Roli i Labërisë në lëvizjen kombëtare për pavarësi, nga Prof. Dr. Rami Memushaj

-Mbajtur në datën 11.11.2012 në aktivitetin e Shoqatës “Labëria”  në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë-

RamiMemushajLëvizjet kombëtare për pavarësi, si rregull, paraprihen nga lëvizje kulturore iluministe. Intelektualët që bëhen promotorë të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, duke iu kthyer periudhave të lavdishme në historinë e popullit të vet, synojnë të zgjojnë nga gjumi masat e gjera dhe t’i hedhin ato në veprime në kërkim të lirisë. Kjo skemë ka funksionuar ashtu si për vendet e tjera të Ballkanit, edhe për Shqipërinë, ndonëse me një diferencë kohore prej gjysmë shekulli.

Në këtë kumtim do të përpiqemi të tregojmë jo rolin e intelektualëve shqiptarë në zgjimin kombëtar dhe në përpjekjet që u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë në vitin 1912, po ndikimin që patën në lindjen e ndjenjave kombëtare tek intelektualët shqiptarë ngjarjet e gjysmës së parë të shek. XIX.  Ndjenjat kombëtare nuk kanë lindur te këta si një frymëzim hyjnor. Pa mohuar rolin e madh të rilindësve në lëvizjen për pavarësi, në dritën e fakteve na duhet të pohojmë se ideja kombëtare ka lindur shumë kohë para se Naum Veqilharxhi të botonte qarkoret e tij, pra para se intelektualët atdhetarë të dilnin si udhëheqës shpirtërorë të lëvizjes.

Epoka e lavdishme e Skënderbeut dhe kryengritjet e pandërprera kundër pushtuesit osman që vijuan edhe pas vdekjes së tij shërbyen që tek shqiptarët të arrihej më shpejt se tek shumë popuj të tjerë perandorisë ajo lidhje shpirtërore që shpie në lindjen e ndjenjës kombëtare. Kjo ndjenjë, sikurse vëren historiani Erik Hobsbaum, tek shqiptarët ka lindur relativisht herët. Prandaj ai i radhit ata ndër popujt «që kanë pasur ndërgjegje të spikatur protonacionaliste»[1].

Copy of Shoqata LaberiaPër këtë flasin fakte të shumta. Në shumë nga librat kushtuar Skënderbeut të botuara në shek. XVI, ky quhet “mbret i Epirit dhe i Arbërisë”. Vetë Skënderbeu mbante titullin “princ i Epirit” (Epirotarum princeps), kur dihet se trojet shqiptare që nga Berati e poshtë ai nuk mundi t’ia bashkonte mbretërisë së tij[2]. Vetë shqiptarët, qysh atëherë, e ndienin veten si një popull i vetëm dhe si nënshtetas të tij. Më 1593, pleqtë e Shqipërisë së Veriut në një letër për papën Klementi VIII shkruajnë: «Na të gjithë së bashku, populli i Shqipërisë, katolikë të fesë romake», dhe «shqiptarët e tjerë të fesë greke, që janë ata të Himarës». Edhe himarjotët qysh në atë kohë ishin të vetëdijshëm se qenë pjesë e një njësie etnike mbikrahinore. Në letrën e vitit 1577 drejtuar Papës, ata e quajnë Skënderbeun «trimi i vlertë, shumë i kthjellëti Skënderbeu, mbreti ynë që quhej Kastrioti»[3], duke e njohur atë si mbret të të gjithë shqiptarëve, në veri dhe në jug të Vjosës. Ashtu si pleqtë e Veriut, himarjotët i dallojnë shqiptarët nga grekët, “Nazione Greca e Albanese” dhe Shqipërinë nga Moreja»[4].

