Nga Besnik GJONBRATAJ
AMBJENT FESTIV NË KALLARAT
Në datat 13 dhe 14 gusht 2016, Kallarati kishte marrë një pamje vërtet festive, me flamuj, parulla, banderola, mbushur me plot njerëz, bashkëfshatarë të ardhur nga Vlora, Fieri, Durrësi, Tirana, fshatrat përreth tij, por edhe emigrantë, të ardhur për të kremtuar së bashku takimin e brezave, që u zhvillua në mbrëmjen e datës 13 në qendër të fshatit dhe ditën e dytë për të përkujtuar një ngjarje shumë të rëndësishme, 100-vjetorin e çeljes së shkollës së parë shqipe në fshatin tonë. Veprimtaria kryesore ishte organizuar në Qafën e Ubavit, aty ku zuri fill shkolla shqipe në Kallarat.
NË QAFËN E UBAVIT, ATJE KU U HODHËN THEMELET E ARSIMIT
Atëherë kur akrepat e orës shënonin 10:00, sipas programit të hartuar, festa nisi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Në vijim e mori fjalën prezantuesja, kësaj radhe Anxhela Hysi, një vajzë 16-vjeçare nga Kallarati, e cila edhe pse për herë të parë në këtë rol, e prezantoi atë mjaft bukur. Në çelje të kësaj feste të bukur, folësja iu drejtua pjesëmarrësve me fjalët: “Të dashur bashkëfshatarë, miq e të ftuar! Të dashur mësues dhe nxënës të shkollës “Mumin Selami” të Kallaratit! Mirë se erdhët në këtë ceremoni, organizuar nga Shoqata “Kallarati” dhe kryesia e fshatit kushtuar 100-vjetorit të çeljes së shkollës së parë shqipe në fshatin tonë. Është kënaqësi për mua, që si ish-nxënëse e kësaj shkolle, të jem prezantuese e kësaj veprimtarie kushtuar arsimit kallaratas. Një fakt i tillë më shton emocionet dhe përgjegjësinë ndaj jush.
Këtu, në Qafën e Ubavit, te ky vend ku të parët tanë mblidheshin në kuvende, te ky vend ku burrat dhe gratë niseshin për luftë, pikërisht këtu më 1916 u hodhën edhe themelet e shkollës së parë shqipe të Kallaratit. Që atëherë ka kaluar plot një shekull, dhe kjo shkollë u rrit, u transformua dhe u modernizua, duke kaluar nga një etapë në tjetrën, fillimisht me pak klasa e pak nxënës, e shkallë-shkallë duke u konsoliduar, si gjithë arsimi në Shqipëri, e duke u bërë vatër e dijes e kulturës për gjithë bijtë dhe bijat kallaratase e të fqinjëve tanë që u shkolluan këtu.
Nga gjiri i kësaj shkolle të dashur kanë dalë qindra nxënës, të cilët kanë bërë emër në sektorë të ndryshëm të jetës në Shqipëri e jashtë saj. Sot të gjithë ndihemi krenarë për atë çfarë kjo shkollë na dha për edukimin dhe formimin tonë shoqëror dhe intelektual. Sot, me të drejtë, përulemi dhe vlerësojmë e çmojmë atë kontribut të vyer që mësuesit e kësaj shkolle, vendas dhe të huaj, dhanë për ne, nxënësit kallaratas. Të vjen keq që në këtë përvjetor të njëqindtë, dyert e shkollës sonë janë mbyllur për shkak të rënies së numrit të nxënësve, por me shpresën se një ditë ajo do hapë sërish dyert e saj dhe atje do të gumëzhijnë si dikur zërat e fëmijëve kallaratas.
Në këtë veprimtari, përveç banorëve të fshatit, bashkëfshatarëve kishin ardhur nga Vlora, Fieri, Durrësi, Tirana, edhe mjaft emigrantë kallaratas. Mori pjesë gjithashtu ish-kryetari i Komunës dhe aktualisht nënkryetar i Bashkisë së Himarës, zoti Simbol Pazaj, biri kallaratas profesor doktor Rami Memushaj, kryetari i shoqatës “Kallarati”, zoti Kastriot Karabollaj, kryeplaku i fshatit zoti Ilir Memushaj etj. Të pranishëm në këtë festë kishte edhe mësues jovendës që kanë shërbyer në këtë shkollë, si zoti Viron Avduli dhe bashkëshortja e tij Nezinete Leskaj (Avduli), bijë nga Bolena.”
PËRURIMI I PLLAKËS PËRKUJTIMORE TË SHKOLLËS
Me nismën e kryesisë së shoqatës dhe të kryesisë fshatit, për të kujtuar vitin 1916, vit kur u hodhën themelet e arsimit në Kallarat, ishte përgatitur një pllakë përkujtimore, me kushtimin: “Këtu, më 1916 u çel shkolla e parë shqipe e Kallaratit”. Pllaka u zbulua nga nënkryetari i Bashkisë së Himarës, zoti Simbol Pazaj, dhe një nga mësuesit më të vjetër të kësaj shkolle, zoti Hamit Muharremaj.
FJALA E MIRËSEARDHJES NGA KRYETARI I SHOQATËS “KALLARATI”
Në vijim, prezantuesja ftoi kryetarin e shoqatës Kallarati, zotin Kastriot Karabollaj, për të mbajtur fjalën e mirëseardhjes, i cili ndër të tjera u shpreh: “Të nderuar bashkëfshatarë e të ftuar! Në emër të kryesisë së Shoqatës “Kallarati”, ju përshëndes dhe ju përgëzoj për pjesëmarrjen tuaj në veprimtarinë e sotme kushtuar 100-vjetorit të shkollës së Kallaratit, duke ju uruar Gëzuar festën e kësaj shkolle!
Të dashur pjesëmarrës, një nga pikat e programit të shoqatës sonë kulturore-atdhetare është evidentimi dhe përkujtimi i ngjarjeve historike të fshatit tonë. Çelja e shkollës shqipe këtu në Kallarat 100 vjet më parë është një ngjarje e madhe historike, që nuk mund ta linim pa e përkujtuar. Pas shpalljes së Pavarësisë kombëtare më 1912 në Vlorë dhe pas luftës së përgjakshme me bandat shoviniste greke më 1914, që i solli fshatit tonë një rrënim të madh, kallaratasit, që kishin treguar trimëri e atdhedashuri të madhe për mbrojtjen e trojeve shqiptare, ishin edhe arsimdashës të thekur. Pa e marrë veten mirë nga pasojat e luftës dramatike të 1914-ës, sapo u krijua rasti për hapje shkolle, kallaratasit që kishin hapësira shtëpiake, u treguan të gatshëm të hapnin dyert për këtë qëllim. Fillimisht, më mars 1916 dyert e banesës së tij i hapi Dushan Seit Jonuzaj, në Shesh të Fierit. Më vonë, për t`iu larguar syve të pushtuesve italianë, që nuk lejonin të bëhej mësim shqip, siç tregon në kujtimet e tij një nga ish-nxënësit e parë, i ndjeri Izet Bushi, shkolla, që funksiononte në formë kursi me mësues patriotin Telo Duro Zhibajn, u hodh në Povël, në konakët e Maliq Boshit, për t`u rikthyer më vonë përsëri në Shesh të Fierit, kësaj radhe në shtëpinë e Zenepe e Qamil Toçajt, ku u njoh edhe zyrtarisht nga autoritetet shtetërore të kohës. Është për t`u theksuar si fakt kuptimplotë që flet për etjen që kishte Kallarati për shkollim shqip, pjesëmarrja relativisht e madhe për kohën dhe kushtet e atyre viteve e mbi 20 e ca nxënësve. Për shkak të situatave dhe rrethanave të pafavorshme që përjetoi vendi ynë pas Luftës së Parë Botërore e deri në vitet ‘30, po edhe nga pengesat e ndryshme që nxirrnin autoritetet e kohës, shkolla nuk mundi të vijonte pa ndërprerje. Kështu që u desh këmbëngulja e fshatit, duke dërguar deri te ministri Musa Juka i qeverisë mbretërore të Zogut, të riun Xhemal Gjonaj, me kërkesën që të rihapej shkolla në vitin 1935. Por ndërprerjet nuk paskëshin të sosur. U ndërpre shkolla nga Lufta Italo-Greke e vitit 1940–41. Dhe gjatë viteve të fundit të shekullit XX, shkolla e bukur e fshatit tonë, me emrin e Heroit të Popullit Mumin Selami, i mbylli dyert përsëri nga autoritetet e sotme shtetërore, gjë që përbën një paradoks të vërtetë. Fëmijët e Kallaratit detyrohen të shkollohen tani në shkollën e Vranishtit fqinjë.
Ne shprehim mirënjohjen tonë të përjetshme për të gjithë ata breza mësuesish që kanë kontribuar për mbarëvajtjen e shkollës së fshatit tonë nga çelja e saj në mars të vitit 1916 e derisa zgjati jeta e saj. Prandaj Kryesia e Shoqatës sonë i propozoi Bashkisë së Himarës për të nderuar me titullin e “Mirënjohjes” disa mësues të kësaj shkolle me kontribut më të spikatur, që do t`i shpallim sot këtu. Falënderojmë drejtuesit e Bashkisë së Himarës për miratimin e propozimeve tona. Ju faleminderit!”
GJURMËT E HISTORISË SË ARSIMIT NË KALLARAT
Për të folur rreth zhvillimit të arsimit në Kallarat që nga çelja e shkollës së parë e derisa ajo u mbyll, por edhe për ndihmesën e dhënë nga mësuesit për edukimin e nxënësve të kësaj shkolle të dashur, nga gjiri i së cilës kanë dalë me dhjetëra e qindra nxënës, të cilët, pas përfundimit të studimeve të larta e të mesme, u bënë kuadra e specialistë të denjë jo vetëm për vendlindjen e tyre, por për mbarë Shqipërinë dhe jashtë saj, fjala iu dha njërës prej mësueseve më të vjetra, ish-drejtoreshës së fundit të kësaj shkolle zonjës Violeta Xhaferaj.
Në fjalën e saj mësuese Violeta i bëri një përmbledhje gjithë rrugës së historisë së arsimit kallaratas. Ajo, ndër të tjera, u shpreh: “Sot, ju të nderuar bashkëfshatarë keni ardhur në vendlindjen tuaj. Ky është një gëzim si për ju, por edhe për ne që banojmë këtu. Do të çmallemi me njëri-tjetrin dhe për një moment do t’i japim fshatit tonë gjallërinë e munguar. Disa ndofta e shkelin për herë të parë tokën e Kallaratit edhe ata janë pjesë jona dhe do të njihen me bukuritë e kësaj toke. Të gjithë në bisedat tona do ta hedhim shikimin edhe nga historia dhe bëmat e ndritura të parëve tanë.
Qafa e Ubavit, vendi i kuvendeve, por edhe i arsimit
Jemi grumbulluar këtu në Qafë të Ubavit për të përkujtuar 100-vjetorin e çeljes së shkollës shqipe. Ky vend ku jemi tani, është mbushur me histori. Këtu mblidheshin kallaratasit e qanin hallet e dertet e jetës. Shumë herë i gjithë fshati grumbullohej këtu e merrte vendime të rëndësishme. Nga këtu nënat kallaratase u kanë dhënë bekimin dhe urimin bijve dhe bijave të tyre, që i nisnin në luftë me pushuesit, ku nuk u dihej fati. I dërgonin për të shërbyer ku kishte nevojë atdheu në rrugën e shkollimit e të qytetërimit të tyre. Këtu, në këtë copë tokë, janë derdhur shumë lot gëzimi, por edhe pikëllimi. Qafa e Ubavit është qendra historike e fshatit tonë. Ajo është toka ku “mbinë e lulëzuan“ shkronjat e para shqipe dhe nisi rrugën shkolla shqipe në Kallarat. Dhe me të drejtë është kënduar: – Qafë e Ubavit, moj nënë, o vend i kuvendeve…
Rrethanat në të cilat u hodhën themelet e arsimit në Kallarat
Në shekuj kallaratasit janë shquar për patriotizmin dhe atdhetarizmin e tyre. Nga vatrat e kallaratasve kanë lindur burra kuvendi, kazaje e vilajeti, burra që kanë ditur të zgjidhin “nyje të forta“, të cilët, siç shprehet rapsodi, kishin një “zigj” që të peshonin saktë. Kanë lindur gra të fjalës së rrallë ligjëruese dhe të pallës e më shpesh u drejtohemi fjalëve “qiri” të tyre.
Në luftërat e shumta që populli shqiptar gjatë shekujve ka bërë ndaj pushtuesve të huaj, kallaratasit kanë qenë pjesëmarrës dhe janë shquar për heroizmat e tyre. Në shekullin e 19-të populli shqiptar u ngrit në kryengritje të armatosura kundër sundimit shekullor osman. Në mesin e atij shekulli patriotët shqiptarë që vepronin jashtë trojeve shqiptare, lëshuan kushtrimin. Luftës për liri e pavarësi i duhej bashkuar dhe lufta për shkrimin e këndimin e gjuhës shqipe, luftës me armë duhej t’i bashkohej edhe ajo me penë. Rilindësit, si patriotë e demokratë, formuan shoqëritë patriotike në Stamboll, Bukuresht e deri në Amerikën e largët. Aty afër mesit të shekullit të 19-të, Naum Veqilharxhi botoi të parën abetare shqipe. Kjo abetare do të pasohej nga botimi i të tjera abetareve të patriotëve të Rilindjes. Ishin të shumtë patriotët shqiptarë në mërgim që punonin për botimin dhe sjelljen e abetareve dhe librave shqip në Shqipëri. Disa nga ata mbeten maleve me borë, ca u tretën në burgjet osmane, të tjerë kaluan dete e kufij shtetesh me abetaret shqipe në gji. Ata vinin në tokën mëmë dhe ushqenin “flakën“ e zjarrit të ndezur, atë të shkrimit e leximit të gjuhës shqipe.
Ne kallaratasit kemi qenë pjesë e lëvizjes së madhe për zgjimin kombëtar. Miftar Ali Kallarati, me abetaret shqipe në gji, ngriu në malet me borë në Selckë të Pogonit, Gjirokastër. Ai ishte ndër të parët patriotë shqiptarë që u martirizua për gjuhën shqipe. Kënga e përjetëson aktin e lartë të birit të Kallaratit kur thotë: Patriotët venë e vinë, ç’thonë për Miftar Alinë, 40 ditë që nga Stambolli, Udha mbarësi s’i solli, kur i hoqën xhamadanë, Ranë vivlat (abetaret) radhë-radhë….
Fara e shkrimit të gjuhës shqipe, e mbjellë nga rilindësit tanë në tokën shqiptare, nisi të mbinte. Ajo hodhi shtat e lulëzoi me çeljen e së parës shkollë shqipe më, 7 mars 1887 në qytetin e Korçës.
Kallaratasit e mërgimit, kurbetlinj apo nizamë (ushtarë), në fshehtësi kanë sjellë në fshatin e tyre abetaret shqipe, të cilat kallaratasit dhe fëmijët e tyre i ruanin si gjënë më të shtrenjtë. Në fshehtësi shkruanin dhe lexonin shkronjat shqipe. Ne, – tregonte Dalan Abazi, – nuk i shqiptonim shkronjat si ju sot a (alfa ), b (beta), d (delta), v (vita )… etj.
Mësonin djemtë kallaratas në fshehtësi nga pushtuesit osmanë të shkruanin dhe të lexonin shkronjat shqipe. Në vend të fletores e lapsit, ata përdornin pllakat e gurit e strajet e malit. Të shumtë kanë qenë ata djem kallaratas që kanë mësuar të lexojnë shqip që nga fundi i shekullit të 19-të e fillimi i të 20-it. Mund të përmendim disa: Lame Sinani, Selam Bajrami, Shamo Meçe, Hodo Kalemi, Veliko Murati, Sali Asllani, Zenel e Muho Maçi, Haxhi Ilazi, Memush Balili, Miftar Golloshi, Zimo Haxhiu, Remzi Janji, Veip Balili, Xhemil Xhelo, Gaço Ferati, Xhevit Medini, Miftar Dauti, Xhebro Galloshi etj.
Në bisedat e tij, Zimo Haxhiu tregonte: – Kur isha asqer (ushtar) në taborin e Delvinës në Janinë 1910–1912, dërgoja në shtëpi letra të shkruara shqip. Kishim mësuar “vjedhurazi“. Kallaratasit që më 1909 u organizuan të ndërtonin një godinë për një shkollë shqipe. Si vend u caktua “Sheshullaku i fshatit”, u hap gropa e gëlqeres, u caktua një komision drejtues prej 6 vetash, nga një për çdo mëhallë, si arkëtarë u caktuan: Selam Bajrami e Ramo Iliazi. Po një patrullë mazapësh turq ua ndaloi punimet.
