TULIPANI I BRISHTË*, POEZI

Hiqmet Mecaj

Puliste sytë. Çast që s’përtëritesh
më shfaqesh shpesh ti para sysh, pareshtur,
aty ngadalë, aty i vetëtimshëm,
aty me vrull, aty i zbehtë, i heshtur.

Kaluan orë… gënjehet vetja vallë?
Një grimë lumturi, të lumturon?
Një grimë gazi a i bën dot ballë
zemrës që rreh si deti kur dallgon?

Se zemra e saj rrihte pranë meje,
te zemra ime ngjitur pranë e pranë,
në flokë kishte ca petale yjesh,
në buzë i kish mbirë tulipan.

Si mund t’ia thosha atë natë ç’ndieja,
si mund t’ia prisja gazin m’u në mes?
A i këputet teli mandolinës,
kur duam ta dëgjojmë gjer në mëngjes?

Ndaj atë çast statujë e gurtë isha,
kur ajo shkundi flokët porsi ré
me tërsëllim ranë yjet e magjishëm,
një tulipan i brishtë ra përdhé.

M’u duk ajo sikur të ishte qiell
por dhe lëndinë m’u duk ajo të ish,
mund të rrëzonte hënë, yje, diell,
dhe mund t’i ngrinte lart ato sërish…

1964

*është botuar në një variant të cenuar në poemën “Cigan modern”

Next Post

ORIK*, POEZI

Sht Maj 26 , 2012
Këneta fle, ka dymijë vjet,në gji të saj fle një qytet.Në gjumë dhe statujat janë,baltë e kallama mbi to ranë.E shpuar koha me shigjeta,në zë bretkose e mbytur jeta.Gjëmon nën dallgë historia,ku dashuria! Ku tragjedia! Mbi gjethe reje, lule e artë,një diell çel, një hënë hap.Këtu jam unë, sa shekuj s’di,njeri […]
Hiqmet Mecaj

Mund t'ju duken interesant edhe artikujt