LUFTËTAR TRIM DHE RAPSOD I MIRËFILLTË, nga Seit Jonuzaj

 -Mehmet Karabollaj në përvjetorin e lindjes e të vdekjes-

U mbushën 90 vjetë nga lindja dhe 14 vjet nga vdekja e Mehmet Bilbil Karabollajt. Kish lindur më 1920 në familjen atdhetare të Karabollajve në Kallarat dhe ndërroi jetë më 1 gusht 1996 në Vlorë.

Karabollajt nuk ishin vetëm blegtorë të mirë, por edhe atdhedashës e luftëtarë të zotë. Atdhetarizmin dhe trimërinë e tyre ata e kishin treguar më 1914 në mbrojtje të fshatit nga sulmet e bandave andarte greke të mirëpërgatitur ushtarakisht dhe të armatosur deri në dhëmbë, si dhe  më 1920 në luftën e Vlorës për shporrjen e imperialistëve italianë nga Vlora dhe rrethinat e saj. Në këto luftëra për mbrojtjen e çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesit e huaj, në mesin e kallaratasve të tjerë, gjendeshin edhe burrat e Karabollajve. Në këtë mjedis atdhetarësh e trimash  të vëllezërisë Karabollaj lindën, u rritën dhe u brumosën me ndjenja të larta atdhedashurie edhe fëmijët e Bilbil e Tefo Karabollaj.

Mehmeti ishte djali i mash i shtëpisë. Atij në rininë e hershme, pas vdekjes së të atit, iu desh të përballonte varfërinë e tejskajshme të kohës, duke iu bërë krah nënës së tij të mbetur e ve për të rritur 6 fëmijët që mbetën pa baba. Prandaj Mehmeti u detyrua të bënte punë nga më të rëndat edhe larg familjes. E tillë ishte puna në minierën e serës së Selenicës apo në tunelin e Ujit të Ftohtë të Vlorës e gjetkë, ku bashkë me Mehmetin punonin edhe të rinj të tjerë kallaratas, nevojtarë si ai.

Pushtimin e Shqipërisë në prill të vitit 1939 nga Italia fashiste, si të gjithë shqiptarët e ndershëm atdhedashës edhe Mehmeti familjarisht e Karabollajt e tjerë, bashkë me të gjithë kallaratasit, e pritën me zemërim e urrejtje të madhe. Prandaj, duke provuar edhe shtypjen, shfrytëzimin dhe padrejtësitë që u bëheshin punëtorëve nga administratorët fashistë të sipërmarrjeve, nga njëra anë, si dhe puna agjitative dhe lidhjet e revolucionarit Mumin Selami që mbante me bashkëfshatarët e tij, Mehmeti me bashkëfshatarët e tjerë u ndërgjegjësuan edhe më tepër se duhej hedhur në luftë kundër pushtuesve italianë. Këta e nisën luftën me pjesëmarrje në greva e protesta për të drejtat e tyre. Por drejtuesit fashistë i pushuan nga puna dhe ata u detyruan të kthehen në fshat.

Këtu Mehmeti familjarisht u lidh menjëherë me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Shtëpia e tij u bë një nga bazat e sigurta të Lëvizjes, ndërsa vetë ai qysh më 1942 hodhi pushkën krahut dhe u radhit në çetat partizane. Në gjirin e çetës partizane “Haredin Tremishti”të Kurveleshit, Mehmeti ishte me shumë të rinj kallaratas, si Adil Petanaj, Ilmi Boshaj, Nuredin Breshanaj, Avdul Demiraj, Dalan Memushaj, Sinan Xhemili (Tozaj), Hamit Qejvanaj, Sinan Petanaj, Selam Qejvanaj’ Ahmet Karabollaj e plot të tjerë.

Me formimin e batalionit partizan “Asim Zeneli”, Mehmeti me çetën “Haredin Tremishti” u bë pjesë e këtij batalioni e pastaj e Brigadës së 6 Sulmuese. Në radhët e këtyre formacioneve partizane Mehmeti luftoi me guxim e trimëri kundër pushtuesve e bashkëpunëtorëve të tyre brenda e jashtë kufijve të atdheut tonë. Pushka e tij jehoi që nga Delvina e Përmeti në jug të Shqipërisë e deri në Shkodër në veri dhe në vazhdim të ndjekjes këmba këmbës të hordhive naziste edhe në Mal të Zi dhe Bosnjën jugore deri në Vishegrad të Jugosllavisë.       

Për cilësitë luftarake dhe aftësitë drejtuese të tij, Mehmeti ishte ngarkuar edhe me përgjegjësi komanduese në kompaninë ku bënte pjesë.

