VLERËSIME PËR KRIMTARINË E HIQMET MEÇAJT

Hiqmet MecajHiqmet Meçaj është vlerësuar nga shumë personalitete të kulturës dhe kritikës letrare shqiptare, si Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Llazar Siliqi, Prof.Agim Vinca, Prof.Adriatik Kallulli, Prof.Kudret Velça, Dr. Ardian-Ch Kyçyku, Dr.Moikom Zeqo, Prof. Adem Jakllari, Faslli Haliti, Faruk Myrtaj, Sulejman Mato, Visar Zhiti, Robert Goro, Vath Koreshi, Ridvan Dibra, Dr.Xhemal Ahmeti, Mustafë Xhemajli, etj… në shtypin periodik shqiptar që nga viti 1964…, të cilin nuk e ka në dispozicion.

Nga Prof. Dr. Agim Vinca

Hiqmet Meçaj është njëri nga poetët e shquar bashkëkohorë shqiptarë, i cili që nga viti 1994 jeton në Athinë (Greqi). Zëri i Hiqmet Meçajt në poezinë e sotme shqipe është një zë i qartë e origjinal. Meçaj është poet me kulturë e përkushtim krijues, që e ndien pulsin e jetës dhe ndjek zhvillimet aktuale të poezisë, por nuk flerton me trillet e modës.

Poezia e Hiqmet Meçajt ka larmi temash dhe formash shprehëse. Meçaj është poet që arrin të vendosë baraspeshën ndërmjet fjalës dhe idesë, formës dhe përmbajtjes, intimes dhe shoqërores, lokales dhe universales, modernes dhe tradicionales. Ritmi dhe mendimi tek ai janë po ashtu në harmoni. Sintaksa poetike.- Ritmi ndjek mendimin; mendimi përcakton ritmin.- Metafora; metonimia; ironia; paradoksi.- Fjala poetike është si uji, ajri dhe era. Nuk njeh kufij as pengesa. Subjekti lirik i poezisë së këtij poeti e shqipton dhembjen nëpërmjet vargjesh që tingëllojnë shqip dhe që si të tilla nuk e lënë indiferent lexuesin. Meçaj është poet që e gdhend fjalën dhe e zotëron mirë mjeshtërinë e vargut……

Nga Dr. Moikom Zeqo

Një nga miqtë më të mirë e më të vjetër që kam njohur gjatë jetës është Hiqmet Meçaj. Në rininë e hershme ai pati një shkëlqim të papritur në krejt gjeneratën e vet. Pastaj befas sikur u mbështoll nga një guackë e pashpjegueshme dhe herë-herë e padepërtueshme. Larg bujës, larg ndikimeve të kritikës letrare, Hiqmeti, si një paradoks, botoi tepër rrallë, por tjetër gjë botimi dhe tjetër gjë krijimtaria.

Kujtoj bisedat tona në Tiranë dhe Vlorë. Vite të tëra mbetëm pa u takuar me njëri-tjetrin. Gjatë një udhëtimi me Dritëro Agollin më 1995 në Athinë, takoj Hiqmetin të drobitur dhe të thinjur. Ç’dreqin bën ti këtu!, i thashë. Ai vetëm psherëtiu. Jeton ende në emigracion me një përmallim të pabesueshëm për Shqipërinë. Paradoksi i jetës. Para disa kohësh më solli dy libra me mikun tonë të përbashkët, Faslli Halitin. I lexova librat dhe u shtanga. Poeti i vërtetë mbetet poet i vërtetë në të gjitha kohërat. Ai e shkruan shumë mirë edhe prozën, gjë që e dëshmon me romanin e tij të fundit. I gjeta numrin e telefonit në Athinë dhe ia dëgjova më në fund zërin. Zëri i dridhej. Mos kujto se je i harruar, o miku im i largët! (Shumë i afërt) Nuk ka gjë, që nuk ta vënë emrin në antologji. Më vonë nuk do të ketë antologji të poezisë pa emrin tënd. Hiqmet Meçaj është një nga personalitetet e spikatura të poezisë shqipe, por, në disa kuptime, ai pati fatin e poezisë së tij të mrekullueshme “Agavia”.

