VLERËSIM, MIRËNJOHJE E RESPEKT TË THELLË USHTARAKËVE KALLARATAS NË VITE

Kontributi i kallaratasve ne luftën për liri e pavarësi e mbrojtjen e trojeve të veta dhe ato mbarë shqiptare, si dhe kontributi në fusha të ndryshme të zhvillimit të vendit, si në arsim, kulturë, shkencë, bujqësi e sektorë të tjerë të jetës është i njohur për te gjithë, por në këtë shkrim, nisur edhe nga profesioni aktual si ushtarak aktiv, dëshiroj te theksoj atë kontribut të kallaratasve në fushën e mbrojtjes e të sigurisë së vendit, të bëjë evidentimin e emrave të tyre, pa marrë aspak të drejtën e vlerësimit të kontributit të tyre individual në periudha të ndryshme të historisë, kontribut i cili nga shumica e lexuesve është i njohur. Gjithashtu për t’ju shmangur çdo keqkuptimi, radhitja e ushtarakëve është bërë mbi bazën e alfabetit të mbiemrave. Si pikënisje të periudhës së aktivitetit ushtarak të kallaratasve është marre data 4 dhjetor 1912, datë e cila tashmë njihet si dita e krijimit të ushtrisë. Pjesë e këtij shkrimi do të jenë edhe ata kallaratas që kanë bërë pjesë ose vazhdojnë te jenë në strukturat e Ministrisë se Punëve të Brendshme dhe Shërbimit Informativ Shtetëror.

Nuk janë pak, por mbi 150 ushtarakë, oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë, bij kallaratas, që në periudha të ndryshme të historisë së vendit tonë, krahas qindra e mijëra ushtarakësh shqiptarë, kanë dhënë ndihmesën e kontributin e tyre në sigurimin e lirisë e pavarësisë së atdheut tonë, por edhe më vonë në vitet e pas çlirimit te vendit, për mbrojtjen e sigurinë në vend. Shumica e tyre, mbi 110 janë oficerë, ku 4 prej këtyre oficerëve i përkasin periudhës para Luftës se Dytë Botërore, te cilët patën kryer akademitë ushtarake jashtë vendit, rreth 40 oficerë të ardhur nga rreshtat partizane e që më pas u shkolluan në shkollat tona ushtarake dhe një pjesë edhe jashtë shtetit dhe 67 kallaratas të tjerë dolën oficerë në vitet e pasçlirimit e deri në ditët e sotme si: Arif Dalan Abazi, Arshi Halil Abazi, Namik Zimo Abazi, Sinan Maze Aliaj, Hyso Isan Begaj, Taro Mehmet Bejtaj, Ilmi Hetem Borshi, Arif Sali Breshani, Bardhosh Bejdash Breshani, Esat Demo Breshani, Bedri Esat Breshani, Myrdar Faslli Breshani, Qerim Muslli Breshani, Sadik Haxhi Breshani, Skënder Myrdar Breshani, Viktor Myrdar Breshani, Latif Arif Breshani, Izet Mejdi Bushi, Abaz Miftar Dauti, Gjergj Abaz Dauti, Kujtim Shaban Dauti, Bardhosh Mëno Demiraj, Duke Mëno Demiraj, Kasëm Demir Demiraj, Vladimir Kasëm Demiraj, Elham Sulo Elezaj, Sadik Xhevit Gjonbrataj, Tahir Xhevit Gjonbrataj, Bashkim Muço Gjonbrataj, Përparim Muço Gjonbrataj, Besnik Muço Gjonbrataj, Nedin Çelo Gjoni, Xhemal Çelo Gjoni, Sherif Dalip Gjoni, Nesim Dalip Gjoni, Haxhi Dalip Gjoni, Astrit Haxhi Gjoni, Ilir Haxhi Gjoni, Razip Nelo Golloshi, Servet Nelo Golloshi, Enver Xhebro Golloshi, Numan Sadush Goxhaj, Fuat Hysen Goxhaj, Mevlan Bedo Habilaj, Mysteak Matush Habilaj, Demir Lato Haxhiaj, Micol Binjar Haxhiaj, Mato Ali Hoxhaj, Fatos Mato Hoxhaj, Ilir Mato Hoxhaj, Fiqiri Ramiz Hoxhaj, Hasan Shaqo Hysi, Maze Dushan Jonuzi, Seit Maze Jonuzi, Hadër Maze Jonuzi, Ibro Maze Jonuzi, Shahin Osman Jonuzi, Sefer Sino Jovani, Ahmet Rait Karabolli, Kastriot Zini Karabolli, Mehmet Birbil Karabolli, Razip Rait Karabolli, Sami Shuko Karabolli, Taro Birbil Karabolli, Artan Llano Llanaj, Zoto Zigur Mataj, Dilaver Mato Mataj, Gëzim Salo Mataj, Dalan Memush Memushi, Nexhip Sulo Memushi, Kalo Sulo Memushi, Luto Sulo Memushi, Riza Veip Memushi, Ruzhdi Lame Petani, Sinan Lame Petani, Sejdi Begë Petani, Çune Islam Qejvani, Hamit Myrdar Qejvani, Hamit Malo Qejvani, Ilirjan Nebo Qejvani, Kujtim Nebo Qejvani, Perlat Meçan Qejvani, Refat Ago Qejvani, Selam Meçan Qejvani, Ilir Hamit Qejvani, Mënyr Xhezair Qejvani, Caush Tafil Ribi, Veledin Ibro Rjepi, Ymer Daut Shakaj, Ferik Teslim Strati, Cane Teslim Strati, Agim Cane Strati, Sinan Teslim Strati, Albert Ymer Strati, Razip Ali Thanasi, Barjam Qamil Toçi, Sinan Xhemil Tozaj, Neshat Xhemil Tozaj, Agron Nasip Tozaj, Baftjar Feti Tozaj, Dodo Ferik Tozaj, Xhelo Feti Tozaj, Xhafer Hyso Xhaferaj, Çlirim Xhafer Xhaferaj (Hysi), Neki Veip Xhaferaj, Vasil Skëndo Xhaferaj, Bako Balil Xhaferaj, Duro Beqo Zhibi, Mehmet Beqo Zhibi, Petref Telo Zhibi dhe Fatos Faik Zhibi,

