Në përgjithësi i njoh kallaratasit. Puna dhe jeta më ka lidhur me ta, por në këtë shkrim dua të kujtoj ata që njoha në fëmijërinë dhe në rininë time, të cilët u bënë shokët e mi më të afërt dhe I kujtoj me shumë respekt. Njeriu në fëmijëri mban mend shumë gjëra dhe është në gjendje t’i kujtojë me detaje, aftësi kjo që rritet me kalimin e viteve.
Në shtator të vitit 1951 na iku mësuesi himarjot Simo Bollano, për të cilin vazhdoj të ruaj respekt shumë të madh, pasi ai më mësoi abc-në. Pastaj, në shkollën tonë në Kuç erdhi një mësues tjetër. Ishte një djalë i gjatë, i hollë dhe shumë i pashëm, i cili në orën e parë të mësimit na u prezantua: -Jam Enver Golloshaj nga Kallarati. Nga sot e në vazhdim do jem mësuesi juaj. Bashkë do bëjmë një vit mësimor në të gjitha lëndët. Por, vazhdoi mësuesi, unë kërkoj nga ju tri gjëra: të mos mungoni në orët e mësimit, të mësoni mirë dhe të jeni të disiplinuar. Ai fl iste ngadalë e qetë, ne ndiqnim çdo lëvizje të tij dhe regjistronim çdo këshillë që na jepte. Të gjithëve na bëri përshtypje trupi i tij i drejtë, fl okët e krehura me kujdes, sytë e tij të bukur dhe fjalët e tij tërheqëse. Me mësues Enverin (të cilit gjithmonë edhe sot vazhdoj t’ i thërras “zoti mësues”-ashtu si i thërrisnim në klasë) u miqësova shumë shpejt. Merrja gjithçka prej tij dhe bëja me kujdes mësimet, por kisha një të metë: në lëndën e bukurshkrimit nuk arrija dot të jepja atë që kërkohej. Mësues Enveri e vu re ketë të metë timen dhe, pa më qortuar apo fyer, një ditë në orën e mësimit erdhi te banka ime, më vendosi dorën mbi dorën time, duke më drejtuar dorën me kujdes, kur unë po shkruaja. Kur mbaruam së shkruari, më tha: E shikon sa bukur shkrove? Ma mori fletoren dhe më shënoi notën 5 me një yll të vogël pranë. U gëzova shumë se nuk kasha marrë ndonjëherë atë vlerësim në bukurshkrim. Kujdesi i tij ndaj meje vazhdoi gjithë vitin dhe unë sot vazhdoj të shkruaj bukur falë punës së mësues Enverit.
Me porosi të babait, e ftova një herë mësuesin në shtëpi për darkë. Nga ajo natë e në vazhdim, mësues Enveri u bë më i afërt për mua. Por jo vetëm për mua, po për të gjithë ata që e njohën, mësues Enveri u largua nga Kuçi, duke lënë mbresat më të mira. Ai u vendos familjarisht në Lubonjë dhe si mësues e si drejtues shkolle bëri emër të mirë në atë krahinë. Mësues Enverin, tanimë pensionist, e takoj shpesh këtu në Vlorë me atë respekt e mirënjohje që kam pasur që fëmijë. Krenohem që kam pasur mësues Enver Golloshajn, të cilit i uroj shëndet e gjithë të mirat dhe I shpreh mirënjohje për atë që ka bërë për ne nxënësit.
Më 2 shtator 1957, i shoqëruar nga babai im, u regjistrova në Teknikumin bujqësor të Fierit. Sa u futëm në korridorin e ngushtë të godinës, na u afrua një djalë i gjatë me flokëzi, me zë kumbonjës dhe na pyeti se nga ishim. Ai pa veshjen tone labe që në atë kohë dallohej lehtë dhe e mori me mend se ishim nga anët e tij. Pyetjes iu përgjigj babai. Dhe ai menjëherë tha: Edhe unë jam nga Kallarati, Llano Llanaj më quajnë. Sivjet jam në vitin e katërt. I kujt je, e pyeti babai. I Malo Llanajt, u përgjigj Llanua. Aa, i Malo Feratit ia ktheu im atë. Ju banoni në Çeprat, vazhdoi babai, pastaj m’u kthye mua: Ja, e gjetëm një djalë nga krahina jonë, me të cilin mund të shoqërohesh. Ky, patjetër, do jetë djalë i mirë se është nga derë e mirë, përfundoi fjalën babai. Nga ajo ditë Llanua u bë shoku im, duke më ndihmuar për çdo gjë, për sjellje në shoqëri dhe për mësime.
