Një ditë nuk do të jemi
As unë, as ti.
Sigurisht, atëhere as do dashurohemi,
As do grindemi si tani.
Do të jemi dy copa mjegulle,
që lëvizin pa kuptim
Nuk do të presim mëngjesin
për t’u pajtuar
Për grindjen e mbrëmjes
Se mëngjese nuk do të ketë për ne të dy.
Do të bëhemi të urtë
në botën e përtejme
Të lehtë si shkuma,
Të rëndë si plumbi
Me një sovranitet të çuditshëm,
të paprekshëm,
Që të na kenë zili të gjallët grindavecë,
Që nuk e kuptojnë ç’do të thotë
TË KESH QENË, TË KESH DASHURUAR
Tani që je i panevojshëm për askënd
Në mbretërinë e mosasgjësimit
Ku sinjalet, zërat, thirrjet
Nuk kanë asnjë efekt
Dhe shpirtrat do braktisin kufomat tona
E do shkojnë kushedi ku
Në formën e avullit apo të tymit…
Ne asnjëherë nuk do kemi qenë.
Petrit Qejvani