Misergjonajt e Kallaratit, nga Namik Abazaj

ARRA E “ABAZE” NË QAFËN E UBAVIT, KALLARAT

Para pak kohësh doli në qarkullim libri “Misërgjonajt e Kallaratit”, shkruar nga bashkëfshatari jonë i nderuar Namik Abazi. Librin me të vërtetë ia kushton njërës prej mëhallave të fshatit tonë Kallarat, mëhallës  së “Misërgjonajt” dhe në këtë kontekst familjes së tij  “Abazaj”, por nëpërmjet faqeve të këtij libri, lexuesi njihet me historinë e Kallaratit, kontributin e tij për çlirim kombëtar, i cili është i pandarë nga historia e kontributi i mbarë trevave të Shqipërisë. I shtypur në rreth 200 kopje me harxhimet e vetë autorit, Namiku ua bënë këtë libër dhuratë bashkëfshatarëve të tij kallaratas në shenjë respekti e mirënjohje. Duke qenë se ndoshta jo kujtdo mund ti bjerë në dorë ky libër, po japim një përshkrim të shkurtër të jetës së Namik Abazit, një parathënie të tij dhe pasthënien e librit shkruar nga bolenasi Ahmet A. Banushi.

Namiku  është lindur më 12 Shkurt 1927 në një familje atdhetare në fshatin Kallarat. Babai i tij Zimo Abazi ka marrë pjesë me armë në dorë në rezistencën kundër shovinistëve grek dhe në luftën e Vlorës në vitin 1920. Ai që nga viti 1943 e ktheu shtëpinë e tij në bazë të Luftës Nacionalçlirimtare. I frymëzuar nga tradita e familjes dhe shembulli i babait, edhe Namiku filloi aktivitetin e tij kundër pushtuesve që në vitin 1943, fillimisht si korrier në fshat, me grupet dhe formacionet e para të Ushtrisë që vepronin në luginën e Lumit të Vlorës dhe më vonë inkuadrohet në radhët e Brigadës së 8-të Sulmuese. Në vitet 1945-1948 kryeu studimet në Shkollën “Skënderbej”.  Për rezultate të larta në mësime në vitet 1948-1951 dërgohet për studime në specialitetin e Ndërlidhjes në Kiev të Bashkimin Sovjetik. Në vitet 1954-1955 dërgohet përsëri në qytetin Harkov të Ukrainës ku kryen kursin e Lartë të Ndërlidhjes. Karrierën ushtarake e fillon si instruktor për përgatitjen e radiotelegrafistëve në Durrës, Shef Ndërlidhje në Regjimentin e Aviacionit në Kuçovë, Shef Ndërlidhje në Korpusin e Shkodrës dhe më vonë në atë të Tiranës  deri sa doli në pension. Karriera e tij 38 vjeçare në shërbimin e ndërlidhjes është shumë e pasur. Kontributi i tij në përsosjen dhe modernizimin e strukturave dhe sistemit të ndërlidhjes së ushtrisë është i pamohueshëm. Pas daljes në pension vazhdon kontributin e tij në organizatat shoqërore  dhe së fundi edhe në Shoqatën “Kallarati”.

Libri i Namik Abazaj. Misergjonajt e Kallaratit

Po ç’thotë vetë Namiku në parathënien e librit të tij? “Po hap “derën” e librit tim “Misërgjonajt e Kallaratit”. Kujtimet janë vegimet e çdo njeriu. Ai i ruan ato, i merr me vete ngado që shkon, e aq me tepër kujtimet për vendlindjen nuk fashiten kurrë; ato sa vijnë e bëhen me reale, më ngacmuese, të thërrasin në gjirin e tyre. Të hedhësh në letër kujtimet për Kallaratin, për lagjen time Misërgjonaj, siç e shtjelloj unë në librin tim të parë modest, s’është aspak e lehtë, sepse nuk ke të bësh vetëm me kujtime, por me piketime të sakta të asaj jete kallaratase – misërgjonase, e cila tani zë vendin e një historie të shkruar, që ka vlera të dyfishta.

