Përkujtohet 60-vjetori i rënies së dëshmorit Ferik Strataj

Seit JonuzajMe rastin e 60-vjetorit të rënies së birit të Stratajve dhe të Kallaratit, kapiten Ferik Strataj, në luftë për mbrojtjen e kufijve nga ushtria monarko-fashiste greke gjatë provokacioneve të gushtit 1949, u organizuan veprimtari përkujtimore për të në Kallarat e në Vlorë.

Në Kallarat më 7 gusht 2009 veprimtaria përkujtimore u organizua nga Organizata e Familjeve të Dëshmorëve në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të LANÇ të fshatit. Ceremonia përkujtimore u zhvillua para lapidarit të dëshmorëve në qendër të fshatit. Merrnin pjesë familjarë të dëshmorit Ferik Strataj, anëtarë të organizatës së familjeve të dëshmorëve, veteranë e pasardhës veterani, banorë të fshatit.

Fillimisht u vendosën kurora e lule te lapidari. Pastaj, para të pranishmëve, fjalën për jetën dhe veprën e Ferik Stratajt e mori autori i këtyre radhëve, ish partizan në kompaninë që komandonte Ferik Strataj në Brigadën e 8 partizane. Kryetari i organizatës së familjeve të dëshmorëve Gjolekë Memushaj përshëndeti të pranishmit për pjesëmarrjen në atë veprimtari përkujtimore.

Kujtim Ferik Strataj falënderoi në emër të familjes organizatorët dhe pjesëmarrësit e asaj veprimtarie kushtuarbabait të tij dëshmor.

Më 22 gusht, me nismën e familjes Strataj, u organizua në Vlorë një veprimtari mbresëlënëse edhe më e madhe kushtuar 60-vjetorit të rënies më 13 gusht 1949 të Ferik Stratajt. Në këtë veprimtari merrnin pjesë familjarë e të afërm të dëshmorit nga Tirana,  Durrësi, Fieri, Vlora e Kallarati, si dhe veteranë e pasardhës veterani, miq e shokë të familjes Strataj. Merrte pjesë edhe kryetari i komitetit të veteranëve të LANÇ Muharrem Veshi e anëtarë të tjerë të kryesisë së atij komiteti, n/kryetari i organizatës së familjeve të dëshmorëve të rrethit, Abedin Sina, si dhe përfaqësues të organizatës së familjeve të dëshmorëve të Kallaratit e të tjerë.

Veprimtaria nisi me vendosje kurorash e lulesh mbi varrin e Ferikut në varrezat e dëshmorëve të rrethit. Pastaj, në një mjedis të përshtatshëm në buzë të detit, pjesëmarrësit panë fotoekspozitën dhe ndoqën një videodokumentar përgatitur nga familja Strataj kushtuar jetës së Ferikut.

Në vazhdim u lexua mesazhi i Sinan Stratajt mbi jetën dhe veprën e të vëllait, Ferikut. Pastaj u vijua me kumtime të tjera. Kumtesa mbi jetën dhe veprën e Ferikut u mbajt nga autori i kësaj kronike, sekretar, Komitetit të veteranëve të LANÇ të rrethit, i cili në fillim u përcolli familjarëve në emër te Kryesisë së atij Komiteti përgëzimet dhe përshëndetjet për këtë veprimtari dinjitoze e mbresëlënëse.

Më poshtë në kumtesë, ndër të tjera, thuhej: Kallarati në rrjedhën e kohërave ka nxjerrë vazhdimisht figura të shquara për mençuri, atdhetarizëm e trimëri në luftërat kundër pushtuesve të huaj dhe për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Me guxim e trimëri luftuan kallaratasit në kryengritjen antiosmane të viteve 1834-1847, në luftën e 1914-s për mbrojtjen e fshatit nga bandat shoviniste greke, andartët, ku luftuan edhe vëllezërit Teslim, Meçan e Dule e Dule Strataj dhe kushëriri i tyre, Feini. Po kështu në luftën e 1920-s për çlirimin e Vlorës e të rrethinave nga pushtuesit imperialistë italianë. Çeta e Kallaratit me komandant Fein Çelo Stratajn, në të cilën bënin pjesë edhe Teslimi me vëllezërit e tij, luftoi me trimëri të rrallë përkrah çetave të tjera të Lumit të Vlorës e Kurveleshit.  Trimëri e atdhetarizëm treguan në ato vite edhe gratë kallaratase, ndër të cilat shquhej Dudë Hode Strataj. Por pjesëmarrja më masive e kallaratasve ishte në LANÇ, në të cilën edhe Stratajt u përfshinë familjarisht. Pra ky ishte sfondi atdhetari familjes Straraj, në gjirin e së cilës lindi, u rrit e u brumos Feriku me ndjenja atdhedashurie e cilësi luftarake e trimërie që i tregoi në LANÇ dhe në mbrojtjen e kufijve të atdheut, duke i bërë vend vetes në radhët e figurave të shquara të fshatit tonë.

