-Intervistë me Doktoren e Shkencës së Inxhinierisë Kimike, Suela Lavdosh Jonuzaj-
Intervistoi: Besnik GJONBRATAJ
Suela Lavdosh Jonuzaj është një prej shkencëtareve të reja, që hapat e parë të arsimimit i mori në Shkollën 8 – vjeçare “Mumin Selami” në vendlindje në Kallarat të Vlorës, vijoi arsimin e mesëm e të lartë në Greqi dhe mbrojti titullin “Doktor i Shkencave të Inxhinierisë Kimike” në Londër. Sot Suela radhitet “Femra me karrierë të lartë shkencore në moshë të re”.
Po si arriti Suela deri këtu?
Mbas rënies të sistemit komunist në Shqipëri, si shumë fëmijë të tjerë Suela në moshën 11- vjeçare emigroi në Greqi së bashku me prindërit e saj. Në fshatin e lindjes Kallarat kishte kryer vetëm 3 klasë fillore nën kujdesin e mësueses të talentuar Violeta Xhaferaj.
Nga pasioni i saj që kishte për të studiuar, u azhurnua menjëherë në shkollën greke, duke eliminuar boshllëqet e krijuara nga ndryshimi i gjuhës, ambientit dhe vështirësive të emigracionit. Shumë shpejt spikati talenti i saj. Që në vitet e para të shkollës në shtetin fqinj doli në krye të klasës me notën më të lartë .
Mësuesit e adhuronin dhe e bënin shembull për të tjerët. Çdo vit i akordonin medalje si nxënëse shembullore. Këto rezultate vazhduan dhe në shkollën e mesme, të cilat i dhanë mundësi, për studime në shkollën e lartë në degën e inxhinierisë kimike.
Si gjithmonë edhe këtu ndër të parat. Për rezultate dhe nota të larta në vitin e tretë e të katërt të universitetit, Sula fiton çmimin e ekselencës (Evangjelu & Alcibiades Awards ). Mbas përfundimit me sukses të universitetit punon një vit në Institutin e Inxhinierisë Kimike të Greqisë (FORTH-ICE), por dëshira dhe pasioni për studime të mëtejshme, nuk e lë rehat. Sipas rregullave të karrierës shkencore merr tre rekomandime me shkrim nga profesorë të dëgjuar grekë me reputacion në fushën e shkencës dhe aplikon për studime doktorate në universitetet më në zë të botës. Gjë e cila u pranua nga Universiteti IMPERIAL i Londrës që është i shtati në botë për inxhinieri.
Katër vjet studime intensive për kërkime shkencore në fushën e inxhinierisë kimike dhe asaj molekulare. Punë e gjithanshme, studim intensiv, bashkëpunim me disa universitete të botës, publikim të rezultateve në konferencat ndërkombëtare në Amerikë, Angli, Gjermani, Itali, Holandë, Slloveni, Skoci e gjetkë.
Në fund të vitit 2017 merr titullin “Doktor i Shkencave të Inxhinierisë Kimike”. Mbas mbarimit të kësaj doktorate, në moshën 30 vjeçare, fiton bursën nga organizata e inxhinierisë dhe shkencave fizike (EPSRC) të Anglisë dhe merr fonde për kërkime shkencore në nivel të lartë në fushën e inxhinierisë. Kryen me sukses këto studime për një vit dhe merr pjesë në institutin e kërkimeve CMAC për të studiuar prodhimin e produkteve farmaceutike. Për rezultate të mira në kryerjen e këtyre studimeve dhe prezantimin ekselent në konferencat ndërkombëtare që theksuam më lartë, Suela ka fituar disa çmime të para e të dyta nga komisionet e vlerësimit të universitetit, si ai i vitit 2015, i vitit 2019 dhe i vitit 2020.
Universiteti MIT ( EM-AJ-TI ) i Amerikës që është i pari në botë, çdo vit organizon simpoziumin “RISING STAR” (Ylli i ardhshëm) në shkencë. Në vitin 2018 Suela ishte e vetmja femër në fushën e inxhinierisë kimike, që u zgjodh nga gjithë Evropa për të marrë pjesë në këtë simpozium me motivacionin: “Femra me karrierë të lartë shkencore në moshë të re “.
