INTERVISTË ME VETERANIN E L.A.N.Ç. ARIF BRESHANAJ, NGA SEIT JONUZAJ

Si të gjithë kurveleshasit e labët në përgjithësi edhe ne kallaratasit në shekuj e kemi pasur në zemër atdhedashurinë. Kjo na ka shtytur ta presim çdo agresor apo pushtues me armë, duke u ngritur burra e gra në luftë për mbrojtjen apo çlirimin e trojeve tona. Fshati ynë i nderuar ka treguar gjithmonë patriotizëm.

Pyetje: Cilët kanë qenë prindërit tuaj dhe cilit fis e mëhallë i përkisni?

Përgjigje: Prindërit e mi kanë qenë Sali Asllan Breshanaj dhe Qeriba Meto Breshanaj. Nëna ishte nga fisi Laçaj i mëhallës Misërgjon dhe më ka vdekur e re, më 1930, duke më lënë jetim në moshën 3- vjeçare, sa që nuk e mbaj mend. Babai vdiq në vitin 1946. Familja jonë bën pjesë në mëhallën e Breshane që është një nga mëhallët e mëdha të Kallaratit. Jemi një fis i gjerë. Por sot, si nga të gjitha fiset e tjera të fshatit, edhe nga fisi ynë shumica dërrmuese janë larguar nëpër qytete e vendbanime të ndryshme të vendit dhe në emigracion.

Pyetje: Kur kini lindur dhe cila ka qenë fëmijëria juaj?

Përgjigje: Kam lindur më 1927, në Mejthe ku kishim shtëpinë, mbi përroin e Ubavit. Kam kaluar një fëmijëri jo shumë të gëzuar, si të gjithë fëmijët e moshës time të fshatit në kushtet e varfërisë e të mjerimit të asaj kohe. E veçanta ime ishte se mbeta

jetim që foshnjë dhe isha fëmija i vetëm në familje. Nuk kisha as motër e as vëlla tjetër se edhe nga martesa tjetër që bëri im at, fëmijë të tjerë nuk pati. Pasi mbarova 3 klasat që kishte shkolla fillore e fshatit tonë në vitin 1938, në pamundësi për të vazhduar shkollimin jashtë fshatit tim, ndihmoja familjen, duke ruajtur ato pak bagëti që kishim.

Pyetje: Cili është shkollimi juaj, ku, kur e çfarë shkolle keni kryer?

Përgjigje: Siç thash më lart, 3 klasë fillore i bëra në vendlindjen time, Kallarat në vitet 1935-38. Pas çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit fashistë e nazistë, kreva shkollën e mesme në Fier më 1953 dhe më 1956 mbarova Akademinë ushtarake të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë.

Pyetje: Pjesëmarrja juaj në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur e ku?

Përgjigje: Në LANÇ nisa të marr pjesë që në vitin 1942, fillimisht në çetën territoriale “Mumin Selami”të fshatit, pastaj me anëtarësimin në organizatën e rinisë në shkurt 1943, më 20 korrik 1943 u rreshtova në çetën partizane “Haredin Tremishti” të Kurveleshit dhe me krijimin e batalionit “Asim Zeneli”, unë bashkë me çetën u bëra pjesë e këtij batalioni. Pas pjesëmarrjes në disa luftime me këtë batalion si në Libohovë, Velçë- Gjorm etj. në dhjetor 1943 u sëmura rëndë në Dukat dhe kur batalioni po kthehej në drejtim të Kurveleshit përmes Kallartit, mua më lanë në shtëpi. Pas operacionit gjerman të dimrit 1943-1944, u bëra mirë dhe më 15 janar 1944 shkova në batalionin e Rinisë të Kurveleshit. Me krijimin e Brigadës së 8 partizane më 25 prill 1944 në Sheper të Zagorisë, bashkë me shumë bashkëfshatarë të mi, u rreshtuam në radhët e saj, duke marrë pjesë në të gjitha luftimet që kjo brigadë zhvilloi deri në çlirimin e plotë të vendit më 29 nëntor 1944 e pastaj në vazhdimin e luftimeve në ndjekje të nazistëve gjermanë në Mal të Zi, Sanxhak e Bosnjë, deri në Vishegrad.

Pyetje: Çfarë ju shtyu të merrnit pjesë në luftë?

