Lindi më 15 gusht 1890 në Bolenë. U martua në Kallarat me Selam Barjamin, hoxhë i fshatit. Rinia dhe mosha e mesme e saj përkojnë me periudhën e ngjarjeve të rëndësishme për fatet e Kurveleshit dhe të mbarë atdheut. Këto ngjarje, sidomos pushtimi fashist i vendit, ndikuan fuqishëm në mbrujtjen e saj me ndjenja atdhetare. Bisedat me të birin, Muminin, gjatë kohës që ai qe i internuar në Kallarat, i çelën sytë mëmë Duzes, duke bërë t’i shtohej urrejtja për pushtuesit e t’i forcohej bindja se fashizmi ishte për vendin si një murtajë e keqe, që duhej zhdukur me luftë.
Ajo ishte e sigurt se djali i saj kishte zgjedhur rrugën e duhur dhe i jepte të drejtë atij, duke ia mbështetur mendimet dhe veprimtarinë kundër fashizmit, pa iu trembur syri nga asgjë. Vdekja e djalit ia shtoi edhe më tepër urrejtjen për fashistët mëmë Duzes dhe ia rriti vendosmërinë për të luftuar kundër tyre. Ajo përshkoi gjithë fshatrat e Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, duke ua ngritur peshë zemrat njerëzve me fjalën e saj të zjarrtë. “Detyra e mëmave është t’i shtyjnë bijtë e tyre në luftën e madhe për të fituar lirinë, për të fituar historinë e Shqipërisë”,– u bënte ajo thirrje nënave shqiptare. Ajo u bë një agjitatore e flaktë që, me shembullin dhe fjalën e saj, ngrinte lart moralin e njerëzve edhe në momentet e vështira të operacioneve fashisto-naziste.
Qysh në ato vite emri i mëmë Duzes u bë i njohur në tërë Labërinë dhe, më pastaj, në gjithë Shqipërinë. Në Kongresin I të BGSH, të mbajtur në Berat në tetor 1944, ajo mori pjesë si delegate e ish-qarkut të Gjirokastrës dhe u zgjodh anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të BGASH-it.
Edhe pas Çlirimit ajo nuk e ndërpreu veprimtarinë e saj shoqërore, mori pjesë. Edhe pse në moshë të thyer, ajo punoi krahas të rinjve e të rejave për rindërtimin e shtëpive të djegura e të shkatërruara dhe mori pjesë në aksionet kombëtare të rinisë. Kur më 1949 u zgjodh deputete në legjislaturën e dytë të Kuvendit Popullor, mëmë Duzja ndodhej vullnetare në hekurudhën Peqin–Elbasan.
Mëmë Duzja mori pjesë edhe në delegacione jashtë vendit, duke përfaqësuar denjësisht gruan shqiptare dhe nënat e dëshmorëve e të heronjve.
Për veprimtarinë e shquar atdhetare, mëmë Duzja është nderuar me shumë dekorata e medalje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Marre nga Libri “Enciklopedia e Kurveleshit”