Për Ali Asllanin është folur e shkruar jo pak, përkundër pandehmës së krijuar për shkak të heshtjes gati 50 vjeçare të periudhës së socializmit. Ndonëse edhe atëhere diçka është pohuar rreth veprës së tij në hyrje të dy-tre botimeve të seleksionuara, përjashto monografinë e Mark Gurakuqit (e pabotuar kjo në kohën kur u shkrua) si dhe artikujve të ndryshëm në Kosovë.
Studiuesit, të diferencuar në vlerësime për aspekte të ndryshme të veprës së poetit, janë të njesuar kur është fjala për vlerësimin tërësor të veprës së tij, duke e quajtur atë pa mëdyshje një poet të veçantë të letërsisë shqipe dhe, në lirikën e dashurisë , një ndër më të shquarit. Në këtë ‘’territor’’ai është sundimtar i padiskutueshëm. Si jetë fizike Ali Asllani i përket tri periudhave historike: asaj të pavarësisë, të krijimit e konsolidimit të shtetit (ose të mbretërisë) si dhe periudhës së socializmit, ndërsa si krijimtari , ndonëse shkroi edhe pas çlirimit, (në socializëm) ai i përket letërsisë së viteve 20-30 e fillimit të viteve 40 ( Hakërrim,1942) ose më mirë , periudhës parasocialiste (në kuptimin kohor e jo ideor të saj).
Ali Asllani doli në botën e poezisë kur në letërsinë shqipe kishin dalur disa nga mjeshtrat më të mëdhenj të saj. Në atë kohë krijonin poetë të tillë si Çajupi, Mjada, Fishta, Poradeci, Noli e Migjeni.Të gjithë personalitete me profil të spikatur, që plotësonin gjithë spektrin poetik shqiptar.
Çajupi, që këndon e veçanërisht qan si askush për dashurinë.(kujto Vajën)
Fishta- epik dhe tradicionalist.
Poradeci-tokësor dhe qiellor, i dyzuar midis kënaqësisë dhe brengës që dhuron dashuria e amëshuar, thuri vargje me elegancë dhe delikatesë të rrallë.
Mjeda, me vargjet që ndrijnë nga pastërtia e ndjenjave dhe dashuria përdëllimtare për njerinë.
Migjeni-dramatik dhe delikat, me jetë dhe vepër fizike të vogël, por me art të ri dhe të madh, me të vërteta të mëdha, që do të kontestohej nga koha e vet dhe nga koha e sotme.
Noli-i zjarrtë, mjeshtër i ritmit dhe i rimave, i akustikës poetike, me vargje që të habitin me kuptimin që merr fjala e zakonshme shqipe në penën e tij dhe
Ali Asllani, më i drojtur e më modest se të parët në dëshirën për ekspansion poetik, që këndoi sipas mënyrës së vet dhe nuk u interesua shumë ç’thoshte bota për të, veç këndoi pa ‘’turp’’ për dashurinë, drejtpërdrejt, duke na dhuruar disa këngë (poezi) nga më të bukurat në poezinë shqipe, mjeshtër i harmonisë dhe melodioz, që të bind se si e thjeshta mund të jetë e bukur dhe e bukura mund të jetë e thjeshtë.