Krahas oficerëve aktiv kallaratas kanë kontribuar edhe mjaft nënoficerë aktiv e ushtarë profesionistë në radhët e Forcave të Armatosura, por edhe në organet e Punëve të Brendshme, të cilët edhe këta përkrah oficerëve kanë sakrifikuar po aq në mbrojtjen e vendit, duke filluar që nga ata të periudhës para Luftës së Dytë Botërore, të tjerë te ardhur nga rreshtat partizane, të mbas luftës nacionalçlirimtare e deri në ditët e sotme si Nazmir Halil Abazi, Bejdash Mehmet Bejtaj, Niko Esat Breshani, Pano Myrdar Breshani, Xhelal Veliko Breshani, Muhamet Reiz Breshani, Petrit Xhelal Breshani, Muhamet Reiz Breshani, Aleksandër Bilal Breshani, Ervin Elmaz Breshani, Agron Enver Golloshi, Lilo Dine Habilaj, Kapo Matush Habilaj, Rushan Matush Habilaj, Nimet Kapo Habilaj, Mehmet Ali Hoxhaj, Haki Velo Hysi, Nuro Jazo Hysi, Nertil Lefter Hysi, Genti Seit Jonuzi, Xhelo Murat Jonuzi, Dasho Besim Jonuzi, Shkëlqim Bejkush Laçaj, Qazim Zigur Mataj, Hasan Shamo Meçaj, Alim Namik Mehmeti, Ajaz Sali Memushi, Ahmet Nuro Memushi, Balil Veip Memushi, Pajtim Hamit Muharremi, Ago Malo Qejvani, Toto Shate Qejvani, Ismet Xhezair Qejvani, Birçe Muslli Ribi, Abaz Muslli Shakaj, Pajtim Ferik Tozaj, Balil Rizo Xhaferaj, Hyso Balil Xheferaj, Elidian Laver Gjonbrataj, Aurrel Laver Gjonbrataj, Renato Zeqo Hoxhaj, Tatjana Lefter Ribi dhe Edison Niazi Xhaferaj.

