NDAHET NGA JETA ISH-KRYETARI I PARË I SHOQATËS K/A “KALLARATI”, GAFUR SHAMETAJ

 

GafurShameti-1 1

Më 2maj 2014, pas një sëmundje te rëndë, u nda nga jeta, familja e shoqëria, Gafur Hasan Shametaj, një nga themeluesit kryesorë të Shoqatës sonë kulturore/atdhetare “Kallarati” dhe kryetar i parë i saj.

I ndjeri vuri të gjitha forcat e tij mendore e fizike për organizimin e konsolidimin e Shoqatës, duke lënë gjurmë të thella në mbarëvajtjen e mëtejshme të saj. Si një personalitet publik, i zgjedhur në këshillin bashkiak të Vlorës, si dhe edhe deputet në Kuvendin e parë pluralist të Shqipërisë, më 24 maj 2014, Bashkia e Vlorës organizoi në sallën e saj një ceremoni, ku u vendos arkivoli dhe u bënë homazhe e u shprehën ngushëllime familjarëve nga një publik i gjerë, autoritete të pushtetit vendor, të kulturës e artit, kryesia e Shoqatës Kallarati, përfaqësues të Shoqatës K/A “Labëria” e shoqatave të tjera, miq e shokë të shumtë e të tjerë.

Pas homazheve në Bashki, trupi i tij u përcoll për në varrezat e qytetit. Në emër të Shoqatës “Kallarati”, fjalën përcjellëse e mbajti autori i këtyre radhëve, në të cilën thuhej: Të nderuar familjarë, miq e shokë të familjes Meçaj! Jemi këtu sot për t`i dhënë lamtumirën njeriut të shtrenjtë të familjes, prindit, vëllait, mikut dhe shokut tonë të dashur, Gafur Hasan Shametajt. Kish lindur në Kallarat më 1938 në një familje me kontribute dhe tradita të hershme atdhetare. Prindërit e tij, Hasani e Kalemja ishin njerëz me formim atdhetar, të zgjuar, të kulturuar, të respektuar e të dashur. Me këto cilësi rritën dhe edukuan edhe fëmijët e tyre. Gafuri, pas kryerjes së shkollës së mesme në Vlorë, ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, ku më 1962 diplomohet inxhinier gjeolog. Pas diplomimit emërohet gjeolog miniere në Pukë e pastaj në Memaliaj. Më vonë kalon në sektorin e Gjeologjisë të rrethit Tepelenë, ku dha një kontribut të rëndësishëm në zbulimin e shumë shtresave gjeologjike të këtij rrethi.

Duke u vlerësuar puna e tij, ai, më vonë, ngrihet në detyrë, duke u emëruar kryegjeolog i Gjirokastrës, derisa pastaj do të transferohej në Vlorë, pranë prindërve të tij të dashur, si inxhinier në fabrikën e tullave.

Gafuri nuk ishte vetëm gjeolog. Ai, krahas punës profesionale, merrej edhe me krijimtari letraroartistike. Si një krijues i mirëfillte i letrave dhe i artit humoristik, ai ishte autor i mbi 15 komedive dhe i shumë materialeve humoristike. Ishte korrespondent i rregullt i disa prej organeve kryesore të shtypit, bashkëhartues i disa antologjive letrare dhe autor broshurash me grimca e anektoda humoristike. Prandaj, ai, që nga viti 1970, ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Po ishte edhe veprimtar politikoshoqëror si përfaqësues i popullit në organin më të lartë shtetëror, deputet i Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën e pare të Kuvendin pluralist, në vitet 1991-92 dhe pastaj anëtar i këshillit bashkiak të Vlorës. Në këto detyra shtetërore dhe në përgjithësi në politikë, Gafuri, si përfaqësues i spektrit të djathtë, dallohej për ekuilibër e gjykim objektiv, larg çdo ekstremizmi.

