Ndërsa iknim
tek një qiell i njohur,
për një tjetër shtëpi,
të rigjetur pas 16 vitesh,
për një tjetër frymëmarrje,
ndoshta më të lirshme,
për një tjetër qytet,
tashmë më të rritur,
me faqet dhe ballin tërë blozë,
për një tjetër lloj bisedimi
me sendet,
lulet e kafshët,
me njerëzit e njohur
që kanë ndryshuar pamjen,
(ndoshta jo zemrën),
e hapëm edhe një herë atë derë
që na shpie në vende
e botëra të shkelura,
ku herë duke vrapuar,
zvarritur,
qeshur apo qarë,
kemi përshkuar
një copëz rrugë
drejt diellit.
2010
Nga Andi Meçaj