Kallaratit, përveç ushtarakëve meshkuj, nuk do ti mungojnë edhe femrat ushtarake, ndonëse të pakta ne numër. Aktualisht ato janë vetëm dy, Tatjana Lefter Ribi, ushtare profesioniste ne Forcat Detare dhe Fabiola Gëzim Mataj që sapo ka filluar karrierën ushtarake si studente ne vitin e dytë të Universitetit Ushtarak “Skënderbej”.

Po jo të gjithë këta ushtarakë kanë pasur te njëjtën karrierë. Ka nga ata që kanë shërbyer për një kohë tepër të gjatë, deri në daljen në pension, ashtu siç ka prej tyre me një karrierë më të shkurtër. Por cilat janë disa nga arsyet e ndërprerjes së kësaj karriere? Mendoj se një pjesë e ushtarakëve nuk e vazhduan karrierën ushtarake për shkak te angazhimit ne sektorë te tjerë po kaq të rëndësishëm për rindërtimin e vendit te shkatërruar nga lufta, për shkak te shkurtimit të numrit të ushtarakëve të bërë në periudha të ndryshme, si në vitin 1956, 1966, e ne mënyrë të veçantë reformat pas viteve 90-të, ashtu sikundër ka edhe ushtarakë të dalë në lirim me dëshirën e tyre. Por kontributi i tyre ne sektorë te tjerë te jetës civile, sidomos i atyre të dalë në lirim në periudhën 1955-1966, është po kaq i rëndësishëm sa edhe i atyre që patën karrierë normale. Megjithëse kontributi i tyre përsa i përket aktivitetit ushtarak dhe kohës së shërbyer si ushtarak aktiv është i ndryshëm, ata mbeten pjesë e historisë së popullit tonë dhe në mënyrë të veçantë të historisë së fshatit tonë Kallarat.

Në këtë kontribut të kallaratasve nuk duhen lënë pa përmendur edhe mjaft oficerë, ushtarë e vullnetarë të strukturave rezerviste, vullnetare e studentore, si dhe punonjësit civilë në organet e rendit e mbrojtjes nga punonjës i thjeshtë e deri drejtues institucionesh e dikasteresh, të cilët edhe ata me profesionalizmin e përkushtimin e tyre kanë kontribuar për vite të tëra ashtu si edhe ushtarakët aktiv në sigurinë e mbrojtjen e vendit, pa përjashtuar në këtë aspekt asnjë kallaratas edhe pse jo ushtarakë, pasi në periudhën që lamë pas, mbrojtja e vendit ishte bazuar në parimin ” I gjithë populli ushtare”.

Dihet që çdo profesion ka vështirësitë dhe të veçantat e veta, por pa nënvleftësuar asnjë prej profesioneve të tjera, mendoj se profesioni i ushtarakut, në mënyrë të veçantë ai i oficerit, ka një sërë karakteristikash të veçanta që e bëjnë atë ndër më të vështirin. Jo më kot edhe sot me ligj ai krahasohet me sektorët më të vështirë të jetës. Duke qenë i tillë ai mbart në vetvete mjaft sakrifica, që duhet të përballohen jo vetëm nga individi, i cili pranon të veshë rrobën ushtarake, por në një masë të konsiderueshme këto vështirësi e sakrifica do ti përballojë familja e të afërmit. Po të bësh një llogaritje të vogël i bie që gati një e treta e kohës ushtarakut i ka kaluar larg familjes duke qenë në gatishmëri, me shërbim, në anije, në llogore, në kufi, në fortifikim, në ndjekje të keqëbërsëve, në ruajtje të rendit e qetësisë e në të tjera detyra që i diktonte situata e koha.

