HIMARA – NE DRITEN E TE DHENAVE HISTORIKE, GJUHESORE DHE ETNOLOGJIKE.

Himara

 

9 shkurt 2004

Çerçiz LOLOÇI

Auori: RAMI MEMUSHAJ

Titulli: HIMARA –  Në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike.

Formati: 14 x 20 cm.

ISBN: 9992727 1 797 1

Faqe: 206.

Çmimi: 500 leke (4 euro)

Sapo ka dale ne qarkullim njeliber i ri per Himaren, krahinen shqiptare ne bregdetin e jugut te Shqiperise, e cila zuri nje vend qendror ne ngjarjet e tetor-nentorit te vitit te kalur ne jeten politike shqiptare, me rastin e zgjedhjeve vendore.

 

Ky fakt, por jo vetem ku, ka zgjuar nje interes akoma me temadh per shume njerez per te ditur diçka me shume per Himaren dhe banoret e saj.

Duke qenë se aleati më i madh i armiqve të kombit tonë, shprehet autori i librit ne parathenien e librit, në përpjekjet për të na përçarë e për të na larguar nga njëri-tjetri ka qenë kurdoherë padituria, për të shpërndarë mjegullën e paragjykimeve dhe të mëtimeve pa baza historike ndaj Himarës, jane bere përpjekje në këtë libër të ndriçohen prejardhja e himarjotëve, vendi i saj në Labëri, lidhjet tradicionale e historike me krahinat fqinje dhe çfarë e dallon atë prej tyre.

Edhe me gjere ne liber jane trajtuar problemet e pakicave dhe etnive, llojet e tyre, deshmite historike per krahinen e Himares si pjese e Kaonise (ilireve), statusi i saj ne kohen e sundimit romak, bizantin; statusi i saj ne Arberi, Laberi, lidhjet fetare dhe lidhjet e tjera te brendshme tradicionale etj. Nje kapitull i veçante i kushtohet çeshtjes nese ka pakica ne Himare, migrimit dhe shtresace te huaja kulturore, mitologjise dhe besimit, dokeve, zakoneve, folklorit etj. Gjithashtu, autori merret edhe me emrat e njerezve dhe vendeve, gjuhen e himarjoteve, te folmen shqipe dhe greke te Bregdetit te Siperm, si dheme problemin e pakicave gjuhesore ne Himare.

Parathenie nga Rami Memushaj

Pamjet televizive nga zgjedhjet vendore të tetorit që shkoi në qytetin e Himarës na lanë të gjithëve një përshtypje të pakëndshme. Ai manifestim antishqiptar, ku dikush pozonte para kamerave me flamurin grek e dikush shante në një shqipe të pastër atdheun e vet, Shqipërinë, ishte me të vërtet acarues. Por kjo nuk është hera e parë që në Himarë ndodhin skena të tilla. Pavarësisht nga ajo se janë shfaqje të çastit apo të kurdisura, në thelb, ato flasin për një ftohje të himarjotëve me shtetin e tyre. Ky tëhuajësim i ka rrënjët në dështimin e politikave të shtetit kombëtar të djeshëm dhe të sotëm ndaj vendit dhe ndaj kësaj krahine. Pakënaqësitë ndaj shtetit janë gjë e natyrshme, por në Himarë, ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, qarqe të caktuara po i nxitin dhe po i shfrytëzojnë këto pakënaqësi për qëllime të mbrapshta.

 

Pas jehonës që patën në vend ngjarjet e tetor–nëntorit 2003 në bashkinë e Himarës, nuk janë të paktë ata që duan të dinë diçka për Himarën dhe për banorët e saj. Pikërisht, këto ngjarje dhe ndjenjat që ngjallën ato tek njerëzit e thjeshtë, më shërbyen si nxitje t’i vihesha punës për shkrimin e këtij libri, në një përpjekje për të treguar identitetin e himarjotëve.