Të vetëdijshëm për përkatësinë shqiptare ishin edhe banorët e trevave më skajore të vendit. Kështu, më 1655, dy pleq 85-vjeçarë, Anton Mazëreku dhe Dhimë Maneshi nga Çamëria, në dëshminë e tyre para gjykatësve të Leçes në Itali për mjerimet që u kishte shkaktuar pushtuesi, e quajnë Skënderbeun “princi i tyre, Gjergj Kastrioti, i quajtur nga të gjithë Skënderbej”[5]. Fakti që banorë të krahinës më jugore të trevave shqiptare, e quajnë Gjegj Kastriotin “princi ynë”, kur ky nuk mundi ta shtrinte pushtetin e tij, është mjaft domethënës. Ai tregon se ndjenja e shqiptarisë nuk ka lindur në shek. XIX, po shekuj më parë. Një dëshmi tjetër më e vonë për këtë është ajo e lordit Hobhauz, i cili më 1809 vizitoi bashkë me Bajronin Ali Pashën në Tepelenë. Duke folur për shqiptarët, ai shkruan: “Kur vendësit e provincave të tjera i pyet se çfarë janë, ata të përgjigjen “jam turk” ose “jam kristian”, ndërsa kur i bën këtë pyetje një banori të këtij vendi, ai të përgjigjet: “Jam shqiptar”. Kombësia, një pasion në të gjitha kohërat më i fortë tek malësorët sesa tek banorët e fushave, është ndjenja më e spikatur në karakterin e tyre.” Pikërisht, ndjenja e kombësisë dhe lidhja e thellë shpirtërore me atdheun që buronte prej saj, i ruajti shqiptarët nga asimilimi.

