Te ky rrap i madh thellë është futur
dhe jeta dhe vdekja,
dhe kënga dhe lufta.
Pemë degëgjera,
zemërgjera pemë,
ç’u bë Hajredini?
Nën rrap ç’e prenë!
Jeta jonë fort, në brigje lumenjsh,
u shtrëngua, ja,
dhe kur brigjet shternin,
mbi lumenj prej gjaku
lulëzonte rrapi.
Trembëdhjetë bilbila
ishin edhe mbenë,
lule e bukurisë,
ç’u bënë bilbilenjtë?
Gjethet nëpër vjeshtë tutje i hedh era
dhe me dhimbje dridhen,
dridhen e kërcasin nënë hapin tonë.
Degët nëpër vite
i rrëzon sëpata,
dridhen e kërcasin nënë gjuhë zjarri,
kalbet dhe litari.
Bilbilenjtë trima koha s’i rrëzon.
Te ky rrap i madh
thellë është futur
dhe jeta dhe vdekja
dhe kënga dhe lufta,
rrinë pranë e pranë…
Ja, ditët e mia, mbi trupin e tyre,
biskojnë fidanë.
1971