Marrë nga gazeta “Panorama” 30 Maj 2003

Nga Dr. Ardian Christian Kyçyku

... Ndërmjet viteve 1990 e 2005, nga Shqipëria u detyruan të largoheshin qindra intelektualë, poetë, prozatorë, historianë, përkthyes, piktorë, skulptorë, aktorë etj. Disa ikën që të mbijetonin ekonomikisht, të tjerë – artistikisht. Ndërsa ca të tjerë, të paktët e zgjedhur ndër të panumurtit e ftuar, shkuan që të ruanin e të shpëtonin thelbet e kulturës dhe të qytetërimit zanafillor. Njëri syresh është, pa dyshim, HIQMET MEÇAJ, lindur në qytetin e Vlorës, buzë Detit Jon, më 2 maj 1944, mërguar në Greqi, mishërimi i shkrimtarit që bind në mënyrë të pabujë, me veprën e vet, fuqinë prapavepruese të talentit. Për të mësova nga interneti, hapësirë në të cilën shumë autorë të mëdhenj, por të ngujuar qëllimisht në harresë, të gjuhës shqipe gjetën një Tokë të Premtuar teksture, pasi u pa qartë se çenzura e dikurshme ideologjike u bë edhe më mbrapshtë, duke u shndërruar tanimë edhe në ekonomike, por edhe në idhujtare, të themi. Mora vesh atëhere me habi se Hiqmet Meçaj ishte shkrimtar i dorës së parë, poet e prozator i mrekullueshëm, por edhe njeri me një mirësi, e cila në botën e shkrimeve mund të jetë fatale. Dhe pjesërisht i ka qënë e tillë.

Në një letër të dërguar nga Athina, me një thjeshtësi të pabesueshme, më njoftonte se ai, “prej nja 40 vjetësh rrinte në qoshen e vet”. Të dhënat biografike që gjendeshin në mbulesat e vëllimeve ishin mjaft të kursyera. Pas leximit të romanit “Kukullat e pyllit”, – të cilin do ta rreshtoja pa ngurrim mes kryeveprave të prozës ballkanike e më tej…

Hiqmet Meçaj,… një poet që njeh me rrënjë zjarrin dhe dritën; që e ka mbledhur gjithë shpresën, si të ishte zemër shtatzanë, në Letër, dhe i cili s’tutet të digjet në dritë, po qe se rruga mbetet prej drite. Ndoshta ngaqë Hiqmet Meçaj di ta (ri)gjejë atdheun në gjithçka dhe nga gjithçkaja të lindë krejt atdheun, shqipen e përkorë, Metaforën. Siç do të ndihet gjer në palcë, pavarësisht nga prejardhja etnike e kësaj të fundit, pas leximit të vargjeve të Meçajt, pas kësaj Poezie të ngjizur në një hije-dritë dyzetvjeçare, do të shihet qartë se madhështia e kësaj krijimtarie, kaq e heshtur dhe në-heshtje-mbrujtur-me-flijime nga ato që e tashmja as i sheh e as i duron dot, s’mund ta kenë veçse Letra dhe Shqipja.

Nga Visar Zhiti

Hiqmet Meçaj është emër i njohur në poezinë bashkëkohore shqiptare. Ritmet e emocioneve të tij, sa qytetare aq dhe me frymë origjinale labe, gjithmonë duke rënduar drejt lirisë së individit, sa i veçantë aq dhe universal, kanë marrë ngjyrime të reja, bashkë me atë të dheut-amë dhe të një qielli gjeneral dhe prapë të një qielli tjetër, përplasja e të cilëve jep dritë të beftë.

Nga Mihallaq Qilleri

... Hiqmet Meçaj erdhi në Greqi si qindramijëra shqiptarë të tjerë, por edhe si i “deleguar” i poezisë më të mirë të vendit të tij. Përfaqësues i një brezi poetësh e prozatorësh të vërtetë ai spikati me talentin e tij qysh në vitet ’60, kur ishte ende student. Më pas, në qytetin e Vlorës, ai u bë një nga intelektualët më në zë atje dhe krijimtaria e tij poetike, por edhe dramaturgjike, rezonoi në të gjithë vendin…… Që në fillim më duhet të pohoj se është një kënaqësi për lexuesit të ketë në dorë një libër me poezi të vërteta, pas shumë botimeve folklorike, por edhe tentativave zhurmëmëdha për modernizëm anakronik që kemi parë të shiten lokaleve gjithë tym ku pinë kafe të lira shqiptarët emigrantë. “Vetëvrasja e qirinjve” është jo vetëm një vlerë kombëtare në letërsi, por po të lexohet me kujdes, faqeve të tij do të ndjejnë gjithë diagramën e tentativave novatore të viteve të fundit…