Feriku ish lindur më 10 qershor 1910 në fshatin e bukur në prehër të Bogonicës dhe u rrit në Përrua të Gjorme, ku u vendos familja e Teslim Stratajt, pas djegies së fshatit nga andartët grekë më 1914. U rrit Feriku dhe gjithë fëmijët e tjerë në një varfërie të skajshme të kohës. Në vitet 1917-1921 kreu 3 klasë shkollë që kishte Kallarati. Mundësi për të vazhduar më tej shkollimin nuk kishte. Prandaj që i mitur u detyrua t’i vinte në ndihmë familjes në punë të ndryshme.

Gjatë viteve 1929-1931 Feriku kreu shërbimin ushtarak. Kur u kthye nga ushtria i vdiq e ëma,Havaja. Kjo e detyroi atë të merrej edhe me punët e shtëpisë. Por nevoja ekonomike e degdisi në Himarë hyzmeqar e pastaj në një shoqëri ndërtimi italiane në Ujë të Ftohtë të Vlorës. Aty Feriku provoi shtypjen e shfrytëzimin kapitalist nga sipërmarrësit italianë. Prandaj nisi të merrte pjesë në greva me punëtorët e tjerë. Për këtë e pushuan nga puna dhe ai u kthye në fshat, ku u mor me bujqësi e blegtori.

Kërcënimet e Italisë fashiste për pushtim të Shqipërisë e detyruan Ferikun me Stratajt e shumë kallaratas t’i drejtoheshin komunës në Kuç për armë që të luftonin për të penguar zbarkimin e italianëve, por pushtetarët zogistë i përcollën me sloganin se gjoja lartmadhëria I kishte marrë masat, prandaj ikni u thanë e mos u shqetësoni. Dhe siç dihet, masat e të vetëshpallurit mbret ishin mbushja e valixheve me arin e Bankës së Shtetit dhe mbathja e këmbëve. Shqipëria më 7 prill 1939 u pushtua. Kjo gjë i brengosi të gjithë shqiptarët e ndershëm. Prandaj, thirrja e të vetmes forcë politike që doli në skenë në ato vite robërie, PKSH, për tu ngritur në luftë për çlirimin e vendit, u mirëprit edhe nga Stratajt. Ata që në fillim u lidhën vendosmërisht me LANÇ. Tre nga vëllezërit Strataj: Feriku, Cania e Sinani hodhën pushkën krahut dhe u rreshtuan në formacione partizane, duke luftuar me guxim e trimëri, duke filluar luftën në radhët e çetës territoriale e pastaj në formacione partizane të mëdha partizane. Më 25 prill 1944 Feriku ishte ndër rreth 30 kallaratasit që u rreshtuan në Brigadën e 8 Sulmuese. Në radhët e kësaj brigade Feriku luftoi që nga jugu i Shqipërisë e deri në veri e pastaj pëtej kufijve veriorë deri në Vishegrad të ish-Jugosllavisë. Por edhe pas kthimit në atdhe në fund të vitit 1945, për Ferikun nuk kish mbaruar lufta. Duhej mbrojtur kufijtë e atdheut të çliruar. Pikërisht në luftë për mbrojtjen e kufirit nga sulmet e ushtrisë monarkofashiste greke, kapiten Ferik Strataj ra, siç bien trimat për atdheun.

Veprimtaria vazhdoi me kujtime e kumtime të tjera. Ish-bashkëluftëtari i Ferikut në Brigadën e 8, rexhinasi Ismet Lena solli kujtimet e tij për dëshmorin. Po kështu kujtime për të solli edhe Pullumbe Demiraj. Në emër të organizatës së familjeve të dëshmorëve të rrethit përshëndeti Abedin Sina.

Mbesa e Ferikut, Afërdita Mëzuraj recitoi një poemë kushtuar Ferikut nga ishbashkëluftëtari i tij, bolenasi Shefqet Muço. Nga të gjithë folësit dhe nga mesazhet e lexuara u vunë në dukje vlerat dhe bëmat e Ferikut si një luftëtar e atdhetar i shquar, si dhe cilësitë e tij të larta, i cili me aktin e tij, si një bir i denjë i fshatit dhe Stratajve që e lindën, ngriti më lart nderin e tyre, duke sakrifikuar jetën e tij për çlirimin dhe mbrojtjen e atdheut.

Në fund me shumë emocione Kujtim Strataj mbajti fjalën përmbyllëse e falënderuese për pjesëmarrësit. Pastaj të pranishmit u ftuan në drekën e shtruar nga familja Strataj, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e të përzemërt. Shënojmë se e gjithë kjo veprimtari ishte organizuar jashtëzakonisht mirë nga Stratajt, në mënyrë dinjitoze, të larmishme e të meritueshme për një figurë të tillë si Ferik Strataj.

 Nga Seit Jonuzaj 

Botuar ne gazeten Kallarati

Next Post

Falënderim nga familja Strataj

Sht Gus 11 , 2012
Me rastin e 60-vjetorit të rënies në krye të detyrës të dëshmorit të atdheut Ferik T. Strataj, më 13 gusht 1949 në provokacionet e ushtrisë monarko-fashiste greke, ne fëmijët dhe vëllazëria Strataj organizuam një veprimtari përkujtimore për të nderuar e përjetësuar veprën e pavdekshme të babait dhe njeriut tonë të […]