SYTË E ELISËS

 

 

Ju sy të bukur të Elisës

Më shoqëroni orë e çast

S’e di ç’enigmë ju  stolis

Veç për mua jeni çark

Kur shoh dy sytë e Elisës

Vetja më ngjan një Jezu Krisht

Që  nuk e gozhduan romakët

Por shikimi i tyre mrekullisht

Dhe me kënaqësi të madhe

Shkoj vet te Kryqi i Dashurisë

Dhe pres në delir, i dehur fare

Shtizat e shikimit të Elisës

Dhe s’ka më bukur sesa kjo

Pas njëqind vjetësh po deshe vdis

Kam rënë e jam ngritur qindra herë

Shikimi i saj veç më përmbys

Dy sytë e saj- puse magjie

Që më zjarrojnë tërësisht

Një flakë e kaltër dashurie

Që digjet bukur, marrëzisht

Në mijra femra që kam parë

S’kam hasur sy të tillë,jo

Herë qiell i kaltër i paanë

Herë natë e thellë,  nëse do.

Ju sy të tmerrshëm të Elisës

Herë gri të kaltër, herë blu të zes

Mëngjese vere , muzgje dimri

Një dashuri që kurrë s’vdes

Dhe s’di ç’mister kanë ata  sy

Në lojën e dritës brenda tyre

Një çast i ka të gjelbër-gri

Pis të errët pas një grime.

I mbërthyer përjetë aty

Te Kryqi i Madh i Dashurisë

Shoh si bota bëhet më e bukur

Kur më shikojnë sytë e Elisës

Dhe duke parë të tillë

Unë e kuptoj edhe më mirë

Se ç’do të thotë të jesh i verbë

Dhe të jetosh në errësirë…

 

Petrit Qejvani, 2008

 

Next Post

A

Die Pri 19 , 2020
    Nuk e di si erdha drejt teje Drejt meje s’di si erdhe ti. Veç di që erdha aty ku duhej Aty ku duhej erdhe ti. Si hesht kështu si zog i trembur Kur gjoksin tim ti pranë e ndjen Pulit qepallat, largon gjumin Më  fton të vij, pastaj […]