1000 BANORË TË KURVELESHIT TË IZOLUAR PREJ DY JAVËSH.
Lumi i Shushicës gllabëron 200 metra rrugë nacionale, shteti bën indiferentin. Fshatrat Kuç dhe Kallarat kthehen në ishuj të izoluar, në rrezik jeta e banorëve. Dy javë më parë kemi njoftuar, madje kemi dhënë alarmin për izolimin e fshatrave Kurveleshit të Poshtëm, Kuçit, Kallaratiti etj. për shkak të rrëshqitjes të një pjese të rrugës nacionale, rreth 200 metra dhe gllabërimit të saj prej lumit të Shushicës që ka dalë nga shtrati, për shkak të rreshjeve të kohëve të fundit, sikur kjo rrugë të mos ekzistonte më parë. Përtej kilometrit 46 të rrugës së Lumit të Vlorës (midis fshatrave Vranisht dhe Kallarat) nuk ka më komunikim. Kjo i ka kthyer fshatrat e Kuçit dhe Kallaratit në ishuj të izoluar, e ka ndërprerë tërësisht mundësinë e lidhjes dhe komunikimit të këtyre fshatrave me qendrën e Komunës, fshatrat e tjera të Lumit të Vlorës dhe qytetin e Vlorës, duke e vështirësuar seriozisht jetën e banorëve të zonës.
Banorët e fshatrave të mësipërme kanë ditë që po përjetojnë jetën e ishullorit edhe nga fakti sepse prej kohësh janë tërësisht të bllokuara edhe dy akset rrugore rurale që e lidhin Kuçin, Kallaratin dhe fshatrat e tjera të luginës së Lumit të Vlorës me Bregun, Borshin e Himarën, për shkak të erozionit dhe rrëshqitjes së dherave prej gati dy vjetësh. Kjo pasi edhe rruga që lidhte dikur Kuçin me Bregun në Borsh (22 km) ka 2 vjet që është bllokur prej rrëshqitjes së dherave në afërsi të fshatit Fterrë, ndërsa aksi tjetër që kalon më shkurt nga fshati Çorraj (18 km) është dëmtuar rëndë nga ndërtimet e një hidrocentrali dhe mungesa e një ure mbi lumin e Borshit.
Edhe pse banorët dhe pushteti vendor (komuna e Horë – Vranishtit), mediat e ndryshme etj., e kanë dhënë alarmin menjëherë për zgjidhjen e kësaj situate të jashtëzakonshme, asnjë masë nuk është marrë nga organet përkatëse. Madje, nga Këshilli i Qarkut, Prefektura, Drejtoria e Rrugëve, Drejtoria e Emergjencave në rreth e në qendër akoma nuk është dërguar as edhe një përfaqësues i tyre qoftë për ta parë gjendjen në vend. I kërkuam edhe Ministrisë së Mbrojtjes ndërhyrje me mjetete saj të emergjencës, por, pas dërgimit të një ekipi specialistët për t’u njohur me situatën nuk ka akoma asnjë përgjgije për masat që do të merren. Indiferenca dhe papërgjegjshmëria e organeve shtetërore për zgjidhjen e situatës po sjell si pasojë edhe kërcënimin e jetës së njerëzve dhe udhëtarëve të rastit, të cilët, të painformuar dhe të panjoftuar me anë të mjeteve të sinjalistikës për rrezikshmërinë që paraqet kalimi në humnerën e krijuar nga lumi, mund të bëhen prê e ndonjë ngjarjeje me pasojë jetën e tyre.
Është kërkuar në të gjitha instancat dhe me të gjitha format ndërhyrja e menjëhershme me forcat dhe mjetet e nevojshme për riparimin e këtij aksi rrugor, sepse jeta e banorëve të izoluar të këtyre fshatrave po vihet në vështirësi serioze për lëvizjen e tyre për punësim, qarkullimin e mallrave, furnizimin me ushqime dhe mjetet e tjera të jetesës, shkollimin e fëmijëve, nevojat e shërbimit shëndetësor etj.
Nga Fatmir TOCI Publikuar ne facebook 03.02.2013