Po cilat ishin arsyet që i bënë këta kallaratas të zgjidhnin këtë profesion kaq të vështirë? Ndjenja e atdhedashurisë e kultivuar brez pas brezi mendoj se është një prej arsyeve më të rëndësishme, e cila bëri që shumë kallaratas të zgjidhnin këtë profesion sa të vështirë e me privacione, aq edhe të bukur e fisnik. Por ka dhe arsye të tjera, ndoshta dytësore, si pamundësia e përballimit nga ana ekonomike të shkollave të profesioneve të tjera. Megjithatë duhet pranuar edhe një arsye tjetër që për vite të tëra, të drejtat e studimit më të shumta në fshatrat e Kurveleshit dhe Lumit te Vlorës, ashtu si edhe në fshatrat e tjera të Shqipërisë, do të ishin bursat ushtarakë, bujqësorë, pak për mësuesi dhe shumë pak ose aspak në profesione të tjera, si mjek, juristë etj. Kjo ishte pjese e politikës arsimore të periudhës që jetuam, e cila mund të konsiderohet edhe si vlerësim e besim të udhëheqjes së kohës ndaj kësaj shtrese të popullsisë e lidhur ngushtësisht me luftën, ashtu si kundër nuk duhet mohuar edhe një farë nënvleftësimi të pajustifikuar ndaj popullsisë fshatare. Ata, duke pranuar çdo privacion që të jep profesioni i ushtarakut, kryen shkollat ushtarake e kualifikimet brenda e jashtë vendit me rezultate të mira dhe u bënë zotë të vetes së tyre duke shërbyer cep me cep të Shqipërisë, në specialitete të veçanta të ushtrisë, si këmbësorë, zbulues, xhenierë, ndërlidhës, tankistë, topografë, aviatorë, marinarë, pedagogë mjaftë të zotë apo edhe në strukturat e Ministrisë së Brendshme, në Repartet e Ndjekjes, të Sigurimit, Kufirit e Policisë së Rendit e me vonë edhe në Shërbimin Informativ Shtetëror.

Ushtarakët kallaratas shërbyen vite të tëra në të katër anët e Atdheut që nga Konispoli e deri në Vermosh. Atje ku ishin detyrat e vendet më të vështira, me siguri do të gjeje edhe ushtarak kallaratas, të cilët së bashku edhe me ushtarakët e tjerë dhanë kontributin e tyre në mbrojtjen e vendit për vite te tëra. Përveç Vlorës, Tiranës, Fierit, Beratit, Durrësit, Elbasanit e Gjirokastrës, qytete këto të preferuara, ushtarakët kallaratas do ti gjeje edhe në rrethet më të largëta jo shumë të preferuara për të tjerët për shkak te largësisë dhe kushteve klimaterike, si në Burrel, Peshkopi, Bulqizë, Pukë, Tropojë, Kukës, Lezhë e Shkodër, pa harruar edhe Ishullin e Sazanit, Karaburunin, Himarën e ndonjë vend tjetër. Ushtaraket kallaratas në sajë të zgjuarsisë së tyre, vetëmohimit, përkushtimit dhe ndihmës së familjeve të tyre arritën te kryenin detyra te rëndësishme në radhët e ushtrisë e të policisë që nga ato më të ulta e deri komandantë e komisarë njësish e repartesh të rëndësishme, drejtues të strukturave të Rendit, të Shërbimit Informativ Kombëtar etj. Karakteristike e tyre është se çdo gjë e fituan me meritë, me punë e djersë, duke qëndruar larg servilizmave të çdo kohe e ngjyre.