…Hiqmet Meçaj është jo vetëm një poet i lindur, por edhe një intelektual klasi që analizën e viteve të tranzicionit shqiptar e bën si rrallë kush, pa ripërsëritjen tragjike të idhtarëve të luftës së klasave, që ia hodhën atë shoqërisë shqiptare mbi shpinë, kur ajo qe plagosur keqaz.

Nga Robert Goro

Kam përshtypjen se Hiqmet Meçajn pakkush nuk e njeh. Por edhe nëse në të vërtetë ndodh e kundërta, nuk habitem aspak. Pse në këto 13 vjet të emigracionit shqiptar në Greqi, kemi harruar shumë gjëra. Aq më tepër ata njerëz që dikur i ndienim kaq afër nesh, për hir të krijimtarisë letrare, apo artistike. Hiqmet Meçaj është njëri nga këta. Poeti i mirënjohur, simbol i letërsisë vlonjate, do të thosha është njëri nga ne, një njeri i mpakur nga hallet e jetës, që emigracioni e mbuloi me pelerinën metaforike të anonimit. Por mos vallë gjithë krijuesit e mëdhenj nuk ishin gjithë jetën anonimë, ose më saktë të pavënëreshëm?… Kush, bie fjala e njihte Lasgush Poradecin në Tiranë, ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, për të sjellë vetëm një shëmbull. Mallkimi dhe njëkohësisht bekimi i krijuesve të mëdhenj është pikërisht anonimiteti, pse ata njihen vetëm prej veprës së tyre dhe përgjithësisht, lexuesit apo spektatorët nuk merakosen shumë që të njohin edhe portretin fizik të demiurgëve, për arsyen e thjeshtë pse u mjafton vetëm vepra e tyre…

E megjithatë, siç thashë Hiqmet Meçaj jeton në mes tonë, ka po ato halle si dhe shumica e jonë, ka provuar radhët e gjata dhe zhgënjimin përballë nëpunësit gjysmanalfabet që i ka në dorë lejen e qëndrimit. Dhe jo vetëm kaq, por jeta, ashtu si një perëndi e pamëshirshme që i torturon gjer në fund dishepujt e vet, e ka vënë mjeshtrin Meçaj përballë provave shumë të rënda njerëzore, të cilat ai rreket t’i përballojë me vetëmohim e vendosmëri. Duke gjetur ngushëllim vetëm te krijimtaria. Tek ajo krijimtari cilësore, ku gjejnë ngushëllim dhe gjithë shpirtrat e ndjeshëm.

Poezia, dhe tash së fundi proza e Hiqmet Meçajt është nga letërsitë më të bukura në shqip që kam lexuar në vitet pas ndryshimit të sistemit, që nuk u shoqërua dhe kaq nga ndryshime cilësore në letërsi, sidomos në letërsi. Hiqmet Meçaj është një nga provat e pakta të ndryshimit, sado që të rrudhin buzët me mospajtim kritizerët e grafomanët e dështuar të cilëve shqipja nuk u ka asnjë faj.

Marrë nga gazeta “Tribuna” (Athinë, Greqi) 13 Maj 2004

Nga Marash Mëhilli

(Kartolinë për vit të ri 2003)

I nderuar shkrimtar!

Nëpërmjet këtij urimi rifillova zakonin e vjetër. Atë e kisha ndërprerë kur emigrova. Mbështetur në shijet dhe në gjykimin tim, në çdo fund viti, përzgjidhja më të pëlqyerin njeri të letrave, për t’i dërguar urimin e vitit të ri. Këtë herë urimin e kam për ju.