Aleati më i madh i armiqve të kombit tonë në përpjekjet për të na përçarë e për të na larguar nga njëri-tjetri ka qenë kurdoherë padituria. Kështu ka ndodhur në të kaluarën, kështu po ndodh, për fat të keq, edhe në ditët tona. Shembujt e kësaj injorance janë të shumtë dhe vijnë nga të gjitha krahët e shtresat e popullsisë. Ato i shohim tek i riu që shqyhej para kamerës duke thirrur shqip: «Shqipëria është Alkaeda!»; te vajza e re mbuluar me flamurin grek; tek ai burri i pjekur i lyer me bojë për t’i dëshmuar Greqisë dhe botës “terrorin” e shtetit shqiptar; te qytetari shqiptar që, për të përfituar një trajtim të veçantë prej shtetit grek, thotë dhe e beson vërtet se është vorioepirot; te besimtari ortodoks që vëllezërit myslimanë, me të cilët është i lidhur me një mijë fije, i përbuz dhe i sheh me mosbesim; te politikani që kundërshtarin e vet nga Himara apo nga Jugu e quan grek.

Për të shpërndarë mjegullën e paragjykimeve të tilla dhe të mëtimeve pa baza historike ndaj Himarës, jam përpjekur të ndriçoj prejardhjen e himarjotëve, vendin e saj në Labëri, lidhjet tradicionale e historike me krahinat fqinje dhe çfarë e dallon atë prej tyre. Qëllimi është t’u tregoj lexuesve të thjeshtë, që nuk kanë mundësi të thellohen në libra e shkrime historike, sidomos himarjotëve të trullosur nga propagandat fetare dhe shoviniste, të vërtetën për Himarën. Po, njëherazi, dua t’u jap një përgjigje edhe atyre qarqeve që përpiqen ta paraqitin Himarën si pakicë greke. Se sa ua kam arritur këtyre qëllimeve, këtë ia lë në dorë lexuesit ta gjykojë. Ajo që mund të them, është se e kam shkruar këtë libër me një ndjenjë të thellë dashurie për Himarën, të trashëguar nga prindërit tanë dhe të forcuar nga njohjet dhe miqësitë me himarjotët gjatë viteve të shkollimit e të punës.

Për përgatitjen e librit jam mbështetur në dokumente të botuara dhe në burime arkivore, në një literaturë pak a shumë të pasur historike e gjuhësore, në folklorin e botuar të krahinës, po edhe në materiale gojore të mbledhura prej meje dhe prej të tjerësh në fshatra të Labërisë. Një ndihmë veçanërisht të çmuar më ka dhënë me materialet e tij për Himarën mbledhësi i palodhur i traditës gojore të Labërisë, studiuesi Bardhosh Gaçe, të cilin gjej rastin ta falënderoj thellë nga zemra për bujarinë e treguar.

Te tjera per Himaren

Ndarja e Shqipërisë midis Greqisë dhe Sërbisë është formuluar si platformë politike e këtyre dy shteteve qysh më 1844, në programin grek të “Megali-Idesë” dhe në “Naçertanien” e ministrit sërb Ilia Garashanin. Por mëtimet greke mbi trojet shqiptare ishin nyjëtuar që pa mbaruar lufta për pavarësinë e Greqisë, kur një nga krerët e atëhershëm deklaronte se «kufiri veriperëndimor i Greqisë duhej të ishte lumi i Vjosës» . Pasardhësit e tyre shkuan edhe më tej, duke shpallur se «Shqipëria fillon përtej maleve veriore të Epirit, në qoftë se këto fillojnë nga Vjosa ose Shkumbini», se «Epiri është një vend thjesht grek që i është njohur shtetit grek nga shumë shtete dhe nga një traktat evropian.»