Si veprimtar shoqëror, Gafuri ka qenë i zgjedhur anëtar i kryesisë së Shoqatës kulturore/atdhetare “Labëria”, ideator e nismëtar i themelimit të Shoqatës K/A “Kallarati” dhe kryetar i parë i saj, si dhe kryeredaktor i gazetës së kësaj Shoqate, që e bëri fshatin tone për herë të parë në histori me gazetë. Si një intelektual i mprehtë dhe i ndërgjegjshëm, ai, për kohën që ishte në krye të Shoqatës, e drejtoi atë dhe gazetën me përkushtim të madh, kujdes e maturi, në frymën e bashkimit e kompaktësimit të Kallaratit e kallaratasve, pa lejuar shfaqje të ngjyrimeve politikopartiake që mund të krijonin qoftë edhe përçarjen më të vogël. Në këtë frymë ishin edhe shkrimet që bënte për gazetën tonë. Ky orientim i Shoqatës bëri të mundur që ajo të kishte mbarëvajtje në rrugën e saj. Gafuri realizoi edhe një film dokumentar të mrekullueshëm për Kallaratin e kallaratasit brenda e jashtë fshatit, të cilët me të i bëri të pavdekshëm. Ai, edhe pas lënies me dëshirën e tij të detyrës së kryetarit për t`u hapur rrugën të tjerëve në atë detyrë, vazhdoi të mbetej një anëtar aktiv i kryesisë së Shoqatës dhe bashkëpunëtor i gazetës.

Gafuri kish një ndjesi të veçantë ndaj prindërve, vëllait e motrave të tij. Ai, si djali i madh i familjes, jo vetëm kujdesej e ndihmonte prindërit, por kujdesej edhe për shkollimin e motrave e të vëllait. I martuar me Ëngjëllushe Begajn, të dy bashkë krijuan një familje të shëndoshë e të harmonishme. Lindën, rritën dhe edukuan më së miri edhe tre fëmijë të vlefshëm për familjen e shoqërinë: Arbenin, Mikelën dhe Mirelën. Gafuri dallohej për vlerat e tij moraloshoqërore, për sjellje të kulturuar e komunikim korrekt e dashamirës në shoqëri, farefis e familje. Humori i tij ishte i pranishëm kudo, deri edhe në diskutimet që bënte në seancat e Kuvendit të Shqipërisë. Për vlerat dhe veprimtarinë e tij në dobi të shoqërisë, Gafurit i janë dhënë edhe tituj nderi, si “Qytetar Nderi i Vlorës”, dhënë nga Bashkia e Vlorës, “Nderi i Labërisë”, dhënë nga kryesia qendrore e Shoqatës “Labëria” etj. Në ceremoninë e marrjes së titullit “Nderi i Labërisë”, Gafuri, duke falënderuar për nderin që I bëhej, deklaroi: “Jam krenar që jam lab, sepse të jesh lab është krenari, ndërsa të të vlerësojnë si lab, është nder”. Dhe me të vërtetë, Gafuri ishte një lab i mirë me të gjitha cilësitë e labit dhe një kallaratas nga më të mirët që e donte me shpirt Kallaratin.

Me ndarjen e Gafurit nga jeta, familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, shoqëria mikun e mirë, arti e kultura krijuesin e talentuar dhe Shoqata “Kallarati” veprimtarin e përkushtuar të saj. Prandaj, në emër të Shoqatës e timin, i shpreh ngushëllime të thella bashkëshortes, fëmijëve, vëllait e motrave dhe gjithë të afërmëve.

I dashur Gafur, ti u ndave nga jeta, familja e shoqëria, por le pas kujtimin dhe emrin e paharruar. Në nderim të të ndjerit, ju ftoj të mbajmë një minute heshtje.

Lamtumirë e u prehsh i qetë, i dashuri Gafur! I përjetshëm qoftë kujtimi yt! Në emër të Teatrit “Petro Marko” të Vlorës foli edhe regjisori Luftar Veshi, i cili, ndër të tjera, vuri në dukje vlerat e larta të Gafurit si krijues letraroartistik.

 

Seit Jonuzaj

Botuar ne nr. 75 te gazetes ‘Kallarati”

Next Post

Poezi nga Selam Jonuzaj

Die Tet 5 , 2014
Kallarat legjendë trimërie   Kallarat legjendë trimërie, Trima kanë lindur nga ti, Dijetarë të gjuhës shqipe, Gjurmë ke lënë në histori.   Historia jote e lashtë Është vetë një mrekulli. Me çdo të huaj luftove Për vatan e Shqipëri.   Në Kunjovë rrënjët i ke, Në Bogonicë erdhe ti, Fshatin […]