Poezia e Ali Asllanit
Të gjithë e pranojnë pa mëdyshje ndikimin e poezisë popullore labe tek poeti, në krijimtarinë e tij, por njëherësh pranojnë që këtu nuk ka folklorizëm. Ka shumë faktorë, që përcaktojnë një ndikim të tillë, si origjina, mjedisi, edukata familjare, natyra e shkollës dhe vendshkollimi, shijet dhe preferencat individuale si dhe predispozicioni emocinal, shpirtëror. Është e qartë se të gjithë këta faktorë nuk mund të ndikojnë në mënyrë të barabartë në formimin e poetit. Është e njohur që vendlindja dhe mjedisi ku jeton lenë vragë te njeriu e posaçërisht te artisti. Pa dyshim kështu ka ndodhur dhe me Ali Asllanin.Vlora e asaj kohe, që ka qenë më tepër një fshat i madh apo një qytezë, zemër e Labërisë, do të ndikonte pa tjetër me mënyrën e saj të jetesës në krijimtarinë e poetit të ardhshëm. Do të ndikonin dhe ngjarjet e kohës, në të cilat ai do të ishte shpesh protagonist dhe, patjetër, dhe vendshkollimi, Janina dhe Stambolli, me jetën dhe kulturën e tyre. Ndërkaq nuk besoj se ndikimi kaq i dukshëm i poezisë popullore të jetë pasojë e lidhjeve të tij të drejtpërdrejta me fshatin, me gjithë kontaktet e herëpashershme dhe të shkurtra me të, sikundër pohohet në disa shkrime apo studime të ndryshme. Por, edhe sikur të mos kishte qenë kështu, pra, pa vajtjet e herëpashershme në fshat ( ndërkohë që dhe jeta e Vlorës , mënyra e jetesës, mentaliteti dominohej nga sharmi lab), dëshmia më e mirë e ndikimit të folklorit lab, pavarësisht shkaqeve dhe arsyeve, në poezinë e tij janë vet poezitë e Ali Asllanit. Doemos që ndikimi i mjedisit është i paevitueshëm, porse historia jep plot shembuj që njerëz të ndryshëm, talente të ndryshëm, të rritur në të njëjtin mjedis, kanë patur formime të ndryshme e sidomos afinitete e preferenca të ndryshme krijuese. Madje dhe natyra e shollës dhe shkollimit shpesh nuk përcakton destinacionin profesional apo intelektual të të njeriut, as stilin ose natyrën e krijuesit e, veçmas, të artistit. Po të ishte kështu, Migjeni duhej të ishte një poet dogmatik, që t’i këndonte zotit (ai bëri krejt të kundërtën) e po ashtu ndodhi dhe me Ali Asllanin. Preferencat, më tepër se ndikime të jashtme janë parapëlqime të brendshme të njeriut. Kështu, poeti ynë nuk ishte folklorist, nuk bëri studime për folklor, as kreu studime për letërsi. Përkundrazi mbaroi një shkollë të lartë për drejtësi. Por kjo nuk e pengoi atë të bëhet poet, pasi poet ai kishte lindur. Kështu që, prania e ndikimit të poezisë popullore te ai është më tepër çështje afiniteti, një lidhje e natyrshme e poetit me folklorin. Ai e dashuron folklorin dhe ndikimi i tij në krijimtarinë e tij është evident. Këtë të vërtetë e kanë vënë në dukje apo më mirë, e kanë pohuar shumë studiues të veprës së Ali Asllanit, sepse në dukje e ka vënë vet poeti me vargjet e tij. Një prej studiuesve të veprës së tij, akademiku Rexhep Qosja thotë se poezia e Ali Asllanit të përkujton këngët popullore të dashurisë, dasmave dhe djepit, prej të cilave ai është ndikuar aq shumë…(R.Qosja në Ali Asllani ’Kujtime e studime letrare’’viti 2006.) Për dikë tjetër kjo ndoshta do të konsiderohej si një ulje në ‘’gradën poetike’’. Për Ali Asllanin kjo është identitet, është profil poetik.