Kjo ndjenjë ka qenë pa dyshim e fortë në Labëri, një nga tri krahinat e lira të Shqipërisë. Ajo u kthye në ndërgjegje kombëtare që erdhi duke u forcuar për shkak të ngjarjeve të mëdha që tronditën Portën e Lartë në gjysmën e parë të shek. XIX. Shkatërrimi i pashallëkut të Janinës, qe goditja e parë e Portës së Lartë kundër përpjekjeve të feudalëve shqiptarë për shkëputje, që u ndoq nga rënia e pashallëkut të Shkodrës. Këto dy ngjarje, ndonëse në distancë kohore, u përjetuan  nga shqiptarët “si një katastrofë e përgjithshme”[6], por shërbyen edhe që këta ta kuptonin se e ardhmja e tyre nuk ishte me Perandorinë Otomane. Rënia e pashallëqeve shqiptare dhe masat e ethshme të qeverisë turke për kryerjen në Jug të reformave centralizuese, të cilat do t’i lejonin Portës së Lartë të qeveriste me dorë të hekurt, u dhanë të kuptonin feudalëve shqiptarë, se duhet t’u kundërviheshin përpjekjeve këtyre reformave. Në këto rrethana, Ismail bej Vlora, Shahin bej Delvina dhe Iljaz bej Poda thirrën të gjitha krahinat e Toskërisë në një kuvend të jashtëzakonshëm, që u mblodh në Berat më 6 nëntor 1828. Në këtë kuvend u vendos t’i kërkohej Mehmet Reshit pashës të linte postin e qeveritarit të tre sanxhakëve, të largoheshin gjithë nëpunësit turq që kishin ardhur gjatë periudhës 1822–1828, të cilët do të zëvendësoheshin me nëpunës shqiptarë dhe qeverisja e sanxhakut të Vlorës t’i jepej Ismail bej Vlorës, kurse e sanxhakut të Delvinës t’i jepej Shahin bej Delvinës[7]. Kuptohet lehtë që kërkesa për largimin e nëpunësve turq dhe zëvendësimin e tyre me nëpunës shqiptarë nuk bëhej për interesa të ngushtë vetjakë. Ajo ka një karakter të qartë kombëtar. Edhe organi që formoi kuvendi, “Lidhja Shqiptare” e krahinave të Jugut, dëshmon qartë dy gjëra: vetë epiteti “shqiptare” flet për synimet kombëtare dhe jo krahinore të lëvizjes. Ky gjykim yni përforcohet edhe me atë që ky organ përfaqëson krahinat e Jugut dhe jo të gjithë Shqipërinë, dmth. që organizuesit dhe pjesëmarrësit e Kuvendit e shihnin Toskërinë si pjesë të Shqipërisë. Porta e Lartë premtoi se do t’i shqyrtonte kërkesat e kuvendit të Beratit, por, në të vërtetë, kishte vendosur ta shtypte me çdo kusht Lidhjen dhe hapi i parë për arritjen e këtij qëllimi qe eliminimi fizik i krerëve të lëvizjes. Më të hyrë të janarit të vitit 1829 u vra pabesisht në Janinë Ismail bej Vlorën. Kjo vrasje, që u konsiderua si një fyerje kombëtare për shqiptarët, ngjalli zemërim të thellë në Labëri e në gjithë Toskërinë.  Por vrasja e njërit prej krerëve kryesorë të Lidhjes bëri efektin e kundërt, duke i dhënë zjarr lëvizjes kryengritëse në jug, në të cilën rol kryesor u takoi labët. Sipas njoftimeve të datës 30 prill 1829 të gazetës ruse “Severnaja Pçella”, kryengritja shqiptare e Jugut po merrte një shtrirje gjithnjë e më të gjerë. «Shqiptarët, – njoftonte kjo gazetë, – siç sigurojnë, janë në lidhje me grekët dhe kërkojnë ashtu si ata pavarësinë.»[8] Beqir Vlora me forcat e tij çliroi krahinën bregdetare, Zylyftar Poda çliroi krahinat e Beratit dhe të Korçës, Shahin Delvina me kapedanët e Bregut çliruan Bregdetin dhe rrethin e Delvinës. Më në jug, Veliko Jaçja me 12 mijë luftëtarë hyri në Janinë dhe e mbajti të rrethuar në kala Emin pashën, djalin e Mehmet Reshit pashës, kurse Asllan Kuca në krye të 6 mijë luftëtarëve sulmoi dhe mori Thesalinë. Këta dy të fundit ranë në marrëveshje, në një han mes Janinës dhe Mecovës dhe i bashkuan forcat e tyre. Toskëria u çlirua pothuaj e tëra, kurse turqit ia mbathën për Janinë ose u mbyllën në kështjellat e disa qyteteve. Ndryshe nga autoritetet, që në shpalljet e tyre flitnin për banda hajdutësh, konsulli francez i Selanikut raportonte më 14 korrik 1830 se “lëvizjet kryengritëse në Shqipëri dhe jashtë saj nga popullsia e armatosur e gjithë kësaj krahine, nuk janë shkaktuar nga disa çeta kusarësh, por janë shfaqje të një plani të gjerë»[9]. Pra, kemi dy burime të huaja të pavarura nga njëri-tjetri që flasin për kryengritje dhe jo për banda hajdutësh.

Roli i Labërisë në ngjarjet që pasuan erdhi duke u bërë më i qenësishëm. Masakra e Manastirit në gusht 1830, ku një pjesë e mirë e të vrarëve ishin krerë labë, nuk i trembi shqiptarët, ndryshe nga ç’priste autori i saj Mehmet Reshit pasha. Ajo nuk e shoi, po e ndezi dhe më shumë zjarrin e revoltës që turqit nuk e shuan dot më. Mizoria turke i bindi edhe ata krerë feudalë që besonin ende te Porta e Lartë dhe rrinin të tërhequr, se Perandoria Otomane nuk ishte mike e shqiptarëve, sikundër kishin besuar, po armike e betuar e tyre.

Në të vërtetë, në fillim Toskëria u qetësua dhe autoritet osmane arritën ta vendosnin autoritetin e administratës, por krahina e Labërisë vijoi të mbetej jashtë kontrollit[10]. Por, siç treguan ngjarjet, edhe Toskëria ishte paquar vetëm në dukje. Për këtë ishte i vetëdijshëm edhe vetë veziri i madh, i cili në një raport të tij të shtatorit të 1830-ës shkruante: «Sikurse e kam thënë edhe herë të tjera, ky popull i mallkuar nuk mund të krahasohet në burrëri dhe trimëri me asnjë popull tjetër. Kur shohin se mbi ata bie ndonjë peshë e madhe, janë aq vetëmohues, sa asnjë komb tjetër… Futja e tyre nën zap dhe nën nizam është konsideruar nga të gjithë si çështje jo vetëm e vështirë, por edhe e pamundur»[11].

