Mundohem të të harroj ty,
Trupin tënd-hapësirë e bardhë me valë të trazuara
Sytë e tu-dritaret e mia
Buzët e tua-afshin tim fërgëllues
Dhe gjinjtë-kënaqësinë e gjumit tim ëndërrues
Që vritet sa herë jam larg teje…
Dhe jam i pafuqishëm të të harroj
Sepse pa ty jam një pemë rrënjëdalë
Që thahet brenda ditës
Pa ty më mungon pesha
Kaq e nevojshme për ekuilibër
Dhe bota më duket si një objekt butaforik
Që shqisat i zhgënjen.
Kur dua të të harroj
Trembem të të harroj
Se harroj veten.
Kaq e vështirë është të të harroj
Sa duhet të të kërkoj.
Petrit Qejvani,1989