Me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 nisën të vihen në jetë ëndrrat e rilindësve tanë që gjuha shqipe të shkruhej dhe që të hapeshin mësonjëtore (shkolla) në të gjitha trevat shqiptare. Thirrjes së Ministrisë së Arsimit të qeverisë së Ismail Qemalit iu përgjigj Meçan Selami, i pari intelektual kallaratas i fillimit të shekullit XX. Si nxënës i përzgjedhur nga Ismail Qemali kishte kryer 3 vjet studime në Korfuz. Në dhjetor të 1913 ai emërohet mësues në shkollën shqipe të çelur në Vranisht. Pas shpalljes së Pavarësisë, shtetit të porsalindur shqiptar iu vërsulën shovinistët ballkanas që ta copëtonin. Në korrik 1914 fshati i Kallaratit u sulmua nga forca të shumta të ushtrisë greke. Të 86 shtëpitë e fshatit u dogjën, shumë familje mbetën me ç’kishin veshur. Kallaratasit e nisën jetën nga e para, kasollet e vjeshtës i kthyen në shtëpi banimi. Edhe pse në kushte të vështira ekonomike, të rinjtë kallaratas nisën të mësonin të shkruanin e lexonin shqip. Ajo po u bëhej pjesë e jetës së tyre.
Hapat e para të arsimit në Kallarat
I riu Telo Duro Zhibi, me iniciativën e tij dhe pa pagesë, në mars 1916 çeli një kurs të mësimit dhe shkrimit e leximit shqip. Në të vinin me dëshirën e tyre fëmijë të fshatit të moshave të ndryshme. Në fillim, kursi u çel në shtëpinë e Dushan Seitit në Fier të Sipërm. Mësimi zhvillohej në fshehtësi nga pushtuesit italianë. Kjo e detyronte Telon ta ndërronte vendin e mësimit nga aty në Povël te shtëpia e Maliq Boshit apo dhe në shtëpinë e tij në Basha. Ky kurs tregoi frymën patriotike e humane të Telo Duros dhe dëshirën e madhe që kishin kallaratasit dhe fëmijët e tyre që të mësonin e shkruanin shqip.
Zyrtarizimi i çeljes së shkollës së parë shqipe në Kallarat dhe funksionimi i saj deri në prag të Çlirimit të vendit
Në tetor 1916, nga Drejtoria e Arsimit e prefekturës së Gjirokastrës u njoftua se në Kallarat do të çelej shkolla shqipe. Ky ishe një lajm i gëzueshëm për fshatarët kallaratas. Zenepe Toçja liroi një dhomë të shtëpisë së saj në Fier të Sipërm, që t’i shërbente fshatit për shkollë dhe kështu më 20 tetor 1916 në Kallarat u çel shkolla shqipe. Ajo shtëpi shërbeu si shkollë gjatë viteve 1916–1923. Mësuesi i parë ka qenë Jaho Hodua nga Borshi e pak muaj më vonë Musa Sinani (Këlliçi) nga Fterra. Nxënësit e parë që u ulën në bankat e shkollës, kanë qenë: Ruzhdi Lame, Lilo Habili, Izet Bushi, Azbi Asllani, Hasan Selami, Abaz Shako, Shahin Jonuzi, Demir Lato, Veledin Rjepaj, Dalan Haxhiu, Ferik Strataj, Shuko Karrabollaj, Hasan Qejvanaj, Hasan Shamo si dhe Hamdi dhe Izet Hasko nga Golemi, të cilët, pas djegies së fshatit të tyre nga grekët më 1913, erdhën në Kallarat. Në vitin shkollor 1917–1918 numri i fëmijëve që u ulën në bankat e shkollës ishte 47 (sipas dokumentit italian të kohës). Në këtë vit u emërua mësues në shkollën e Kallaratit Telo Durua dhe 2 vjet më pas Meçan Selami. Qafa e Ubavit dhe shtëpia e Toçe u kthye në një qendër historike. Aty u grumbulluan kallaratasit më 28 nëntor 1919, te shtëpia-shkollë u ngrit flamuri ynë kombëtar. Të gjithë, nxënës, mësues dhe prindër, festonin 7-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Për këtë veprim u arrestuan: Mësuesi Meçan Selami si dhe paria e fshatit: Selam Bajrami, Alem Totua, Shamo Meçja, Remzi Janji, gruaja Dudë Hodaj, që kishte sjellë flamurin, dhe Haxhi Iliazi. Karabinierët i morën të lidhur në Pilur-Himarë e prej andej në këmbë në Vlorë. Gjyqi ushtarak i dënoi me vdekje. Pas një pagese prej 6000 lireta avokatit italian, 3000 prej të cilave i pagoi fshatari i tyre Hodo Kalemi, u liruan në mars të 1920.
Meçan Selami e Telo Durua janë të parët kallaratas që iu përkushtuan gjuhës shqipe. Ata për më se 2 dekada kanë dhënë mësim në shkollat e këtyre fshatrave: S. Meçani në Vranisht, Nartë, Kallarat, Peshkëpi, Vuno e Himarë; ndërsa Telua në Kallarat, Peshkëpi, Zhulat, Rexhin e Nivicë. Ata u shquan si demokratë revolucionarë . Ishin pjesëtarë të shoqërive patriotike: “Mbrojtja Kombëtare “ e “Mbrojtja Shkollore”. Morën pjesë në Luftën e Vlorës, në Kongresin e Lushnjës dhe në Kongresin Labëria. Kudo ku punuan, ata mbollën farën e atdhetarisë.
Pas vitit 1923 shkolla e fshatit tonë u mbyll. Kongresi i Arsimit, i mbajtur në Tiranë më 22 korrik 1922, ndaloi çeljen e shkollave atje ku s’kishte ndërtesë shkollore. Ky vendim apo dhe të tjera shkaqe bënë që në Kallarat për 12 vjet (1923–1935) të mos kishte shkollë.
Fshatarët kallaratas, të udhëhequr nga patriotët Lame Sinani, (në atë kohë, 1925) sekretar i nënprefekturës së Gusmarit, si dhe Selam Bajrami, Alem Totua, Shamo Meçja e Hodo Kalemi aty nga viti 1925 iu vunë punës për ndërtimin e një godine për shkollë. Punimet filluan te burimi në Morrez dhe në vitin 1927godina e shkollës përfundoi së ndërtuari, çka e vërteton dhe kënga e Veliko Muratit kushtuar ndarjes nga jeta të Lame Sinanit. Kërkesa të shumta i dërgonin fshatarët kallaratas Ministrisë së Arsimit të mbretit Zog. Ato binin në vesh të shurdhët. Shpeshherë kallaratasit shpreheshin: Në qoftë se qeveria nuk na dërgon mësues, ne do të vëmë Meçanin ose Telon t’u japin fëmijëve mësim dhe do t’i paguajmë fshatçe.
Ndërtesa e shkollës disa vite u përdor nga hoxha i fshatit për të kryer ritet fetare. Në vitet që në Kallarat nuk kishte shkollë disa fëmijë mësuan në fshatrat fqinj, si në Vranisht, Bolenë, Kuç, Tërbaç apo dhe më larg. Le t’i sjellim në kujtesë disa nga ata, si: Mumin Selami, Fejzo Rjepaj, Ilmi Boshi, Perlat e Selam Qejvanaj, Bilal Shakaj, Mero Dauti, Belere Shakaj , Razip Karabollaj, Numan Sadushi, Nedin Gjonaj etj. Ata që nuk patën mundësi, mësuan nga të tjerë vetë, aty ku kullosnin bagëti, si: Filo Breshani, Mehmet Zhibi, Tahir Gjombrati etj.
Shtatori 1935 ndezi dritën jeshile për hapjen e shkollës në Kallarat. Ajo ditë e parë e shkollës e atij shtatori të vitit 1935 ishte një gëzim i madh për të gjithë kallaratasit dhe në veçanti për fëmijët e tyre. Shumë prindër me fëmijët e tyre kishin ardhur atë ditë te shkolla në Morrez. Atje i priste të kryente regjistrimin mësuesi Adem Hodo nga Borshi, që kishte mbaruar Normalen në Elbasan.
Xhemal Gjoni e përshkruan kështu ditën e parë të regjistrimit në shkollë: “Sa gëzim i madh ishte për ne fëmijët ajo ditë e parë e regjistrimit në shkollë. Kur jam regjistruar unë, midis fshatarëve të tjerë ka qenë i pranishëm edhe Xhemil Xhelo Tozaj.” Ai, duke iu drejtuar mësuesit, i tha: “Ardhja juaj është një dritë dielli, se na mbetën fëmijët pa gramë (mësim)”.
Në atë vit shkollor u ulën në bankat e saj mbi 40 nxënës, për herë të parë nisën mësimet dhe 8 vajza. Ato kanë qenë: Mynevere Zhibaj, Shelege Gjombrataj, Xhite Fejzaj, Naxho Hitaj, Salto Golloshaj, Dorovi Breshanaj, Afeza Janjaj dhe Shefo Fikaj. Me dëshirë të madhe shkonin në shkollë fëmijët e atyre viteve. Disa prej tyre ishin në gjendje të keqe ekonomike, ishin të zbathur, po edhe të pangrënë, por kurrë nga shkolla nuk mungonin. Xhemal Gjoni në kujtimet e tij vazhdon: “Në përgjithësi ishim ibret nga veshmbathja. Unë dhe Pelivan Shakua ishim pa shollë (këpucë në këmbë) Ne mësonim shumë mirë, me nota të shkëlqyera 1 dhe 2 (vlerësimi i atëhershëm nga 1 – shumë mirë deri tek 5 – shumë keq). Kjo e detyroi mësuesin t’í propozonte Drejtorisë Arsimore në Gjirokastër që në të njëjtin vit ne të kalonim dy klasë, por një gjë e tillë nuk u pranua.”
Shkolla në ato vite i jepte rëndësi të madhe shkrimit bukur të shkronjave shqipe dhe leximit të rrjedhshëm. Dhe fëmijët kallaratas, mes vuajtjesh e vështirësish mësonin me dëshirë e kryenin si duhet detyrat që u ngarkonte mësuesi. Enver Golloshi, në kujtimet e tij të vitit 1985, shkruan: “Hamza Malua lexonte shumë bukur, sa shpeshherë mësuesi në vend që të lexonte vetë, vinte Hamzanë e na lexonte copën e këndimit. Na kërkohej të shkruanim skript, por dallohej nga të gjithë Magrip Mehmeti.”
Shkolla në fshatin tonë para çlirimit ka funksionuar me tri klasë. Me mbarimin e këtij cikli, fëmijët i ktheheshin jetës në fshat. Ata merreshin me punët e bujqësisë e të blegtorisë. Ndonjëri vazhdonte klasën e katërt ose të pestë në fshatrat përreth, si: Vranisht, Kuç, Tërbaç e gjetkë. Kishte dhe nga ata që s’e mbaronin shkollën e për arsye ekonomike punuan në punë krahu në shoqëritë italiane siç kanë qenë: Sinan Xhemili, Arif Breshani, Fejzo Rjepi, Sadik Breshani, Sihat Tozaj, Hamit Qejvani etj.
Veprimtarinë e saj mësimore shkolla në Kallarat e ndërpreu në vjeshtën e vitit 1940. Lufta italo-greke dhe më pas pushtimi nazist e kthyen Kallaratin në një front luftimi. Të gjithë nxënësit e shkollës të viteve 1916–1940 u ngritën në luftë kundër pushtuesve nazistë e fashistë. Ata, së bashku me bashkëfshatarë të tjerë, u rreshtuan në njësitë luftarake të ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në çetën territoriale të fshatit. Ata luftuan me heroizëm deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare jashtë kufirit të Shqipërisë. Ne, brezi pasardhës, u jemi mirënjohës për luftën që kanë zhvilluar dhe heroizmat e treguar. Ata që dhanë jetën në fushën e betejës, do t’i kujtojnë brezat si yjet e Lirisë.
Arsimi kallaratas pas çlirimit të vendit
Çlirimi i Shqipërisë më 29 Nëntor 1944 e gjeti fshatin e Kallaratit, si të gjithë tokën shqiptare, të gjakosur, të djegur e të shkatërruar. Shteti i porsakrijuar në Shqipërinë e lirë iu vu punës për të shëruar plagët e luftës dhe për të çrrënjosur padijen e së kaluarës, duke hapur menjëherë shkollat. Populli i Kallaratit, i cili kishte dëshirë të madhe që fëmijët e tij të mësonin të shkruanin e të lexonin shqip, mezi e priste këtë masë. Kështu, në shtator 1945 shkolla u rihap, po meqë ndërtesa e paraçlirimit ishte djegur, si shkollë atë vit u përdor shtëpia e Duze Bajramit, në Qafë të Ubavit. Ajo tërë familjen dhe veten ia kishte kushtuar luftës edhe shtëpinë e vuri në shërbim të fëmijëve të fshatit. Në njërën dhomë filluan mësimet dy klasat, e para dhe e dyta. Regjistrimi ishte me dëshirë për djem e vajza. Ishin të shumtë, disa që kishin mbaruar klasën e parë para lufte dhe të tjerë të moshës 7–10 vjeç që e nisnin nga e para. Si mësues ishte caktuar Safet Gjoni nga Fterra.
Drejtuesit e Këshillit të Fshatit, Meçan Selami e Telo Duro, dy intelektualë të formuar që nuk lëvizën nga fshati, u vunë në krye të punëve. Në shtator të vitit 1946 shkolla nisi veprimtarinë e saj normale në ndërtesën e rregulluar me orendi të thjeshta e mjete mësimore për të zhvilluar orët e mësimit. Jahja Seferi nga Kavaja e Liza Doda nga Shkodra ishin mësuesit e atij viti për t’u pasuar më pas nga Kozma Llazari e Mërgim Korça.
Në vitin shkollor 1946–1947 hyri në fuqi vendimi i Qeverisë për arsimin fillor të detyrueshëm, ku përfshiheshin disa djem e vajza që kishin mbushur moshën 7 vjeç. Pas këtij vendimi, numri i fëmijëve që erdhën në shkollë u rrit ndjeshëm. Në çdo klasë me banka katërvendëshe kishte mbi 20 nxënës.
Në ato vite të para të çlirimit u punua shumë për të luftuar injorancën e trashëguar nga e kaluara. Në luftën kundër analfabetizmit u çelën kurse e shkollë nate, ku nisën të mësonin shkrim e lexim vajza e djem që nuk i zinte detyrimi shkollor, gra e burra, mes tyre dhe të moshuar. Ato ishin vite heroike kur fshatarët tanë punonin për zhdukjen e pasojave të luftës dhe në orët e vona të natës shkonin të mësonin shkrim e lexim.
Për shkollën dhe mësuesit e saj fshatarët kallaratas kanë treguar një kujdes e respekt të veçantë. Shumë familje kallaratase i kanë vënë shtëpitë e tyre në shërbim të shkollës dhe mësuesve. U përdorën si shkollë shtëpitë e Zenepe Toçes, Duze Bajramit. U bënë kurse mësimi në këto shtëpi: Dushan Seiti, Maliq Boshi, Duro Zhibi, Alem Toto, Abas Shako, Hanko Toçe, Leven Boro, Lato Lulo e Sadihane Like. Të tjera familje, si: Hava Matja, Vesel Hoxha, Hanko Toçja, Azbi Asllani, Duze Bajrami, Nelo Golloshi etj., strehuan për vite mësuesit duke i bërë edhe pjesëtarë shpeshherë edhe të bisedave familjare.
Në vitet ‘46–‘50 u çelën kurset disamujore e shkolla një- e dyvjeçare, ku u përgatitën mësuesit e parë të Shqipërisë së çliruar. Në vitin 1949 ish-nxënësit e shkollës Enver Golloshi, Namik Mehmeti e Bilal Breshani ndoqën kursin njëvjeçar për mësues në Vlorë. Ata ishin mësuesit e parë që tërë jetën e tyre ia kushtuan shkollës shqipe, duke dhënë mësim jo vetëm në Kallarat, por edhe në shumë fshatra të tjerë të Vlorës. Pas tyre, mbaruan kurse e shkollë dyvjeçare të mësuesve edhe Hamit Muharremi, Jazo Davaci, Shelege Karabolli, Sami Karabolli e Servet Golloshi, të cilët në vitet ‘50–‘60 dhanë mësim në shkollën tonë.
