonë prej kamikazi ndaj poezisë,
sepse bota lekurëtrashë nuk e ndjen poezinë.
Ajo bie në orgazmë me paranë, seksin, luftrat.
Poezia shpëton vetëm poetët, miku im,
murg i poezisë,
duke i nanuritur në botën e saj të ëndërrt
me magjinë e fjalës së ndritur
Kot mundohemi ta zbukurojmë botën.
Sikur bota të besonte te poezia
dhe djajtë të bëheshin ëngjëj,
botës dhe besimit do t’i vinte fundi…
Kemi lindur të mos shkojmë
kurrë
atje ku duhet
dhe shpirti të mos gjejë prehje asnjë çast.
Ndryshe do shuhej raca e poetëve…
Petrit QEJVANI, Gusht 2006