Përgjigje: Si të gjithë kurveleshasit e labët në përgjithësi edhe ne kallaratasit në shekuj e kemi pasur në zemër atdhedashurinë. Kjo na ka shtytur ta presim çdo agresor apo pushtues me armë, duke u ngritur burra e gra në luftë për mbrojtjen apo çlirimin e trojeve tona. Fshati ynë i nderuar ka treguar gjithmonë patriotizëm. Dhe fisi im nuk bënte përjashtim. Kjo u tregua edhe më 1914, kur bandat shoviniste greke sulmuan e dogjën fshatin tonë të bukur, si dhe fshatra të tjera të Kurveleshit. Babai im, Saliu, ishte pjesëtar i çetës së Kall aratit, të komanduar nga Fein Çelo dhe zëvendësi i tij Habib Gjonaj në luftën e Vlorës më 1920-n kundër pushtuesve italianë. Në kohën e qeverisë së Fan Nolit, babai im, si fanolist që ishte, ndodhej ushtar në zonën Kukës-Tropojë, ku luftoi kundër ushtrisë sërbe që pruri Zogun në fuqi. Ndërsa xhaxhai im, Azbi Breshanaj më 1934 mori pjesë në grevën e naftë tarëve të Kuçovës, së bashku me bashkëfshatarët e tjerë si Feti Tozaj, Dalan Abazaj, Hariz Goxhaj etj, kundër drejtuesve fashistë italianë për padrejtësitë që u bëheshin. Në këtë vazhdë patriotizmi edhe pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste më 1939 u prit me urrej tje e zemërim të madh në fshatin tonë. Prandaj, si gjithë fshati edhe familja jonë ishte nga të parat që e mirëpriti Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke u bërë mbështetëse e vendosur e saj. Babai im u bë aktivist i saj, një nga anëtarët e këshillit nacionalçlirimtar të fshatit dhe pjesëtar i çetës territoriale “Mumin Selami”gjatë gjithë luftës për çlirimin e vendit. Në këtë mjedis patriotik të familjes e të fshatit u rrita dhe u brumosa unë dhe kjo gjë më shtyu të ngjeshja gjerdanin me fishekë e të hidhja pushkën krahut, duke u rreshtu ar bashkë me djem të tjerë kallaratas në formacionet partizane në luftë kundër pushtuesve italo-gjermanë.

Pyetje: Po të tjerë nga fisi juaj kanë marrë pjesë në LANÇ?

Përgjigje: I gjithë fisi i Breshanajve u lidh me Lëvizjen dhe në Basha në gusht 1943, bashkë me të gjithë popullin e Kallaratit, u betua se do t’i qëndronte besnik deri në fund Luftës Nacionalçlirimtare. Nga bijtë e këtij fisi që u rreshtuan në formacionet partizane, ranë në fushën e nderit trimërisht në luftë me armikun Nuredin Breshanaj, kushëri i parë i babait tim, Filo Breshanaj, tre vëllezërit Sheraj që qenë larguar nga Kallarati e ishin vendosur në Hysoverdh.

Pyetje: Çfarë veçorish ju kanë lënë mbresa në shoqërinë partizane?

Përgjigje: Morali i lartë, solidariteti i madh, uniteti dhe dashuria që kishim për njeritjetrin. Ne ishim si vëllezër. Këto gjëra na bënin që në çdo betejë të dilnim fitimtarë dhe kur na vritej ndonjë shok, aty për aty i ngrihej e i këndohej këngë.

Pyetje: A mund të na tregoni disa nga luftimet më të rëndësishme që kini marrë pjesë?

Përgjigje: Kam marrë pjesë në shumë luftime. Një nga këto ishte luftimi kundër gjermanëve në Shënvasi e Nivicë-Bubar të Sarandës me Grupin e parë të Kurveleshit. Luftimi zgjati 7 orë. Vlen të shënoj se shumë djem të fshatit tonë u treguan heronj të vërtetë, si Hyso Isani, Tare Karabollaj, Sihat Tozaj, Ali Ribaj, e Isuf Breshanaj. Këta të fundit luftuan me mitraloz të rëndë dhe shpëtuan shokët nga rrethimi. Këtu një heroizëm të madh tregoi edhe trimi bolenas Shefqet Muço. Në qershor 1944 Brigada e 8 zhvilloi një luftë të përgjakshme në Sopik të Zagorisë kundër forcave gjermane që vinin nga Greqia. Kallaratasit luftuan trimërisht, si Ormën Boro që sulmonte me bomba dore e Shuko Karabollaj, të cilët të dy ranë heroikisht, Rruzhdi Lamja e Ferik Strataj, të cilët u plagosën, Barjam Toçaj etj. Një luftë të ashpër zhvilloi brigada jonë më 5 gusht, kur sulmoi qytetin e Gjirokastrës. Unë e Sihati ishim korrierë që shpinim e sillnim lajmërime e urdhra, na duhej të futeshim në vijën e frontit dhe të dilnim sa herë që na urdhëronte komanda.