Tërë këta ushtarakë kanë kryer me përkushtim dhe ndershmëri për shumë e shumë vite detyra tepër të rëndësishme. Ata i kanë dhënë ushtrisë e policisë, jetën dhe rininë e tyre, ndaj meritojnë respekt e mirënjohje. Tek të gjithë këta ushtarakë vlerësohet së tepërmi përkushtimi, korrektësia, disiplina, përsosmëria dhe dinjiteti. Këta njerëz të përkushtuar i kanë lënë ushtrisë si trashëgim një pasuri shumë të madhe, përvojën e tyre të vyer e të sinqertë, sakrificën, respektin, për detyrën dhe kolegët, dashurinë për Atdheun dhe mbi të gjitha emrin e tyre të panjollosur. Edhe pse një pjesë e tyre kanë vite që janë ndare nga uniforma që e kanë dashur shumë, të cilën e kanë veshur atë që në moshën 14 apo 18 vjeçare dhe e kanë mbajtur me shumë dashuri e respekt për gati një jetë të tërë, përsëri ata interesohen për ecurinë e Forcave te Armatosura dhe përpjekjet e saj për anëtarësim në NATO. Me uniformën e gjelbër apo blu mbi supe ata kanë përballuar të gjitha sfidat e jetës e të shërbimit ushtarak. Nën uniformë ata kanë gjetur bashkëshorten, janë veshur dhëndurë, kanë lindur e rritur fëmijë, kanë kaluar gëzime e kanë përballuar dhimbje. Pjesën më të madhe të jetës, për shkak të situatave, e kanë kaluar në gatishmëri në reparte në mbrojtje të kufijve apo në ruajtje të qetësisë publike e rendit në çdo cep të vendit. Kush e di sa prej këtyre ushtarakëve kanë marrë lajmin e lindjes së një fëmije duke u gjendur ne shërbim në vendroje, në anije, buzë kufirit, apo në llogore ne ruajtje të Atdheut. Sa festa, datëlindje e gëzime kane ndarë me shokët larg njerëzve më të afërt, por me një përkushtim për detyrën e profesionin, dhe kjo e bën ushtarakun më fisnik, më mbinjerëzor dhe më madhor. E megjithatë, ata kane përballuar më së miri të gjitha vështirësitë, duke vënë në rrezik edhe gjënë më të shtrenjtë, jetën dhe nuk janë dekurajuar asnjëherë. Kur i ka thirrur detyra në çdo orë të ditës e të natës, ata kanë lënë në mes festa shumë të rëndësishme dhe nga më te veçantat e jetës. Ata kanë qenë dhe mbeten një kategori e veçante e shoqërisë, që pjesën më të madhe të integritetit të tyre personal ja kanë kushtuar interesave të përgjithshme. Ata mbeten të nderuar për atë që kanë bërë, për vlerat e veçanta që i kanë dhënë strukturave të mbrojtjes e sigurisë në vend, për atë që kanë sakrifikuar në emër të Detyrës dhe Atdheut.

Sot një pjesë e tyre nuk jetojnë, një pjesë janë në vitet e pleqërisë, të tjerë të dalë nga reformat e kryera pas viteve 90-të, dhe mjaft pak vazhdojnë të jenë ushtarakë aktiv, por ata vetë dhe familjet e tyre ndjehen krenarë për atë çka ata bënë gjatë jetës së tyre. Sot në kujtesë të atyre viteve të vështira, plot mund, djersë e sakrificë, por edhe të bukura, ata kanë se çfarë të tregojnë, kanë pse të jenë krenarë, sepse ata kaluan një jetë të tërë nën rrobën ushtarake, që pionier e deri sa u thinjën, një jetë e tërë plot mundime e strese, një jetë nën urdhra, një jetë në gatishmëri, por edhe një jetë që brenda asaj të mundimshmes ka patjetër bukurinë e saj, ka krenarinë e të qënurit ushtarak që i shërben jo vetëm vetes e familjes tënde, por shumë më tepër Atdheut, Kombit tënd. Ndoshta vitet e fundit ushtarakët e dalë në lirim e rezervë nuk morën nga shteti atë vlerësim që u takonte për sakrificat e bëra në interes të Atdheut, megjithatë ata kanë pasur e kanë vlerësimin maksimal të mbarë shoqërisë, të familjeve, kolegëve e shokëve të tyre, vlerësim që me siguri edhe në të ardhmen nuk do t’ju mungojë.