Sot aktiviteti shkencor i saj është i shumanshëm, ku mund të radhisim:
- Bashkëpunëtore kërkimore në grupin e sistemit të inxhinierisë molekulare. (grupi MSE & Instituti IMSE në Imperial)
- Bashkëpunëtore në Institutin CMAC (Grup ndër universitar Angli-Skoci) për studime në fushën e industrisë farmaceutike dhe biopërpunimit.
- Udhëheqëse shkencore e kërkimeve për master dhe doktoratë tek kandidatët e rinj.
- Mësimdhënie dhe leksione në universitet.
- Seminare në akademi, kompani industriale dhe institute të ndryshme, në Amerikë, Angli, Argjentinë e gjetkë.
Puna e saj shkencore është botuar në nëntë artikuj tek revistat ndërkombëtare më prestigjioze. Gjithashtu Suela ka gati për botim edhe disa artikuj të tjerë. Një listë e plotë e publikimeve mund t’i gjeni në linkun: https://scholar.google.co.uk/citations?user=8Sm7QmcAAAAJ&hl=en
Për të mësuar diçka më tepër rreth arritjeve të Suelës, por edhe dashurisë që ajo ruan për vendlindjen, me shumë modesti i morëm asaj intervistën e mëposhtme:
Lindur e rritur në Kallarat, aktualisht në Londër, me gradën shkencore “Doktor i Shkencave të Inxhinierisë Kimike”, si ndihet Suela?
Në fillim të kësaj rruge më dukej një qëllim i vështirë dhe tepër i lodhshëm, por isha e vendosur të arrija deri në fund të studimeve. Kur mbarova dhe mora diplomën e doktoratës ndihesha shume e gëzuar, jo vetëm që arrita qëllimin, por edhe sepse shikoja krenarinë dhe gëzimin në fytyrat e babit dhe mamit që më kanë mbështetur jashtë mase gjatë jetës time studimore.
A e kishit shkuar ndërmend se do të vinte një ditë e tillë për një vajzë nga fshati?
Të them të vërtetën, një gjë të tillë nuk e kisha shkuar ndërmend, por gjërat erdhën gradualisht. Mua thjesht doja të studioja, por nuk e prisja të përfundoja jashtë shteti për doktoratë. Po thuaj se kisha recetën e duhur për të vazhduar në këtë rrugë: durim dhe vullnet për mësimet, mbështetje nga familja, edhe disa mësues dhe profesorë që i kisha mentorë gjatë jetës shkollore/studimore.
Edhe pse po bëhen vite nga largimi juaj dhe i familjes nga vendlindja, çfarë kujton sot Suela në përgjithësi nga jeta në Kallarat, e sidomos nga jeta shkollore? A mund t’i kujtosh me emra sot të gjithë shokët e shoqet e klasës, por edhe mësuesit?
Nga Kallarati ika në moshën 11 vjeçe mbasi përfundova klasën e tretë fillore edhe kujtoj shumë gjëra nga jeta shkollore. Kam kujtime të bukura me shokët dhe shoqet e klasës (Elda, Amarilda, Gerta, Besjana, Ermali, Enkelani, Gledi, Albjoni,…) në godinën e shkollës 8-vjeçare; lojërat dhe xhirot te dyqanet afër shkollës në pushimin e gjatë; ekskursionet, festat, recitimet, e tjera. Sigurisht që kujtoj mësuesen time të dashur Violeta Xhaferaj, drejtor Çizen, mësuese Thëllëzën, si dhe mësuesit e tjerë të asaj kohe. Mësimdhënia e tyre ishte bashkëkohore dhe në nivelin e duhur. Duke krahasuar shkollën fillore në Kallarat me pjesën tjetër që kreva në Athinë nuk kishte ndonjë dallim në nivelin arsimor.
Çfarë ruan si gjënë më të shenjtë nga jeta në Kallarat, që të të ketë shoqëruar gjatë gjithë jetës deri tani?