Masivizimi i shkollës në Kallarat
Vitet ‘60 ishin vitet ku arsimi ynë kombëtar në mbarë vendin mori shtrirje në masivizim dhe në ngritjen cilësore të mësimdhënies. Në atë periudhë u vu në zbatim ligji për kalimin e arsimit të detyrueshëm nga 7 klasë në 8 klasë. Ishin këto kushtet që sollën çeljen e shkollës 8-vjeçare në Kallarat. Në 1 shtator 1966, që në vitin e parë u hapën 7 klasë, u tërhoqën e nisën mësimin aty nxënës kallaratas që ndiqnin mësimet në fshatrat Vranisht e Bolenë si dhe në zonat periferike të fshatrave Kuç e Bolenë. Si godinë mësimore u shfrytëzua edhe një godinë të ndërtuar më 1951 për sallë leximi, por që nuk qe përdorur. Për herë të parë shkolla krijoi drejtori më vete me një kolektiv të plotë arsimor, të gjithë me arsimin përkatës. Në vitin e parë shkollor 1966–1967 dhanë mësim këta mësues: Dafina Qejvani, Proletare Habili, Bilal Breshani, Pikërime Fejzaj, Cane Fejzaj, Levzat Velaj dhe Lumturi Godaj, që ishte dhe drejtoresha e parë e shkollës “Mumin Selami” në Kallarat.
Pas viteve ‘70 shkolla e Kallaratit mori fizionominë e saj të vërtetë. Ajo arsimoi të gjithë fëmijët me arsim 8-vjeçar ditën, por edhe në mbrëmje me korrespodencë. Numri i fëmijëve që kanë mbaruar shkollën 8-vjeçare në vitet 1986–2006 është 625. Shumë nga nxënësit që mbaronin 8-vjeçaren kanë mbaruar të mesmen e të lartën. Në vitin 1990 niveli arsimor i popullsisë që banonte në fshat ishte me arsim 8-vjeçar 75% dhe me arsim të mesëm e të lartë 25%; si rrjedhim, 66,6% e familjeve kishin nga 1 deri në 3 anëtarë me arsim të mesëm e të lartë.
Roli i shkollës në jetën kulturore të fshatit
Shkolla si institucion arsimor e kulturor ka luajtur në fshat një rol me rëndësi në jetën dhe veprimtaritë formuese e edukuese tek të rinjtë. Shkolla ishte “toka” ku mbinin dhe përzgjidheshin e formoheshin talentet e kulturës dhe të artit popullor. Aty niste rruga për të përfaqësuar më pas Kallaratin në skena festivalesh, salla koncertesh e incizimi dhe në skenat shqiptare dhe ato europiane. Këtej e nisën rrugën këngëtarët popullorë: Zeqo Hoxhaj, Evgjeni Jonuzi, Violanta Habili e Hyso Xhaferri. Ishte shkolla ajo që me nxënësit e saj i jepte fshatit jetë e gjallëri. Ishin nxënësit e saj, vajza e djem, që me zërin e tyre udhëhiqnin të parët në ditë festash e data përkujtimore. Mësuesit ishin veprimtarët shoqërorë, ata që me formimin e tyre shkencor e kulturor sillnin në fshat të renë, përparimtaren dhe kanë dhënë të parët shembullin. Dera e shkollës ka qenë gjithmonë e hapur për të gjithë. Aty vinin gjithmonë burra e gra që bisedonin shtruar për ecurinë e fëmijëve të tyre. Po aty bëheshin mbledhje e takime me bashkëfshatarët tanë. Kanë qenë të shumtë kallaratasit në fshat apo jashtë tij që kanë treguar interes për shkollën dhe nxënësit e saj. Vinin tek shkolla, u ndanin kostume, u sillnin fletore, lapsa, por edhe karamele e llokume. Ndonjëri sillte hartën e Shqipërisë e të Evropës. Një tjetër interesohej që fëmijët jetimë t’i merrte shteti në shtëpitë e fëmijëve. Me sa kam lexuar dhe nga ato që vetë i kam jetuar, ndër më të përkushtuarit kanë qenë Mumin Selami, Duze Bajramja, Tafil Borua, Muço Xheviti, Cano Breshani, Sihat Tozaj, Luto Demiri, Salo Rexhepi etj.
Godina e re e shkollës, dhuratë për nxënësit dhe mësuesit
Ishte viti 1985 kur në Kallarat nisën punimet për të ndërtuar godinën e re të shkollës. Shumë u diskutua sheshi i ndërtimit. Sihat Tozaj, burrë i zgjuar shteti dhe intelektual tha: “Atje tek është, ku breza të tërë kemi mësuar, të ndërtohet.” Sjell në kujtesë atë angazhim të madh që tregoi fshati, por dhe nxënësit e shkollës. Punohej jo vetëm ditën, por edhe në mbrëmjen vonë nën ndriçimin elektrik. Ja, dita e gëzueshme erdhi, 2 shtator 1986. Në prag të 70-vjetorit të çeljes së shkollës shqipe, në Kallarat u përurua shkolla e re. Janë të shumtë dëshmitarët e asaj feste të madhe e të gëzueshme. Vizita në kabinete, laboratorë e muze të arsimit bënë ish-nxënës, bashkëfshatarë e të tjerë të ardhur nga qytete të Shqipërisë. Te burimi me ujin e ftohtë në Morrez ishte festa e të gjithëve. Në kuadër të 70-vjetorit të shkollës mësues e ish-nxënës, si: Dalan Memushi, Petref Zhibi, Bajram Toçi, Xhemal Gjoni, Namik Abazi, Sami Karabolli, Afeza Janjaj, Seit Jonuzi, Sinan Strati, Enver Golloshi, dërguan kujtimet e tyre. Dërgoi edhe patrioti e mësuesi veteran Panajot Gjiknuri, në shenjë respekti për shokun e tij Meçan Selamin. Ato ishin kujtime e dokumente që nga viti 1922 të ruajtura me kujdes prej tij. Të gjitha këto janë pjesë e historisë së Kallaratit dhe të arsimit të tij.
Ardhja e demokracisë dhe shkolla
Në vitin 1990 në fshat, si kudo në Shqipëri fryu era e “Demokracisë”, ishte era e mendimeve dhe e lëvizjeve të lira. Shumë kallaratas dhe familje u larguan nga fshati në kërkim të një jete më të mirë. Kjo solli jo vetëm “tkurrjen” e fshatit, por edhe rënien e ndjeshme të numrit te fëmijëve në shkollë. Në vitin 2006 shkolla u mbyll.
Duke bërë bilancin e jetës së saj 90-vjeçare (1916–2006), shohim se ajo ka funksionuar 74 vjet. Në të gjitha këto vite kanë dhënë mësim 98 mësues e mësuese që vinin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë: Shkodra, Korça, Kavaja, Vlora e Saranda si dhe nga fshatra e krahina të tjera të vendit. Shkolla e Kallaratit i bashkoi. Disa ishin të parët që nisën shkrimin e këndimin e shqipes me fëmijët kallaratas, të tjerët ngritën nivelin e mësimdhënies dhe rolin e shkollës në jetën e fshatit. Niveli i tyre arsimor ka përkuar me kushtet e zhvillimit historik të arsimit në Shqipëri. Kanë qenë me kurse e arsim joprofesional 28, me arsim të plotë pedagogjik 38, me institute dhe universitet 32 mësues. Në numrin e madh të mësuesve që kanë dhënë mësim në shkollën tonë kanë qenë bijtë e këtij fshati: Bilal Breshani e Hamit Muharremi, që dhanë mësim 25 vjet, ndërsa Violeta Xhaferaj 35 vjet. Ata u dalluan si mësimdhënës me nivel metodiko-shkencor, por edhe si veprimtarë shoqërorë në jetën e fshatit. Po kështu edhe mësuesit jokallaratas: Feti Mezini, Ali Sadiku, Izmini Begaj, Vesel Habili dhanë mësim 10–15 vjet, duke u dalluar si intelektualë e mësimdhënës. Kanë dhënë mësim në këtë shkollë edhe mësues me përvojë në mësimdhënie e në drejtim, si: Levzat Velaj, Lumturi Begaj, Shaban Mehmeti, Leonidha Prifti, Lefter Hysi.
Siç u vu në dukje edhe më lart, janë të shumtë mësuesit që kanë dhënë mësim në shkollën tonë. Duke qenë për një kohë të gjatë në drejtimin e shkollës, e ndiej për detyrë morale të përmend edhe te disa të tjerë që vinin nga qyteti i Vlorës e niseshin në terrin e natës drejt shkollës së Kallaratit, që zilja e parë t’i gjente aty. Ata ishin: Vangjel Bojaxhiu, Nikollaq Dumani, Viron Avduli, Miranda Tushi, Dhimitër Haxhia, Irma Mihali, Laureta Dhefto. Disa të tjerë ishin djem e vajza të rinj që e filluan karrierën e mësuesisë në shkollën e Kallaratit, si Lefter Beqiri, Vasil Tata, Emine Gjokutaj, Naxhie Bishaj, Kate Alikaj, Nezimete Leskaj, Mariglen Ferra. Pati edhe nga ata që, edhe pse ishin model në shpjegim në orën e mësimit, lufta e klasave e largoi nga radhët e arsimit, si Mersin Agaj e Jazo Davaci, që punuan për disa vite në shkollën tonë.
Në periudhën 1916–2006, ndër bijtë e bijat e fshatit që kanë dhënë mësim në shkollën e Kallaratit, veç atyre që u përmendën më lart, janë edhe një brez i fundit, si: Dafina Qejvanaj, Burbuqe Qejvanaj, Proletare Habilaj, Kujtim Hysaj, Altina Tozaj, Pranvera Hoxhaj, Ferdinant Breshanaj, Vojo Davacaj, Thëllëza Hoxhaj, Vojsava Davaci. Dhe ato që u larguan të fundit nga shkolla, qenë Eglantina Demiri e Enkeleda Hoxhaj. Të gjithë të tjerët, të cilëve nuk munda t’ua përmend emrat, janë shënuar në librin e madh të historisë së shkollës së Kallaratit. Brezat do t’i kujtojnë me respekt.
Shkolla përgatiti kuadra të denjë në sektorë të ndryshëm të jetës së vendit
Në të gjithë periudhën 1916–2006 në këtë shkollë kanë mësuar 1245 nxënës nga të cilët 625 kanë mbaruar arsimin e plotë 8-vjeçar. Në vite shumë nxënës vazhduan shkollat e mesme e të larta dhe i shërbyen atdheut në fronte të ndryshme. Më lejoni të përmend disa që i dhanë emër fshatit të tyre dhe shkollës ku hodhën hapat e parë të jetës.
Nxënësit e parë të shkollës së Kallaratit Demir Lato, Shahin Jonuzi e Hasan Selami ishin intelektualët e parë patriotë e demokratë të mesit të viteve ‘30. Aty nisi rrugën e jetës burri i shtetit, deputet e sekretar i Kuvendit Popullor Sihat Tozaj. Po aty Sulltanë Gjonbrataj, Duze Bajramaj e Gafur Shameti, ish-deputetë të Kuvendit Popullor. Nga kjo shkollë e thjeshtë e nisi udhën e jetës profesori i gjuhës shqipe prof. dok. Rami Memushaj dhe njeriu i letrave dhe i artit kinematografik Neshat Tozaj. Disa të tjerë punuan në njësi të mëdha të ushtrisë, duke u dalluar si drejtues, por edhe si studiues e lëvrues të artit ushtarak: Seit Jonuzaj, Dalan Memushaj, Hamit Qejvanaj, Vasil Xhaferaj, Nedin Gjonaj, Selam Qejvanaj, Besnik Gjonbrataj e shumë të tjerë.
Të tjerë punuan në ekonominë bujqësore, ku u dalluan jo vetëm si drejtues e specialistë, por si njerëz të shtruar e të lidhur ngushtë me popullin, si: Bejo Xhaferaj, Pëllumb Gjonbrataj, Tanë Ribaj, Lavdosh Jonuzaj e shumë e shumë të tjerë. Ne mësuesit e shkollës së Kallaratit ndihemi krenarë kur dëgjojmë për nxënësit tanë që shquhen si lektorë, studentë të universiteteve në Shqipëri, në Evropë e më larg. Të njëjtën gjë ndiejmë dhe për ata djem e vajza që manifestojnë humanizmin e bujarisë së tyre për ta bërë Kallaratin dhe tokën e tij të lakmueshme nga të tjerët. Modelet e një prurjeje të tillë kanë qenë Mirjan Ribaj, Arianit Rjepaj, Selman Memushaj, Brahim Goxhaj etj.
Pati edhe nxënës të shkollës së Kallaratit që nuk e patën mundësinë të vazhdonin mësimet më lart. Këta, por edhe ata që u arsimuan e u kthyen në fshatin e tyre, i ndryshuan Kallaratit pamjen. Ata u bënë modeli i humanizmit, bujarisë me vetitë e njeriut “sofërshtruar”. I dhanë Kallaratit vlera të reja dhe freski e gjallëri.
“Homazh” për mbylljen e shkollës
Të vjen keq që në këtë përvjetor të njëqindtë, dyert e shkollës sonë janë mbyllur për shkak të rënies së numrit të nxënësve. Atje në Morrez qëndron në heshtje shkolla e Kallaratit. Ajo për një moment na duket sikur na thotë: “Ja ku jam këtu, në gjirin tim janë ushqyer me gjuhën shqipe fëmijët kallaratas. Kam dhjetë vjet që zërin e tyre të ëmbël nuk e dëgjoj. As prindërit e tyre të ngjitin shkallët e mia nuk i shikoj. Shkojnë e më shikojnë, por nuk më dallojnë se cila kam qenë e si kam qenë. Unë jam tempulli i dijes. Ju sot në një pllakë mermeri keni gdhendur datën e lindjes sime. Brezat do ta lexojnë dhe kurrë s’do ta harrojnë veprën tuaj.”
Le të jetë 100-vjetori i shkollës së Kallaratit një hap i hedhur që ne që banojmë në fshat dhe kryesia e shoqatës A/K Kallarati të ruajmë si gjënë më të shtrenjtë objektet me vlera historike, t’i përkujtojmë ngjarjet. Ato fshati i ka të shumta e në të ardhmen do të kenë vlera të mëdha ekonomike, ndërsa brezat do të mësojnë udhëtimin historik të parëve të tyre.”
Kështu e përfundon fjalën e vet mësuese Violeta në tërë këtë gjurmë historie të rrëfyer prej saj në këtë 100-vjetor të çeljes së shkollës tonë.
KONTRIBUTI I MËSUESVE TË ARDHUR NË KALLARAT
Shkolla e Kallaratit në historikun e saj, përveç kontributit të mësuesve vendas, njeh e vlerëson kontributin e mjaft mësuesve ardhës, duke filluar nga Shkodra, Korça, Saranda, nga qyteti dhe fshatrat e rrethit të Vlorës. Në Kallarat ata gjetën mbështetjen dhe përkrahjen e drejtuesve vendorë, por edhe mikpritjen dhe bujarinë e banorëve, duke bërë që të ndiheshin si në vendin e tyre.
Po edhe mësuesit e ardhur, me përkushtimin, kulturën, dijet dhe profesionalizmin e tyre, ndikuan jo vetëm në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, por edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës në fshat.
VIRON AVDULI, nga Tragjasi i Vlorës, i cili në vitet 1972–1973 ishte mësues i kësaj shkolle, përshëndeti në emër të mësuesve që ndër vite shërbyen në Kallarat, duke u shprehur: “Ndihem krenar dhe mjaft i emocionuar që si një ish-mësues dhe në emër të gjithë mësuesve ardhës, më jepet mundësia të shpreh fjalët e zemrës me rastin e 100-vjetorit të çeljes së shkollës së Kallaratit, e cila mban emrin e nderuar “Mumin Selami”.
Erdha në këtë shkollë para katër dekadash. Isha shumë i ri dhe nuk kisha kaluar asnjëherë në këto anë. Në makinën që kisha hipur në Horë të Vranishtit, hipi edhe një mesoburrë emri i të cilit nuk më kujtohet. Pasi u përshëndetëm dhe mori vesh se nga vija dhe për ku po shkoja, më tha: “Punë të mbarë dhe shtroju punës se janë njerëz të mirë kallaratasit. Ata i duan dhe i respektojnë njerëzit e huaj kur janë punëtorë, por kanë edhe një huq që vërtet të presin si gjeneral, por, nëse nuk punon me përkushtim, të përcjellin si ushtarë. Unë erdha në Kallaratin e nderit dhe të respektit dhe iu futa punës si një kryenxënës dhe u largova si mësues. Të tillë më bëri shkolla e Kallaratit, nxënësit ku dhashë mësim, kolektivi i kësaj shkolle dhe komuniteti. Ruaj dhe kujtoj me respekt nxënësit e asaj periudhe, të cilët ishin aq të përkushtuar, të etur për dije dhe të angazhuar maksimalisht për orën e mësimit. Ruaj dhe kujtoj gjithashtu me respekt kolektivin pedagogjik, të cilët me profesionalizmin dhe urtësinë që i karakterizonte, më mësuan dhe më aftësuan që të bëhesha vërtet mësues. Kujtoj drejtorin Çize Xhaferi, një drejtues perfekt. Kujtoj mësuesit metodistë Bilal Breshanaj, Hamit Muharremaj, Mersin Agaj e Violeta Xhaferaj, të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në arsimimin e fëmijëve kallaratas. Nuk mund të harroj humanizmin dhe bujarinë e atyre burrave kallaratas që dinin të respektonin, të ndihmonin dhe të krijonin kushte për punën e mësuesit, por ama edhe të qortonin. Nuk mund të harrohen fjalët e mençura të xha Muços dhe të xha Lelos që të çlironin nga emocionet e të lehtësonin punën.
