SPIRO LASKA (Piqeras)
Emigrimi i piqerasiotëve në Villa Badessa
Emigrimi i 18 familjeve piqerasiote [1] u bë pas sulmeve dhe grabitjeve nga myslimanët e Golemit, Çorrajit dhe Borshit, të cilët sulmuan fshatin më 6 dhjetor 1742 dhe pas 6 ditë luftimesh u detyruan të largohen duke lënë 27 të vrarë, ndërsa nga piqerasiotët vetëm dy të plagosur.
Braktisja e fshatit u organizua nga Spiro Andrea, duke kaluar nga Piqerasi në Lukovë, në gjirin mbi Sarandë, e më tej me varka lundruan për në Korfuz. Nga këtu një pjesë u shpërndanë në ishujt e Jonit dhe në Greqi, kurse më të shumtit shkuan në ishullin Othon, ku do të prisnin anijen veneciane që do t’i transportonte në Brindizi.
Ata qëndruan rreth njëmbëdhjetë muaj në Pulja, por, duke mos e gjetur veten aty ku i kishin vendosur, kërkuan një sistemim më të mirë.
Vendosja e komunitetit piqerasiot në Villa Badessa u realizua dhe me kërkesën e oficerëve dhe ushtarëve piqerasiot të rekrutuar në Regjimentin Real Makedon, të cilët i kërkuan mbretit Karli III të Napolit, të ndihmoheshin për të sjell familjet në Itali, që të shpëtojin nga shtypja dhe reprezaljet turke, presionit për t’i islamizuar dhe sulmeve të vazhdueshme të lebërve myslimanë, që i grabisnin banorët e krishterë të bregdetit. Bile kapiteni Kostantin Vlasi i Regjimentit Maqedono-Ilir, refuzoi rrogat, me kusht, që Mbreti Karli Burbon të lejonte vendosjen e familjeve të tyre në mbretërinë e Napolit. Mbreti Karli e miratoi kërkesën e tyre, madje dhuroi 3000 dukate ari për shpenzimet e udhëtimit.
Më 28 tetor 1743, grupi me 73 pjestarë të 18 familjeve piqerasiote, u nisën nga Brindizi për në Pianella të Peskarës në Abruco. Pas udhëtimit që zgjati dy javë, të shoqëruar nga piqerasiotët pjesëmarrës të batalionit Real Maqedon, Demetrio Mikeli, Kostantin Vlashi dhe Gjon Pali, të martën e 12 nëntorit 1743, arrijtën në Pianella dhe u sistemuan në Bakuko, në pallatin Farnese.
Trojet që iu dhuruan piqerasiotëve, nga mbretit Karl III Borbon, ishin në Abbadessa (arbëreshët e quajnë Badessa dhe Badesha) dhe në Piana di Coccia (Koçia), dy lagje që ndaheshin nga lumi Nora. Në këto troje u vendosën 18 familje, me 73 persona (27 burra, 28 gra dhe 18 fëmijë), të cilët u regjistruan si qytetarë të mbretërsisë së Napolit.
Emigrimi i 18 familjeve piqerasiote në vitin 1742, krijoi një zbrazëtirë dhe rrudhosje të banorëve të tij. Shumë shtëpi, toka, ullishte dhe bagëti u braktisën, pasi emigroi pjesa më rinore e popullsisë, duke ngelur në Piqeras mosha e thyer dhe e pa mundur, e përfaqësuar nga 11 fise [2]. Kjo situatë vazhdoi për rreth 70-80 vjet, deri në gjysmën e parë të shekullit XIX. Nga vitet 1820 deri në vitet 1880 kemi ripopullimin e Piqerasit nga 42 fise të ardhura, të cilat ndërtuan banesat e tyre në Lagjen Varre, Rimin e Dedase dhe Lagjen Maja e Hasit. Ky popullim vazhdoi me ritme me të vogla edhe gjatë shekullit XX.