Nuk ka fis por edhe familje kallaratase që të mos ketë pasur ose të ketë në gjirin e vet të paktën një ushtarak aktiv, ashtu siç ka familje që kanë mbi tre ose edhe më shumë ushtarakë. Nga një përllogaritje e bërë vetëm për ushtarakët aktiv, del se sipas fiseve përbërja është: Breshanaj–17, Qejvanaj-13, Jonuzaj–8, Memushaj–8, Xhaferaj–8, Gjonbrataj-7, Gjonaj–7, Tozaj-7, Habilaj–6, Hoxhaj–6, Karabollaj–6, Strataj–5, Zhibaj-5, Abazaj-4, Demiraj-4, Golloshaj-4, Hysaj–4, Mataj–4, Dautaj-3, Petanaj–3, Ribaj-3, Bejtaj-2, Goxhaj–2, Haxhiaj–2, Shakaj–2, si dhe fiset Aliaj, Begaj, Borshi, Bushi, Elezaj, Jovani, Laçaj, Llanaj, Meçaj, Mehmeti, Muharremi, Rjepi, Thanasi dhe Toçi me nga 1 ushtarakë aktiv. Besoj se mund të jetë gjë shumë e rrallë si fshat, krahasuar edhe me fshatra të tjerë, për numrin e madh të ushtarakëve në raport me numrin e popullsisë. Ne si fshat duhet të ndjejmë një farë krenarie për kontributin e këtyre bijve kallaratas, që me punën dhe ndershmërinë e tyre si ushtarak, kanë mbajtur të pastër dinjitetin e tyre personal, shumë prej tyre kanë bërë edhe emër në fushën ushtarake, dikush ka dhënë edhe jetën në mbrojtje të trojeve të Atdheut. Ata me përkushtimin e tyre kanë rritur edhe vlerat e fshatit të tyre, Kallaratit. Shumë prej emrave të ushtarakëve kallaratas, janë skalitur në historikët e njësive e reparteve ushtarake, si drejtues e ushtarakë të zot, të tjerë në amzat e shkollave ushtarake brenda e jashtë vendit, si skënderbegas, studentë e akademistë të shkëlqyer dhe deri në kontributin e sotëm të tyre ne Operacionet e Mbështetjes së Paqes jashtë vendit.

Edhe pse kaq shumë ushtarakë kallaratas, me një aktivitet mjaft të pasur, jo të gjithë njihen, në mënyrë të veçantë nga brezi i ri i sotëm. A nuk do të ishte me interes të bënim diçka më tepër në këtë drejtim? Me siguri që po. Një shkëndi për këtë qellim u dha gjate vitit të kaluar nga disa ushtarakë të Degës “Kallarati” në Tiranë me anë të shpërndarjes së një formulari, nëpërmjet së cilit kërkohej mbledhja e grumbullimi i të dhënave mbi jetën, punën dhe aktivitetin e ushtarakëve kallaratas që kanë shërbyer për vite me radhë në radhët e Forcave te Armatosura, te Ministrisë së Punëve të Brendshme, Shërbimit Informativ Shtetëror, si oficer ose nënoficer aktiv për periudhën 4 Dhjetor 1912 e deri në ditët e sotme. Por që është bërë ende pak në grumbullimin e këtyre të dhënave, sigurimi i të cilave do t’i shërbente qëllimit të njohjes, studimit e propagandimit të jetës së bijve dhe bijave kallaratas. Megjithëse ka kaluar shumë kohë, përsëri nuk është vonë. Prandaj le të kontribuojmë të gjithë në këtë detyrë sa shoqërore aq edhe patriotike. Të dhënat janë personale, ato në asnjë mënyrë nuk do t’ju nënshtrohen gjykimeve të tjera, në mënyrë të veçantë atyre politike. Qëllimi i vetëm i mbledhjes dhe grumbullimit të tyre është e do të jetë vetëm historik. Prandaj ato në mënyrë sa më të përmbledhur e koncize duhet të pasqyrojnë jetën dhe aktivitetin e ushtarakut, duke filluar nga të dhënat personale, arsimimin, kualifikimin, detyrat kryesore që ka kryer gjatë viteve si ushtarak dhe vendet ku ka shërbyer, aktiviteti i tij shoqëror e si intelektual, pjesëmarrja në luftërat për liri e pavarësi e deri ne misionet e sotme jashtë atdheut në mbështetje të paqes. Është e mira që këto të dhëna të shoqërohen me ndonjë fotografi ushtarake personale por edhe të dalë me familjen, shokë pune apo bashkëfshatarë. Mundësisht të dhënat të jenë të plota, të sakta e të shtypura. Mbas plotësimit ato të dorëzohen tek kryetarët e degëve të shoqatës “Kallarati “në rrethe, si dhe nëpërmjet internetit në adresën e shkruesit te këtij artikulli [email protected]