Për t’u dhënë një mbështetje mëtimeve të tyre, qarqet shoviniste greke dhe profesorët në shërbim të tyre janë përpjekur të falsifikojnë historinë dhe të dhënat e autorëve të vjetër mbi Epirin, duke e paraqitur këtë si krahinë krejt helene, të banuar nga fise greke, dhe si një pjesë të pandarë të Greqisë , si dhe të falsifikojnë të dhënat për popullsinë greke të Epirit, duke i numëruar për të tillë edhe ortodoksët shqiptarë. Shtypi grek, nga ana e vet, nga gjysma e dytë e shek. XIX e këndej shpërtheu një fushatë të tërbuar kundër shqiptarëve. Edhe më të papërmbajtur u bënë shovinistët grekë në synimet e tyre ndaj kombësisë shqiptare në fillim të shek. XX., kur në mitingje e në shtyp bëheshin hapur thirrje «për të zhdukur nga faqja e dheut Shqipërinë», për ta shuar «nga hartat gjeografike, duke e zëvendësuar me emërtimin kombëtar Epir» . Kjo konstante e pandryshuar e politikës greke ndaj Shqipërisë i ka sjellë vendit tonë humbjen e një pjese të mirë të trojeve të veta, shumë luftëra, shkatërrime e mjerime.

Përpjekjet për aneksimin e të ashtuquajturit Vorio-Epir, grekët i nisën qysh para Lidhjes së Prizrenit. Sipas një diplomati francez të asaj kohe, qeveria greke kishte filluar të punonte për të përgatitur kushtet për bashkimin e Epirit me Greqinë, duke krijuar komitete dhe duke dërguar agjentë në Epir, të cilët punonin «për të ushqyer frymën për qëndrime që të mundin, kur ta lejojnë rrethanat e favorshme, përmbushjen e kësaj dëshire» . Këto përpjekje morën trajtën e aksioneve ushtarake para dhe veçanërisht në prag të Kongresit të Berlinit. Qeveria greke mendonte të zbarkonte trupa në Himarë, me qëllim që të provokonte një kryengritje prapa kufirit për ta shkëputur nga trungu mëmë zonën nga Himara në Delvinë dhe për ta bashkuar me Greqinë. Për këtë, në gusht 1877, u dërgua fshehurazi në Himarë një agjent, që u takua me kapedanët e Bregdetit dhe u përpoq t’i bindte të lejonin zbarkimin e një kontigjenti grek në Skalomë të Qeparoit. Por qeparotasit i thanë njeriut të grekëve se himarjotët nuk do të linin këmbë greku të shkelte në brigjet e tyre.

Kjo i detyroi grekët ta zhvendosnin aksionin e tyre në Sarandë, ku, më 24 shkurt 1878, zbarkoi një forcë prej 800 “vullnetarësh”, e cila zuri fshatin e Lëkurësit . Ky aksion u thye nga ushtria turke dhe forcat shqiptare të prefekturës së Gjirokastrës, ndërkohë që popullsia e fshatrave të krishtera të pellgut të Delvinës, tek e cila grekët kishin mbështetur shpresa të mëdha, qëndroi në përgjithësi pasive, siç e pohojnë dhe vetë autorët grekë.

Por atë që nuk mundi ta bënte me bandat e andartëve, Greqia e arriti me ndihmën e Fuqive të Mëdha, të cilat në Kongresin e Berlinit pranuan t’i jepnin asaj toka shqiptare për të bërë një shtet të madh grek, që të mund të përballonte Turqinë. Me vendimet e këtij Kongresi, Greqia mori më 1881 një pjesë të trojeve tona jugore, që përfshinte qytetin e Artës me rrethina.

Një pjesë tjetër të tokave shqiptare Greqia e gllabëroi gjatë Luftës Ballkanike, kur ushtritë e saj mësynë në një vijë të gjerë që shkonte nga Llogaraja deri në Pogradec. Ndërsa trupat greke po i afroheshin Janinës, më 19 nëntor 1912, ushtri të rregullta e andartë, nën komandën e majorit himarjot Spiro Milo, zbarkuan në Himarë. Qëllimi ishte të merrej pjesa veriore e të ashtuquajturit Vorio-Epir, dhe kështu copëtimi i Shqipërisë të bëhej një fakt i kryer. Mirëpo në frontin e Himarës forcat greke u gozhduan në vend nga qëndresa e vullnetarëve shqiptarë të Lumit të Vlorës dhe të Kurveleshit, por edhe nga ndikimi i patriotëve himarjotë, që nuk donin konflikt me këto krahina , ndërkohë që në frontin e jugut ato përparuan drejt Janinës, të cilën e morën në mars 1913, duke arritur në kufijtë e sotëm shtetërorë.

