-Poezi nga Brahim Goxhaj, në kujtim të jetës së Luan Shakaj-
Shtatë prill, ditë e hënë,
Në pasdite seç u nxi
Vjen një lajm e një gjëmë,
Shokë, u vra Luani!
Qysh e priti ajo nënë,
Kush ia tha lajmin e zi
Motrat seç u prekën rëndë,
Ç’u bënë korbat mavri.
Qysh do bëjë e zeza grua
Se i le katër fëmijë,
Qysh do bëjë e zeza vajzë,
Do qajë, babë xhani.
Ç`u bëre Luan vëllai,
Pse nuk të shohim me sy,
Pse i le të gjithë mënjanë,
Shokë edhe miqësi.
Erdha lart e të kërkova,
Po nuk të pashë me sy,
Fola fort, por nuk dëgjove,
Vallë ku ke vajt e rri.
Dua të bëj muhabet,
Dua të pimë raki,
Dua të bëjmë shaka,
Siç dinim unë e ti.
Bashkë u lindëm e u rritëm
Nëpër male shtegtarë,
Ne e dimë ç`kemi hequr,
Kemi qeshë e kemi qarë.
Kur po shkruaj këto vargje
Lotët më venë rrëke,
Pse na ike more burrë,
Apo nuk doje me ne.
Atje gjete shoqërinë
Memon me gjithë Avninë,
Ilirjanin e Kadrinë,
Bujanin e Bardhosh zinë.
Motra të erdhi nga prapa,
Pati hall mos të zijë vapa,
Të të jepte një gotë ujë,
Të pyeste mos je sëmurë.
Qysh duron e zeza nënë,
Qysh, qysh rri në këmbë,
I rreshtoi në një radhë,
Katër vajza e një djalë.
Komandant Pelivani
Një fishek kishte gjerdani,
Nuk deshi që t`i vinte djali,
Po atë e mori malli.
Latë fëmijë, nipër e mbesa,
Do ju kujtojnë në breza,
Pse është kaq e shkurtër jeta?
Kur do gjendet e vërteta?
Ka shumë ligje dhe lot
Të gjithë s`i shkruaj dot,
Pse na e more Luanë,
Shtatë prill, ç`borxh të pamë!
I paharruar do mbetesh në zemrat dhe kujtimet e shokëve, miqve dhe gjithë të njohureve të tu.
Brahim GOXHAJ
Botuar ne gazeten “Kallarati”, nr. 75