Kriptokristianizmi dhe islamizimi Kallaratit
Një nga format e rezistencës për mospranimin e fesë myslimane, ishte krishtërimi i fshehtë ose kriptokristianizmi, i cili përfaqësonte një gjendje kalimtare, ku islami pranohej vetëm formalisht, për të shmangur pagesën e taksave, sigurimin e privilegjeve dhe trajtimin e diferencuar. Që e tërë familja të përjashtohej nga taksat si e krishterë, mjaftonte të kthehej në mysliman kryefamiljari ose djali i madh i shtëpisë. Në publik ata mbanin emra mysliman dhe shkonin në xhami, kurse në familje ata ushtronin ritet e krishtera.
Aplikimi në këtë mënyrë, të jepte dhe përshtypjen e gabuar, se fshatra dhe zona të tëra ishin komplet të islamizuara, por në fakt feja kristiane ruhej fshehtas. Kisha ortodokse e lejonte kriptokristianizmin, për të ndjekur ritet e krishtera fshehtas.
Kristianizmi i fshehtë, si fazë kalimtare, gradualisht morri fund në gjysmën e dytë të të shekullit XIX, ku të krishterët e fshehtë pushuan së bëri një jetë të dyfishtë. Ata ose pranuan përfundimisht të bëheshin myslimanë, ose të emigronin në fshatrat kristine, për të ruajtur besimin. Në këtë mënyrë, u krijuan zonat me popullsi myslimne dhe zonat me popullsi të krishtere, ndërsa në qytete u krijuan lagje myslimane dhe lagje të krishtera.
Në mesin e shek. XVIII në gjithë Labërinë, kishin mbetur pa u myslimanizuar fise në fshatrat e Kurveleshit, të cilët ishin gjithmonë në aleancë me Bregdetin. Kjo vërtetohet edhe nga letra dërguar careshës Elisabeta Petrovna, nga banorët e Himarës më 1759 [3], e firmosur jo vetëm nga fshatrat e Bregut të Detit, por edhe nga 30 fshatra në brendësi, duke filluar nga Dukati, Kurveleshi i Poshtëm, i Sipërm, Rrëzoma e deri në Tepelenë. Kjo tregon se këto fshatra, megjithëse zyrtarisht, në pjesën më të madhe ishin islamizuar, në fakt ato ruanin fenë kristiane, duke zbatuar kriptokristianizmin, pasi ishin të gatshëm për të kaluar në fenë e të parëve. Për këtë ata shkruajnë në letër: “Vlen të theksojmë së besimi ynë është ortodoksia, na udhëzon një Peshkop dhe shpirtërisht i jemi nënshtruar Patriarkut të Kostandinopojës”. Dhe më tej ata shkruajnë se: “jemi të gatshëm të nxjerrim 20 000 burra të aftë për luftë”.
Për islamizimin e fshatrave në brendësi të krahinës së Himarës, rolin kryesor e luajti Ali Pashë Tepelena, i cili, me nënshtrimin e Bregut të Poshtëm deri në Palermo, morri masa për forcimin e pozitave të tij në këtë krahinë. Më 1798 Ali Pasha bëri rindërtimin e Kalasë së Sopotit, duke e përfshirë në Pashallëkun e Janinës [4], si dhe ndërtoi kalanë e Portopalermos më 1804. Pas vitit 1804, Ali Pasha i shtoi presionet për myslimanizimin e Fterrës dhe të Kuçit, duke i kërcënuar se do t’u digjte fshatin [5]. Tmerri që pësuan fqinjët e Bregut, i bëri kuçiotët ta pranonin kushtin e vënë nga Pashai, duke rënë nën pushtetin e tij [6]. Deri më 1812, Kuçi kishte afro njëqind familje ortodokse, të cilat u konvertuan, pas kërcënimit të Ali Pashait se do t’u digjte shtëpitë [7]. Madje Zenel Gjoleka, heroi popullor i Shqipërisë së Jugut, ka lindur kristian më 1806, i njohur si i biri i Gjon Lekës [8]. Pas Kuçit i erdhi rradha dhe Kallaratit.