Si për të vërtetuar këtë pohim të vezirit, në Toskëri e Labëri nisën veprimet kryengritëse, që u pasuan me kryengritjen e vitit 1833, në të cilën forcat e Labërisë të prira nga Balil Nesha, Abdyl Koka nga Delvina e Zenel Gjoleka mbajtën peshën kryesore të luftimeve, duke i goditur forcat osmane në Thesali, duke pushtuar Artën e duke kulmuar me vënien nën kontrollin e tyre të Tepelenës e të Gjirokastrës dhe me luftimet e ashpra në luginën e Drinos. Veziri i Janinës, Emin pasha, e njoftonte vezirin e madh (kryeministrin) se «disa nga këto fundërrina të quajtur Labëri prej kazasë së Delvinës kanë ardhur në Delvinë dhe kanë filluar turbullirat me myteselimin»[12]. Kryengritja mori të përhapur edhe në kazanë e Vlorës, duke u përfshirë në të gjithë Labëria, nga jugu në veri, dhe më pas edhe në sanxhakun e Beratit.

Përhapja e kryengritjes dhe dështimi i Emin pashës e bindi Portën e Lartë se dërgimi i forcave të tjera do ta bënte qëndresën e shqiptarëve edhe më të fortë. Si rrjedhim, ajo ndërroi taktikë, duke hequr dorë përkohësisht nga dhuna; shkarkoi Emin pashën dhe në vend të tij emëroi moderuarin Hamdi pasha. Meqë nuk kishte forca të mjafta për të shuar rebelimin, ky u përpoq të përdorte diplomacinë, duke u kërkuar krerëve të Toskërisë që kërkesat e tyre t’ia paraqitnin valiut të Rumelisë. Kuvendi i Lidhjes Shqiptare i mbajtur në Berat, i paraqiti Hamdi pashës një varg kërkesash, për të cilat ky i raportonte vezirit të madh më 24 nëntor 1833: “Meqenëse pretendimet e tyre gjatë pyetjes ishin të parealizueshme, nuk u pa e nevojshme të merren parasysh as edhe të mbahen shënim për t’ia paraqitur shkëlqesisë suaj. Prandaj kuptohet se ata nuk kanë hequr dorë prej sjelljeve të tyre të padenja të mëparme. Shkurt, nuk u pranua edhe një grimë prej kërkesave që binin në kundërshtim me interesat e Perandorisë së pavdekshme Osmane.»[13] Përmbajtja e hollësishme e kërkesave që iu paraqitën qeveritarit osman nuk dihen, as nga raporti nuk del e qartë cilat ishin kërkesat «që binin në kundërshtim me interesat e Perandorisë Osmane» dhe që «ishin të parealizueshme», por Hamdi pasha pranoi të vendoste qeveritarë shqiptarë në kazatë e Beratit, Vlorës, Tepelenës, Përmetit dhe Gjirokastrës, si dhe t’i kalonte në dorën e shqiptarëve garnizonet e kështjellave të Beratit, Gjirokastrës etj.