Të kam kënduar që nga “Nisja” e deri tek “Vetëvrasja e qirinjve”. Ju keni hyrë kaherë në fondin e kulturës kombëtare…

… Ju renditeni në ajkën e poetëve tanë bashkëkohorë. Kjo shpjegohet me prezencën në tekste shkollore e antologji, me çmimet e fituara në rrafsh kombëtar, me vëmendjen e tendosur të kritikës e kryesisht me ndikimin e gjerë te lexuesit. Ata të ndjekin pa mërzi, të joshur nga magjia dhe jo nga ftesat e zhurmshme dhe manovrat bajate.

Poetët si ju, u japin të tjerëve forcë, ripërtëritje, strukturim shpirti e karakteri. Ata janë fanarë syçelësie për të mos rënë në tmerrin që thoshte Shekspiri, kur të marrët u prijnë të verbërve…

Marrë nga gazeta “Gazeta e Athinës” 9 Janar 2003

Nga Marash Mëhilli

(Kartolinë për Vit të Ri 2004)

I nderuar shkrimtar!

Si sot një vit më parë, nëpërmjet Gazetës së Athinës ju dërgova urimin tim që lidhej me suksesin e krijimtarisë suaj poetike. Unë sapo kisha përfunduar së lexuari vëllimin poetik “Vetvrasja e qirinjve”. Poezitë e librit kishin ndjenjë, ngjyra dhe mendim. Për mua ishte më i pëlqyeri, më i lexuari. Ky ishte motivimi i atij urimi të sinqertë.

Lexova romanin tuaj “Kukullat e pyllit”. Jam shprehur publikisht për atë vepër, e kam quajtur “stoli artistike”. “Profecia” më doli…

… Stolia juaj stolisi letërsinë bashkëkohore. Urimi i këtij viti përshëndet ngjitjen tuaj, në të përpjetën e letërsisë. Më ka lënë në një gjëndje të këndshme shpirtërore libri me tregime “Për askund”.

Tregimeve nuk u mungon mesazhi dhe semantika e gjithëkohëshme. Vektori krijues shpalos vlera të reja për një vizion modern të kuptimit të jetës. Tregimi, titullin e të cilit mban edhe libri, më solli në mëndje dy gjëra njëherësh: thënien e poetit amerikan të shekullit të 19-të Emerson dhe një fjalim të numrit dy në kupolën e diktaturës komuniste të atdheut tonë. Poeti thoshte: “Sa shumë nga jeta jonë harxhuam duke pritur”. Numri dy i diktaturës, në një fjalim të mbajtur atyre moteve, thoshte: “Anija jonë i ka çarë e do t’i çajë dallgët e furtunës mizore me vendosmëri legjendare, se…”.

Kapiteni haluçinant i tregimit, më ktheu në kohën haluçinante të diktaturës, në të cilën, pas pesëdhjetvjetësh udhëtimi, nuk dolëm në limanin që dëshironim. Udhëtim delirant.

Pasi lexova tregimet, m’u përforcua dhe bindja tjetër: ju kur punoni mbi letra i keni të dy duart të zëna. Në njërën mbani penën e në tjetrën mbani limën. Çdo fjalë ka llambushkën e vet; të josh për tek vetja e të ndriçon shtegun e syrit për te tjetra.

Për të gjitha këto të përgëzoj e të uroj, i nderuar shkrimtar!

Marrë nga gazeta “Gazeta e Athinës” 8 Janar 2004

Nga Vasil Vasili

Mik i dashur Hiqmet Meçaj!

Ju gjer tash ishit një nga zërat më përfaqësues të poezisë sonë moderne, ishit rregulluar aq bukur në tempullin tuaj të fjalës, sa asnjëherë s’më kishte shkuar nëpërmend se do të kishit gjetur edhe një ngastër ku do të lëronit tokën e ashpër të romanit.

“Gazeta e Athinës” 2001

Nga Ridvan Dibra

I lexova poezitë dhe tregimet e Hiqmetit. Më bënë përshtypje të thellë sidomos tregimet: është një prozator i mrekullueshëm. Sinqerisht ndihem disi në faj, që s’e kam lexuar më herët…

Nga Murat Aliaj

...Pa asnjë dyshim që lexuesi do ketë fatin të marrë në dorë një libër mjaft serioz, i cili ka nderin të qëndrojë hijerëndë përkrah autorëve më të mirë shqiptarë… Librin (me poezi të zgjedhura “Kujtesë e shpikur”), e lexova dy herë… Këtë ma imponoi vetë lënda, e bollshme, e larmishme dhe mbi të gjitha cilësore…

Nga Myslim Maska

Kur mbaron së lexuari librin “Kujtesë e shpikur” me poezi të zgjedhura të poetit Hiqmet Meçaj, bie befas në një gjendje hutimi e turbullimi, ashtu siç na ndodh të habitemi për një çast para të bukurës.