Kovertimi në fenë myslimane me ndërgjegje nuk mund të bëhej brenda një dite, kështu që edhe besimtarët e fesë kristiane, ndonse zyrtarisht u myslimanizuan, ata vazhdojin të aplikojin kriptokristianizmin, deri në momentin kur nuk mund të vazhdojin më me këtë gjendje të dyzuar.
Kjo vërtetohet në fshatin Piqeras, ku gjatë shekullit XIX erdhën 34 fise nga labëria dhe vende të tjera, nga të cilat 21 fise ishin nga Kallarati të cilat u vendosën përfundimisht në Piqeras.
Fiset e ardhura nga Kallarati, për mbiemër fisi, një pjesë mori emrin e të parit të tyre të vendosur në Piqeras, si Konomi, Nesturi, Nikolla, Paskali, Qendro, Qirici, Veçi; një pjesë mbajtën emrin mysliman të trashëguar nga Kallarati si Ali, Xhani, Memo, Çeço; dhe pjesa tjetër ruajti mbiemrin që kishin trashëguar nga Kallarati sipas mëhallëve dhe vëllezërive si Boçi, Gjini, Janji, Petani, Kondi, Naka, Qesari.
Nga memorja e fisit Qendro kujtohet se i pari tyre Ali Kallarati, i ardhur në Piqeras rreth viteve 20-30 të shekullit XVIII, i vajtën për vizitë vëllezërit e tij nga Kallarati për të verifikuar në se e ruante fenë islame. Vizita e tyre u bë ditën e të Premtes së Zezë të Pashkës së Madhe, ku besimtarët atë ditë nuk duhej të konsumonin asnjë ushqim përveç ujit. Kjo e vuri në pozitë të vështirë Aliun. Megjithatë ai në kundërshtim me besimin, i detyruar, vuri një mish në hell për të pritur vëllezërit. Vëllëzërit pasi konsumuan një drekë të bollëshme, i dhanë lamtumirën vëllait të tyre, me mendimin se ai e ruante besimin mysliman. Sot ky fis quhet fisi Qendro, nga emri i djalit të Aliut që quhej Qendro.
Disa vëllazëri të migruara në fshatin Kallarat:
– “Gjombrataj (Bunecaj), të ardhur nga fshati Bunec i Sarandës, mbështetur në mëhallën e Gjinase.” [9]
Fshati Bunec i pozicionuar përball fshatit Sasaj, i ndarë nga një lum me të njejtin emër, sot është i shuar, ku vrojtohen mure shtëpisë, brezare me mure mbajtëse, të mbuluara nga një pyll i harlisur. Sot emri Bunec trashëgohet si toponim: fshati Bunec, lumi Bunecit, kroi Binecit, kopshtet e Bunecit etj. Ky fshat u braktis në mesin e shekullit XVIII nga rënia e kolerës dhe deri në fund të këtij shekullit ky fshat ishte i boshatisur plotësisht, banorët e së cilës, ata që mbijetuan, shkuan në Greqi, fshatrat e Bregdetit, si dhe në Kallarat.
Emigrimi në Kallarat e vëllezërisë Gjombrataj (bunecaj) duhet të ketë ndodhur në fillim të gjysmës së dytë të shekullit XVIII (1760-1770).
– “Petanaj, të ardhur nga fshati Matohasanaj i Tepelenës dhe mbështetur në mëhallën e Mitërgjine.” [10]
Po ky fis i ardhur nga fshati Kallarat në Piqeras, sot figuron i shuar, ndoshta nga një mërgim tjetër ose shuarje nga zhvillimi në linjë femrore. Sot ky emër fisi ruhet në kujtesën popullore si dhe në trajtë toponimesh.
– “Janjaj, të ardhur nga fshati Janjar i Sarandës” [11].
Ky fis i ardhur nga fshati Kallarat në Piqeras, në fillim të gjysmës së dytë të shekullit XVIII (1750-1760), ka qënë prezent deri në mesin e shekullit XX, i shuajtur për shkak të zhvillimit në linjë femrore dhe mërgimit të një dege, e cila sot ndodhet në Amerikë. Shtëpitë e këtij fisi ekzistojnë edhe sot në Piqeras.