Rruga që ndoqi shkolla e Kallaratit në çdo etapë të ecurisë së saj ka qenë e vështirë. Ajo promovoi veten si shkollë në gjuhën shqipe me gjak, me përkushtim dhe zgjuarsi, duke u përballur me agresivitetin dhe represionin më të egër të uzurpuesve shekullorë. Kjo shkollë ka kapërcyer me sukses të gjitha vështirësitë dhe është konsoliduar si shkollë autoritare, duke lartësuar misionin e saj në shkollimin e nxënësve me nivel të lartë cilësor. Nga dyert e kësaj shkollë kanë dalë një armatë e tërë intelektualësh dhe Kallarati është krenar për gjithë ata kuadra që shërbejnë anë e mbanë Shqipërisë e i sjellin atij medalje e tituj nderi, duke ia lartësuar emrin këtij fshati të mrekullueshëm. Edhe njëherë urimet më të përzemërta nga unë, nga gjithë mësuesit ardhës në këtë shkollë, si dhe nga shkolla simotër e Tragjasit. Gëzuar 100-vjetorin e çeljes së shkollës shqipe të Kallaratit”, – përfundon përshëndetjen e tij mësues Vironi.
KUJTIME TË ISH-NXËNËSVE DHE MËSUESVE TË SHKOLLËS
SEIT JONUZAJ, një nga nxënësit e viteve ‘30 të kësaj shkolle, kuadër i lartë ushtarak, kryeredaktor i gazetës “Kallarati” dhe kryetar i organizatës së veteranëve të rrethit, u shpreh: “Kam kënaqësinë t`ju përshëndes si ish-nxënës i viteve ‘30 të shkollës së fshatit tonë Kallarat dhe t`ju uroj gëzuar festën e 100-vjetorit të saj! Kushtet e shkollimit në ato vite ishin shumë të vështira, por shkolla ishte cilësore. Vështirësitë buronin nga që shtëpitë e fshatit shtriheshin nga Shelqi, kufi me Kuçin në jug, e deri në përrua të Kurpicës, kufi me Bolenën, dhe me Vranishtin në veri. Kjo për shkak se fshati i grumbulluar në prehër të Bogonicës u dogj nga andartët grekë më 1914. Që të shkonin në shkollën që u rihap në Morrez më 1935, nxënësit duhej të kalonin lumin dhe shumë përrenj, të cilët dimrit shpesh bëheshin të pakalueshëm për shkak të daljes nga shtrati, se për ura as që bëhej fjalë. Kur kjo ndodhte në ditët që ishim në shkollë, nuk ishin të pakta rastet që unë të përfundoja në Varjesht me kushëririn tim Jonuzin ose në Gjoçal me kushëririn tjetër, Arif Abazajn, ngaqë nuk kalohej dot përroi i Ubavit për të vajtur në shtëpi në Shesh të Fierit.
Varfëria e madhe që kishte fshati, bënte që ne nxënësit të venim në shkollë të veshur e të mbathur keq, për të mos thënë edhe zbathur. Në trastën prej rrobe kishim vetëm nja dy libra dhe nja dy fletore, një pllakë të vogël të zezë, një shishe boje që shpesh derdhej në të ashtuquajturën çantë shkolle dhe një laps e një bisht pene me majë dhe kaq. Për zam (ngjitës) përdornim dyllin e kumbullave të holluar me ujë. Detyrat e shkollës i bënim në mbrëmje nën dritën e shkarpave ose të pishës apo të kandilit me vaj. Po me gjithë këto vështirësi dhe plot të tjera, shkolla ishte cilësore, se nxënësit kishin zell të madh për të mësuar dhe të dy mësuesit, si Adem Hodua nga Borshi në fillim dhe Remzi Mati nga Fterra, që e zëvendësoi atë më vonë, ishin metodistë të mirë dhe kërkues të rreptë.
Shkolla funksiononte në një sallë të vetme me dy klasa në një kohë: klasa e nxënësve që kishin filluar më 1935 dhe klasa jonë e nxënësve të vitit 1936. Mësuesi në kohën që njërës klasë i jepte detyra me shkrim, me klasën tjetër bënte shpjegime dhe anasjelltas. Pavarësisht nga përdorimi i rigës e i shufrës duarve, si mjet ndëshkimi që shoqëronte kërkesën e tyre, formimi i nxënësve ishte i lartë. Unë nuk mbaj mend asnjë nga nxënësit e atyre viteve të ketë qenë mbetës apo përsëritës klase. Bazat e mira që morëm në atë shkollë na shërbyen për të vazhduar shkollimin e mëtejshëm pa asnjë vështirësi. Pas çlirimit të vendit, kur pjesa më e madhe jona u ulëm në bankat e shkollave të mesme e të larta brenda e jashtë shtetit, të gjithë i kryem këto shkolla me rezultate të larta. Mua personalisht ato baza jo vetëm më ndihmuan të isha në shkollën ushtarake “Skënderbej” një nga të parët e klasës, por dhe të merrja brenda një viti mësimor dy klasa, gjë që lejohej atëherë.
I solla këto kujtime që nxënësit e sotëm t`i dinë dhe të bëjnë krahasimin e kushteve të viteve ’30, plot vështirësi, në të cilat mësonim ne atëherë, me kushtet e sotme shumë herë më të mira për të mësuar dhe për të dalë në jetë më të formuar.
Së fundi, nuk mund të lë pa vënë në dukje se të gjithë nxënësit e viteve ‘30, kishin edhe një formim atdhetar të lartë, të mëkuar nga familja, por të përforcuar edhe nga shkolla. Këtë e tregon fakti që shumica dërrmuese e tyre u përfshinë në Lëvizjen Antifashiste, duke marrë pjesë me armë në dorë në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë. Ata luftuan me guxim e trimëri deri në çlirimin e plotë të vendit, ku disa dhanë edhe jetën. Pjesa më e madhe e këtyre nxënësve të viteve ‘30 të shkollës së Kallaratit janë ndarë nga jeta. Më lejoni të përmend disa prej tyre. Së pari dëshmorët Hamza Malo Qejvanaj e Islam Tasim Janjaj, si dhe Afeza Janjaj, Arif Abazaj, Arif Breshanaj, vëllezërit Arshi e Hamit Abazaj, Azbi Ribaj, Çune Qejvanaj, Esat Breshanaj, Hamit Qejvanaj, Jonuz Jonuzaj, Lesko Laçaj, Mehmet Hoxhaj, Namik Abazaj, Nexhip Memushaj, Numan Sadushi, Petref Zhibaj, Pelivan Shakaj, Qazim Mataj, Sadik Breshanaj, Salo Mataj, Selman Qejvanaj, vëllezërit Sinan e Sihat Tozaj, Shano Hitaj, Shelege Gjonbrataj, Sherif Gjonaj, vëllezërit Zini e Haxhi Karabollaj, Zonjë Memushaj etj. Qoftë i paharruar kujtimi i tyre!”
ENVER GOLLOSHI, ish-nxënës dhe mësues i shkollës, në pamundësi të ishte pjesëmarrës në festë, na shkruan: “Më 14 gusht 2016, ditën që u organizua në fshat ceremonia përkujtimore e 100-vjetorit të shkollës së Kallaratit, unë, për arsye shëndetësore, nuk munda të merrja pjesë dhe të isha në fshat bashkë me të gjithë kallaratasit e mi, se për Kallaratin dhe shkollën e tij kam shumë mall dhe kujtime. Prandaj e kalova shumë keq atë ditë. Megjithatë, disa kujtime të vjetra dhe disa të reja që edhe dihen, po i hedh në këtë shkrim. Si ish-nxënës dhe pastaj edhe mësues i asaj shkolle, një certifikatë “Mirënjohjeje” nga Bashkia e Himarës, që nuk munda ta merrja në Qafë të Ubavit, ku u zhvillua ceremonia, më erdhi në shtëpi, këtu në Vlorë. E falënderoj Këshillin e Bashkisë së Himarës dhe kryetarin e saj, z. Jorgo Goro për nderin që më bënë.
Kallarati është fshat i vogël, por ka nxjerrë gra dhe burra të mëdhenj për fshatin, për krahinën dhe për Shqipërinë. Vështirë t`i kujtosh të gjithë, por unë do të përmend disa nga ata që më kujtohen, sidomos lidhur me shkollën. Burrë i shquar ishte Telo Zhibaj, që në mars të vitit 1916 çeli për herë të parë shkollën shqipe në Kallarat dhe po kështu u bë mësues i shkollës shqipe edhe në fshatin Peshkëpi të Vlorës, i pasuar më vonë në atë shkollë nga burri tjetër i shquar i Kallaratit, Meçan Selami, që punoi si mësues pastaj edhe në shkollën e Kallaratit. Këta të dy kanë punuar si mësues edhe në shkolla të fshatrave të tjera të krahinës.
Mbi 20 kallaratas u bënë nxënës të shkollës së parë shqipe në Kallarat, si Azbi Asllani, Abaz Shakaj, Dalan Haxhiu, Demir Latua, Ferik Strataj, Hasan Qejvanaj, Hasan Selami, Hasan Shamua, Izet Bushi, Lilo Habilaj, Rruzhdi Lamja, Shahin Jonuzaj, Shuko Ramua, Veledin Rjepaj etj. Në shkollën e Kallaratit e kanë nisur shkollimin më vonë edhe Xhemal Gjonaj, por mendoj të kenë qenë aty me të edhe moshatarë të tjerë të tij kallaratas, si Mumin Selami, Adil Petanaj e të tjerë që ranë në luftë apo që nuk jetojnë më. Me saktësi do të përmend ata që vazhdonin shkollën e Kallaratit në vitin 1937 e më prapa: Hamza Qejvanaj, i cili ishte edhe nxënës i dalluar, me gjithë Dalan Memushajn e Magrip Memetajn, sidomos në bukurshkrim. Më kujtohen Pelivan Shakaj, Bilal Shakaj, Sinan e Sihat Tozaj, Qazim Mataj, Arif Breshanaj, të cilët ishin nxënës seriozë. Po kështu, më kujtohen nxënëset Shelege Gjonbrataj, Afeza Janjaj dhe Beqare Ribaj, që të tria vajza të sjellshme. Nxënës të tjerë kanë qenë Salo Mataj, Beqir Golloshaj, Petref Zhibaj, Seit Jonuzaj, Vehbi Zhibaj, Dasho Memushaj, Namik Abazaj, Adem e Zoto Mataj, Azbi Ribaj e Thanas Kasëm Shahaj. Petrefi ishte shumë i zhdërvjellët dhe mundoheshim ta zgjidhnim të parin në lodrat që bënim. Edhe Namik Abazaj ishte mjaft i shkathët. Nga larg, që nga Varjeshti e Qesarulja vinin në shkollë edhe Jonuz e Xhafer Jonuzaj, por mungonin shumë herë nga koha e keqe. Këta më kujtohen, të tjerët që mund t`i kem harruar, të më falin.
Më kujtohet që aty nga fillimi i vitit 1940 ishte një mësues nga Korça, quhej Skënder, i cili përveç klasave nga e para në të tretën, krijoi edhe një klasë të katërt, me sa duket, vullnetarisht, se shkolla ishte vetëm me tre klasë. Me klasën e katërt ai bënte mësim kur mbaronte me nxënësit e klasave I–III. Ishim pak nxënës të klasës së katërt: unë, Enver Golloshaj, Vehbi Zhibaj, Salo Mataj, Beqir Golloshaj dhe Afeza Janjaj. Mësuesi na bënte shumë gjuhë shqipe dhe histori. Na fliste për Skënderbeun, Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Mufit Libohovën e shumë të tjerë. Por për këtë të fundit nuk fliste fjalë të mira dhe mua më ka mbetur që nga ajo kohë mendimi negativ për Mufitin.
Në fillim të shkollës më 1940, Duçja dërgoi miell gruri të bardhë për nxënësit e vobektë. Miellin ia shpinim Rrahime Breshanajt në Mejthe dhe ajo e bënte bukë. Ishin caktuar nja 10–15 nxënës nga më të varfrit. Ne i merrnim në mëngjes e i sillnim bukët në shkollë, ku u jepnim nga një rriskë buke secilit. Por u pre pastaj kjo ndihmë dhe shkolla u mbyll, se nisi lufta italo-greke. Pas kësaj, ne si fshat u shpërngulëm dhe shkuam në Kuç.
Tani disa kujtime për kohët e reja. Pas çlirimit, nxënësit u shtuan shumë. Shkolla u bë me katër klasë. Erdhën mësues të tjerë, si Kozma Llazari nga Lukova e Jahja Seferi nga Kavaja. Shkova dhe unë në klasën e katërt të shkollës së mbrëmjes bashkë me Hysni Tozajn, Salo Matajn e Selman Qejvanajn. Në fund të vitit mësimor morëm dëftesat e klasës së katërt. Shkolla pas çlirimit nisi në Basha, në shtëpinë e Heto Bushes (Ribaj), vitin tjetër ajo vazhdoi në shtëpinë e Duze Barjames me mësues Safet Gjonajn nga Fterra. Pas kësaj, filloi brezi tjetër me Lilo Abazajn, Sheref Memushajn, Neki Xhaferajn, Balil Xhaferajn etj.
Shumica e nxënësve të kësaj shkolle, duke vazhduar shkollimin e mëtejshëm pas çlirimit, u bënë kuadra të lartë në shërbim të atdheut. Të tillë ishin Sihat Tozaj, ish-sekretar i Kuvendit Popullor, Sinan Xhemili (Tozaj) drejtor ndërmarrjeje industriale, Rami Memushaj gjuhëtar, pedagog universiteti me gradën shkencore profesor-doktor, Dalan Memushaj, Hamit Qejvanaj e të tjerë me grada të larta ushtarake. Nga ajo shkollë e Kallaratit e kanë zanafillën artistë si Agim Mataj, akrobati Selim Golloshaj, këngëtarët Zeqo Hoxhaj, Hyso Xhaferaj, Evgjeni Jonuzaj – mjeshtër të polifonisë labe, kryetarë kooperativash, si Salo Mataj, Bejo Xhaferaj, Pullumb Gjonbrataj etj. Nxënës të kësaj shkolle janë mbi 40 mësues, që i kanë shërbyer atdheut, 13 punonjës mjekësie, si mjekët Imer Strataj apo Edmond Breshanaj, mjeku veteriner Subi Jonuzaj etj., 6-7 ekonomistë si Sefer Jonuzaj etj., agronomë si Lavdosh Jonuzaj etj., mbi 13 administratorë e drejtues institucionesh shtetërore, si shkolla, ndërmarrje etj. Po nga kjo shkollë ka dalë edhe deputetja e dy legjislaturave të Kuvendit Popullor, Sulltana Gjonbrataj. Pas zhdukjes së analfabetizmit me dorën time, u zgjodh deputete e Kuvendit Popullor në disa legjislatura edhe gruaja e moshuar Duze Barjamaj.
Në Morrez u ndërtua shkollë e re bashkëkohore me klasa e bazë materiale-didaktike të kohës, por fatkeqësisht vitet e fundit i ka mbyllur dyert. Por porosia ime për banorët e sotëm të fshatit, sidomos për ata që banojnë afër saj, është që ta ruajnë atë ndërtesë si dritën e syve, se do vijë një ditë që ajo të rinisë veprimtarinë mësimore të saj dhe brezave të ardhshëm të nxënësve të Kallaratit do t`u hap sytë.”
KOZMA LLAZARI nga Lukova, ish-mësues në Kallarat në vitet 1947-1949, në përshëndetjen dërguar shkollës vite më parë, shkruante: “Me rastin e përvjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe në fshatin tuaj, nga thellësia e zemrës ju uroj të gjithë të mirat arsimit dhe kulturës në fshatin tuaj bujar. Në fshatin tuaj të mrekullueshëm unë kalova një jetë të shkurtër, por plot heroizma në kohë shumë të vështira pas çlirimit të vendit, si mësues në atë shkollë që mban emrin e heroit të Popullit “Mumin Selami”, që ju sot me krenari i festoni përvjetorin e saj. Populli i Kallaratit, një popull me tradita të larta patriotike dhe shumë arsimdashës, nuk kurseu as bijtë e vet në luftën për liri e çlirim kombëtar. Mumini, Adili, Filua e të tjerë që unë nuk i mbaj mend me emra, sakrifikuan për këtë vend jetën e tyre. Populli i Kallaratit, një popull arsimdashës dhe shumë mikpritës, ka mbetur në kujtimet e mia të pashlyera dhe, sa të jem gjallë, do ta kujtoj atë me respekt e nderim të veçantë.