Ai pasqyron shpirtin lab në një mënyrë të rafinuar, duke marrë prej tij xhevahiret më rrëzëllitës, të cilët i pastroi, i lëmoi, i formësoi aq bukur dhe iu dha një shkëlqim të ri. Ai ishte një artizan i madh i fjalës. Ali Asllani e ngriti populloren (si frymë, si teknikë, si figuracion) në nivelet më të larta, e intelektualizoi, e kultivoi duke ia shtuar vlerat e origjinës. Duke qenë kaq shumë i ndikuar nga folklori, ai nuk është asnjëherë një rapsod.Tek ai popullorja dhe intelektualja kanë raporte të çuditshme afrie, nuk i zenë frymën njera-tjetrës dhe as janë të ndara më thikë nga njera-tjetra. Ato janë shkrirë mrekullisht. Ndërkaq profili i tij poetik,veçanërisht në lirikën dashurore, është tepër i veçantë, sa mund të thuhet se bëhet fjalë për fenomenin ose dukurinë Ali Asllani. Po të shprehemi në mënyrë figurative, Ali Asllani hyri me frak e me qeleshe në pallatin e poetëve. Në vijim të këtij arsyetimi, nëse përshtasim një frazë të njohur nga një fushë tjetër e krijimtarisë intelektuale, mund të themi se Ali Asllani është poeti më i kultivuar ndër popullorët dhe më popullori ndër të kultivuarit, me një shpirt plot qibër, aristoktratik e virtuoz në thurjen e vargut, sa i çudit të parët dhe i bën xhelozë të dytët. Për të vërtetuar këtë mjafton të citojmë: Më plaç buzën pleqëri,që sa vete lëshon lule,lëshon push të njomë mbi tule,dhe këndon si zog i ri… dhe antipodi: Kur më vjen e kur më vete,edhe hijen them ta mbledh e ta mbaj në gji për vete.(Për t’iu falur bukurisë). Popullor në poezinë e parë, intelektual në të dytën. Ai duket sikur luan me pozicionin ndaj poezisë e duket sikur thotë: doni të jem popullor?- kur të doni, më doni poet intelektual?-kur të doni. Dhe kjo tregon se ai është poet në të gjitha çastet e krijimit. Prej poezisë popullore ai merr lëndën e parë, por e përpunon aq fort dhe aq bukur, sa e çon në kufijtë e së përkryerës, duke i vënë markën ‘’made in Ali Asllani’’
Për lirikën e dashurisë
E vlen të ndalemi posaçërisht në lirikën e dashurisë të poetit tonë, pasi kjo duket dhe më e arrira prej tij, këtu shpaloset plotësisht talenti dhe shpirti i Ali Asllanit.
Duket se organizmi i tij bie në rezonancë vetëm nga dashuria. Zjarri i pasionit të dashurisë e djeg deri në fund dhe natyrshëm shtron pyetjen: nëse nuk e gëzojmë jetën, nëse nuk bëjmë dashuri, atëhere çfarë bëjmë?! Asgjë,sipas poetit! Jeta është dashuria dhe dashuria është jeta.
Deh, mos bëftë prokopi
Ajo zemër që nuk digjet
Po ai që s’puth e s’pi
Si vallë zotit i përgjigjet?
(Ja sepse na ndezi kënga.)
Një koncept ky khajamjan për jetën dhe dshurinë…Dashuria është çelësi që hap dhe zbërthen shpirtin e poetit, e ndez, e përflak dhe prandaj vargjet dhe poezia e dashurisë është kaq e kapshme, e bukur, delikate, kaq e ëmbël dhe njerëzore. Jetës kuptimin ia jep dashuria. Ky Omar Khajam lab është i papërmbajtur, kur i këndon dashurisë. Madje shumë vargje të tij me këtë temë janë përbetime, jo vetëm përjetime të thella, por dhe deklarata të vërtetea dashurie, të bëra hapur, ‘’pa turp’’:
Mollëzave, që pika mua,
Me një pikë të zezë në mes
Të t’i thith një herë siç dua
Jam gati dy herë të vdes.
Më thoni, cili poet shqiptar ka patur guximin t’i këndojë dashurisë jo vetëm si ndjenjë, por edhe si veprim fizik kaq hapur? Vetëm një një njeri i dehur nga dashuria s’e ka për gjë të thotë atë që ndjen dhe ashtu si e ndjen. Vetëm një njeri që e sheh botën me ngjyra rozë, të përmbytur nga dashuria mund të shprehet kështu. E Ali Asllani e njeh botën përmes dashurisë. Njohjet e tjera nuk janë aq të volitshme për të.