Nuk ishte delli luftarak që e ngriti Labërinë më këmbë, po kushtet ekonomike. Udhëtarët e huaj që kaluan nëpër këtë krahinë në fillim të shek. XIX, dëshmojnë për mjerimin e madh të banorëve të rraskapitur e të munduar e që kënaqen me pak të këtij vendi, që ishte «më malori, më i varfri e më barbari i Epirit»[14]. Përshkrimet e tyre, shpesh me nota fyese për labët, janë tronditëse. Duke mos i njohur faktorët që i kishin katandisur ata në njerëz «me sjellje dhe zakone gjysmëbarbare», por të ndikuar edhe nga paraqitja negative që u bëhej prej nëpunësve turq, të huajt i përshkruajnë labët si “banditë malesh”, të pagdhendur, tepër përtacë dhe të ngathët. Si krahinë autonome, Labëria ishte e rrethuar dhe nën kërcënimin e përhershëm të garnizoneve osmane në kufijtë veriorë, lindorë e jugorë të saj, që e bënin të pamundur çdo lidhje ekonomike e tregtare të banorëve të saj me qytetet e afërta. Ajo kishte mbetur e “ngrirë”, si katër shekujve më parë në mos edhe më keq, për shkak të kryengritjeve të herëpashershme dhe të ekspeditave ndëshkimore shkatërruese që pasonin.

Futja e sistemit të shërbimit ushtarak të detyrueshëm që Porta e Lartë projektonte ta zbatonte edhe mbi Labërinë në kuadrin e reformave centralizuese, përbënte një goditje rrënuese për autonominë dhe ekonominë e saj. Shërbimi si nizam dhe redif i largonte për 10–12 vjet forcat më të afta për punë, çka do ta dëmtonte shumë ekonominë e krahinës. Më anë tjetër, zbatimi i sistemit të rekrutimit u hiqte familjeve labe të ardhurat në para që vinin nga shërbimi si ushtarë me pagesë, që kishte qenë në fuqi deri atëherë. Prandaj përpjekjet e vezirit të Janinës për rekrutimin e ushtarëve të rinj e rritën përsëri tensionin në masat e popullsisë. Kur një emisar francez pyeti Pasho beun, i cili kishte autoritet mbi të 50 bejlerët e Janinës, se ç’mendim kishin shqiptarët për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ai i tha se «nga mënyra se si po veprohet për të nënshtruar shqiptarët në shërbimin e trupave të rregullta, do të ndodhin në mënyrë të pashmangshme kryengritje të reja»[15].

Dhe parashikimi i këtij beu u provua shumë shpejt me kryengritjen e Labërisë të vitit 1933 dhe me kryengritjet e viteve 1934-1935 në të gjithë Toskërinë. Pikërisht në këtë kohë mësohet edhe për një marrëveshje mes Lidhjes së Toskërisë dhe Lidhjes së Gegërisë që forcat e Toskërisë, pasi të merrnin kështjellën e Beratit, të ndaheshin në dy pjesë, njëra nga të cilat, së bashku me forcat e Kavajës, të Tiranës, Mirditës dhe popullsinë e Shkodrës të sulmonin Hafëz pashën në Shkodër, ndërsa gjysma tjetër, së bashku me sanxhakun e Delvinës, të goditnin Mahmut pashën në Janinë[16].

Kjo marrëveshje për aksione ushtarake, me sa dimë, është e para me shtrirje mbarëkombëtare dhe me synime kombëtare. Por do të duhet të presim Kuvendin e Mesaplikut të maj 1847, që krijoi “Lidhjen Kombëtare Shqiptare”, si komitet të drejtues të kryengritjes së kundër reformave të Tanzimatit.

