NË VEND TË NJË LETRE, nga Xhelo Dautaj

GJUHËTARIT TË  SHQUAR PROF. Dr. RAMI MEMUSHAJ

 I dashur Rami!

E ndiej si një detyrim moral,por edhe vëllazëror të të falënderoj nga zemra për dhuratën e mrekullueshme, veprën “Histori e Kurveleshit” 1, botim TOENA, Tiranë 2004.

 Unë më 1946 kam punuar një vit në Kurvelesh me Organizatën e Rinisë, prandaj i di mirë të gjitha fshatrat e vendet e të dyja krahinave të Kurveleshit që ju me aq mjeshtëri e hollësi i përshkruani. I kam shkelur shumë herë dhe ruaj kujtime,ndërsa disa prej familjeve i kam njohur e iu kam shkuar edhe në shtëpi, si Hajnajt në Lekdush. Puna me Rininë më shpinte  edhe në Progonat, Gusmar, Nivicë, Rexhin, Vërmik, Golëm, Kaparjel, Kuç, Fterrë, Çorraj edhe në Bolenë. Njërin nga fisi i Runajve e kam në lagje, jemi miq.

Duke lexuar librin, u preka, ndieja mall të madh e dashuri të pakufishme për atë popull kreshnik e bujar dhe për ato male të larta fole shqiponjash.

Ju admiroj për studimet e shumta e për punën e thellë që keni bërë. Libri më pëlqeu dhe më rrëmbeu: së pari, për stilin e rrjedhshëm e tërheqës; së dyti se ishte histori e krahinës sonë me shumë tradita të bukura, të shkëlqyera.

Vetëm e thjesht si lexues shfaq mendimin se me këtë vepër të përkryer, ju Kurveleshit i kini ngritur një monument madhështor të përjetshëm, duke e vendosur nderin dhe krenarinë labe në piedestalin e lavdisë. Është një vepër e veçantë, e mrekullueshme dhe frymëzuese për të gjithë brezat. Pra, jini një krijues me shumë talent, sa që emri juaj sot dhe nga pasardhësit nesër, përmendet e do përmendet vetëm për mirë.

 Nisur qysh nga thellësia e lashtësisë, duke e ndjekur në mënyrë kronologjike ecurinë e zhvillimit historik e ekonomik të formacioneve shoqërore përmes fakteve e argumenteve shkencore, përgjithësimeve filozofike, hidhet dritë e plotë për shekuj me radhë dhe për breza luftëtarësh. Njëkohësisht na vjen e freskët edhe jehona e gjëmimit të betejave heroike dhe e qëndresës legjendare kurveleshase për liri e dinjitet kundër hordhive të armiqve të shumtë.

 Kurveleshi, si një kala gjigante natyrore e vatër e zjarrtë, me një popull luftëtar e trim, ka luajtur në çdo kohë rolin e katalizatorit për krahinat e tjera, në kuvende për bashkim, qëndresë e fitore. Edhe në LANÇ qëndroi heroikisht e i bashkuar në ballë të stuhisë e rrebeshit fashist e nazist.

 Vepra “Historia e Kurveleshit, e thurur me mjeshtëri, hap horizonte njohëse për periudhën që trajton dhe rrezaton kulturë të gjerë. Ajo kërkon një studim të vëmendshëm e të thellë nga lexuesi për të rrokur boshtin atdhetar e historik që përshkon veprën. Për vlerat e shumta shkencore, filozofike e historike që mbart vepra “Historia e Kurveleshit” është një thesar që hyn në fondin e artë të historisë sonë kombëtare.

Ne kallaratasit jemi krenarë që një bir i fshatit tonë është ngjitur e shkëlqen .në kupolën e shkencës shqiptare. Kemi arsye të besojmë se në bibliotekat tona, krahas veprave të deritanishme si “Himara”,  “Historia e Kurveleshit”,  “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” etj, do të zënë vend edhe të tjera vepra dinjitoze nga ajo penë.

  Me respekt, 

Xhelo DAUTAJ

Botuar ne gazeten Kallarati, KALLARATI  Nr. 58, korrik-gusht 2011

Next Post

MIRËNJOHJE ENVER STRATAJT PËR “BIOGRAFINË” E FSHATIT TONË

Sht Gus 11 , 2012
 Në gazetën “Kallarati” Nr. 46 u botua një shkrim imi me titull: “Cila penë ?”, në të cilin ndër të tjera thuhej: “Kallarati…meriton të ketë historikun e tij të shkruar…Se cili autor do marrë përsipër këtë detyrë nderi, nuk e dimë, por kemi besim…se me siguri do na jepet një […]