E gjeta Llanon pas mbarimit të Institutit Bujqësor, agronom në seksionin e bujqësisë në Vlorë. Kishte ardhur aty pas punës së mirë në kooperativën bujqësore të Sevasterit dhe emrit të mirë që kish fituar atje. Atje Llanua, përveç punëve të tjera, krijoi edhe një bllok me pemë, që u quajt e vazhdon të quhet edhe sot, blloku i Llanos. Më vonë Llanua kreu detyra të tjera, si kryetar kooperative në Risili, kryeagronom në Llakatund, drejtor i Institutit të Ullirit, ku mori edhe gradën shkencore “Doktor i shkencave bujqësore”. Aty u afirmua si specialist i aftë dhe me zë I frutikulturës, jo vetëm në Vlorë, por në shkallë republike. Më vonë me Llanon na lidhën edhe marrëdhëniet e tjera fisnore, por bazë mbeti shoqëria jonë e rinisë dhe në mjediset familjare prezantimi është si shokë të vjetër. Për mua Llanua mbetet shoku i mirë i rinisë dhe jam krenar që e njoha dhe e kam shok.
Një ditë, pasi kisha mbaruar mësimin e ditës së parë në Teknikumin Bujqësor Fier, më afrohet një djalë me trup mesatar, por të lidhur,me fl okë të zinj, të lëshuar mbi ballë dhe më pyeti: Ti je Qebir Demiraj? Po, iu përgjigja. Djali vazhdoi të fl iste. Dje në Vlorë, kur vija për këtu, takuam babain tënd dhe më tha që të të takoja. U njohëm, ishte Bejo Xhaferaj. Pasi e mësova prej tij që ishte djali i xha Rizos dhe i teto Kados që ishte bijë në mëhallën tonë në Kuç, shkuam menjëherë në sekretari dhe iu lutëm sekretares ta hiqte Bejon nga klasa e parë B, ku e kishte regjistruar dhe ta kalonte në të parën C, ku isha unë. Sekretarja na e plotësoi dëshirën dhe ne shkuam të dy, jo vetëm në një klasë, po edhe në një bankë. Ky ishte fillimi i njohjes. Në vazhdim, unë e Bejua u bëmë shokë të mirë për njëri tjetrin, shoqëri e cila vazhdoi gjithë jetën, duke iu gjendur pranë njeri tjetrit në raste të mira e të këqia. Bejua në shkollë mësonte shumë mirë, por mbi të gjitha ishte tip i qetë, i matur dhe më frenonte sa herë shfaqja nervozizëm ose cilësi të tipit tim impulsiv. Ai që në shkollën e mesme dallohej edhe për aftësi drejtuese. Atë e zgjodhëm për dy vjet rresht kryetar të këshillit të konviktit. Kjo detyrë ishte e vështirë për ta kryer, por Bejua, me gjakftohtësinë dhe këmbënguljen e tij, e kreu shumë mirë atë detyrë.