Sa i drejtpërdrejtë dhe dashnor apo qejfli (përcaktim ky i goditur i Arif Demollit), aq dhe kalorës fisnik i ‘’Urdhrit të zemrës’’, një xhentëlmen i paparë në një mjedis të ashpër e të prapambetur social dhe qytetar, (për arsye që dihen) që të befason me gjendjen dhe gjetjen artistike, si të ishte në sallonet më luksoze të botës, duke aristokratizuar mjedisin poetik:
Do të vish a s’do të vish
Me qerpik të syrit tim
Do fshij vendin ku të rrish…
Këtu ia vlen të zgjatesh ca për të pare shkallën e delikatesës dhe shpirtit aristokratik të poetit. Qerpiku (objekt kaq poetik), që shërben për të mbrojtur sytë (një organ kaq delikat të njeriut) vihet në një funksion aspak delikat, por që kryen njdetyrë po kaq delikate: vihet në shërbim të dashurisë. Kjo është e mrekullishme. Poeti është një dashnor i përgjëruar, që vetëm pret që ajo të vijë, i gatshëm për çdo shërbim ndaj saj, duke i bërë thirrjen më joshëse. Këtu niveli i përjetimit dhe shprehjes poetike është në zenit. Sytë ,buzët, qerpikët, vetullat, këmbët, beli, duart si elementet më domethënës të femrës janë shpesh të pranishëm në poezinë e tij. Por ato nuk janë në gjëndje statike. Përkundrazi në lëvizje e dinamikë të vazhdueshme, në momente nga më të ndryshmet, duke dhënë tërë botën fizike femërore e mandej edhe psikologjike si në poezinë Vajzat heqin valle, ku poeti shfaqet mjeshtër i përshkrimit:
Vajzat heqin valle
Njera flet me vetull, tjetra me qepalle
Çapëzat e vajzës, çapëza pëllumbi
Të lehta si panda, të shpejta si plumbi
Edhe vajza vetë në krye të valles
Mu si pik e lotit majave qepalles.
Një sinjalistikë e tërë sysh, vetullash, qepallash, shikimesh, provokimesh, miklimesh. Ka ritëm, muzikë dhe një dritë vezulluese, që duket e zhduket në të qintat e sekondës, sipas ritmit të valles, që duket se shprehet me hapjen dhe mbylljen e qerpikëve dhe shkeljen e syve. Të krijohet kështu një vizion i gjallë i valles, një vizion i përbërë prej qinda pamjesh, sekuencash, lëvizjesh të përsëritura nga fillimi në mbarim, një botë e tërë hiresh e stolish, shkëlqim e xixëllima të zbukurimeve të vajzave në qafë, gushë,veshë, në gjoks. Tingujt dhe ngjyrat harmonizojnë e kontrastojnë me njera-tjetrën për të dhënë magjinë e valles së vajzave. Reflekse shkëlqimesh unifikohen e shpërndahen sërish si pluhur i argjendtë,duke elektrizuar ajrin dhe shpirtin e poetit.
Dashuria i ka të dy anët e medaljes
Ka një sensualitet të madh në poezinë e dashurisë së Ali Asllanit, që e bën atë shumë konkrete. Ai kërkon prej saj gjthçka, në radhë të parë fizike, e kjo e fuqizon përjetimin emocional të autorit. Për poetin tonë nuk ka filozofi në dashuri. Filozofia më e mirë është vet dashuria. Kur ajo na mungon, atëhere fillon filozofimi për të, meditacioni, reflektimi…Do të shpie në shtëpi,do të shtrydh e do të pi,Do të pi si rrazaki…Çdo koment do të ishte i panevojshëm. Por sensualiteti është në kornizat e seriozitetit, që eviton çdo mundësi për shkarje banale.
