NINULLË, POEZI

Andi Meçaj

Ai iku, mbylli derën,

jo, dera e mbylli atë.

Rruga me shami në duar, (duke e tundur),

e përcolli gjer tek deti,

jo, shamia me rrugën në duar, (duke e tundur),

e përcolli gjer tek deti.

Deti me pulëbardhat e zeza dhe

kapelen e kuqe, e futi në anije,

jo, pulëbardhat e zeza dhe kapelja e kuqe

me detin, e futën në anije.

 

Anija u përkund,

u përkundën dhe duart e nënës.

 

Nga Andi Meçaj