Në ato vite ligji ishte I shenjtë dhe domosdoshmërish i zbatueshëm. Prandaj na duhej të zbatonim me përpikëri rregulloren e konviktit dhe orarin e veprimeve, të cila Bejua, në bashkëpunim me kujdestarët e konviktit, e rregullonte shumë mire zbatimin e tyre. Kjo korrektësi për zbatimin e rregullave dhe ligjeve, gjakftohtësia dhe dhuntia për të komunikuar me njerëzit, aftësia për të zgjidhur konkretisht në praktikë çdo problem, sado i vështirë të ishte, e shoqëruan Bejon gjatë gjithë jetës. Ai kudo që punoi si punonjës shteti (sekretar lokaliteti), punonjës partie apo drejtues ekonomie, spikati për korrektësi, gjykim të drejtë, vendimmarrje të saktë dhe ligjore. Këto cilësi e kanë bërë Bejon një ndër njerëzit më të respektuar në krahinë. Unë jam krenar që Bejo Rizo Xhaferajn e kam shok që nga fëmijëria.
Pas mbarimit të Institutit të Lartë Bujqësor në Tiranë fillimisht punova në kooperativën bujqësore Brataj dhe më vonë në Kuç. Gjatë udhëtimit për në punë dhe anasjelltas për në shtëpi, disa herë e bëja rrugën me një djalë nga Kallarati që kishte mbaruar fakultetin e Gjuhë-Letërsisë dhe punonte në shkollat e krahinës. Më tërhoqi që në fillimet e njohjes paraqitja e tij dhe një ditë e pyeta se nga ishte e kush ishte. Rami Memushaj quhem dhe jam nga Kallarati, më tha me një buzëqeshje të ëmbël dhe sy shprehës që pasqyronin respekt. Pas ca ditësh Ramiu u ndodh në Kuç dhe aty, shoku i tij dhe imi, Bedo Bishaj na prezantoi të dyve, por nën zë Ramiut i shtoi pak ngadalë: “fol si të duash me të si me mua, do merresh vesh”. Nga ky moment me profesor Ramiun u afruam shumë e u bëmë shumë shokë, shkëmbenim mendime për ato që lexonim e dëgjonim (të dy lexonim shumë), gjenim mirëkuptim për ato që bisedonim, por inteligjenca e Ramiut binte shumë në sy Në ato kohë të gjithë burrat venin në stërvitje ushtarake që quheshin zbore. Unë, profesor Ramiu dhe i madhi Mëno Gjoleka nga Dukati që punonte në ato vite agronom në Brataj, e kryenim zborin si oficerë rezervistë në brigade që mbante emrin e Brigadës së 5-të Sulmuese, në Vranisht.
Në nëntor të vitit 1972 na ndodhi një incident. Ditën që mbaruam stërvitjen në Llufë të Rexhinit, brigada u nda më dysh. Komanda iku me makinë dhe një pjesë e brigadës kaloi nga gryka e Vërmikut me drejtim Vranishtin, ndërsa një pjesë nga gryka e Zarelit për në Kuç. Unë, Mënua e Ramiu shkuam nga Kuçi dhe nuk shkuam në repart, por ndenjëm një ditë pushim. Pasdite na vijnë dy ushtarë të armatosur dhe na shoqërojnë për në Vranisht. Me të drejtë, komandanti i xhindosur na bërtiti dhe na përmendi burgun. Mënua, si më i madh nga ne, iu përgjigj: “Ngadale, komandant, se ne jemi kolegët e tu, Do bisedojmë dhe do e rregullojmë këtë punë”. Ndërhyri Ramiu. Në fillim i dha të drejtë komandantit, duke i bërë pak qejfin dhe në fund i tha: bëj si të të thotë zemra, komandant. Dhe komandanti u qetësua, i ranë xhindet e u zbut dhe ne përfundimisht shpëtuam pa asnjë vërejtje.
U ndamë me Ramiun, kur ai kaloi në Universitet pedagog i fakultetit të Gjuhësisë, ku me zellin e tij u bë një mësimdhënës dhe studius I zoti saqë arriti të merrte dhe titujt shkencorë profesor e doktor, duke nderuar jo vetëm veten e njerëzit e tij, por edhe Kallaratin dhe neve shokët e tij. Mirënjohje dhe respekt profesor Rami Memushajt për shoqërinë e sinqertë dhe respektin që më dhuroi gjatë asaj kohe që u shoqëruam dhe tani kur takohemi me mall.
Qebir DEMIRAJ
Botuar ne Gazeten Kallarati