Shënuam më lart se Mehmeti u lidh familjarisht me luftën çlirimtare. Pra, dhanë ndihmesën e tyre për çlirimin e vendit edhe nëna e vëllezërit e tij. Tefua ishte anëtare aktive e organizatës së grave antifashiste dhe priste e përcillte, strehonte e ushqente luftëtarët e lirisë, ndërsa djali tjetër i saj, Tarja, luftoi me armë në dorë  brenda e jashtë atdheut në radhët e Brigadës së 8 Sulmuese. Kurse Ziniu me Haxhiun ishin aktivistë të organizatës së rinisë.

Pas çlirimit të vendit, Mehmeti  shërbeu me vite të tëra me përkushtim, devotshmëri e besnikëri si kuadër ushtarak në sektorët nga më të rëndësishmit të mbrojtjes së atdheut, siç ishte kufiri shtetëror që nga Vermoshi në veri e deri në jug të vendit. Ndërsa vitet e fundit të karrierës së tij ushtarake ai shërbeu në forcat vullnetare të rrethit të Vlorës derisa doli në pension pleqërie.

Mehmeti kish krijuar edhe familje, duke u martuar me Efterpi Gegën, një grua e lartë, bashkëshorte dhe familjare e mrekullueshme. Të dy këta lindën, rritën dhe edukuan në mënyrë shembullore dy djem e një vajzë: Arjanin, Ilirin dhe Dritën.

Me daljen në pension, Mehmeti militoi në organizatën e veteranëve të luftës, duke u mbetur besnik deri në fund idealeve për të cilat luftoi e punoi një jetë të tërë. Së bashku me Efterpin ishin veprimtarë të papërtuar politikoshoqërorë në lagje e shoqëri.

Por Mehmeti nuk ishte vetëm atdhetar e luftëtar trim, një kuadër ushtarak i përkushtuar dhe veprimtar politikoshoqëror. Ai ishte edhe një rapsod i mirëfilltë. Krijues, por edhe mbledhës i krijimeve folklorike. Mehmeti edhe përshëndetjet, urimet e përgjigjet t’i jepte me bejte që i sajonte aty për aty, sikur t’i kish të parapërgatitura. Janë të shumta dosjet që ka lënë Mehmeti me dorëshkrime vjershash e poezishë dhe me shkrime të ndryshme, duke përfshirë edhe shumë shkrime-portrete figurash të shquara kallaratas të së kaluarës. Ndër krijimet folklorike të mbledhura prej tij, vendin e parë e zënë ato të rapsodit më në zë të Kallaratit, Isan Sejdiu. Por fatkeqësisht Mehmeti nuk arriti dot t’i botonte krijimet e tij sa qe gjallë. Emigrimi i djemëve të tij bëri që dosjet me krijimet e Mehmetit të mbeten të mbyllura dhe të mos dihet fati i tyre. Nga ato pak gjëra që më kish dhënë vetë ai, është edhe kjo elegji e krijuar prej tij:

S’mbinë më trëndelinë e bar  

Qan Bogonica me Valë,

Të gjithë malet me radhë,

Nga Bogonica në Thanë

Për ata trimat me pallë.

O dervish e o Lame,

O Bilbil e o Meçe,

O ju trimat e lirisë

U tretët për atdhe.

______________________________

 

Ortakë me Çelo Picarë,

Me Zenel Gjolekë labnë.

Ikën e s’kanë të ardhë’

E shkretuan Kallaranë.

Hëngëllijnë kuajt me shalë,

U mbenë armët varë,

Pisqolla me jataganë.

Vaje, kuje tre mëhallë,

Derë më derë po i qajnë.

Ky ishte përmbledhtas Mehmet Karabollaj, ashtu si e kam njohur unë. Kjo ishte jeta dhe vepra e atij njeriu të qeshur e shakatar, të dashur e të sjellshëm, familjarit të mirë dhe modelit të korrektësisë në shoqëri e kudo. Me luftën e punën e tij Mehmeti nderoi familjen e fisin Karabollaj, nderoi Kallaratin. Prandaj emri i tij nuk do harrohet.

  Seit JONUZAJ

Botuar ne Nr. 52 te gazetes Kallarati

Next Post

Përkujtohet 60-vjetori i rënies së dëshmorit Ferik Strataj

Sht Gus 11 , 2012
Me rastin e 60-vjetorit të rënies së birit të Stratajve dhe të Kallaratit, kapiten Ferik Strataj, në luftë për mbrojtjen e kufijve nga ushtria monarko-fashiste greke gjatë provokacioneve të gushtit 1949, u organizuan veprimtari përkujtimore për të në Kallarat e në Vlorë. Në Kallarat më 7 gusht 2009 veprimtaria përkujtimore […]
Seit Jonuzaj