Këto kujtime për fshatin Kallarat, për familjet e mëhallës Misërgjonaj, për brezat që kam njohur (edhe sipas të thënave të mendimtarëve pleq kallaratas), do t’ua lë fëmijëve, vazhdues të secilës familjeje, nipërve e mbesave si dhe atyre që do të vijnë më pas, si vazhdues të mëhallës Misërgjonaj, që ta dinë edhe ata kush ka qenë fshati ynë, familjet e mëhallës së lartpërmendur, ata që vazhdojnë dhe ata që e kanë ndërprerë trashëgiminë, sipas mbiemrave: Abazi, Fejzo, Goxhi, Laçi e Kamberi, për të cilët është shkruar në libër me gjerë; cilët kanë qenë baballarët, gjyshërit, stërgjyshërit dhe katragjyshërit. Ta dinë sa janë shtuar, ringjallur e zhvilluar. Kështu do të rrënjoset tek ata dashuria dhe respekti për të parët tanë, fshatin Kallarat, për Kurveleshin e Vlorës, për popullin trim e liridashës të krahinës, për atdheun tonë të shtrenjtë.

Në jetën time unë jam munduar të zbatoj këshillat urta të të parëve të fisit të fshatit tim, të njerëzve të tij  të ditur që na mësuan, na bënë të njohur emrin e brezave, lavditë dhe vuajtjet e tyre, luftën ndër shekuj me armiqtë  tanë që nuk na gjunjëzuan kurrë. Kjo faqe lavdie për  gjithë ne është epopeja e Luftës Nacionalçlirimtare. Ne, bijtë e Kallaratit, që kishim vuajtur aq shumë në të  kaluarën, i morëm e nuk i lëshuam armët, njësoj sikurse  të parët tanë, në male e në fusha, në tërësinë dhe egërsinë  e stinëve të ftohta, në marshime të gjata, zbathur e të pangrënë, të pagjumë, goditëm, shpartalluam dhe e hodhëm tej kufijve tanë etnikë çdo këmbë armiku e  tradhtari.

Por është tepër e vështirë të shkruhet saktë e bukur për Kallaratin në luftë dhe për trimëritë e bijve të saj, që nga heroi Mumin Kallarati e shumë të tjerë. Po prej atyre bijve  trima, të rënë në ballë të luftës, ishin edhe nga të mëhallës  Misërgjonaj. Në libër përshkruhet me modesti, por edhe me dashuri për luftën dhe pasluftën, kohën që duhej ndërtuar e rindërtuar vendi nga shkatërrimet që solli Lufta e Dytë Botërore.

Një vend të veçantë në këtë libër zë jeta ime familjare,  që nga ime shoqe, Sanie Abazi, dy djemtë dhe vajza ime e vetme, Ermira, nipërit, mbesat, ku shumë prej tyre janë   vetë “autorë”. E, patjetër, një vend të veçantë zë malli i kujtimeve të mia, qoftë në prozë apo në poezi  (në vjershërime) për shoqen time të jetës, të paharruarën Sanie Abazi (Jani), e cila u nda prej nesh para kohe, duke na   lënë një boshllëk të madh në familje dhe në zemrat tona. Patjetër që vend dominues zë Kallarati ynë, vendlindja ime, malli dhe dashuria për Kallaratin, e cila pasqyrohet në vargje, pjesë e ketij libri, ku i drejtohem atij e shkoj shpesh atje të nxjerr mallin, si çdo kallaratas i malluar, por që ai mall s’na u shua kurrë!

Kam vajtur në Kallarat, në Qafë të Ubavit, që të shuaja sadopak mallin e djalit të vetëm të Zimo Abazit, që na rriti me aq mundime, që na u bë edhe babë edhe nënë në shtëpinë e tij, që e kishte selitur me duart e veta… dhe ç’depresion – asgjë s’kishte mbetur nga gurët e themelit. S’kishte as edhe një gur ta puthje apo t’i lije amanetet. Vetëm një relikte e dashur ishte ende e gjallë, “Arra e Abaze”. Në libër është një poezi gjithë mall e frymëzim për këtë relikte të shtrenjtë që mbante akoma gjallë emrin e mirë të Abazajve.

I dashur lexues, sidomos kallaratas – lab! Po të jap në dorë një libër modest, një histori të shkurtër të mëhallës “Misërgjonaj”. Kur ta lexosh, besoj se do të thuash një fjalë të mirë për autorin, i cili nuk është shkrimtar, por një publicist i pasionuar, sidomos për Kallaratin dhe Labërinë. Jam munduar të hedh diçka në letër, jo vetëm për mëhallën Misërgjonaj, por edhe për Kallaratin tonë të vogël nën madhështinë e Bogonices. I vogël si fshat, por me histori si e gjithë Labëria trime. Ky është misioni im; tani fjalën e keni ju” – përfundon parathënien e tij Namiku.    

