Mendime per poezinë e Andi Meçajt, nga Faruk Myrtaj

ANDI MEÇAJ E KA SHKRUAR “PËRGJIMIN” SIKUR TË KËNDONTE “MAMMY BLUE”

Në librin me poezi “Qyteti Fle Në Xhepin Tim”, të Andi Meçajt*, botuar në Athinë 2006, është edhe poezia:

PËRGJIM

Shtëpia rënkon nën kornizat varur mureve

dhe ti një ditë do të mbyllesh atje, muret përsëri

do të ankohen, ti, jo, nuk ke kujt t’i bërtasësh,

fjalën e tyre të fundit dyert e thanë,

të trokiturat ndalohen me ligj,

tashmë ka humbur fletankesa jote,

dhe trupi rebelohet, duart thyejnë kornizat,

këmbët shqelmojnë dyert, mishi trokitjet rikujton,

muret rënkojnë, përsëri rënkojnë muret, nuk ka më korniza,

vetëm sy nëpër dritare.

I jam rikthyer shpesh krijimtarisë së Andit. Jo veç si “shpresë e pohuar”, por edhe si pashmangshmëri e Hiqmet Meçajt. Prishin punë Etërit, ndonjëherë, por më shumë ndreqin! Raporti jo i kollajshëm më kujton Anil Frashërin, djalin e aktorit të madh Naim Frashëri (aktorit). Ia kujtonin babanë, vend e pa vend, ia kthyen në makth: “Naimi është Naim, e kështu ka për të qenë”, “babai Yt ishte tjetër Ai, aha…!”, “Nuk bëhemi dot si Ai ne, as ti…”! Po lexoja “Përgjim-in” sot dhe (a thua intuitivisht) klikova në google për “Mammy Blue”. Thjesht si emigrant me nënën larg, pafundësisht larg… Aq larg sa mund të përkufizosh ndryshe ekzistencën fizike… Për disa minuta dhe disa minuta të tjera, sërish edhe disa minuta, dëgjova këtë këngë prej Demmis Roussos, pastaj në interpretimin e grupit spanjoll Pop Tops, pastaj Ricky Shayne, Bernd Cluver, prej Dalida dhe Nicoletta, prej Julio Iglesias, më pastaj të Celine Dion, interpretim i hershëm i saj, Roger Whittaker, Brother Louie group, Franck Pourcel, Juan Torres, Ian Lloyd dhe s’ndenja dot pa iu kthyer Demmis Roussos që i ngrè himn tokës greke, mesdhetare, diellit dhe dashurisë aty!

Oh Mammy, oh Mammy Mammy Blue

Oh Mammy Blue

………….

I may be your forgotten son

Who Wandered off at twenty-one

It’s sad to find myself at home

Without you

If I could only hold your hand

And say I’m sorry, yes I am

I’m sure you’ll really understand

Oh Mammy…

……………

………..

Po e lexoja poezinë e Andit si gjendje-afërt me Mammy Blue?!

Në të gjitha gjuhët, në të gjitha zërat, “shtëpia e ndjenjës rënkon nën kornizat varur mureve të zemrës” perifrazojmë poezinë. Në të gjitha kohët, në të gjitha moshët, në të gjitha poemat dhe në secilin prej vargjeve, prej të gjithë lexuesve, prej njerëzve, të gjithë të vdekshëm, të shndërrueshëm në blue… Në përgjim të qenies njerëzore brenda vetes, brenda shtëpisë, brenda e jashtë atdheut, si i bëhet paracaktimit që Njeriu “një ditë do të mbyllet atje, në njërën nga kornizat” dhe Jeta, ajo që e ke lindur Ti? Ti, Mammy që (si mund të) bëhesh Blue, Ti Mëkëmbësja e Zotit në Tokë, Ti Krijuesja që kurrë nuk e ke ngritur zërin për tu lëvduar si e tillë… si mund të pranojmë kornizash? Nëse jeta mbetet pas, është thjesht provë e dëshmi jotja, por pa Ty…E këngës, pavarësisht këngëtarëve, gjuhëve, ndjenja që prej së gjalli ka siguruar përjetësinë dhe që së vdekuri bëhet qenie e të gjallit… Muret, si gjithë gjërat e palëvizshme, ankohen për fatin e tyre, e përcjellin mërinë në përplasjet e dyerve që mbyllen e hapen, prej trokitjeve të të panjohurve dhe hyrjes pa trokitur të Njerëzve të Shtëpisë. Këta mbeten without You, më dhimbshëm se You without them. Ndjehen kështu. I shohim kështu. E dinë ligjin e jetës, e dinë që “të trokiturat në Botën Andej ndalohen me ligj”, madje eh, bëjnë gjithçka që të qetësojnë merakun e Mammy të ngjyruar në Blue, në të gjithë zërat, në të gjitha figurat letrare, përjetësisht të lidhura me lindjen, me Nënën… “Rebelohet”, aq më shumë kur ka joshur veten në kahen e krijuesit, muret e zemrës që gjithnjë ashtu kanë rrahur për të Dërguarën e Posaçme të Zotit për Të, rënkojnë duke këngëzuar fjalësh, rimash, “s’ka korniza” dhe lotët me se s’bën duhen ndaluar me ligj, si gjithë gjërat që përbëjnë Lirinë e njeriut!

Andi Meçaj e ka shkruar “Përgjimin” sikur të këndonte “Mammy Blue”. Them kështu për gjendjen. Së paku siç e lexova sonte, e Premte, 11 prill 2008, Toronto, Kanada.

Faruk Myrtaj

*Andi Meçaj u lind në Vlorë më 6.06.1975. Aty mbaroi liceun artistik për pikturë. Në Greqi, një ekspozitë pikture vetjake, iu vlerësua nga shtypi vendas. Në vitin 2001 boton librin poetik “PUTHJE UJORE”. Më pas boton: “Tokë e bekuar”, poezi, 2002, “Nga letërkëmbimi me një fantazmë”, poezi, 2003; “Qyteti fle në xhepin tim”, poezi, 2006. Është përfshirë në disa antologji dhe përmbledhje dhe është vlerësuar me disa çmime letrare.

Next Post

MBI LIBRIN POETIK TE ANDI MEÇAJT: “QYTETI FLE NE XHEPIN TIM”, NGA ARIAN LEKA

Sht Qer 9 , 2012
I dashur Andi, po të shkruaj edhe një herë për poezitë e tua dhe po të risjell sërish ato që shkruajta mbrëmë natën, paçka se siç thotë edhe Herakliti nuk mund të pijmë dy herë ujë në të njëjtin lumë. Por sot, kur më erdhën edhe fotot e pikturave të […]

Mund t'ju duken interesant edhe artikujt