Fiset piqerasiote që lidhen me Mëhallët dhe Vëllazërit në Kallarat
– “Mëhalla e Gjokone: vëllezëritë … Kondi … Qesari …” [12]
Fiset Kondi dhe Qesari ekzistojnë edhe sot në Piqeras, ardhja e të cilëve ka ndodhur afërsishr në gjysmën e parë të shekullit XIX (1820-1840). Sipas memorjes, fiset Qendro, Konomi, Kondi, Qesarai, Qirici dhe Alia, i thërrisnin njëri tjetrit “kushëri”. Kjo sepse ata i përkisnin një vëllezërie: Gjokone.
– “Mëhalla e Qesërajve: vëllezëritë …. Janjaj …. Boçaj … Thanasi.” [13]
Fiset Janjaj, Boçaj dhe Thanasi janë fise që kanë ekzistuar në Piqeras, e që i përkasin mëhallës të Qesërajve të fshatit Kallarat. Fisi Boçi është prezent edhe në ditët e sotëme, kurse fisi Janji dhe Thanasi janë të shuar, por që ekzistojnë banesat e tyre, të cilat i trashëgojnë pasardhësit në linjë femr
-“Mëhalla e Mërtigjine: vëllezëritë Petanaj…..” [14].
Fisi Petanaj ka ekzistuar në Piqeras, por që sot është i shuar. Ekziston vetëm në memorien e fshatit dhe si toponim.
– “Mëhalla Gjinase: ….” [15].
Nga kjo Mëhallë në Piqeras kemi fisin Gjini (II) i cili është prezent edhe sot.
Toponime të përbashkëta të Kallaratit dhe Piqerasit
– “Basharet e Abedinit (Ara)” [16]. Në Piqeras kemi toponimin thjesht me emrin Basharet.
– “Bathisht e Llane (Arë)” [17]. Në Piqeras kemi toponimet Bathishtë (arë) dhe Përroi i Bathishtës.
– “Burimi Morrezës (Krua)” [18]. Në Piqeras kemi të njëjtin toponim: Burimi Morëzës.
– “Gryk e Moçalit (Grykë)” [19]. Në piqeras kemi toponimin Moçale.
– “Mërtibratet (Ara)” [20]. Në Piqeras kemi toponimin Hize Brate.
– “Përroi Brate (Përrua)” [21]. Në Piqeras kemi toponimin Hize Brate.
– “Përroi Honit (Përrua)” [22]. Në Piqeras kemi të njëjtin toponim Përroi Honit.
– “Rrepet (Masiv rrepesh)” [23]. Në Piqeras kemi toponimin Rrepet e Alie dhe Rrapth.
– “Fusha Naka dhe ura e Nakes. Në Piqeras ekziston edhe sot Fisi Naka.
– “Fisi Gjonbrataj” ekziston edhe sot në Kallarat. Në Piqeras kemi vetëm toponimin ullishte “Xhobrat” (Gjonbrati) e cila ka qënë pronë e Fisit Ali të ardhur nga Kallarati
Fiset piqerasiote të ardhura nga Kallarati.
Migrimi i Fiseve nga fshati Kallarat dhe të vendosura në Piqeras, e ka zanafillën që në shekullin XVIII (1720-1750) të përfaqësuar nga dy fise [24]: Qendro dhe Janji. Ata ishin banorë të fshatit të vjetër Kallarat, të ndërtuar rrëzë Pilingrisë, të cilët ndërtuan banesat e tyre në lagjen Guri Sallakut, e cila përfaqësonte qëndrën e fshatit Piqeras.
Gjatë shekullit të XIX, gjë që korespondon me mbylljen e fazës së kriptokristianizmit, kemi migrimin e 19 fiseve nga Kallarati dhe vendosjen e tyre në fshatin Piqeras, për të ruajtur fenë kristiane.