Thjeshtësinë e jetës dhe dashurinë e sinqeritetin që kishim me njeri tjetrin.
Si pasojë e emigrimit, prindërit e tu, si shumë shqiptarë të tjerë, pas viteve 90-të, u vendosën në Athinë. Për ju si fëmijë e si nxënëse ishte e lehtë të ambientoheshit me jetën e atjeshme dhe sidomos me gjuhën greke?
Dihet që emigracioni nuk është i lehtë për këdo, por në mënyrë të veçantë për familjen time me katër fëmijë të vegjël, më i madhi 14 vjeç dhe më i vogli 2 vjeç. Më kujtohet një episod: Nisur nga vështirësitë dhe pasiguria e emigracionit, prindërit kishin menduar të më linin në fshat deri sa të stabilizoheshin, por unë nuk doja të ndahesha nga familja, kështu që sa e mësova fillova të qaja dhe nuk pushoja deri sa u detyruan të më merrnin bashkërisht. Sigurisht që fillimisht ishte shumë vështirë të ambientoheshim me jetën në një vend të huaj, duke përballuar njëkohësisht mësimin e gjuhës, vështirësitë ekonomike, racizmin dhe përbuzjen vendase e shumë të tjera. Por shqiptarët nuk dorëzohen kollaj, përparojnë kudo që të venë. Kështu dhe ne i kaluam ato vështirësitë e fillimit dhe avash avash u ambientuam me jetën e Athinës. Sakrifica e prindërve që emigruan me familje të madhe dhe mbështetja e tyre në çdo hap të jetës na dha mundësitë mua, motrave edhe vëllait të ecim përpara në jetë edhe të arrijmë këtu ku ndodhemi sot.
Fillimisht, 6 muajt e parë fillova shkollën si dëgjuese dhe mësim gjuhe, ndërsa vitin e dytë u futa në klasën që më takonte (në klasë të 4-të). Natyrisht, notat u ulën vitin e parë nga boshllëqet që ishin krijuar nga ndryshimi i vendit dhe i gjuhës. Nuk më pëlqente fare që kisha rënë në mësime. Më dukej se isha pak e përkëdhelur si nxënëse e mire në Kallarat, dhe doja të vazhdoja në atë nivel. Kështu që e mora me inat, mbas një pune këmbëngulëse dhe me mbështetjen e mësueses greke që kisha në klasë të 4-të, avash avash plotësova boshllëqet që kisha dhe arrita prapë me nota të larta. Këto rezultate vazhduan dhe në shkollën e mesme dhe disa vite mbaja regjistrin e klasës (zakonisht e mban nxënësi më i mire i klasës sipas sistemit që ka shkolla greke).
Po në Londër si shkuat dhe me çfarë synimesh kryesore, për punësim dhe një jetë më të mirë, apo për mundësi më të mira të angazhimeve tuaja në fushën shkencore?
Në Londër unë shkova për ambiciet e mia në fushën shkencore, mbasi dihet që universitetet në vendet perëndimore ta japin këtë mundësi. Imperial College ku bëra doktoratën është universitet i dëgjuar për inxhinieri kimike, prandaj kur më pranuan isha shumë e lumtur.
Në vitin 2017 keni mbrojtur gradën shkencore “Doktor i Shkencave në fushën e Inxhinierisë Kimike”, a mund të na tregosh diçka më tepër rreth kësaj teme dhe si arritët?
Isha me fat dhe bëra doktoraturën në një grup të mirë dhe të dëgjuar, ku mu dha mundësia që të studioja dhe të punoja me profesor të avancuar dhe me shumë eksperiencë në fushën e inxhinierisë kimike. Jo vetëm janë profesionistë të nivelit të lartë, por vlerësojnë dhe ndihmojnë çdo fillestar që kanë në grupin e tyre. Për mua ky ishte shans i veçantë. Veç grupit, edhe tema e doktoratës më pëlqente shumë. Punoja në modele matematikorë dhe programe kompjuteri për të përmirësuar prodhimin e ilaçeve mjekësore. Këto modele mund të përdoren në disa procese të industrisë farmaceutike. Si çdo doktoratë e punë shkencore, kishte lodhje të jashtëzakonshme, pa njohur orar apo të shtunë e të diel, por kur vendosa atë rrugë, i vura detyrë vetes të vazhdoja deri në fund.