Tipar tjetër i poezisë së tij dashurore është sinqeriteti, çiltërsia çarmatosëse. Ai i këndon dashurisë dhe të dashurës fare pa droje. Ai të habit më kurajon djaloshare, thuajse adoleshente poër të dashuruar dhe shpallur dashurinë. Por ndoshta dashurisë i këndohet vetëm kështu…Interesante është se poeti nuk e ruan ‘’autoritetin mashkullor’’ në dashuri. Siç gëzon për të dashurën, ashtu qan dhe për të kur është rasti. Dashuria i ka të dy anët e medaljes. Vidi,vidi pëllumbeshë,për ty qaj e për ty qesh, thotë poeti.
Studiues të ndryshëm e akuzojnë poetin se në trajtimin e temës së dashurisë ka mangësi ose shikim të ngushtë për shkak se nuk e pasqyron botën e brendshme të femrës, portretin moral të asaj, që adhuron dhe nuk e inkuadron atë në kontekstin social dhe kohor…E vërteta është se Ali Asllani nuk e ka predispozicionin për të dhënë botën e brendshme të femrës, interesat shpirtërore apo intelektuale, përkatësinë sociale, pra personalitetin e saj. Ai e veçon dashurinë nga lëvozhga sociale dhe kohore, ashtu si peshkatarët e perlave që flakin guackat dhe ruajnë vetëm perlat. Poetit i intereson femra në përgjithësi…E rëndësishme për të është që ajo të jetë pëllumbeshë, guguftu, pjeshkëz, ftujë etj.,domethënë e bukur dhe e re, siç e percepton poeti.Pra, në fund të fundit,vajza, gruaja shihet(është) më tepër si objekt i dashurisë e, thuajse aspak, edhe si subjekt i saj. Dashurojmë një grua (femër) do të thotë poeti, jo një filozofe, bareshë apo zyrtare. Dhe, në thelb, ka të drejtë. Ne duhet ta gjykojmë poetin për atë që ka thënë e jo për atë që nuk ka thënë. Në një Shqipëri konservatore dhe të prapambetur, më një botë shpirtërore të varfër,(ashtu sikurse ajo materiale) e sidomos, me dashurinë si një zog të mbyllur në kafazin e kanuneve dhe zakoneve mesjetare, konceptet për një dashuri të hapur, liberale, të lirë, të shpallur me gjithë forcën e pasionit, janë një sfidë dhe kundërvënie rrethanave dhe mentalitetit anakronik të kohës. Duhet vërtet një kurajë morale dhe qytetare që në atë kohë të shkruaje për dashurinë:
Në të till’ të holla punë
Un’u bëra pal’ e pet’
S’mund t’i vete zemrës kundra
Jam artist e jam poet.
(Vishet mëni, zhvishet vasha)
Kjo deklaratë prej ‘ustai’ të rafinuar në punët e dashurisë është njëherësh edhe justifikim, mbrojtje e shkëlqyer që poeti i bën vetes, duke parandjerë se do të sulmohet nga moralistët e kohës ose, në rastim më të mire, do të rrudhnin buzët ‘’namuzqarët’’-robër të zakoneve patriarkalo-feudale nga ky qejfli ‘’cipëplasur’’, që u cenonte moralin. Dhe kjo nuk është pak. Një ndër misionet e artit dhe artistit është dhe emancipimi i shoqërisë. Niveli i lirisë së dashurisë është në thelb dhe niveli i lirisë së shoqërisë. Dhe ja mësimi që jep poeti: njeriu nuk mund të dalë kundër zemrës, kundër dashurisë. Aq më pak mund ta bëjë këtë një poet.
