Sivjet dhe moti është i vrarë
Pranvera dimrit i ngjet fort
Dimri i acartë i politikës
Po ngrin jetën shqiptare sot.
Kurrë kaq plumba nuk qëlluan
Në qiell, as ditën e lirisë
Gëzhojë e nxehtë të djeg në duar
Plumbi i nxehtë të djeg në shpirt.
Dhe ndonse lule pak ka stina
Kurorat në varre s’kanë fund
Një dramë e madhe ndjellakeqe
Themelet e jetës i lëkund.
Një dehje e madhe ka kaplluar
Të madh,të vogël:ç’do njeri
Me armë në dorë duke qëlluar
Veç as për festë, as për gosti.
Dhe s’e kupton askush ç’po ndodh
Të gjithë me armë e luftë s’ka
Veç plot të vrarë si në një luftë
Veç kuje e gjëmë të mëdha.
Prandaj vëllezër, ulni armët
Shkaktarë qeshin cinikisht
Ne duhet vet ta ruajmë jetën
Duhet të jetojmë vëllazërisht.
Petrit Qejvani, mars 1997