Çfarë studimesh të tjera, sidomos botime të kësaj fushe keni kryer dhe aktiviteti juaj shkencor është vetëm brenda Londrës, apo i shtrirë edhe më larg?
Thelbi i studimeve që unë bëj së bashku me një grup profesorësh nga Imperial College është në fushën e inxhinierisë kimike dhe fizikës molekulare. Në disa projekte kemi bashkëpunuar me profesorë nga universitete të ndryshëm në Angli dhe Amerikë. Faktikisht, në Janar deri në Mars 2017 isha në Carnegie Mellon University në Amerikë për të mbrojtur pjesë të doktoratës. Rezultatet e këtyre studimeve janë publikuar ne disa revista shkencore dhe janë paraqitur në konferencat ndërkombëtare në Angli, Amerikë, dhe Evropë.
Fusha e studimit tuaj në fushën e kimisë dhe atë molekulare, a i prek kërkimet e sotme ndaj COVID-19, armikut më të rrezikshëm e të padukshëm?
Ne nuk merremi direkt me studimin e COVID-19 ose të vaksinave që janë zhvilluar këto kohët e fundit, por rezultatet e studimeve tona ndihmojnë në prodhimin e ilaçeve të ndryshme, disa nga të cilat mund të përdoren kundër viruseve të tillë.
Në ditën e marrjes së gradës shkencore, a patët dikë nga familja, që emocionet t’i përjetonit së bashku?
Po përveç profesorëve dhe kolegëve të mi në universitet kisha pranë motrën e vogël edhe prindërit e mi me të cilët përjetova këto çaste. Ata e bënë një ditë shumë të veçantë për mua.
Beson se arritjet tuaja në fushën e shkencës janë edhe pjesë e trashëgimisë nga prindërit?
Po sigurisht, babi dhe mami janë shembull për mua. Besoj se ata kanë studiuar dhe punuar më shumë që të arrijnë në atë nivel me vështirësitë që kanë patur në atë kohë.
Cilat janë synimet shkencore që ke për të ardhmen? Po ndonjë kthim i mundshëm në Shqipëri për të kontribuar në fushën shkencore?
Synimet shkencore për të ardhmen janë, të eci më tej në rrugën e shkencës në akademi edhe në industri farmaceutike po mu dha mundësia. Sa për kthim mbrapa në Shqipëri mund të them se jo, sepse nuk është e lehtë të fillosh përsëri nga e para, larg familjes, në një shtet që nuk ke siguri ose nuk të krijohen mundësitë për kërkime shkencore në fushën që kam studiuar. Më vjen keq që shumë të rinj ikin jashtë shtetit, por situata dhe ekonomia e shtetit e bëjnë të vështirë të kthehesh.
A ndihesh krenare që si shqiptare po çan me zotësi në fushën e shkencës në një vend me kulturë e histori e të lashtë, siç është Anglia?
Patjetër që ndihem krenare dhe jam e lumtur që mu dha mundësia të vazhdoj karrierën në një shtet si Anglia e cila ka qenë dhe mbetet djepi i hulumtimeve dhe zbulimeve shkencore.
Cili do të ishte mesazhi juaj për të rinjtë e sotëm shqiptarë kudo që janë?
Një mesazh i vogël për të rinjtë kudo që ndodhen është: Edukimi dhe shkollimi të hapin shumë rrugë në jetë. Sado vështirësi që të gjeni përpara, krijoni mundësi dhe realizoni ëndrrat tuaja. Dhe kur të arrini qëllimin tuaj, mos harroni nga keni ardhur dhe njerëzit që u kanë mbështetur gjatë asaj rruge.
Faleminderit dhe suksese të mëtejshme në rrugën e shkencës!