Grekët nuk mbetën të kënaqur, por u përpoqën që pjesën tjetër të Shqipërisë së Jugut ta merrnin në Konferencën e Paqes në Paris. Në memorandumin që i paraqiti kësaj Konference në dhjetor 1918, kërkesën për territoret e mbetura të “Epirit të Veriut” Greqia e mbështeste në kriterin fetar. Memorandumi e paraqiste popullsinë ortodokse të rretheve Korçë e Gjirokastër si shumicë dhe atë myslimane si pakicë dhe, sipas tyre, duhej që edhe popullsia myslimane të bashkohej me Greqinë, pasi nuk do të ishte e drejtë që «një pakicë më pak e qytetëruar të shtronte e të sundonte një shumicë me një qytetërim më të lartë».

Meqë Konferenca e Paqes i njohu Shqipërisë kufijtë e vitit 1913, që nuk mund të ndryshoheshin më me forcën e armëve, shteti grek vuri në veprim mjete të tjera, si elementët grekomanë në zonat e minoritetit apo në fshatra grekofone. Më 1920, me largimin e garnizoneve italiane nga Himara, këta elementë grekomanë shpallën sërish “autonominë», duke krijuar edhe një “komitet administrativ”, në krye të të cilit u vu Niko Milua, i vëllai i Spiro Milos.

Ushtritë greke i shkelën sërish tokat shqiptare të Jugut, kur, në ndjekje të trupave fashiste italiane, nuk u ndalën në kufirin shtetëror, por e vendosën vijën e frontit pikërisht aty ku kalon kufiri famëkeq i Vorio-Epirit të tyre, duke treguar me këtë se nuk kishin hequr dorë nga planet e vjetra. Por zhvillimet e mëtejshme të luftës dhe rreshtimi i shqiptarëve në anën e koalicionit antifashist ua dogjën planet.

Me shembjen e regjimit komunist, shpresat e venitura të qarqeve shoviniste greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut janë ngjallur sërish. Gjatë gjithë këtyre 13 vjetëve që nga hapja e Shqipërisë, qeveritë e Athinës po punojnë për zbatimin në Himarë dhe në trevat e jugut që Greqia i quan Vorio-Epir, të një plani me pasoja të rrezikshme për qetësinë dhe stabilitetin e vendit. Disa nga pikat e këtij plani shovinist, që po zbatohet në dritën e diellit dhe në sytë e Bashkimit Europian, të OSBE-së dhe të institucioneve të tjera të Europës së Bashkuar, madje edhe me paratë e taksapaguesve europianë, tashmë janë bërë të njohura.

Kësaj here, për arritjen e synimeve të vjetra, grekët po përdorin kishën, paratë dhe ekspansionin ekonomik. Duke shfrytëzuar varfërinë e shqiptarëve, organizata OMONIA në Shqipëri dhe Sillogu Vorioepirot e Sillogu i Himarës në Greqi punojnë me të gjitha mënyrat e mjetet për arritjen e këtyre qëllimeve. Nuk janë mëshira kristiane dhe humanizmi, po synimet e errëta arsyeja pse shqiptarëve që deklarohen vorioepirotë a himarjotë dhe pajisen nga OMONIA me dokumentin e anëtarësisë, u bëhet në Greqi dhe në zyrat e saj konsullore një trajtim i diferencuar, pse këta kanë përparësi në marrjen e vizave, pse u përsëriten lejet e qëndrimit në Greqi një herë në tre vjet dhe jo një herë në gjashtë muaj si gjithë shqiptarëve të tjerë, pse të moshuarve “vorioepirotë” u paguhen pensione pleqërie etj. Puna ka arritur gjer atje, sa, për të përfituar nga këto privilegje, të shpallen vorioepirotë edhe banorë të zonave historikisht të pastra shqiptare, si Kurveleshi, Lumi i Vlorës etj.