Kryengritja e Tanzimatit u karakterizua që në fillim nga tipare të qarta të një lëvizjeje kombëtare[17]. Besëlidhja e re që u krijua, ndryshe nga besëlidhja e vjetër, u quajt “Lidhja Kombëtare Shqiptare” dhe organi drejtues i saj u thirr “Komitet Kombëtar”. Epiteti “kombëtar” tregon se, ndryshe nga Lidhja e Beratit, që ishte besëlidhje e krahinave të Jugut, besëlidhja e re nuk kishte karakter të kufizuar krahinor. Ajo kishte synime dhe objektiva të largët kombëtarë, përtej kërkesave për moszbatimin e reformave ushtarake, ekonomike e administrative të Tanzimatit, si kundërveprim ndaj synimit të Portës së Lartë që nëpërmjet reformave të përgjithshme të realizonte qëllimin e fshehtë “të shovinistëve turq për të realizuar unifikimin e të gjitha racave dhe kombësive të Perandorisë”[18]. Këtë e vë në dukje edhe nënkonsulli grek i Janinës P. Klerinxis, i cili në raportin e tij për Athinën vë në dukje se, përveç vendimeve që mori për mobilizimin në luftë kundër Turqisë, në këtë kuvend Lidhja shpalli edhe njësinë kombëtare të shqiptarëve. Vendimet e Lidhjes dhe qarkorja e komitetit drejtues tregojnë se kemi të bëjmë me një lëvizje përparimtare, që udhëhiqej nga qëllime të qarta kombëtare dhe që frymëzohej nga parimet humaniste të barazisë e të respektimit të të drejtave themelore të individit. Në çdo pikë të vendimit pesëpikësh të saj përmenden fjalët “shqiptar”, “populli shqiptar” dhe “Shqipëri”[19]. Këto tipare të reja të Lidhjes së Mesaplikut duken edhe në parullat që u hodhën gjatë kryengritjes, si: Të luftojmë për gjithë Shqipërinë! apo Të luftojmë për atdheun![20]. Elementet e ndërgjegjes kombëtare gjejnë pasqyrim edhe në këngët që iu kushtuan kësaj ngjarjeje. Çelo Picari bën thirrje për t’u hedhur në kryengritje: Ju Shqipëri nuri ç’thoi, do vini nizam a s’doi… Gjoleka u tret se u përpoq “për gjithë vilajete,ai s’falet “se mburon vatanë, ai lufton “as për mua as për tij, po për gjithë Shqipëri.

Nga sa shtjelluam, mund të arrijmë në përfundimin se popullsia e Labërisë kishte jo thjesht ndenja kombëtare, po ndërgjegje kombëtare. Por Shqipëri nuk ishte vetëm Labëria dhe as Mallakastra e Çamëria. Për t’u bërë Shqipëria, duhej që kjo ndërgjegje kombëtare të shtrihej në të gjitha trevat e banuara nga shqiptarë. Pikërisht, kryengritja e Tanzimatit luajti një rol të rëndësishëm në forcimin e ndjenjës së unitetit dhe të shqiptarizmës në të gjithë Shqipërinë. Fitoret e kryengritësve në luftimet e zhvilluara në Mallakastër, Labëri e Çamëri dhe qëndresa heroike dhe deri në fund e tyre përballë forcave ushtarake të Rumelisë që u mobilizuan për shtypjen e kryengritjes, u dhanë zemër e shpresë shqiptarëve gjithandej trojeve etnike. Ashpërsia e Portës së Lartë në shtypjen e saj i bindi ata përfundimisht se kjo perandori ishte armike deri në vdekje e Shqipërisë dhe i ndërgjegjësoi se shpejt a vonë ata duhej të shkëputeshin nga Turqia. Kryengritja e Tanzimatit shërbeu si katalizator për t’i afruar shqiptarët si një tërësi, me interesa të përbashkëta, pavarësisht nga feja dhe krahina, dhe i mobilizoi përballë rrezikut që u kanosej[21].

Jehona e kryengritjes së Tanzimatit u ndie në gjithë Europën, po në Shqipëri qe edhe më e madhe. Ajo u përcoll tek brezat pasardhës sidomos nëpërmjet folklorit shumë të pasur që frymëzoi. Kujtimi i trimërive të kryengritësve dhe i fitoreve të Gjolekës, Hodo Nivicës, Rrapo Hekalit etj. mbi ushtritë e pashallarëve turq ngriti lart krenarinë kombëtare të shqiptarëve.

