Këtu pihet, Kasua e ka mjekrën prift,
prift nuk është, as shkrimtar,
si shkrimtar të rrëfen për Disenë, që dikur…
“Dikur, prej kohërash që s’mbahen mendtë
paska zbarkuar në fshatin tonë buzë detit,
aty qenka martuar me një perí..,
Lenie, Lenie ia thoshin emrin…!”,
thotë, duke pirë rakinë e holluar me ujë,
gjuha e Ladit zgjohet,
pi birrë zhytur brenda vetes.
“Vetvetja kafshoka më keq se buldogu i Baçit!”,
thotë papritur,
Baçi ka dy djem, pi vetëm verë të bardhë,
të bardhë e ka këmishën, jo zemrën.
“Zemra, ku kështu, kaq e pispillosur?!”,
i bërtet Baçi, Melihasë,
Melihaja çupë e plakur, s’kthen as kokë,
koka tullace e Nakos hyn e qeshur,
të qeshin qelqet mbi tavolina,
të përshëndeturat janë bërë tapë,
Nakua fillon me një dopio,
dopio i ka qejf dhe sharjet dhe thashethemet,
thashethemet u hypin ca aeroplanëve të padukshëm
që padukshmërisht zbarkojnë mbi gota.
2010
Nga Andi Meçaj