Çapon, godet bastunin
në rrugën drejt kishës,
troket orët e tij të mbetura,
asfaltin e zi që hap derën,
nga del e bukura e dheut
shndërruar në flutur,
krahët e ylbertë përplas,
në flokët e tij shekullorë vendos,
të jetojë dhe të vdesë.
Dora kurdis zemrekun,
ecën dy hapa, ndalon,
rikurdiset, vazhdon.
Nga qoshja del fëmija kaçurrel,
me sytë e dielltë,
duke bërtitur, duke ulëritur
nga gëzimi për plakun lodër,
për këtë gjigand të rrudhur,
me tesha të ngrëna kohëve,
me këtë bastun që ka hedhur
rrënjë në shpirt.
Kujdes biri im,
ka nevojë për shumë dashuri
dhe pak kurdisje.