Kallarat legjendë trimërie
Kallarat legjendë trimërie,
Trima kanë lindur nga ti,
Dijetarë të gjuhës shqipe,
Gjurmë ke lënë në histori.
Historia jote e lashtë
Është vetë një mrekulli.
Me çdo të huaj luftove
Për vatan e Shqipëri.
Në Kunjovë rrënjët i ke,
Në Bogonicë erdhe ti,
Fshatin prapë aty ndërtove,
Dy-tre kate çdo shtëpi
Me rrugica dhe sokaqe
Uniformë planimetri,
Dritë e hije rrezatoje
Nën Bogonicën ti.
Arkitekturë e lashtë
Sot të jep një nostalgji,
Po ta shikosh me vëmendje,
Dëfton kulturë e dituri.
Nga greku ti u sulmove,
Sulmi i tij në befasi,
U dogje e u shkatërrove,
U bëre shkrumb e hi.
Greku shumë e pagoi,
Me andartë e ushtri,
Kur mendja s`ia mori
Të vritej komandant Cullaqi.
Kallarat legjendari,
Trim mbi trima qe ai,
Komandantin e qëlloi,
I dha plumbin në gji.
Ndaj dhe sot ne kujtojmë
Njëqind-vjetorin e zi.
Fshat i bukur, s`të harrojmë,
Të gjithë do vijnë këtu te ti.
Ktheu ti, o djalë i nënës,
Eja ti, o vajzë mali,
Të bekuar nipër e mbesa,
Ejani këtu te zalli.
Baballarët ju i keni
Të lindur nga vend stërralli,
Të kalitur në furtunë
Mos harroni ju vatanin.
Nëna sofrën e ka shtruar
Plot me mall e dashuri,
Djem e vajza të bekuar,
Nëna ju uron shumë mirësi.
Disa plagë Nëna ka marrë,
Disa zemra janë lënduar,
Djem e vajza na i ke marrë,
Ti, o zot i dëshiruar.
Yje ata qenë,
Yje do të mbeten,
Simbol të fshatit tonë,
Kujtimi i tyre s`do të tretet.
Yjet tanë të pashuar,
Nëna u shpreh ngushëllime,
Zëri i Nënës i bekuar,
Juve ju thotë shumë urime.
Selam JONUZAJ
_____________________________________________________________________________
Amanetin s`e tret dheu
-Me rastin e 70-vjetorit të masakrës greke ndaj çamëve-
Çamëri e bukur
Me shumë lezete
Vendet që ke lënë
Amanetet s`treten.
Në nëntokën mëmë
Njerëzit keni lënë
Mbi varret e tyre
Greku shkel me këmbë.
Gjaku nën tokë
Zien si vullkan
Si heshta me gjëmë
Ai do të dalë.
Si shigjetë e kuqe
Për mbi hapësirë
Mbi tokat e tyre
Ai do shndërrojë.
Se atje kanë lindë
Shumë e shumë fëmijë
Kockat e të parëve
Atje, atje rrinë.
Në shekuj i linde
Në shekuj i rrite
Tokë e bukur çame
Toka çame mëmë.
Ti, o greku fqinjë
Që shumë gjak ti derdhe
Mbi martirët çamë
Mbi fëmijët e tyre.
Qau nëna për fëmijë
Qau motra për vëllanë
Qanë gjyshet dhe rënkuan
Amanet ato u lanë.
Nuk e harrojnë fëmijërinë
Gjaku i tyre u derdh lumë
Si kristal i kulluar
Gonxhet pa çelë u këpunë.
Të pafajshëm si gjithmonë
Ç`të keqe ata bënë
O katil e o mizor
I pabesë si gjithnjë.
Kur të huajt i pushtuan
Me çamët bashkë i luftuan
Me osmanë dhe gjermanë
Gjakun derdhë për vatanë.
Përse veten e vlerësove
Dhe të tjerët i mohove
Nga tokat e tyre i dëbove
Dhe çdo gjë ua sekuestrove.
Të bëjmë thirrje të pendohesh
Për gjithçka që ke bërë
Është tokë e stërgjyshllarëve
Çamët kanë lindur në të.
Është koha e reflektimit
Është koha e diskutimit
Ulu ti në tavolinë
Për gabimet që ke bërë.
Fjala jonë është e prerë
Për fajet që ti ke bërë
Tokën çame ku kanë lerë
Mos e mbaj peng ti atë.
Toka mëmë nuk sfidohet
Sado vite që të shkojnë
Dashuria më shumë shtohet
Çamët tokën s`e harrojnë.
Kujtojnë Marko Boçarë
Edhe kapedanë të tjerë
Stërgjyshërit e tyre me radhë
Luftëtarë me Skënderbenë.
Një popull që ka luftuar
Sot ndodhet pa atdhe
Gjaku i tyre shumë i çmuar
I kujton si përherë.
Selam JONUZAJ
Botuar ne nr.75 te gazetes “Kallarati”