TRAM BY NIGHT, POEZI

Andi Meçaj

Trami, 

balenë stërmadhe,

ka mbyllur gojën.

Njerëzit ngjajnë

peshq të ngjyrosur,

me rrobat e ndritshme

si luspa.

Ky burrë

i lexon ulur mendimet

bri gruas

me celularin ngjitur pas veshit.

Dy arlekinë pasqyrohen

në xhamin përball.

Fëmija brenda meje

zgjohet, zgjat duart,

i ledhaton.

Qeni pekinua

lëpin buzët

dhe imazhin e kockave

tek kryqëzohen mbi një bluzë.

Një fizarmonikë hyn,

sjellë erë

dhe kujtime,

zëngjirur

këngëzon dashuri.

 

Nga Andi Meçaj

Next Post

QIELLI PIKON QUMËSHT, POEZI

Sht Qer 16 , 2012
Qielli pikon qumësht, zogjtë sjellin mëngjesin dhe aromën e vesës, nata mbyll grilat, vetëvritet, ngjyrat dhe rrugët fillojnë të çelen gjinj të vegjël, të mëdhenj, lypësi im personal veshur kravatë dhe kostum, s’pranon më mëshirë, të dielave është pushim, qeni barbon, më vështron me sy fëmije, belbëzon, njerëz të hekurosur […]
Andi Meçaj