Njerëzit e thjeshtë, të cilëve u janë errur sytë nga varfëria, nuk duan t’i dinë prapavijat dhe pasojat e këtyre veprimeve. Por Greqia po punon me të gjitha mënyrat për ta bërë fakt një provincë të Vorio-Epirit brenda kufijve të Shqipërisë dhe kësaj here jo në planet e strategëve, po të shënuar në tesera anëtarësie dhe në lista, të cilat qeveritë e Athinës i përdorin për të argumentuar shifrat qindra-mijëshe të grekëve në Shqipëri. Strategjia e tyre nuk ka ndryshuar, të ndryshme janë rrugët dhe mjetet për përmbushjen e saj.

Prova më e mirë se grekët nuk kanë hequr dorë nga planet e vjetra, janë ngjarjet në zonën e Himarës gjatë zgjedhjeve të vitit 2000 dhe të tetorit 2003. Mobilizimi dhe dërgimi aty i qindra emigrantëve për të votuar për Partinë e të Drejtave të Njeriut, incidentet e provokuara nga gazetarë e deputetë grekë dhe elementët grekomanë janë dëshmi e taktikave që ndjekin sot qarqet greke. Veprime të tilla arritën pikën kulmore me ngritjen e flamurit grek në qytetin e Himarës, si dhe me deklaratat e Athinës zyrtare se në Himarë «ekziston një popullsi solide greke» dhe se «duhet bërë referendum për ta shpallur minoritet».

Të gjitha këto dëshmojnë qartë se nacionalizmi grek i ditëve tona ka ndryshuar fare pak nga nacionalizmi i 160 vjetëve më parë. Ai nuk është moderuar e nuk është ndikuar aspak nga zhvillimet e reja botërore, duke paraqitur një rrezik real me ëndrrën për ta bërë Greqinë trashëgimtare të Perandorisë Bizantine në Ballkan. Nacionalizmi i këtij shteti me barkun në Europë dhe kokën në Kostantinopojë bëhet edhe më i tejkaluar në kohë sot, kur kombet po synojnë dhe po punojnë për t’u integruar në Europën e Bashkuar. Ajo që të çudit edhe më shumë, është se asnjë prej institucioneve apo politikanëve europianë nuk ka shfaqur as shqetësimin më të vogël për këto veprime të këtij shteti anëtar të Bashkimit Europian.

Në këtë turr të nacionalizmit primitiv grek, janë përfshirë edhe shkencëtarë e profesorë grekë, të cilët, duke injoruar faktet historike ose duke i shtrembëruar ato, dalin në tubime shkencore me mëtime të pambështetura shkencërisht. Historianët dhe gjuhëtarët shqiptarë janë ndeshur me tezat e studiuesve grekë jo vetëm në faqet e shtypit shkencor, por edhe në tubime shkencore ndërkombëtare. Sidomos kolegëve të Universitetit “E. Çabej” të Gjirokastrës u ka qëlluar jo një herë të debatojnë me profesorë të universiteteve greke, të cilët, me një injorancë foshnjore dhe me papërgjegjësi shkencore, flasin për të drejtat e “pakicës etnike greke” të Himarës.

Tiranë, dhjetor 2003

 

Next Post

Mbi vështrimin historik te libri “HIMARA në dritën e të dhënave historike ” nga Dr. Zaho GOLEMI

Sht Maj 19 , 2012
Është mjaft kuptimplote promovimi i “Kurveleshit” së bashku me “Himarën” në një ditë, pse sjell në vëmendjen tuaj pjesën me të tërën, shtëpinë dhe aneksin ose më saktë shtëpinë dhe ballkonin. Po ti referohemi Labërisë si një shtëpi e madhe, si një derë e rëndë e kombit, Himara dhe i […]
ZAHO GOLEMI