Unë jam dëshmitar i fillimit të arsimit në Kallarat, që në vitet e para pas çlirimit të vendit, ku në shkollë kisha jo vetëm fëmijë të detyrimit shkollor, por edhe të tjerë të etur për dije e kulturë, si Meme Qejvanaj, Ferzilete Toçi, Namik Mehmeti, Jazo Davaci e shumë e shumë të tjerë që koha e gjatë po m’i kursen nga kujtesa emrat e atyre fëmijëve të mrekullueshëm. Unë shtëpinë time ku banoja e ktheva në shkollë nate, ku me dashuri prisja dhe merrja rininë e Kallaratit, atë rini e cila me shumë etje mësonte gjuhën e Naimit, merrte dije për t’u arsimuar e t’i përgjigjeshin detyrave të shumta e të vështira të kohës. Nuk mungonin në shkollën e natës apo në kurse edhe plakat e moshuara, ku do të veçoja gruan me vullnet të çeliktë Duze Bajrami, nëna e heroit të popullit Mumin Selami, e cila në një kohë rekord mësoi të shkruajë e të lexojë. Shumë gra të moshuara emrat e të cilave sot nuk më kujtohen, mësuan nga unë të shkruajnë e të lexojnë gjuhën shqipe, gjuhën e nënës. Kjo më jepte kurajë e kënaqësi dhe më mbushte me dashuri për atë rini, për ato gra të dala nga fanatizmi osman që kërkonin të shkolloheshin.
Ne kishim dalë nga një luftë e madhe shkatërrimtare dhe kishim shumë mungesa. Një kalem ua ndaja nxënësve më tresh, fletoren në mes, ndërsa bojën e shkrimit fëmijët e bënin vetë nga një farë luleje. Me gjithë mungesat e kohës, fëmijët në shkollë nuk mungonin asnjë ditë dhe ishin shumë të pastër, edhe pse në shumë raste u mungonin rrobat e trupit, sepse nënat kallaratase ishin gra të pastra dhe nikoqire. Vitet 1947–1949 për mua ishin një shkollë më vete dhe u kalita me vështirësitë, të cilat m’u deshën shumë në jetë. Atje me zakonet tuaja të larta u kalita dhe u bëra njeri. Burrat dhe gratë e Kallaratit më kishin dhe më trajtonin si fëmijën e tyre dhe ndanin me mua atë copën misërnike, gotën me dhallë e ngastrën tradicionale të fukarait. Fëmijëve të Kallaratit shpeshherë u mungonte buka dhe rrobat e trupit, por nuk u mungonte dëshira për arsim e kulturë.
Shumë vështirësi kemi kaluar me popullin heroik te Kallaratit. Ditën fëmijët mësonin në shkollë dhe pasdite shkonin e ndërtonin shtëpitë e djegura nga gjermanët të fshatarëve të mbetur pa strehë. Ato kohëra heroike për atë popull nuk duhet t’i harrojnë brezat e rinj, por mbi të gjitha të mos harrojnë unitetin që populli i Kallaratit ka pasur në ato kohë të vështira. Dhe një fakt i tillë ka qenë meritë e vetë popullit të Kallaratit, por edhe drejtuesve të saj. Unë sot, duke e konsideruar veten si bir të saj, dëshiroj që në Kallarat të mbizotërojë dashuria e uniteti, se Kallarati është një popull me kulturë. Ju dërgoj falënderimet e mia, si një pionier i arsimit në Kallarat, që nuk më ka harruar, ashtu siç nuk do të harroj edhe unë sa të jem gjallë Kallaratin dhe burrat e ndershëm, rininë e gjallë, nënat kallaratase bujare e mikpritëse, të cilat më kanë konsideruar si djalin e tyre. Uroj nga zemra që për Kallaratin tim të dashur të dëgjoj çdo herë mbarësi e lumturi!- përfundon përshëndetjen ish-mësuesi Kozma LLazari.
XHEMAL GJONI, ish-mësues në kujtimet e tij në vitin 1985 shkruante: “Disa vite pas Luftës së Vlorës, më 1920-n, në Kallarat pushoi veprimtaria e shkollës. Një gjë të tillë e bëri të mundur edhe mungesa e godinës shkollore. Shkolla u rihap më 1935. Në atë kohë ndërtesa për të ishte gati. Kam dëgjuar se fshatarët tanë përparimtarë të asaj kohe, si: Hodo Kalem Shakaj, Lame Sinan Petanaj, Alem Toto Qejvanaj etj., qysh më 1925 kishin menduar për të bërë ndërtesën e shkollës. Me nismën e tyre, fshatarët ranë dakord që ta bënin fshatçe godinën e shkollës. Ajo duhet të ketë përfunduar aty nga viti 1930. Në mungesë të mësuesit, u përdor nga hoxha i fshatit për të kryer ritet fetare dhe u quajt nga fshatarët xhami.
Fshatarët tanë kishin kërkuar pranë organeve qeveritare disa herë që të emëronin mësues edhe në Kallarat. Më 1933–34, kur në fshat ka qenë kryeplak Ramadan Mehmet Rjepaj, ai më tha mua se po nuk na dërgoi qeveria mësues, ne do vëmë Meçan Selamin ose Telo Zhibajn, duke i paguar fshatçe dhe juve djemve nuk do t`ju lëmë pa shkollë. Në vjeshtën e vitit 1935, në shkollën e Kallaratit u emërua mësues Adem Hodo Borshi. Sa gëzim i madh ishte për ne fëmijët e asaj kohe, që ishim edhe të rritur mbi 13-vjeçarë. Kur jam regjistruar unë, midis të tjerëve ka qenë edhe Xhemil Xhelo Tozaj. Ai iu drejtua mësuesit me këto fjalë: “Ardhja juaj është si një dritë dielli, se na mbetën fëmijët pa gramë (pa mësuar)”.
Megjithëse, në përgjithësi ishim për ibret nga veshmbathja, saqë unë dhe Pelivan Shako Shakaj ishim pa shollë (këpucë) për këmbe, në shkollë shkonim me gjithë qejf. Në mësime ishim të dalluar, me nota të shkëlqyera 1 e 2 (në atë kohë e deri një vit pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, vlerësimi bëhej me nota nga njëshi që ishte më e larta, shumë mirë, deri te pesa që ishte shumë keq). Rezultatet tona shumë të mira në mësime e detyruan mësuesin Adem Hodo t`i propozonte Drejtorisë së Arsimit në Gjirokastër që në të njëjtin vit ne të kalonim dy klasë, pra nga e para në të dytën. Por kjo nuk u aprovua nga Ministria e Arsimit. Nënkuptohet se regjimi në fuqi i ruhej superintelektualizimit.
Emrat e nxënësve bashkëkohës të mi nuk më kujtohen të gjithë, pasi në vitin 1936 unë u largova nga fshati. Për këtë, shokëve të tjerë si Sinan Xhemili, Dalan Memushi, Arif Abazaj etj, që qëndruan më tepër aty, duhet t`u kujtohen më mirë. Emërimi im si mësues më 1944. U sëmura gjatë Operacionit të Qershorit dhe mbeta në spital në Gusmar. Ndërkohë, forcat e Brigadës së 6-të Sulmuese, ku bëja pjesë, morën rrugën për në veri (itinerarin e saj unë nuk e dija). Pas mbi një muaj në spital, kthehem në Kuç tek dajua. Aty u aktivizova me rininë në terren. Kongresi i Përmetit, ku u formua komiteti antifashist me atributet e një qeverie të përkohshme, midis vendimeve dhe institucioneve qeveritare, natyrisht krijoi edhe seksionin e arsimit. Përgjegjës i arsimit në Kurvelesh u caktua Mustafa Luçi. Ai ishte edhe anëtar i Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar. Në tetor 1944, midis shumë të shkolluarve, më thirri edhe mua. Ai më propozoi që të vija mësues në Kallarat. E pranova me gjithë qejf, si të gjithë shokët e tjerë partizanë. Natyrisht, në këtë kohë kemi qenë pa rrogë (pa pagesë). Ky ishte një aksion lufte, sepse në atë kohë qytetet kryesore dhe bankat ishin nën sundimin e pushtuesit. Nga tetori 1944 deri në mars 1945 që punova si mësues, më kujtohen këto gjëra: Nisa mësimin me alfabetin e abetares. Këtë e bëra sipas eksperiencës time qysh nga shkolla fillore. Ua mësoja nxënësve germat jo kronologjikisht (sipas radhës alfabetike), por nga i-ja, u-ja e me radhë. Edhe nxënësit, rreth 25–30 vetë, qenë të rritur mbi 9-vjeçarë. Tek ata shikoja zellin për të mësuar dhe nuk e patën të vështirë ta mësonin alfabetin, si dhe bashkimin e germave. Në mars u largova nga fshati dhe erdha prapë në ushtri.
Fillimisht, shkollën e hapa në shtëpinë e Hanko Toçes e më pas në shtëpinë e Muslli Veiz Shakajt (ndërtesa e shkollës ku ne kishim mësuar, ishte djegur nga pushtuesit). Ishte interesante se, megjithëse kohë lufte, nuk pashë asnjë nxënës të zbathur, pa opinga, siç ishim disa nga ne më 1935-n. Sajova një dërrasë të zezë. Shkumësin (tebeshirin) ma dha xha Mustafai. Në vend të fletoreve, përdorja për të shkruar blloqe e copa letre e çfarëdo tjetër, mjafton të shkruanim. E ndieja veten mjaft entuziast që nga një nxënës i mjeruar dikur, u bëra mësues, gjë të cilën kurrë s`ma kishte prerë mendja, por jeta ndryshoi, revolucioni bëri të tijën. Emrat e nxënësve më kujtohen shumë pak, por Bejaze Memushaj e Micol Haxhiaj do t`ju ndihmojnë.
Shoku Çize, ju falënderoj për kujdesin që tregoni ndaj meje dhe asaj pune shumë të vogël që kam bërë në atë kohë. Do t`ju lutem që të gjithë mësuesve t`iu transmetoni të falat e mia të përzemërta.”
BASHKIA E HIMARËS NDERON ME CERTIFIKATA MIRËNJOHJEJE MËSUESIT E DALLUAR
Me rastin e kësaj dite të shënuar në jetën e arsimit kallaratas, me propozim të shoqatës “Kallarati” dhe të kryesisë së fshatit, Këshilli i Bashkisë së Himarës nderoi me certifikata mirënjohjeje disa nga mësuesit më të vjetër dhe me kontribut të veçantë që kanë shërbyer në shkollën “Mumin Selami”.
Në emër të Këshillit Bashkiak të Himarës, certifikata me motivacionin “Për kontribut në fushën e mësuesisë dhe edukimit të brezit të ri” u shpërndanë nga nënkryetari i bashkisë zoti Simbol Pazaj. Në fjalën e tij, pasi shprehu urimet më të përzemërta dhe vlerësimet më të larta të kryetarit të Bashkisë së Himarës zotit Jorgo Goro, u ndal në përpjekjet e popullit të krahinës së Labërisë dhe të Kallaratit në veçanti, të lidhura ngushtë me përpjekjet e popullit shqiptar për dije e kulturë, duke vënë në dukje sakrificat e Myftar Aliut për të sjellë abetaren shqipe në Shqipëri, rolin dhe kontributin e intelektualëve kallaratas Meçan Selami dhe Telo Duro për përhapjen e arsimit në Kallarat dhe më gjerë në vitet e para pas shpalljes së Pavarësisë dhe deri te kontributi i dhjetëra e qindra mësuesve kallaratas dhe të ardhur që kontribuan në vite për edukimin e brezit të ri kallaratas. Në fund të fjalës së tij, zoti Pazaj, pasi u uroi gjithë mësuesve, nxënësve dhe banorëve të Kallaratit suksese të mëtejshme në rrugën e dijes e të kulturës, bëri shpërndarjen e certifikatave dhënë nga këshilli bashkiak i Himarës. Me certifikatë u nderuan mësuesit: Meçan Selami (pas vdekjes), Telo Zhibaj (pas vdekjes), Bilal Breshanaj (pas vdekjes), Namik Mehmetaj (pas vdekjes), Jazo Davacaj (pas vdekjes), Enver Golloshaj, Çize Xhaferaj, Violeta Xhaferaj, Hamit Muharremaj, Lefter Hysaj, Viron Avduli e Nezinete Leskaj (Avduli).
Në emër të gjithë pjesëmarrësve, kryetari i shoqatës “Kallarati”, zoti Kastriot Karabollaj, falënderoi këshillin bashkiak të Himarës për vlerësimin e kontributit të mësuesve tanë për edukimin dhe shkollimin e fëmijëve kallaratas. Gjithashtu, nderim, vlerësim e mirënjohje u shprehu ai edhe gjithë atyre mësuesve që janë ndarë nga jeta, që kontribuuan për arsimin në Kallarat e gjithandej atdheut.
MBRESA, PËRSHTYPJE E MENDIME PAS FESTE
RAMI MEMUSHAJ, ish-nxënës i kësaj shkolle, mësues dhe drejtor në disa shkolla të rrethit të Vlorës, pedagog prej shumë dekadash në Universitetin e Tiranës, me një karrierë të gjatë akademike, mësues dhe mbrojtës i gjuhës shqipe, botues i disa librave shkencorë të gjuhësisë, por edhe të historisë sidomos për trevën e Labërisë, duke marrë pjesë në këtë aktivitet shprehet:
“Në këtë 100-vjetor të shkollës së fshatit tonë, nuk mund të mos përulemi me nderim të thellë para gjyshërve dhe prindërve tanë, të cilët, ende pa rregulluar kasollet për të kaluar dimrin e parë pas kthimit në fshatin e shkrumbuar, gjëja e parë që bënë ishte hapja e shkollës, që fëmijët të mësonin gjuhën e bukur shqipe, të ndaluar për 500 vjet nga shteti otoman. Në këtë vepër ndriçuese ata njerëz që pushtimet i kishin lënë pa shkollë e në errësirë, ishin të shtyrë nga fryma e lirisë, që pushtimi grekë nuk i la ta shijonin që me shpalljen Pavarësia. Të shtyrë nga kjo ndjenjë, Dushan Seiti, Zenepet Toçja, Maliq Boshi e të tjerë i kthyen bujarisht shtëpitë e tyre në shkollë për fëmijët e fshatit. Kjo dashuri e madhe për gjuhën amtare dhe për dije u përcoll te brezat që kaluan nga bankat e kësaj shkolle. Në këtë traditë duhet të ecin edhe fëmijët e të rinjtë e prindërve kallaratas kudo ku i ndjekin shkollat, brenda vendit apo jashtë. Trashëgojmë një zgjuarsi të rrallë natyrore, e cila me vullnet e sedër mund të kultivohet në shkolla shumë më të mira se shkolla e fshatit tonë dhe në kushte shumë më të mira jetese se ato në të cilat u rritëm e mësuam ne. Dëshira dhe urimi im është që në të ardhmen Kallarati të nxjerrë edhe më shumë emra të shquar nga ç’ka nxjerrë deri tani.
Sot kujtimet më çojnë te brezi im, që e kaloi fëmijërinë në periudhën kur vendi përpiqej të shëronte plagët e luftës, duke përballuar vështirësi të mëdha. Patëm një fëmijëri vërtet të varfër, po shumë të qetë, pa krisma armësh, pa vjedhje e pa vrasje. Vetëm natën na trembnin zhurmat e avionëve që fluturonin ulët për të hedhur fletushka propagandistike. Në moshë parashkollore, nënat na merrnin me vete kur shkonin në ndihmë të familjeve që rindërtonin shtëpitë e djegura apo kur shkonin për dru a për punë të tjera. Ca më vonë, kur motrat filluan shkollën, i shoqëroja ato, duke luajtur në oborrin e shkollës derisa të mbaronin mësimin. Ky qe edukimi parashkollor i fëmijëve të brezit tim, gjatë të cilit njohëm fshatin dhe bashkëfshatarët, duke u dashuruar me natyrën e tij. Që nga ajo kohë më kujtohen emrat e mësuesve të ardhur Mërgim Korça, Jahja Seferi e Liza Doda, që dhanë mësim në shkollën e fshatit tonë në ato vite. Duke gjykuar për atë kohë sot, më duhet të vë në dukje gatishmërinë e brezit të ri të atëhershëm, që linte qytetet për të shërbyer në fshatra të largëta, siç ishte dhe Kallarati. Kjo ishte meritë e shtetit të pasluftës, që punoi për të forcuar lidhjen shpirtërore dhe solidaritetin kombëtar, duke dërguar mësues nga Veriu në Jug, siç bëri në vitet ’60–’70 duke dërguar mësues nga Jugu drejt veriut dhe verilindjes së vendit.