Kjo bukuri tronditëse estetike na mbërthen e na bën për vete, jo vetëm për strukturën apo mënyrën e kompozimit si një dantelë e brishtë, por edhe për tjetrën, përzgjedhjen dhe për pasojë, rëndesën e saj, nëntekstin dhe aftësinë sugjestionuese për të depërtuar dhe zhbiruar në thellësi të mistereve të njeriut, bile dhe të inkoshiencës së tij. Në mënyrë të veçantë lexuesi i kulturuar, të cilit s’i është dhënë mundësia të njihet gjerësisht deri më sot me poetin, kam bindjen e plotë që do të befasohet, po ashtu edhe lexuesi i zakonshëm, që do të gjejë aty pjesëza të shpirtit të tij. E gjithë kjo, qysh nga motivet rinore njëzetvjeçare e gjer te motivet filosofike të burrërisë e të pjekurisë poetike… Hiqmet Meçaj nuk është snob, as i llojit të vargut, as i formës apo teorive formale. Poezia e tij buron natyrshëm, pa shtrëngim e sforcim, plot figura të freskëta e befasuese, si në rininë e hershme, ashtu dhe në vazhdim, me një problematikë tjetër “të padukshme”, me një sintaksë elastike dhe origjinale…

Nga Novruz Abilekaj

…Nëpër fletën e bardhë të këtij vëllimi, (pra, jashtë e përtej shkronjave), lëviz një filozofi unike e cila i përket Hiqmetit dhe rrezatohet nga dielli që ekziston vetëm brenda tij…

… Mendoj se kjo përzgjedhje, “Kujtesë e shpikur”, do mbetet dinjitoze në letërsinë shqiptare, posaçërisht në biografinë e poezisë shqipe. E krahasova, (gjithnjë brenda kufijve të shqisave të mia), me “të zgjedhura” të tjera dhe e quaj nga më të mirat esencën e Hiqmetit.

Nga Odise Goro

...Poeti emërndritur vlonjat, me thellësinë dhe qartësinë e ideve që përcjell, ia shprish qetësinë lexuesit, i ngjall atij shqetësimin…

…Mirësia e zemrës dhe kthjelltësia e mendjes janë guri i themelit të krijimtarisë së tij të begatë. Me zgjuarsinë dhe intuitën karakteristike zhbiruese, poeti Hiqmet Meçaj thurr vargje të fuqishëm, njerëzorë, me elegancë dhe finesë të papërsëritshme, që s’janë gjë tjetër veçse shkallë ngjitjeje fisnike në udhën gati pesëdhjetëvjeçare të muzës së tij poetike… Ai nuk përdor vargje me efekt e luks të jashtëm e shkëlqim të rremë, se e di më së miri, që këta lloj vargjesh, ashtu siç shkëlqejnë shpejt, po shpejt e aty për aty shuhen… Vargjet e tij kanë një thjeshtësi mahnitëse. Ato u ngjajnë gurëve të rëndë e me peshë, të skalitur në qoshe e qemerë, që ruajnë gjatë e të paprekur bukurinë, qëndrueshmërinë, madhështinë e përsosmërinë brez pas brezi…

Next Post

FSHATI I DJEGUR*, Poezi

Pre Maj 25 , 2012
Kallaratit, fshatit të nënës dhe të babait, të cilin të gjithë pushtuesit e kanë djegur dhe bashkëfshatarët e mi e kanë ngritur prapë.   Ka vetëm mure, ka vetëm hi, dyer nuk ka. Ku të trokas? Ku të trokas? Kujt t’i thërras? Kujt t’i thërras? Nën hi dhimbje e madhe, dhimbje e madhe mbi hi. Djegur ditët, djegur netët, djegur mëngjeset dhe mbrëmjet djegur. 0, […]
Hiqmet Mecaj