Kryengritjet e fillimshekullit të tetëmbëdhjetë, që kulmuan me kryengritjen e Tanzimatit, u dhanë të kuptonin përfaqësuesve të inteligjencës shqiptare, e cila ishte pothuaj e gjitha jashtë Shqipërisë,  se “këto lëvizje, sado të turbullta e të pandërgjegjshme që mund të ishin në fillim, shpinin në thellimin e acarimin gjithnjë më të madh të konfliktit me sundimtarët e huaj dhe në forcimin e lëvizjes së ndërgjegjshme kombëtare.”[22]

I pari ndër intelektualët shqiptarë që te këto kryengritje pa shenjat e një rilindjeje të Shqipërisë, Naum Veqilharxhi, bashkëkohës i lëvizjeve kryengritëse të gjysmës së parë të shek. XIX dhe pararendës i Rilindjes Kombëtare. Në qarkoren e tij për të gjithë të pasurit e të mësuarit ortodoksë shqiptarë, ai shkruan: “Duke parë përparimin e disa kombeve të sotme dhe gjendjen tonë të tanishme, jo vetëm që nuk duhet të humbasim shpresën, por bile duhet të mbushemi me hov dhe guxim.”[23]

Kështu i lexoi këto ngjarje edhe intelektuali V. Dorsa, i cili në mbyllje të librit të tij “Mbi shqiptarët”, që u botua më 1847, shkruan: Shqipëria… e frymëzuar nga rilindja e Greqisë…, e nxitur nga sukseset e fundit të provincave më të largëta të Moldavisë, Vllahisë e Serbisë…, duam të shpresojmë se është në momentin që duhet të bëjë luftën finale për të rilindur. Ajo beson se është afër kësaj dite dhe besimi të shtyn për ta pasur. Nuk flitet veçse për kryengritje, për kërcënime të vazhdueshme, inkursione, rebelime, mosbindje ndaj ligjeve, bashkim të shpejtë nën flamurin e një kryetari dhe tërheqjen e vëmendjes që i bëjnë Portës së Lartë. Në këto fakte unë lexoj përgatitjet e furtunës së afërme dhe agimin e ditës së kthjellët që do të vijë. E ndihtë Perëndia këtë komb dhe e vëntë në udhën e civilizimit.”[24]

Në vështrimin e historianëve, kryengritjet shqiptare të periudhës së Tanzimatit, veçanërisht ajo e vitit 1847, kanë disa veçori që i dallojnë cilësisht nga kryengritjet e mëparshme. Sipas L. Miles, “në kryengritjen e madhe fshatare të Shqipërisë së Jugut u ndeshën më shpesh elemente të lëvizjes kombëtare”[25]. Për K. Frashërin: “Në ambientin e kryengritjes së vitit 1847, lindi për të parën herë kërkesa për bashkimin e mbarë trojeve shqiptare në një Shqipëri autonome.”[26] Për vetë shtrirjen dhe kërkesat që parashtroi, kjo kryengritje “ndihmoi për t’i afruar shqiptarët si një tërësi, me interesa të përbashkët, pavarësisht nga feja dhe krahinat, dhe i mobilizoi përballë rrezikut që u kanosej”[27].

Duke përfunduar, mund të themi se në kryengritjet antiosmane të gjysmës së parë të shek. XIX, veçanërisht në kryengritjen e viti 1847, bijtë e Labërisë luajtën rolin kryesor, si në organizimin e tyre, edhe në fushën e veprimeve luftarake. Por ajo e vitit 1847, si kryengritja shqiptare më e madhe antiosmane e shek. XIX, përbën kontributin më të madh të kësaj krahine për rilindjen e Shqipërisë. Këto ngjarje shërbyen si një humus që lindi dhe ushqeu nacionalizmin shqiptar të periudhës së Rilindjes, i cili përgatiti lëvizjen e madhe politike të Lidhjes së Prizrenit dhe ngadhënjeu me fitoren e Pavarësisë. Shkatërrimet dhe humbjet në njerëz, sidomos në krerët udhëheqës, që pësoi Labëria gjatë këtyre kryengritjeve, qenë një goditje e rëndë për të. Megjithatë, bijtë e saj nuk i lëshuan armët nga dora, duke marrë pjesë aktive në të gjitha ngjarjet që pasuan deri më 1912.

Mbajtur në aktivitetin e Shoqatës “Labëria” me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë në Tiranë, datë 11.11.2012

 



[1] E. I. Hobsbaum, Kombet dhe nacionalizmi që nga 1780, Tiranë, 1996, f. 70.

