MBI LIBRIN POETIK TE ANDI MEÇAJT: “QYTETI FLE NE XHEPIN TIM”, NGA ARIAN LEKA

I dashur Andi, po të shkruaj edhe një herë për poezitë e tua dhe po të risjell sërish ato që shkruajta mbrëmë natën, paçka se siç thotë edhe Herakliti nuk mund të pijmë dy herë ujë në të njëjtin lumë. Por sot, kur më erdhën edhe fotot e pikturave të tua, më vjen mirë që kam përdorur edhe fjalën sy edhe fjalën figuracion surrealist edhe pamje dhe vargje të kompresuara, të ngjeshura në një pamje.

Urime, miku im se vërtet më dhe kënaqësi me poezitë për të më hequr etjen se si shkruaje ti. Ajo që më pëlqen mënjanë është natyralizimi yt i plotë me tekstin poetik, aty nuk ka fraza as kërkime figurash që të çmendin me befasinë e kërkuar për të të habitur. Aty ka natyrshmëri dhe kjo, sipas meje vjen nga ambientimi me atë çka është e jotja dhe që nuk e ke vështirë ta thuash. Ke vënë re, se për shumë njerëz është mjaft e vështirë të bëjnë një rreth, ndërkohë që për rrethin mendojnë se është forma më e thjeshtë në botë. Ti këtë ke bërë me këto poezi. Pikasoja thoshte unë nuk kërkoj, unë gjej dhe më duket se ti e ke gjetur në këto poezi atë që ke dashur të shprehësh. Më shumë se çdo shqisë tjetër poezia jote ka sy, një sy që të ndjek, të tregon si i sheh pamjet dhe të fton të shohësh pamje të tjera, herë ireale, herë surreale, herë gjysmëkubiste e herë të ngjeshura, pa ajër, që të marrin shpirtin dhe frymën nga ajo që ofrojnë. Veçmas më pëlqyen forma dhe befasia e “KU VETE KESHTU…”, “GJETHE QE SHKRIHET NE GUSHE”, “ROMANCE” (romancë më të paqetë nuk kam mundur të lexoj) “PERGJIMI” me sytë nëpër dritare…, “NINULLA” veçmas fare (por këtë dhe të tjerat, “MOHAMEDIN”, “PLAKUN LODER”… Të kam shkruar kur m’i nise fillimisht), “VOGËLUSHI DHE DETI” me anijet që dhurojnë lodra…, “FJALET QE VDESIN NATEN”, “SHTEPIA”… (sa e pranishme kjo temë tek ti, me të gjitha elementet e saj, mure, dritare, lloj lloj rrugësh, korniza dhe paksa det diku në cep) pikturë surrealiste, “FRIKA QE TE BEN PER TE QESHUR” me atë ikje balade me kokë ndër duar, horrorin prej buburezave si thyerje të tipologjisë dhe estetikës së tyre… “KUR BIE SHI”… Me aq detaje si nje film neorealist.

Nuk kam fjalë tjetër veç urimeve për ty.

Athine, 4 gusht, 2006

Next Post

KU VETE KËSHTU, POEZI

Sht Qer 9 , 2012
Ku vete kështu, mes ngatërresash kaq e sigurtë dhe ikën, ikën si ditë nga kafazi i natës, për të hedhur vellon në krahët e virgjërisë sonë, duke pirë qiellin në kupë çaji, rrugicën tonë në çantën e tualetit e fut, pasqyrë të vogël, e vogël por e lumtur për ne, […]
Andi Meçaj