Disa veçori dhe vlera të poezisë së Ali Asllanit
Poezia e Ali Asllanit mban vulën e personalitetit të tij poetik, një personalitet që kombinon dhe shkrin në mënyrë krejtësisht origjinale, të pangjashme me askënd tjetër, xhevahiret e këngës popullore me preferencat e kreaktivitetit intelektual.Ajo që konstaton sapo lexon poezitë e tij është spontaniteti, natyrshmëria në aktin krijues.,çka shfaqet në ngjizjen e vargut, që duket se është krijuar pa sforco, pa u menduar, pa urdhër prej poetit. Duket se Ali Asllani nuk e thërret muzën kur shkruan, porse muza e thërret atë. Prandaj vargjet janë aq të bindur, rreshtohen ëmbël pranë njeri-tjetrit, rimojnë e bashkëtingëllojnë në mënyrë harmonike, aq këndshëm për veshin.Tek ai fjala është muzikë dhe muzika është fjalë. Kur fjala është dhe muzikë të godet, të magjeps, të bën për vete, jep maksimumin e emocioneve dhe asociacioneve. Spontaniteti duket se vjen, sikundër pohojnë disa studiues, nga ndikimi i poezisë popullore. Më mire do të ishte që kjo të shpjegohej me ngjashmërinë e teknologjisë së krijimit të vargjeve midis poetit popullor (rapsodit) dhe poetit tonë. Mund të thuhet se te Ali Asllani poeti dhe rapsodi janë në raporte mirëkuptimi maksimal. Ai merr prej poezisë popullore jo vetëm frymën, por edhe arsenalin shprehës: fjalë, figura, shprehje frazologjike që i fut mjeshtërisht në poezië e tij dhe aspak si mish i huaj. Poezia e Ali Asllanit është përsosmërisht e rimuar. Edhe studiuesi më skrupuloz me zor do të gjente ndojnjë asonance. AliAsllani është poet i rimes absolute.
Në poezinë e Ali Asllanit ka shumë Labëri,shumë Vlorë. Kjo poezi ka ngjyrat e Vlorës ( ato të natyrës dhe ato shpirtërore), por tingëllimi,vokacioni, rezonanca është kombëtare. Vlora në poezinë e Ali Asllanit është prezente qoftë si motiv, qoftë si atmosferë, mentalitet, psikologji dhe formë.Pra, qoftë si reference direkte: emra vendesh, sendesh, njerëzish, zakonesh, ngjarje deri te fjalori dhe e folmja e nuancuar vlonjate, qoftë si reference tërthore, si frymëe përgjithme. Ali Asllani është, ndoshta më vlonjati nga poetët e tjerë vlonjatë. Dhe këtë ai e deklaron haptazi dhe bile me krenari, për të mos thënë edhe me një lloj mburrjeje: Jam vlonjat e kryelartë…Natyrisht edhe për shkak të historisë…Për Ali Asllanin vendlindja e tij,Vlora, është edhe ekzistenca e tij, edhe baza e frymëzimit të tij:
Vlorën edhe Vlorën
Thelb e kam në zemër
Ditën e kam dritë
Natën e kam ëndërr.
Poezia, kjo sirenë e rrezikshme, josh shumë vetë në kurthet e saj, por vetëm poetët e vërtetë e superojnë joshjen e saj dhe fitojnë e dalin në bregun e poetëve. Dhe, pa dyshim, një i tillë është dhe Ali Asllan Vlonjati dhe këtë po e shkruaj me ‘V’ të madhe, sepse ai e dëshironte këtë dhe e meritoi.
Si përfundim, pa u merakosur shumë për të gjetur tipin poetik apo tipologjinë së cilës i perket poeti ynë, pasi klasifikimi i poetëve nuk e duron dot burokracinë, Ali Asllani ka zënë vendin e vet në poezinë shqipe, pavarësisht shjeve dhe modave letrare, që ndryshojnë apo përsëriten në forma më të rafinuara.
E bukura mbete e bukur, në çdo formë, që të paraqitet dhe se ajo nuk ka kurrë një formë.