SHOQATA “LABËRIA” I JEP PROF. Dr. RAMI MEMUSHAJ TITULLIN “PERSONALITET I SHQUAR I LABËRISË”

RamiMemushajShoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, në datën 11 Nëntor 2012 organizoi në mjediset e Akademisë së Shkencave një sesion jubilar me temë “100 vjetori i shpalljes së pavarësisë dhe Labëria”. Në këtë sesion kumtuan historianët e njohur: Profesor Pëllumb Xhufi, Rami Memushaj e Bardhosh Gaçe me tema nga kontributi Ii Labërisë në shpalljen e Pavarësisë.

Në fjalën e tij Kryetari i Shoqatës “Labëria”, Prof. dr. Ago Nezha midis të tjerash theksoi: “Ëndrra shekullore për liri e pavarësi, që u kurorëzua më 28 Nëntor në qytetin historik të Vlorës nga plaku i mençur Ismail Qemali, është e lidhur pazgjidhmërisht edhe me kontributin e shoqatës Labëria. Njëqind vjet më parë, më 3 Nëntor 1908, një grup burrash atdhetarë njëherazi intelektualë nga Labëria e jashtë saj, nën drejtimin e plakut të urtë e të mençur Ismail Qemal Bej Vlora, krijuan, në Vlorë, në djepin e patriotizmës dhe atdhetarizmës, klubin patriotik “Labëria”. Nuk ishte një ngjarje aksidentale e as rastësi. Në vargun e 40 klubeve patriotike që u ngritën në Shqipëri në prag e sidomos pas Kongresit të alfabetit shqip të Manastirit, klubi “Labëria” jo rastësisht ishte ndër të parët e pikërisht në prag të mbajtjes së atij kongresi. Detyrë parësore e tyre ishte rritja e ndjenjës atdhetare të popullit shqiptar si një komb që mund të vetëqeverisej si dhe përhapja e shkollave shqipe dhe përvetësimi i alfabetit të gjuhës shqipe”.

Më tej profesor Nezha vijoi: “Në këtë truall heroizmash, me këtë frymë atdhetare, si një nevojë historike, lindi edhe Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria në Tiranë më 12 Dhjetor 1991, si pasardhëse e denjë e tërë asaj trashëgimie patriotike. Shoqata kulturore atdhetare “Labëria,” vijuese e idealit të klubit patriotik “Labëria,” ka ardhur në  përvjetorin e 100-të të Pavarësisë, përmes veprimtarive të shumta atdhetaro-kulturore, që kanë shpalosur vlera historike e patriotike jo vetëm për trevën e Labërisë, por më gjerë, për interesa jetike mbarëkombëtare. Refleksionet dhe reagimet aktive të Shoqatës “Labëria,” kanë qenë për momentet më kritike që ka kaluar shoqëria dhe vendi”.

Prof. dr. Rami Memushaj në kumtimin e tij me temë Roli i Labërisë në lëvizjen kombëtare për pavarësi”, midis të tjerash theksoi: Lëvizjet kombëtare për pavarësi, si rregull, paraprihen nga lëvizje kulturore iluministe. Intelektualët që bëhen promotorë të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, duke iu kthyer periudhave të lavdishme në historinë e popullit të vet, synojnë të zgjojnë nga gjumi masat e gjera dhe t’i hedhin ato në aksione në kërkim të lirisë. Kjo skemë ka funksionuar ashtu si për vendet e tjera të Ballkanit, edhe për vendin tonë”.

Duke folur për kontributin e shqiptarëve dhe në veçanti të Labërisë në prag të shpalljes së pavarësisë profesor Memushaj vijoi: “Në kryengritjet antiosmane të Jugut në gjysmën e 

medalja ramiu

parë të shek. XIX, bijtë e Labërisë luajtën rolin kryesor, si në organizimin e tyre, edhe në fushën e veprimeve luftarake. Veçanërisht kryengritja e 1847-s, si kryengritja shqiptare më e madhe antiosmane e shek. XIX, përbën kontributin më të madh të kësaj krahine për rilindjen e Shqipërisë. Qenë këto ngjarje dhe jehona e këtyre që shërbyen si një tharm që lindi dhe ushqeu nacionalizmin shqiptar të periudhës së Rilindjes, i cili përgatiti lëvizjen e madhe politike të Lidhjes së Prizrenit dhe ngadhënjeu me fitoren e Pavarësisë”


Në fund të takimit Forumi i Shoqatës “Labëria” vlerësoi disa intelektualë me tituj të ndryshëm për kontributin e dhënë për Labërinë.

Me ketë rast, krahas  intelektualëve të tjerë shquar të Labërisë, bashkëfshatarit tonë kallaratas, Prof. dr. Rami Memushaj me vendim të Forumit të Shoqatës Kulturore/Atdhetare “Labëria, iu dha titulli “Personalitet i Shquar i Labërisë”, me motivacionin: “Gjuhëtar, prof, dr. i njohur në botën akademike shqiptare dhe në atë të jashtme. Vijues i punës së ndritur të korifenjve të gjuhës shqipe Eqrem Çabej e Shaban Demiraj, si dhe me kontribute të veçanta me botime në fushën e morfologjisë, gramatikës së gjuhës standarde shqipe, të politikave gjuhësore e të planifikimit gjuhësor. Njohës i mirë i trevës së Labërisë dhe autor i botimeve historike me karakter  shkencor për krahinën e Kurveleshit dhe Himarës, pjesëmarrës aktiv në jetën dhe aktivitetin e shoqatës ‘Labëria”(nënshkruar nga  Sekretari i Përgjithshëm,  Xhemil Çeli dhe  Kryetari, Prof. dr. Ago Nezha).

motivacioni Rami MemushajKy titull profesor Ramiut iu dorëzua nga Prof. dr. Zabit Brokaj. Në fjalën e tij Profesor Memushaj, falënderoi shoqatën dhe të gjithë të pranishmit për vlerësimin e bërë dhe i siguroi ata, se do të vijojë edhe në të ardhmen me përkushtim për të dhënë kontributin e tij shoqëror, historik e shkencor në propagandimin e vlerave më të mira të krahinës së Labërisë.

Dhënia e këtij titulli, përveçse një vlerësim që i bëhet Ramiut për atë kontribut të jashtëzakonshëm që krahas fushës së gjuhësisë ka dhënë për krahinën e tij të Labërisë, është një nder e krenari edhe për bashkëfshatarët e tij kallaratas dhe vetë fshatin Kallarat,  si bir i tij.

Profesor Ramiut i urojmë jetë të gjatë e shëndet dhe suksese të mëtejshme  në jetën e tij akademike e shoqërore.

Nga menxhuesi i faqes: www.kallarati.com

Next Post

Saimir Strati thyen rekordin “Guinness” me shqiponjën në Prishtinë

Mar Nën 27 , 2012
Prishtinë – Artisti shqiptar, Saimir Strati, ka përdorur 620 kilogramë fasule për të krijuar mozaikun 63-metrash katrorë, më të madhin në botë. Kështu mozaiku me shqiponjën dy krenare, nga pasditja e së hënës, edhe zyrtarisht ka thyer rekordin “Guinness”, për mozaikun më të madh në botë, të krijuar me fasule, […]
Saimir Strati