Shkollën e fillova në vitin 1951, me mësues të ndjerin Bilal Breshanaj dhe më pas Enver Golloshajn. Në klasë të parë ishim 14 vetë, ndër ta Bashkim Gjombrataj, Fadil Breshanaj, Fiqiri Hoxhaj, Hatixhe Jonuzaj, Liri Ago Hitaj, Muhamet Boçaj, Sami Davacaj e të tjerë, emrat e të cilëve më janë fshirë nga kujtesa. Shkolla, për të cilëm dinim se kishte qenë ndërtuar për xhami, kishte dy dhoma, për dy klasa kolektive. Në klasën e parë kemi pasur mësues të ndjerin Bilal Breshanaj, ndërsa në klasë të tretë dhe të katërt Enver Gooloshajn. Mezi e pritnim fillimin e viti të ri shkollor dhe u gëzoheshim librave e fletoreve që merrnim më 1 shtator. Mësonim me zell të madh, rrugës për në shkollë dhe në kthim për në shtëpi thonim përmendsh vjersha apo tabelën e shumëzimit. Që në klasë të tretë ishim në gjendje të lexonim pa vështirësi gazetën. Mbaj mend se më 1953, kur isha në klasë të tretë, kam lexuar gjyqin e Hamit Matjanit, që u botua në disa numra të gazetës “Zëri i popullit”. Librat e shkollës plotësonin një pjesë të mirë të jetës sonë, se libra të tjerë askush nuk kishte atëherë në fshat dhe lojëra të tjera, veç atyre tradicionale, nuk kishim. Në pushimet midis orëve, luanim në oborrin e shkollës me topa lecke. Për herë të parë, kur ishim në klasë të tretë, një mëngjes shohim në mes të oborrit një gjë të rrumbullakët të verdhë. Ishte top i vërtetë futbolli, që e kishte sjellë mësues Enveri nga Vlora! Ditë të tjera të gëzuara ishin ditët e piknikëve, që i bënim në maj, kryesisht në fshat të djegur po edhe gjetkë.
Kështu e nisa rrugën e jetës, nga shkolla e dashur e fshatit tim për në shkollë unike, të mesme e të lartë larg familjes. Po rrënjët e suksesit tim në jetë janë këtu, në fshatin tim, që më edukoi me dashurinë për punën dhe më pajisi me vullnet e me karakter të fortë, dhe në shkollën fillore, që më dha çelësin për të hyrë në botën e madhe e të pafund të dijes.”
Çize Xhaferaj, ish-nxënës, mësues dhe drejtor i shkollës, shprehet: “Dita e 14 gushtit 2016 ishte për banorët e Kallaratit një ditë e gëzueshme festive. Atë ditë në Kallarat u përkujtua 100-vjetori i çeljes së shkollës shqipe. Këtë veprimtari shoqata “Kalllarati” e kishte gërshetuar mjaft mirë me takimin e brezave. Mendime për organizimin mund të jenë nga më të ndryshmet, por një gjë ka rëndësi: ajo ishte dhe mbetet një ditë përkujtimore festive. Me këtë rast, falënderoj kryesinë e Shoqatës “Kallarati’ dhe këshillin bashkiak të Himarës për vlerësimin me “Certifikatë Mirënjohjeje”, jo vetëm mua, por shumë nga kolegët e mi, vlerësim të cilin ua kushtoj gjithë bashkëpunëtorëve të mi në vite dhe nxënësve të kësaj shkolle.
Siç dihet, shkolla e parë në Kallarat u çel më 20 tetor 1916 te shtëpia e Zenepe Toçes, që për 7 vjet shërbeu si shkollë (1916–1923). Në mesin e viteve tridhjetë, pas një ndërprerje disavjeçare, te godina e ndërtuar në Morrez shkolla nisi rrugën e saj. Aty ajo për disa dekada hodhi shtat e u lartësua nga fillore me tre klasë në tetëvjeçare. Kanë qenë të shumtë mësuesit që kanë dhënë mësim në shkollën e Kallaratit. Ata vinin nga Shkodra, Korça, Kavaja, Vlora, Saranda, Gjirokastra. Secili me punën e tij ka lënë gjurmë në këtë shkollë dhe pas sa dhjetëvjeçarësh kujtohen me shumë respekt nga nxënësit e tyre.
Unë së bashku me bashkëshorten, Violetën, si nxënës e pastaj si mësues kaluam 60 vjet në shkollën Mumin Selami në Kallarat. Kujtimet, mbresat dhe përshtypjet i kemi të shumta, saqë duhen ditë e net e gazeta të tëra për t’i shkruar, por ajo që unë dua të theksoj në këtë përvjetor të njëqindtë të shkollës, është se ndihemi shumë keq për gjendjen në të cilën është katandisur godina e shkollës sot, e kthyer në stallë dhish, ku vetëm kujtesa i ka mbetur se ka qenë shkollë. Si mësues i asaj shkolle për 25 vjet dhe si drejtues i saj për 20 vjet ndihem keq kur e shikoj shkollën, shtëpinë tonë në atë gjendje.
Atë e kishin “zili’ dhe shkolla të qytetit të Vlorës, se të fshatrave po e po, në formë dhe përmbajtje në vitet 1980–1990. Ndërtesa e shkollës është pronë e gjithë kallaratasve. Ajo deri dje mësoi dhe formoi me elementet e para të edukatës, dijes e shkencës dhe u hapi rrugën e dijes brezave të tërë kallaratas dhe të fshatrave përreth. Mendoj se misioni i saj duhet të vazhdojë. Le të kthehet në një muze historie. Të shërbejë për bashkimin e kallaratasve kudo që janë. Ja për një moment më duket sikur ajo është sistemuar dhe rrethuar me drurë dekorativë. Përpara, te sheshi, mes gjelbërimit qëndron busti i Meçan Selam Kallaratit, intelektualit të parë të fillimit te shekullit të njëzetë, nxënës i përzgjedhur nga Ismail Qemali dhe ndër mësuesit e parë të shkollave shqipe që nga viti 1913.
Një djalë biznesmen kallaratas le të bëhet zot i asaj shkolle. Drejtuesit e fshatit dhe të shoqatës të tërheqin edhe mendime të tjera. Unë do ta jap ndihmesën time për t’u bërë një qendër muzeale e lakmueshme e konkurruese në zonë. Le të shpresojmë të gjithë”, përfundon mësues Çizja.
KUJTIM HYSAJ, ish-nxënës dhe mësues i shkollës, shkruan: “Nuk u ndjeva mirë që, si ish nxënës, por për disa vite edhe mësues në këtë shkollë, nuk e pata mundësinë të ndodhesha në veprimtarinë e organizuar nga shoqata. Mirënjohje e respekt, në radhë të parë për ata kallaratas që në mesin e luftës së parë botërore mendonin për arsimimin e brezave të ardhshëm të Kallaratit. Respekt për ata mijëra djem e vajza të fshatit tonë, por edhe nga Kuçi, Bolena e Vranishti, që hapat e para të dijes i nisën në këtë shkollë, për t’u bërë më vonë kuadra, specialistë e punëtorë të mirë. Mirënjohje, të gjithë mësuesve të huaj që punuan në këtë shkollë, respekt për të gjithë bijtë e bijat e fshatit që ia përkushtuan jetën përhapjes së dijes. Ju përshëndes të gjithëve të dashur bashkëfshatarë të mitë, kudo që jetoni!”
FREDI BRESHANAJ, ish-nxënës dhe mësues i shkollës, shkruan: “Respekt për të gjithë brezat e mësuesve kallaratas nga hapja e shkollës e deri sot, si dhe mirënjohje e respekt për ata mësues jokallaratas që në vështirësitë e kohës dhanë kontribut të rëndësishëm për shumë vite në edukimin e brezit të ri të fshatit tonë dhe që, ndoshta, meritonin më shumë vlerësim nga kryesia e shoqatës. Edhe unë si ish-nxënës, por disa vite edhe mësues i kësaj shkolle, ndiej emocione, por edhe krenari që kam qenë pjesë e saj. Kënaqësi që sot takohemi me mësuesit tanë, me kolegë, ish-nxënës dhe banorët e fshatit, pasi në këto vite që jemi vendosur me banim në Vlorë e ndiejmë akoma më tepër dashurinë për vendlindjen. Këtë kënaqësi e ndien dhe bashkëshortja ime Rajmonda, edhe pse bijë nga Bolena, por, ashtu si edhe unë, punoi si mësuese në këtë shkollë dhe banoi në këtë fshat për disa vite. Në emër familjes, por edhe të vëllezërve të tjerë, falënderim të veçantë dua t’i adresoj shoqatës e përfaqësisë së fshatit tonë dhe këshillit bashkiak të Himarës për vlerësimin me “Certifikatë Mirënjohjeje” të babait tonë, Bilal Breshanaj, i cili gjithë jetën, ashtu si edhe shumë kolegë të tij këtu, ia kushtoi me përkushtim e devotshmëri çështjes së arsimimit e edukimit të fëmijëve kallaratas dhe më gjerë, si dhe zhvillimit kulturor e shoqëror të fshatit tonë, Kallaratit”.
Lefter Hysi, ish-nxënës, mësues dhe drejtor shkolle, shkruan: “Falënderoj pa masë këshillin bashkiak të Himarës dhe kryesinë e shoqatës Kallarati për vlerësimin me certifikatën e mirënjohjes. Këtë vlerësim e shoh si kontribut të gjithë mësuesve me të cilët unë punova si drejtues, si Violeta Xhaferaj, Fredi Breshanaj, Thëllëza Hoxhaj, Rajmonda Breshanaj, Vojo Davacaj, Ali e Zonja Sadikaj, AltinaTozaj etj, si dhe nxënësit e atyre viteve pa përjashtim. Gjatë viteve që punova në këtë shkollë, si kolektiv u munduam të bënim më të mirën e mundshme për edukimin e fëmijëve kallaratas, por edhe duke kontribuar në jetën shoqërore të fshatit. Uroj të gjithë kolegët e mi që u vlerësuan sot, por edhe të gjithë të tjerët që ende vazhdojnë ta ushtrojnë këtë profesion të bukur e fisnik, suksese në punë e në jetë. Respekt e mirënjohje gjithë mësuesve e kolegëve tanë që nuk jetojnë më, për kontributin e tyre në këtë shkollë, që duhet ta shikojmë si kontribut të të gjithë mësuesve në breza që kanë punuar në këtë shkollë të nderuar e të vlerësuar” – përfundon Lefteri.
HAMIT MUHARREMAJ, ish-nxënës dhe mësues i shkollës, shprehet: “Te kjo shkollë është edhe jeta ime, pasi, përveçse si nxënës, kam shërbyer një jetë të tërë si mësues. Janë me qindra kallaratas që kam pasur privilegjin të jem mësues i tyre. Së bashku edhe me kolegët e tjerë, mësues vendas dhe të ardhur, jam munduar në vite që të jap maksimumin tim për pajisjen e brezit të ri kallaratas jo vetëm me njohuritë shkencore, sidomos matematikën, por, në përgjithësi, me njohuritë më të nevojshme për formimin e një nxënësi të aftë për të vazhduar më tej shkollimin. Jam ndier krenar kur shumë nga nxënësit e mi kanë arritur rezultate të larta në studimet e mëvonshëm të mesme apo universitare, gjë që shpesh më ka dhënë emocione. Një fakt i tillë tregon se shkolla jonë, mësuesit dhe drejtuesit e saj kanë ditur të organizojnë mësimin në baza shkencore, kanë ditur të japin me nivel të lartë mësimdhënien dhe të kërkojnë po me atë nivel e kërkesë mësimnxënien. Akoma më i emocionuar u ndjeva sot, kur, me propozim të shoqatës “Kallarati”, këshilli bashkiak i Himarës më nderoi mua, por edhe shumë kolegë me “Certifikatën e Mirënjohjes”, të cilën e konsiderojë si kontribut jo vetëm timin personal, por të të gjithë kolektivit mësues, nxënës dhe prindër në vite. Uroj, që edhe sot fëmijët kallaratas, kudo që ndodhen, të jenë si gjithmonë të etur për dije e kulturë.
NEZINETE AVDULI (LESKAJ), ish-mësuese në vitet 1972–1975, shprehet: “Ftesën nga shoqata e Kallaratit për të marrë pjesë në 100-vjetorin e çeljes së shkollës së parë shqipe e prita me shumë kënaqësi, jo vetëm unë, por edhe bashkëshorti, Vironi, pasi të dy kemi qemë mësues të asaj shkolle në Kallarat. Prandaj edhe vendosëm pa ngurrim: po, do të shkojmë. Mbërritja në Kallarat mnë datën 14 gusht ishte shumë emocionuese, pasi rikthehesha mbas 42 vjetësh në fshatin ku unë nisa karrierën time si mësuese. Nuk më kanë përshkuar ndonjëherë emocione të tilla, kur u takova me ish-drejtorin Çize Xhaferaj, profesor Rami Memushajn, me kolegët Hamit Muharremaj e Violeta Xhaferaj, me ish-nxënësit si dhe të tjerë njerëz të njohur të komunitetit. Emocionet m’u shtuan më shumë kur nënkryetari i Bashkisë së Himarës më dorëzoi “Certifikatën e Mirënjohjes” për punën time si ish-mësuese e shkollës “Mumin Selami”! Pafundësisht respekt dhe mirënjohje për Bashkinë e Himarës, Shoqatën “Kallarati”, ish-mësuesit dhe ish-nxënësit e shkollës “Mumin Selami”, popullin mikpritës të Kallaratit. Kënaqësinë për pjesëmarrje në festën e Kallaratit e përjetova familjarisht me bashkëshortin, por edhe dy fëmijët e mi, Matildën dhe Olsin, që na shoqëruan duke ardhur për herë të parë në fshatin ku prindërit e tyre nisën karrierën e bukur të arsimit, por edhe jetën bashkëshortore. Edhe ata të dy e shijuan natyrën e bukur, bujarinë dhe mikpritjen kallaratase dhe secili në mënyrën e tij, vajza si artiste (aktore teatri) dhe djali si ushtarak (detar) dhanë vlerësimet e tyre mjaft pozitive për Kallaratin, si një nga fshatrat më piktoreske të Lumit të Vlorës dhe të Kurveleshit të Labërisë. Gjithmonë festa dhe gëzime të keni! Ju faleminderit!”
SONIA E ALI SADIKU, ish-mësues në Kallarat për afro 20 vjet, na shkruajnë nga Italia: Kujtime nga ditari… Këta janë mësuesit tanë, i thanë Alketa e Ylli Rjepaj, vajzës sonë, të ndodhur së bashku në një gëzim familjar në Vlorë. Kujtesa më çoi larg, në shtatorin e vitit 1977, kur unë një vajzë e vogël, gati tetëmbëdhjetëvjeçare nga Velça e Vlorës, që sapo kisha përfunduar shkollën e mesme Pedagogjike në Tiranë, u paraqita në qendrën e punës në shkollën 8-vjeçare “Mumin Selami”, Kallarat. Asokohe, Alketa ishte 5 vjeç, e vetmja nxënëse në objektin që quhej kopsht. Mora në dorëzim një dhomë të një ndërtese që ngjante si shtëpi alpine, e cila i shërbente shërbimit pyjor, dhe të vetmen nxënëse, Alketën. Merre, – e ke në “inventar”, – më tha Sulotja, asokohe personel i institucionit. Ishte një zbrazëti e tmerrshme, si në një vend të pabanuar, pa asnjëfarë interesi të filloje punën kështu. Ishte larg realitetit të asaj që kishim parë gjatë kryerjes për katër vite rresht të praktikave në shkollat moderne e super të mëdha te kryeqytetit… Ishte koha kur nuk mund të zgjidhje, as të lëvizje, vetëm të kryeje detyrën me bindje… Për fatin tim të mirë, por edhe të gjithë komunitetit, gjërat ndryshuan shpejt për të thënë që filluam vërtet punën. Me një fond u ndërtua shkolla e re dhe një kopsht i madh, të cilin e bëmë dhe të bukur e plot me fëmijë. Nga një Alketë e vetme, pas dy vitesh ata ishin 35, me mjedise të përshtatshme, me shërbim profesional, duke u dhënë ndihmën e duhur nënave që detyrimisht shkonin të gjitha në punë.