[2] E. Legrand, Bibliographie Albanaise, Paris, 1912, p. 3–23.

[3] N. Borgia, I monaci basiliani d’Italia in Albania, vëll. I, 1935, f. 18.

[4] Po aty, f. 190.

[5] H. Myrto, Dy dokumente të shek. XVII në arkivin shtetëror të Leçes me njoftime mbi historinë e Shqipërisë në “Studi in onore di Luigi Marlekaj”, A cura di M. Mandalà, Adriatica Editrice, Bari, 1999, f. 373.

[6] Historia e Shqipërisë, II, Tiranë, 1965, f. 43.

[7] S. Naçi, Mbi lëvizjen shqiptare për vetëqeverisje, SH, 1980, 3, f. 122.

[8] L. Mile, Kryengritjet popullore në fillim të Rilindjes sonë (1830–1877), Tiranë, 1962, f. 65 dhe 103.

[9] AIH: Raport i konsullit francez të Selanikut.

[10] HAZd, PS XZ, 140/p, Kotor 27 shtator 1830, cituar sipas P. Thëngjillit, Shqiptarët midis Lindjes dhe Perëndimit, IV, Tiranë, 2005, f. 202.

[11] Basbakanlik Arsivi, Istanbul, Fondi Hatt-i Humajun defter, nr. 1, 2, 12, vesika 521518, datë 23.9.1830.

[12] Kryengritjet popullore në vitet 30 të shek. XIX, f. 95 dhe 107.

[13] Kryengritjet popullore në vitet 30 të shek. XIX, f. 126–127.

[14] F. Pouqueville, Voyage en Morée, a Constantinople, en Albanie, et dans plusieurs autres parties de l’Empire Othoman, pendant l’années 1796, 1799, 1800 et 1801. A Paris, 1805, f. 347.

[15] P. Thëngjilli, Kryengritjet popullore kundërosmane në Shqipëri, Tiranë, 1983, f. 291.

[16] Po aty, f. 167.

[17] K. Frashëri, Fillimet e lëvizjes kombëtare në Shqipëri, SH, 1978, 1, f. 40.

[18] I. Qemali, Kujtime, Tiranë, 1997, f. 27.

[19] AIH: P. Klerinxis, Raport i datës 15 maj 1847, në revistën “O Neos Kuvaras”, Athinë 1966

[20] L. Mile, Rreth kryengritjes së madhe fshatare të 1847 nën udhëheqjen e Gjolekës dhe Rrapo Hekalit në dritën e burimeve të reja, BUSHT, SSHSH, 1961, 1, f. 93.

[21] Historia e Shqipërisë, vëll. II, f. 63.

[22] Historia e Shqipërisë, vëll. II, f. 63–64.

[23] N. Veqilharxhi, Fletë nga historia e marrëdhënieve miqësore bullgaro-shqiptare gjatë shekullit të XIX-të, BISHT, SSHSH, 1961, nr. 2, f. 201.

[24] V. Dorsa, Su gli Albanesi (Ricerche e pensieri), Napoli, dalla Tipografia Trani, 1847, f. 167–168.

[25] L. Mile, Rreth kryengritjes së madhe fshatare…, art. i cit., 1, f. 93.

[26] K. Frashëri, Fillimet e lëvizjes kombëtare në Shqipëri, art. i cit., f. 40.

[27] Historia e Shqipërisë, vëll. II, f. 63.

Next Post

MBI FIZIONOMINË POETIKE TË ALI ASLLANIT, NGA PETRIT QEJVANI

Enj Nën 22 , 2012
  Për Ali Asllanin është folur e shkruar jo pak, përkundër pandehmës së krijuar për shkak të heshtjes gati 50 vjeçare të periudhës së socializmit. Ndonëse edhe atëhere diçka është pohuar rreth veprës së tij në hyrje të dy-tre botimeve të seleksionuara, përjashto monografinë e Mark Gurakuqit (e pabotuar kjo […]