Kjo ishte një detyrë shumë delikate e me rrezik sepse korrieri kish fatin e brigadës në dorë. Edhe në këtë betejë shkëlqeu heroizmi i Hyso Isanit si në sulm edhe në tërheqje që shpëtoi shokët nga rrethimi, ku Sherif Gjonaj e Kapo Habilaj u plagosën rëndë brenda në qytet. Bashkë me Sihat Tozajn morëm të parin e pastaj të dytin dhe i nxorëm jashtë qytetit. Po në gusht 1944 Brigada e 8 sulmoi Konispolin. Unë e Sihat Tozaj mbetëm të rrethuar dhe në orët e vona të ditës e çamë rrethimin e armikut dhe dolëm prej tij. U plagos në këtë betejë bashkëfshatari ynë Xhafer Hyso, ndërsa mbet i vrarë bolenasi Razo Zeneli (komandant kompanie). Luftime të ashpra bëmë në Berat, veçanërisht në Dobronik të këtij qyteti, kur në shtator Brigada jonë e 8 me Brigadën e 7 sulmuese kryen sulmin vendimtar për çlirimin e Beratit. Po beteja më e përgjakshme e më e gjatë, deri në luftim trup me trup e rrugicë më rrugicë, ishte ajo për çlirimin e Tiranës. Në rrugën e Kavajës unë u plagosa. Tirana pas rreth 20 ditë luftë, më 17 nëntor u çlirua, u çlirua edhe e tërë Shqipëria më 29 nëntor 1944. Por brigada jonë bashkë me të tjera vazhdoi beteja të tjera në ndjekje këmba-këmbës të hordhive naziste në tokat jugosllave. Vlen të përmend luftimet e ashpra e në terren të vështir në Breskut të Malit të Zi. Aty na u vranë shumë shokë, por nga bashkëfshatarët tanë u plagosën rëndë Hyso Isani e Tare Karabollaj. Beteja e fundit e Brigadës së 8 dhe e ne partizanëve kallaratas që bënim pjesë në të, ishte ajo për çlirimin e Qytetit të rëndësishëm të Vishegradit në shkurt 1945. Në të gjitha këto beteja, kallaratasit kanë treguar trimëri të madhe.

Pyetje: A e kini ndier ndonjëherë veten të rrezikuar dhe si e kini përballuar rrezikun?

Përgjigje: I rrezikuar kam qenë në disa luftime, sidomos kur jam ndodhur i rrethuar. Por mosha e re që kisha të bën trim e guximtar për t’i përballuar me guxim rreziqet.

Pyetje: Çfarë detyrash kini kryer pas çlirimit derisa dolët në pension?

Përgjigje: Pasi brigada jonë e mbaroi misionin e saj luftarak dhe u kthye nga Jugosllavia në atdhe, unë kam shërbyer si kudër ushtarak në ushtri e pastaj në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme me detyra të ndryshme në disa qytete të vendit.

Pyetje: Si luftëtar për çlirimin e atdheut dhe si kuadër ushtarak me çfarë dekoratash jeni nderuar?

Përgjigje: Nga Kuvendi Popullor i kohës jam dekoruar me Medaljen e Kujtimit, të Trimërisë, të Çlirimit, me urdhrin Ylli i Kuq, urdhrat e klasit II e të III të Skënderbeut, me Urdhrin e Punës të klasit III dhe Medaljen e Punës.

Pyetje: Kur kini krijuar familje, me kë jeni martuar dhe sa fëmijë keni e ku janë?

Përgjigje: Jam martuar më 1950 në Shkodër, ku ndodhesha me punë. Bashkëshortja ime, Sadie Ahmet Breshanaj është nga një familje shkodrane atdhedashëse e lidhur ngushtë me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kemi lindur e rritur 3 djem e 2 vajza, të cilët për shkak të vështirësive ekonomike që solli kalimi i vendit tonë nga sistemi i mëparshëm në ekonominë e tregut, kanë shkuar në Amerikë dhe në shtete të Evropës.

Pyetje: Çfarë ju pëlqen më shumë nga sporti dhe arti?

Përgjigje: Më pëlqen shumë sporti i futbollit dhe asgjë tjetër.

Pyetje: Cili është ushqimi juaj i parapëlqyer?

Përgjigje: Më shumë parapëlqej fasulet, sidomos fasulet e kuqe “kacorre” se nuk kanë nevojë as për salcë dhe bëheshin shumë në fshatin tonë.

Pyetje: Si e kaloni kohën sot si pensionist?

Përgjigje: Duke luajtur letra, domino e shah me shoqërinë dhe me leximin e ndonjë gazete, sidomos të sportit.

Ju faleminderit për përgjigjet, i nderuari veteran Arifi dhe ju uroj pleqëri të bardhë bashkë me Sadien.

Botuar ne Gazeten Kallarati Nr.62 Pril-Maj 2012


Next Post

CV e Prof. Dr. Rami Memushaj

Sht Maj 19 , 2012
Përgjithësira Është lindur në Kallarat të rrethit të Vlorës më 28 shkurt 1943. Katër klasat e para të 7-vjeçares i ka kryer në vendlindje, klasën e pestë dhe të gjashtë në shkollën 7-vjeçare “1 Maj” në Skelë të Vlorës dhe të shtatën në Vranisht. Studimet e mesme i ka bërë […]
Rami Memushaj