Mua më takoi të isha edhe kontingjenti i parë i mësueseve të kualifikuar në fillimet e një sistemi ku përfshihej edhe sistemi parashkollor si hallkë në sistemin arsimor. Aty lidhëm edhe jetën me bashkëshortin Aliun, edhe ky mësues po në Kallarat, por nga Bolena. Kaluam aty rreth 20 vite nga jeta jonë më aktive, që na ka lënë në kujtesë mbresa të pashlyera. Aty lindëm edhe dy fëmijët tanë. Shkuam si të huaj, por nuk u trajtuam si të tillë, punuam me devotshmëri, prandaj morëm edhe vlerësimin e tyre. Ishin vitet kur shkolla e arsimi kishin një rol të veçantë, jo vetëm në punën brenda shkollës, por edhe jashtë saj, ku kolektivi bënte punë të jashtëzakonshme duke zhvilluar veprimtari të ndryshme patriotike e kulturore. Çdo kohë ka sistemet e saj për zhvillimin shoqëror, por nostalgjia mbetet për atë që përjeton. Koha ishte e vështirë, kishte mangësi, kishte varfëri, kishte shumë mundim, por ne ishim të bekuar ta kalonim kohën mes fëmijëve. Është si të jetosh botën e tyre, larg problemeve, dhe brezi i këtyre fëmijëve e jetoi fëmijërinë si fëmijë. Kujtoj me nostalgji zërat gazmore të tyre, rreshtat e mëngjeseve, zilet e fillim-mbarimeve. Me shumë nostalgji e respekt të gjitha një për një familjet arsimdashëse e shumë bujare kallaratase që na bënin të ndiheshim gjithnjë si në shtëpitë tona, duke qenë pjesë e gëzimeve e hidhërimeve të tyre. I kam në kujtesë të gjithë pa përjashtim, të gjithë kolegët që vinin e iknin gjatë viteve në shërbim të kësaj shkolle e u dërgoj atyre përshëndetje kudo që ndodhen. Të gjithë mësuesve vendas pa asnjë përjashtim për ndihmën e tyre në shkallët tona kualifikuese, për ndjesitë që kemi përjetuar e ndarë së bashku, për bashkëpunimin me mirëkuptim e vlerësimin që na kanë rezervuar. Asnjë nga fytyrat e ish-nxënësve tanë nuk i shpëton kujtesës; sado vite të kalojnë, janë si në regjistrin e madh. Kanë mbetur ashtu, gjithë çiltërsi, gjithë pastërti fëminore për të na shoqëruar përherë. Ata janë tashmë të rritur, familjarë të mirë, kuadra, punonjës, të shpërndarë në çdo cep të vendit e botës. Ju uroj gjithnjë më të mirën!!!
Ne nuk ishim themeluesit e shkollës së Kallaratit, por na takoi të ishim përuruesit e saj të rinj, duke menduar se dhamë sa mundem në shërbim të saj, të emrit të madh e të bukur plot lavdi që ajo mban. Le të themi se ne kemi lënë emrat tanë për vite në regjistra, dëftesa e ditarë, aq sa për ta ruajtur atë gjatë në kujtesën tonë. Me nderim e respektin më të madh për ju, pasi keni qenë pjesë e bukur jona në këto vite!
Para disa ditësh morëm vesh që Kallarati përkujtoi 100-vjetorin e shkollës së parë shqipe, pamë nga fotot në fejsbukun e shoqatës që disa prej kolegëve tanë edhe ishin vlerësuar me certifikatë mirënjohjeje nga Bashkia e Himarës. Sinqerisht, na bëhet qejfi dhe i urojmë edhe nga ana e jonë. Do të kishim shumë dëshirë të kishim qenë pjesë a atij gëzimi të përbashkët, por le ta konsiderojmë harresë apo mungesë vëmendjeje të organizuesve të shoqatës dhe jo të kolegëve dhe të popullit shumë mirënjohës kallaratas. Megjithatë, e konsiderojmë veten se kemi qenë me ju në këtë gëzim, por edhe ju na konsideroni se ishim atje mes jush. Përshëndetjet tona me konsideratë, nga Ali e Sonia Sadikaj, Itali.”
MATILDA & OLSI AVDULI, fëmijët e Viron dhe Nezinete Leskaj pjesëmarrës në festë, na shkruajnë: “U njohëm me një fshat arsimdashës dhe mikpritës, të vendosur rrëzë Bogonicës dhe karshi Çipinit. Kishim dëgjuar shumë herë prindërit që në biseda midis tyre e përmendnin këtë fshat me shumë dashuri dhe respekt. Prandaj ne, fëmijët e tyre, vendosëm t’i shoqëronim për të marrë pjesë në 100-vjetorin e çeljes së shkollës shqipe “Mumin Selami”. Jemi mrekulluar me pritjen dhe bujarinë e këtyre njerëzve. Në fshat kudo dukej dora e tyre, shtëpi të ndërtuara bukur, oborre të lulëzuara, ara të mbjella. Ishte kjo që vumë re, se këtu kishim të bënim me njerëz punëtorë e të palodhur, vende shume të bukura e njerëz me shumë vlera dhe dëshira.
Ajo që nuk meriton ky fshat, këta njerëz, jo vetëm kallaratasit, por gjithë zona e Lumit të Vlorës është rruga automobilistike, rrugë shumë e vështirë, bile mund të themi edhe shumë e rrezikshme. Nga bisedat me ata njerëz që patëm mundësinë të flisnim, sidomos në drekën e përbashkët, ishte mosbesimi se një ditë rruga do të bëhej. Premtimet ishin aq të shumta, saqë, kur teprohen, e humbasin besimin. Edhe ne kishim dëgjuar në medie për këtë rrugë të amortizuar plotësisht, kishim dëgjuar pak a shumë edhe për premtimet e qeverive të shkuara dhe të kësaj aktuale, por, kur e pamë vetë, me plot gojën themi se ajo zonë duket e braktisur nga shteti. Ky komunitet dhe kjo krahinë meritojnë vëmendjen e të gjithëve e sidomos të qeverise vendore e të asaj qendrore.
Por le t’i kthehemi edhe njëherë qëllimit për të cilin shkuam në Kallarat. Nëpërmjet kumtesave e trajtesave të mbajtura nga ish-mësues e nxënës u njohëm edhe me disa figura të arsimit nga ky fshat. Aty mësuam se, Myftar Aliu nga Kallarati, mërguar që herët në Turqi, ku mbaroi Medresenë dhe më pas edhe në Rumani, në vitin 1840, dërgohet nga Naum Veqilharxhin në Shqipëri me libra shqip, por rrugës sëmuret rëndë dhe vdes në fshatin Selckë, Gjirokastër me libra në gji; se Meçan Selami dhe Telo Zhibi ishin ndër intelektualët e parë kallaratas me shkollë që u morën me përhapjen e arsimit në vendlindje dhe më gjerë; se një nga nxënëset e para pas çlirimit ishte edhe Nënë Duze Bajramaj, nëna e heroit të Popullit Mumin Selami, emrin e të cilit e mban shkolla, nënë heroike me zemër të madhe, ish-deputete e Kuvendit Popullor për disa legjislatura. Po gjithashtu aty mësuam se profesor Rami Memushaj, një nga gjuhëtarët më të mirë, i cili ishte pjesëmarrës në takim, ishte nga ky fshat; që shkrimtari dhe skenaristi i njohur, Neshat Tozaj ishte pikërisht nga ky fshat, pa përmendur figura të tjera të fushave të tjera. Por, gjithashtu, mësuam që Elisabeta Karabollaj, ish-kampionia e Evropës në qitje; që Saimir Strati, fituesi i nëntë çmimeve “Gines”; që Petrit Qejvani, ish-drejtori i Teatrit të Vlorës, ku unë (Matilda) punoj sot; që Gafur Shameti, skenarist i estradës së Vlorës, ish-deputet në kohën e demokracisë; kryetari i parë i shoqatës Kallarati, Seit Jonuzaj, pedagogu i shkollës së Marinës dhe kryetar i Organizatës së Veteranëve të Vlorës; Hyso Xhaferaj, hedhësi brilant i këngës labe në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore; dhe futbollisti kombëtares Ledian Memushaj, që ndonjëherë me të padrejtë e quajnë nga Tërbaçi, të gjithë këta qenkan bij e bija nga Kallarati. Dhe sa e sa figura të tjera mund të ketë. Pra, një udhëtim bëri që ne të mësojmë shumë gjera historike me vlerë për Kallaratin, të cilat brezi ynë duhet t’i dijë.
Por emocionet tona si fëmijë mësuesish u shtuan atëherë kur të dy prindërit tanë, me propozim të shoqatës Kallarati, u vlerësuan nga këshilli bashkiak i Himarës me “Certifikatën e Mirënjohjes”, një gjest mjaft fisnik i atyre njerëzve, që, pas më shumë se 40 vitesh, nuk i harrojnë njerëzit e punës, njerëzit e arsimit e të kulturës, njerëzit që gjithmonë përhapin dhe rrezatojnë dije e kulturë për njerëzimin. Faleminderit dhe mirënjohje popullit të Kallaratit.”
THËLLËZA HOXHAJ (ALIAJ), ish-nxënëse dhe mësuese shprehet: “Kur nis të hedhësh në letër mbresat dhe kujtimet për shkollën dhe mësuesit e tu, emocionet të shtohen. Ato dyfishohen kur ke përgjegjësi të dyfishtë: si nxënëse e asaj shkolle, por edhe si mësuese më vonë. Nxënëse prej 8 vjetësh në shkollën 8-vjeçare “Mumin Selami“ me mësuesit më të mirë që nuk mund të harrohen: V. Xhaferaj, Ç. Xhaferaj, B. Breshanaj, F. Mezini, Sh. Mehmeti, L.Prifti, I. Begaj etj. Ata ishin shumë të përkushtuar ndaj punës me ne nxënësit. Disa prej tyre vinin nga larg në Kallarat, por kjo nuk i pengonte që të bënin me ne konsultime apo punë të diferencuar kur kishim nevoje.
Ne mësuesit i shikonim si idhujt tanë, figura e tyre ishte si kristali. Në sytë tanë, mësuesit ishin të madhërishëm, të pagabueshëm… të mëdhenj në kuptimin e plotë të fjalës. Dhe ashtu ishin vërtet, duke i parë edhe me syrin e sotëm. Kështu na edukonin edhe prindërit në shtëpi, me dashurinë dhe respektin pa kufi për mësuesit. Ndiheshin krenarë prindërit kur vinin në shkollë dhe dëgjonin fjalë të mira nga mësuesit për ne. Edhe ne nxënësit, në sytë dhe duart e mësuesve ishim si fëmijët e tyre. Na flisnin, na mësonin dhe na edukonin plot dashuri e dhembshuri. Kishin një detyrë fisnike që e kryenin me pasion dhe korrektësi të madhe, dhe këtë korrektësi e përcillnin edhe tek ne nxënësit. Edhe pse mësonim në një godinë të vjetër, mundoheshim të kujdeseshim për të, e mbanim të pastër, të rregullt dhe përgatitnim edhe mjete të thjeshta mësimore. I ndanim “punët” në grupe: Higjiena, përparimi dhe frekuentimi. Kjo bënte që gjithçka në shkollë të ecte mbarë dhe për këtë mësuesit ndiheshin mire. Sot, në këtë përvjetor të 100-të të shkollës time, ndodhem përballë këtyre mësuesve të përkushtuar, tashmë si kolege e tyre prej 23 vjetësh. Tek disa prej tyre vitet kanë filluar të lenë gjurmë (ndoshta edhe hallet e jetës), por përsëri ata në kujtesën time do të mbeten ashtu të rinj e të dashur si dikur, kur na përkëdhelnin, por ndoshta edhe na qortonin, që ne të bëheshim më të mirë, pra do të mbeten mësuesit e mi përgjithmonë.
Ka qenë përvoja ime më e bukur që si mësuese për herë të parë të emërohesha në fshatin tim dhe në shkollën time, ku kisha mësuar për 8 vjet. Tashmë, disa nga mësuesit e mi, do të ishin kolegët e mi, apo shoqe të mia nxënëse, me të tjerë njihesha për herë të parë: V. Xhaferaj, J. Davacaj, L. Hysaj, Ali e Zonja Sadikaj, Fredi e Rajmonda Breshanaj, shoqja ime e klasës A. Tozaj e R. Godaj etj. Por nuk mund të lë pa përmendur edhe nxënësit e parë të mi, që shkëlqyen që në ditët e para të klasës së parë dhe vazhdojnë edhe sot të shkëlqejnë në shkollë e në punë: Juliana Rjepaj, Arlind Gjonbrataj, Rezart Breshanaj etj.
Vitet vazhdojnë dhe historia përsëritet, mësuesit tanë, ne dhe nxënësit tanë që sot janë kudo nëpër botë, përveç prindërve të vet, bëjnë krenarë edhe mësuesit e tyre.
VLERËSIM E MIRËNJOHJE NË KËTË 100-VJETOR GJITHË MËSUESVE KALLARATAS QË SHËRBYEN JO VETËM NË KALLARAT, PO ANEMBANË ATDHEUT!
Nga gjiri i kësaj shkolle kanë dalë shumë mësues që patën privilegjin e madh për të shërbyer në vendlindje dhe të mësonin e edukonin fëmijët e fshatit. Një pjesë tjetër e mësuesve kallaratas shërbyen anembanë vendit si mësues, drejtorë shkollash e institucionesh arsimore, duke ngritur më lart me punën dhe përkushtimin e tyre nderin dhe lavdinë e Kallaratit.
Vlerësim e respekt për tërë këtë brezni mësuesish dhe edukatorësh të brezit të ri të Shqipërisë!
Mësuesve vendas: Telo Duro, Meçan Selami, Enver Golloshaj, Shelege Karabollaj, Sami Karabollaj, Servet Golloshaj, Namik Mehmetaj, Bilal Breshanaj, Proletare Habilaj, Dafina Qejvanaj, Burbuqe Qejvanaj, Kujtim Hysaj, Çize Xhaferaj, Violeta Xhaferaj, Hamit Muharremaj, Pranvera Hoxhaj, Altina Tozaj, Lefter Hysaj, Jazo Davacaj, Ferdinand Breshanaj,Thëllëza Hoxhaj, Donika Qejvanaj, Vojo Davacaj, Majlinda Davacaj, Gjinovefa Xhaferaj, Eglantina Demiraj, Enkeleda Hoxhaj, Vojsava Davacaj, Nezinete Davacaj, Selvi Mehmetaj, Altina Shakaj, Lindita Qejvanaj, Fiqirete Qejvanaj (Ramadani).
Mësuesve të ardhur nga rrethet e tjera dhe fshatrat e Vlorës: Jaho Hodo, Adem Hodo e Istref Pulo nga Borshi; Musa Sinani, Safet Gjoni e Remzi Mato nga Fterra; Xholito Gulielmo nga Italia; Jahja Seferi nga Kavaja; Liza Doda nga Shkodra; Kozma Llazari nga Lukova; Mërgim Korça nga Korça; Baki Abazi nga Tatzati; Nazif Duka, Fane Kongjini, Pranvera Shkurti, Vesel Habili e Mirjana Zeneli nga Vranishti; Gani Gana nga Mesapliku; Shaban Saliu, Xhafer Xhaferi, Xhevo Kaçaj, Emine Gjokutaj, Hysni Godaj, Eftimi Balili, Lumturi Godaj, Cane Fejzaj, Pikërime Fejzaj, Naxhie Bishaj, Mersin Agaj, Kate Alikaj, Idajet Gjokutaj e Roneta Godaj nga Kuçi; Levzat Velaj, Mehmet Likaj, Nikollaq Dumani, Vangjel Bojaxhiu, Dhimitër Haxhiu, Shaban Mehmeti, Miranda Tushi, Neti Sollomani, Eli Ceko, Laureta Dhefto e Irma Mihali nga qyteti i Vlorës; Lefter Beqiri e Murd Sinaj nga Tërbaci; Vasil Tata e Leonidha Prifti nga Kudhësi; Ëngjëll Hasimi e Shyqo Hasimi nga Armeni; Mareglen Ferraj e Shyqyrete Aliaj nga Brati; Viron Avduli nga Tragjasi; Nezinete Leskaj, Lavdie Begaj, Feti Mezini, Izmimi Begaj, Ali Sadikaj, Kaçandon Cacaj, Mylazim Sadikaj, Dritan Bajramaj, Ilir Sadikaj, Liri Sadikaj e Rajmonda Alikaj nga Bolena; Sonja Sadikaj nga Velça; Katerina Aliaj nga Selenica.
Mësuesve kallaratas që shërbyen anembanë atdheut: Aferdita Xhaferaj, Aida Xhaferaj, Alfred Xhaferaj, Alketa Jonuzaj, Anila Golloshaj, Artur Hoxhaj, Barjam Karabollaj, Bashkim Gjonbrataj, Bejkush Karabollaj, Besnik Strataj, Bilal Shakaj, Çlirim Xhaferaj, Dallandyshe Jonuzaj, Dhurata Qejvanaj, Donika Qejvanaj, Elona Jonuzaj, Eneida Breshanaj, Entela Karabollaj, Fatbardha Strataj, Fatmir Mataj, Feride Shakaj, Gjinovefa Xhaferaj, Hadixhe Llanaj, Hasan Mehmetaj, Hiqmet Meçaj, Ibro Rjepaj, Ibrush Jonuzaj, Ilir Jonuzaj, Kastriot Xhaferaj, Klodiana Hoxhaj, Landi Golloshaj, Liljana Memushaj, Liri Qejvanaj, Llambro Hysaj, Luiza Hysaj, Luljeta Gjonbrataj, Lumturi Gjonaj, Maks Tozaj, Manushaqe Rjepaj, Marjeta Memushaj, Marjeta Hoxhaj, Oltosta Golloshaj, Petrit Qejvanaj, Qerime Meçaj, Rajmonda Dautaj, Rajmonda Shakaj, Rami Memushaj, Rita Shakaj, Selim Golloshaj, Servet Golloshaj, Shpresa Qejvanaj, Sonja Strataj, Sulltane Rjepaj, Vitori Begaj, Xhiko Rjepaj, Yllka Golloshaj etj.