Në Lagjen Guri Sallakut u vendosën katër fise [25]: Kondi, Qirici, Silivestri dhe Veçi, në periudhën kohore nga viti 1820-1860. Ata ose blenë shtëpi të pa banuara ose truaj ku ndërtuan banesat e tyre.
Në Lagjen Varre u vendosën me banesa nëntë fise [26]: Bitri, Xhani, Konomi, Naka, Paskali, Boçi, Nesturi, Voda dhe Nikollo, në periudhën kohore nga viti 1820-1870. Kjo pjesë që përfshihej ndërmjet Lagjes Guri Sallaku dhe Lagjes Kujth, përfaqësonte një rrugë këmbësore, pjesërisht e pyllëzuar, e cila shërbeu për ndërtimin e banesave të fiseve të përmëndura më lartë. Ndërtimi i banesave u bë në të dya krahët e rrugës ekzistuese, të cilat ekzistojnë edhe sot, e që i trashëgojnë pasardhësit e këtyre fiseve në linjë mashkullore dhe femrore. Fiset Paskali dhe Nesturi sot janë të shuara.
Lagjja Rimi Dedase, u ndërtua vetëm me të ardhurit nga fshati Kallarat, të përfaqësuara nga fiset [27]: Qesari, Çeçi, Ali, Gjini dhe Memi, të cilët u vendosën atje në periudhën kohore 1835 – 1880. Kjo pjesë ishte zgjatim i Lagjes Guri Sallakut dhe përfaqësonte një rrugë pjesërisht të pyllëzuar. Këto fise ekzistojnë edhe sot në Piqeras në banesat etyre të trashëguara.
Në Lagjen Maja e Hasit u vendos vetëm një fis [28]: Thanasi, në periudhën kohore 1830 – 1840. Ky fis sotë është i shuar për shkak të emigrimit në Greqi, dhe banesa e tyre ekziston, të cilën e gëzojnë pasardhësit në linjë femrore.
Literatura:
- Lutfi Alia. Arbërit nga Piqerasi, themeluesit e Villa Badessa
- Spiro Laska. Piqerasi, Gjenealogjia e Fiseve.
- Letra e banorëve të Himarës dërguar careshës së Rusisë Elisabeta Petrovna// Gazeta Shqiptare 21.04.2008
- Minella Gjoni// Bregdeti dhe Ali Pashë Tepelena// faqe 120
- Rami Memushaj// Historia e Kurveleshit// f.
- Rami Memushaj// Historia e Kurveleshit// f.222
- Rami Memushaj// Historia e Kurveleshit// f.229
- Eqerem bej Vlora// Kujtime…. // f.294
- Enver Strati. Historiku i Kallaratit
- Enver Strati. Historiku i Kallaratit
- Enver Strati. Historiku i Kallaratit
- Enver Strati. Historiku i Kallaratit.
- Enver Strati. Historiku i Kallaratit.
- Enver Strati. Historiku i Kallaratit.
- Enver Strati. Historiku i Kallaratit.
- Prof. Dr. Rami Memushi. Toponimet e Kallaratit.
- Prof. Dr. Rami Memushi. Toponimet e Kallaratit.
- Prof. Dr. Rami Memushi. Toponimet e Kallaratit.
- Prof. Dr. Rami Memushi. Toponimet e Kallaratit.
- Prof. Dr. Rami Memushi. Toponimet e Kallaratit.
- Prof. Dr. Rami Memushi. Toponimet e Kallaratit.
- Prof. Dr. Rami Memushi. Toponimet e Kallaratit.
- Prof. Dr. Rami Memushi. Toponimet e Kallaratit.
- Spiro Laska. Piqerasi, Gjenealogjia e Fiseve.
- Spiro Laska. Piqerasi, Gjenealogjia e Fiseve.
- Spiro Laska. Piqerasi, Gjenealogjia e Fiseve.
- Spiro Laska. Piqerasi, Gjenealogjia e Fiseve.
- Spiro Laska. Piqerasi, Gjenealogjia e Fiseve.