Ju lutemi të gjithë atyre ish ushtarakëve, që mund të jenë në rezervë, lirim apo pension dhe atyre që ende janë ushtarakë aktiv, të kontribuojnë në sigurimin e këtyre të dhënave, pasi ato do t’i shërbejnë njohjes më mirë të kontributit të kallaratasve në fushën e mbrojtjes e të sigurisë së vendit. Mbi të gjitha ato do të jenë pjesë e historikut të Kallaratit. Sa më shumë të zgjatet koha e mbledhjes së të dhënave të mësipërme, aq më e vështirë do të jetë saktësia e tyre, pasi aktualisht një pjesë e ish ushtarakëve nuk janë gjallë ose janë në një moshë të thyer. Më të paktë janë ata që vazhdojnë të jenë ende ushtarakë aktiv. Ju lutemi gjithashtu çdo lexuesi të gazetës “Kallarati ” të kontribuojë në këtë drejtim, mbasi mund të ketë nga ata ish ushtarakë që nuk kanë të afërm për t’u interesuar. Gjithashtu do ti rekomandoja redaksisë së gazetës, nëse e shikon të arsyeshme, çeljen e një rubrike të veçantë për të evidentuar kontributin e ushtarakëve kallaratas, sidomos të atyre që nuk janë gjallë.

Të dashur lexues! Ju kërkoj ndjesë nëse në listën e ushtarakeve të lartpërmendur, mund të ketë edhe ndonjë pasaktësi ose harresë për ndonjërin. Ato me siguri do të plotësohen në të ardhmen me ndihmesën Tuaj. Duke ju falënderuar për mirëkuptimin, mbetem në pritje të bashkëpunimit Tuaj, për të bërë pjesë të historikut kallaratas edhe atë kontribut të vyer të ushtarakëve të tij në vite.

Këtë shkrim dëshiroj ta mbyll me urimin “Mirënjohje, respekt e vlerësim të thellë të gjithë ushtarakëve kallaratas, që kontribuuan e kontribuojnë anë e mbanë Atdheut për lirinë e pavarësinë dhe mbrojtjen e tij, të cilët nëpërmjet punës e sakrificave të tyre për vite të tëra, ja shtuan vlerat Kallaratit, duke e bërë atë të njohur në mbarë Shqipërinë”, urim që me siguri i bashkohet çdo kallaratas dhe lexues i gazetës së tij.

Besnik GJONBRATAJ

Shënim: Ky shkrim është botuar ne gazetën “Kallarati”, Nr 35, Korrik-Gusht 2007

Next Post

Pak nga jeta dhe aktiviteti krijues i Andi Meçaj

Sht Qer 9 , 2012
U lind më 6 qershor 1975, Vlorë.  Më 1994 ka mbaruar liceun artistik për pikturë në Vlorë dhe po në këtë vitë mërgon në Greqi ku hap një ekspozitë pikture vetiake të vlerësuar nga shtypi vendas. Është fitues i çmimit të parë në tregim i konkursit letrar “Pranvera 2001”; i […]