SHIFRA DHE FAKTE HISTORIKE PËR ARSIMIN NË KALLARAT
Arsimi kallaratas zanafillën e tij e ka në mars 1916, në formën e kurseve që zhvilloheshin në shtëpinë e Dushan Seit Jonuzajt në Shesh të Fierit me mësues patriotin Telo Duro Zhibajn.
Më vonë, për t`iu larguar syve të pushtuesve italianë që nuk lejonin të bëhej mësim shqip, shkolla që funksiononte në formë kursi, u zhvendos në Povël, në konakët e Maliq Boshit.
Zyrtarisht, shkolla shqipe në Kallarat u çel më 20 tetor 1916 në shtëpinë e Qamil e Zenepe Toçes, e njohur nga Drejtoria e Arsimit Gjirokastër.
Mësuesi i parë i shkollës në Kallarat ka qenë Jaho Hodua nga Borshi dhe pak muaj më vonë Musa Sinani (Këlliçi) nga Fterra.
Nxënësit e parë që u ulën në bankat e shkollës kanë qenë: Ruzhdi Lame, Lilo Habilaj, Izet Bushaj, Azbi Asllani, Hasan Selami, Abaz Shako, Shahin Jonuzaj, Demir Lato, Veledin Rjepaj, Dalan Haxhiu, Ferik Strataj, Shuko Karrabollaj, Hasan Qejvanaj, Hasan Shamo si dhe Hamdi dhe Izet Hasko nga Golemi, të cilët, pas djegies së fshatit të tyre nga grekët më 1913, erdhën në Kallarat.
Në vitin shkollor 1917–1918 numri i fëmijëve që u ulën në bankat e shkollës ishte 47. Në këtë vit në shkollën e Kallaratit u emërua mësues Telo Durua dhe 2 vjet më pas Meçan Selami.
Në shtator 1923 shkolla u mbyll, pasi Kongresi i Arsimit i mbajtur në Tiranë më 22 korrik 1922, në kohën e Qeverisë së Xhafer Ypit, ndalonte çeljen e shkollave ku s’kishte ndërtesë të rregullt shkollore. Qeveria e Fan Nolit, që erdhi në fuqi në qershor 1924, pati jetë të shkurtër, vetëm 6 muaj dhe nuk arriti dot të bënte asgjë për shkollat. Ky vendim apo dhe të tjera shkaqe bënë që në Kallarat për 12 vjet (1923–1935) të mos kishte shkollë.
Fshatarët kallaratas të udhëhequr nga patriotët Lame Sinani, (në atë kohë 1925) sekretar i nënprefekturës Gusmar, si dhe Selam Bajrami, Alem Toto, Shamo Meçe, Hodo Kalemi, aty nga viti 1925 ia filluan punës për ndërtimin e një godine për shkollë tek burimi në Morrez.
Në vitin 1927 godina përfundoi së ndërtuari, megjithatë shkolla nuk u hap. Kërkesa të shumta i dërgonin fshatarët kallaratas Ministrisë së Arsimit të mbretit Zog, por ato binin në vesh të shurdhër.
Pas përpjekjesh të shumta, qeveria e Zogut, për të hapur shkollën vuri kushtet: “Të kishte një numër të caktuar nxënësish dhe fshati të siguronte vetë godinën e mësimit”. Këto kushte u përmbushën dhe shkolla u hap në shtator 1935 dhe funksionoi deri në korrik 1939. Në të u regjistruan edhe mosha të rritura, duke arritur numri i nxënësve në 40–45 vetë. Ndërsa për ndërtesë, falë shpirtit human të hoxhës së fshatit, u përshtat xhamia e fshatit. Mulla Beqir Zhibi tha: “Të hapet shkolla në xhami, pa unë do ta fal xhihanë në qafë të Brodanit.”
Në vjeshtën e vitit 1940 shkolla në Kallarat e ndërpreu veprimtarinë e saj mësimore. Lufta italo-greke dhe më pas pushtimi nazist e kthyen Kallaratin në një front luftimi dhe shumica e nxënësve u ngritën në luftë kundër pushtuesve nazistë e fashistë.
Në shtator të 1945, shkolla u rihap në shtëpinë e Duze Bajramit, nënës së heroit të Popullit Mumin Selami, pasi shkolla ekzistuese e paraçlirimit ishte djegur. Regjistrimi ishte me dëshirë për djem e vajza. Si mësimdhënës u caktua Safet Gjoni nga Fterra.
Në shtator të 1946 shkolla nisi veprimtarinë e saj normale në ndërtesën e rregulluar me orendi të thjeshta e mjete mësimore për të zhvilluar orët e mësimit. Jahja Seferi nga Kavaja e Liza Doda nga Shkodra ishin mësuesit e atij viti për t’u pasuar më pas nga Kozma Llazari e Mërgim Korça.
Në vitin shkollor 1946–1947 u vu në zbatim vendimi i Qeverisë mbi arsimin fillor të detyrueshëm, këtu përfshiheshin disa djem e vajza që kishin mbushur moshën 7 vjeç. Pas këtij vendimi, numri i fëmijëve që erdhën në shkollë u rrit ndjeshëm. Në çdo klasë me banka katërvendëshe kishte mbi 20 nxënës.
Në vitin 1949 ish-nxënësit e shkollës: Enver Golloshaj, Namik Mehmetaj e Bilal Breshanaj ndoqën kursin njëvjeçar për mësues në Vlorë. Ata ishin mësuesit e parë që tërë jetën e tyre ia kushtuan shkollës shqipe duke dhënë mësim jo vetëm në Kallarat, por edhe në shumë fshatra të tjerë të Vlorës. Pas tyre, mbaruan kurse e shkollë dyvjeçare të mësuesve edhe Hamit Muharremaj, Jazo Davacaj, Shelege Karabollaj, Sami Karabollaj e Servet Golloshaj.
Në vitet ‘60 u vu në zbatim ligji për kalimin e arsimit të detyrueshëm nga 7 klasë në 8 klasë. Ishin këto kushtet e krijuara që sollën çeljen e shkollës 8-vjeçare në Kallarat. Në 1 shtator 1966, që në vitin e parë u hapën 7 klasë, duke tërhequr edhe nxënësit kallaratas që ndiqnin mësimet në fshatrat Vranisht e Bolenë si dhe nxënësit e zonave periferike të fshatrave Kuç e Bolenë. Si godinë mësimore u shfrytëzua godina e vjetër e shkollës, duke iu bashkangjitur një godinë e ndërtuar në 1951 për sallë leximi.
Në vitin e parë shkollor 1966–1967, për herë të parë shkolla krijoi drejtori më vete me një kolektiv të plotë arsimor, të gjithë me arsim përkatës.
Pas viteve ‘70 shkolla e Kallaratit mori fizionominë e saj të vërtetë. Ajo arsimoi të gjithë fëmijët me arsim 8-vjeçar ditën, por edhe në mbrëmje me korrespodencë. Shumë nga nxënësit që mbaronin 8-vjeçaren, kanë mbaruar të mesmen e të lartën.
Në vitin 1990 niveli arsimor i popullsisë që banonte në fshat ishte me arsim 8-vjeçar 75%, me arsim të mesëm e të lartë 25%; 66,6% e familjeve kishin nga 1 deri në 3 anëtarë me arsim të mesëm ose të të lartë.
Godina e re e shkollës, filloi të ndërtohej në vitin 1985 dhe në shtatorin vitit 1986, në prag të 70-vjetorit të çeljes së shkollës shqipe, në Kallarat nxënësit u ulën në shkollën e tyre të re, të pajisur më së miri mjete mësimore dhe me laboratorë të kohës.
Në vitin 1990 në fshat, si kudo në Shqipëri fryu era e “Demokracisë”, era e lirisë së fjalës dhe lirisë së lëvizjes. Shumë kallaratas dhe familje u larguan nga fshati në kërkim të një jete më të mirë. Kjo solli jo vetëm “tkurrjen” e fshatit, por edhe rënien e ndjeshme të numrit të fëmijëve në shkollë.
Në periudhën 90-vjeçare të jetës së saj (1916–2006), shkolla ajo ka funksionuar rregullisht 74 vjet. Në të kanë dhënë mësim 98 mësues e mësuese, nga këta 33 vendas dhe 65 që vinin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë: Shkodra, Korça, Kavaja, Vlora, Saranda si dhe nga fshatra e krahina të tjera.
Niveli i tyre arsimor ka përkuar me kushtet e zhvillimit historik të arsimit në Shqipëri. Kanë qenë me kurse e arsim jo profesional 28, me arsim të plotë pedagogjik 38, me institute dhe universitet 32 mësues.
Në numrin e madh të mësuesve që kanë dhënë mësim në shkollën tonë kanë qenë bijtë e këtij fshati: Bilal Breshanaj e Hamit Muharremaj që dhanë mësim 25 vjet, ndërsa Violeta Xhaferraj 35 vjet. Ata u dalluan si mësimdhënës me nivel metodiko-shkencor, por edhe si veprimtarë shoqërorë në jetën e fshatit. Po kështu, edhe mësuesit jovendës Feti Mezini, Ali Sadiku, Izmini Begaj e Vesel Habili dhanë mësim në Kallarat rreth 10–15 vjet.
Në periudhën 1916–2006 në këtë shkollë kanë mësuar 1245 nxënës, nga të cilët 625 kanë mbaruar arsimin e plotë 8-vjeçar. Në vite, shumë nxënës vijuan shkollat e mesme e të larta dhe i shërbyen atdheut në fronte të ndryshme.
Shkolla e Kallaratit pas çlirimit ka pasur vartësi të ndryshme. Kështu nga viti 1945 deri më 1949 ka qenë në varësi të rrethit të Gjirokastrës; nga viti 1950 deri 1961 të rrethit të Vlorës dhe drejtoria e shkollës së Horës, Vranisht; nga viti 1962 deri 1965 po nga Vlora dhe drejtoria e shkollës së Bolenës; nga viti 1966 deri më 2004 me drejtori më vete dhe varësi nga seksioni i arsimit, Vlorë. Në vitin 2004 me rënien e numrit të nxënësve, drejtoria e shkollës 8-vjeçare suprimohet dhe klasat u bashkuan nga katër në një, si cikli i ulët ashtu edhe cikli i lartë, deri në mbylljen e saj në vitin 2006.
Drejtorë të shkollës “Mumin Selami” në Kallarat në vite kanë qenë: drejtori i parë Lumturi Godaj nga Kuçi, nga viti 1966–1970; Çize Xhaferaj 20 vjet nga viti 1970 deri 1990; Lefter Hysaj nag viti 1990 deri 1997; Vojo Davacaj nga viti 1997 deri 2000; Violeta Xhaferaj nga viti 2000 deri 2004 dhe nga 2004 deri në vitin 2006 që shkolla u mbyll, nga Eglantina Demiraj, por në rolin e përgjegjëses, pasi drejtoria qe shkrirë në vitin 2004.
Në vitin 2006, pas 74 vitesh të plota të funksionimit, shkolla për arsye të uljes së numrit të nxënësve u mbyll, me shpresën se një ditë ajo do të rihapet përsëri.
Nga viti 2006 e në vijim fëmijët kallaratas të çdo klase e zhvillojnë mësimin në shkollën e Vranishtit në Horë, ku pushteti lokal ka zgjidhur transportin e tyre me furgon.
REFLEKTIME PAS FESTIMIT TE 100 VJETORIT TË SHKOLLËS
100-vjetori i shkollës së parë shqipe në Kallarat u festua me madhështi e krenari, por pyetjet që na vijnë ndërmend pas këtij festimi janë:
A do të rihapet një ditë shkolla? Kjo është një pyetje që me të drejtë shtrohet nga të gjithë. Dëshira e çdo kallaratasi, jo vetëm e atyre që banojnë atje dhe që kanë fëmijë për të shkolluar, por edhe e kujtdo tjetër, do të ishte që shkolla të rihapej sa më parë. Përveçse për fëmijët që do të kishin shkollën në fshatin e tyre dhe do të ndiheshim më krenarë e më të motivuar, ajo do të ndikonte së tepërmi në gjallërimin e jetës artistike e kulturore në fshat, pasi aktualisht nuk ka asnjë strukturë tjetër shtetërore. Natyrisht, kjo nuk varet nga dëshira, pasi, që një shkollë të funksionojë, ka edhe disa kritere e rregulla të përcaktuara, ku kryesore është sigurimi i numrit të nxënësve. Të jemi realistë, tani për tani hapja e shkollës është e pamundur. Por le të shpresojmë se një ditë ajo do të hapet, me rregullimin e rrugës, por edhe me rikthimin e atyre që sot janë në emigracion.
Po me ndërtesën e shkollës çfarë do të bëhet? Në 100-vjetorin e shkollës që sapo festuam, besoj se do të ishte e udhës të bëhej edhe një vizitë te godina e shkollës, te ajo shkollë në bankat e së cilës ishin ulur me qindra nxënës. Por në gjendjen që ajo ishte kthyer, nuk ia vlente. Që nga mbyllja në vitin 2006 ajo vjen duke u degraduar. Askush nuk kujdeset më për të, as pushteti lokal, as drejtoria arsimore, as vetë fshati, përveç disave që u dhimbset, sidomos ish-mësuesve dhe banorëve të vjetër, që ia dinë vlerën se çfarë mundi e djerse është derdhur ndër vite për atë shkollë. Po çfarë duhet bërë? A duhet që deri në krijimin e mundësisë për t’u rihapur, gjë që nuk duket të jetë e afërt, të qëndrojë në atë gjendje? A duhet që një vatër e dijes dhe kulturës të kthehet në një stallë për bagëtitë? Patjetër që jo. Në mënyrë urgjente duhet të ndryshojë. Po nga kush? A e kanë fuqinë dhe mundësinë vetë banorët? Sigurisht që jo. Atëherë kush? Patjetër që përgjegjësia është e pushtetit lokal. Ai duhet mendojë, pasi edhe fizikisht edhe pse jashtë funksionit, ndërtesa e shkollës është pronë e tij.
Nëse ajo nuk mund të funksionojë si shkollë, për çfarë tjetër mund të përdoret? Së pari, le t’i kërkohen Bashkisë fonde që shkolla të rikonstruktohet duke ruajtur planimetrinë e mëparshme. E dyta, për aq kohë sa nuk do të ketë nxënës të mjaftueshëm që shkolla të rihapet, le të kthehet godina e saj në një lloj qendre kulturore dhe historike, që të përfshijë muzeun e fshatit dhe të shkollës, si dhe zyra për takime e mbledhje. Pas ristrukturimit nga Bashkia, atëherë vetë ne kallaratasit me ndonjë sponsorizim të dikujt, le të ngremë idenë e kthimit në muze për fshatin, pse jo me dëshirën e Bashkisë edhe për krejt zonën. Çfarë duhet të investojë shteti (bashkia) më vonë? Të punësojë një njeri për mirëmbajtje e ciceron, që mund të ishte një ish-mësues apo edhe profesion tjetër plus një roje dhe kaq. Këta dy punonjës me një pagesë simbolike mund të shtohen në organiken e administratës në Vranisht.
Kjo është një ide, e cila mund të saktësohet hap pas hapi, duke marrë mendimin e banorëve por edhe të specialistëve të fushës, gjë që mund të bëhet, në radhë të parë, duke rënë dakord ne vetë si fshat e si shoqatë. Le të ndërgjegjësojmë edhe opinionin në medie, fillimisht te gazeta jonë, po pse jo edhe në një televizion lokal të Vlorës. Dërgimi i një kërkese Bashkisë së Himarës, Ministrisë së Arsimit, mbështetje te deputeti i zonës, po qe nevoja kërkesë edhe kryeministrit, këta mund të jenë hapat e mëvonshëm.
Po e mbyllim këtë shkrim me shpresën se një ditë shkolla do hapë sërish dyert e saj dhe atje do të gumëzhijnë si dikur zërat e fëmijëve kallaratas.
Mire u takofshim në takime dhe festa të tjera!
Pergatiti per faqen www.kallarati.com & gazeten “Kallarati” Besnik GJONBRATAJ