Ndërsa, Ahmet A. Banushi, duke përcjellë “Misërgjonajt” e Kallaratit, në pasthënien e këtij libri me vlerësime maksimale për këtë libër dhe autorin e tij, shkruan: “Ka kohë, që autori i këtij libri, sa modest, aq edhe interesant, ka punuar me gjithë forcat e shpirtit të pastër kallaratas, që të nxjerrë para lexuesve të vet, historinë e lashtë, autogjenezën e mëhallës së tij: “Misërgjonaj”, dhe pjesërisht të Kallaratit të vogël, heroik, në trevën e Kurveleshit të Poshtëm, të Vlorës.

Namik Zimo Abazi e ka “lexuar” historinë e fisit, e të mëhallës, si një “bujk” i mirë, e i zoti i kërrabës, por edhe i lapsit, që shpesh e ka mprehur, që mëhalla e tij  “Misërgjonaj”, të dalë sa më e plotë sipas rrjedhës së kohës. 

Ai vetë bën pjesë në familjen e Abazajve, një nga degët  parësore të kësaj mëhalle. Babai i tij Zimo Abazi ka qenë  një njeri i zgjuar, e shumë punëtor, mjeshtër në çdo gjë që  i duhej shtëpisë, tokës dhe malit. Siç thonë, ka qenë një  merakli, dhe çdo gjeje, sipas tij, i jepte përsosmëri. Por, jo  vetëm kaq, Zimo Abazit i takoi, që për shumë vite të  mbante peshën e familjes, jo vetëm si baba, por edhe si  nënë se e la para kohe e shoqja, krahu i djathte i tij, Kadëna,  duke lënë nën kujdes dy fëmijë të pa rritur, një vajzë e një  djalë, Bejazen dhe Namikun… Dhe ai, i rriti e i edukoi si një “nënë” shembullore. Siç përshkruhet edhe në këtë libër, ai (Babai) u gëzua shumë, kur i mori për nuse djalit te vetëm, Sanien, të bijën e Remzi Janit nga Kallarati (të cilën e kish zgjedhur vetë). E vetmja nuse e shtëpisë nuk e zhgënjeu, ajo iu bë atij një vajzë e dytë, derisa, edhe ai, një ditë mori rrugën e Qafës së Ubavit, tek e shoqja në Kallarat, ku e kishte lëne amanet… 

Namik Z. Abazi mëhallën e “Misërgjonajve” e ka përshkruar me ndjenjë, saktësi, por edhe si i kalemit. Kur e mora dorëshkrimin e tij për “Misërgjonajt” e Kallaratit, pa e lexuar mirë, shpreha ndjenjë respekti e pune. Namik Abazin e kam njohur shpejt (si mik) por më shumë si dy kurveleshas, unë nga Bolena e ai nga Kallarati, nga dy fshatra që janë rritur, pothuaj, në gji të njëri-tjetrit. Vetë Kallarati i parë, siç e përshkruan autori, në fillim ka pas banuar në malet e Bolenës, në Rrëzë të Kunjovës, e prej andej është zhvendosur në “Kallaratin në Pllaje” (Në kallaratin e vjetër rrëzë Bogonicës), për të rënë, më vonë në fushë (mbas djegies së Kallaratit në pllajë), atje ku është sot, në të dy anët e lumit Shushica. 

Në libër përshkruhen me profesionalizëm, gjithë fiset e mëhallës Misërgjonaj, puna e tyre, trimëria, bujaria, të akumuluar qysh nga lashtësia, në luftërat e shumta kundër pushtuesve osmanë, grekë e italianë, nëpër kohë, duke shënuar me vizë të kuqe luftën e madhe patriotike Nacionalçlirimtare të kallaratasve, krahinës trime të Kurveleshit, dhe gjithë popullit liridashës shqiptar.  Namik Z. Abazi, nuk iu vu kot këtij libri. Si një publicist, jo shumë i spikatur, por i gjendur në disa periodikë të vendit, me shkrimet e tij me brumë, dhe duke akumuluar,  prej vitesh, historinë e mëhallës, e nisi këtë punë, që për  atë s’ka qenë aspak e lehtë. 

Siç, përmenda më lart, i mora me qejf dorëshkrimet e  tij, të sistemuara me sqime, dhe iu vura punës si redaktor  i këtij libri. E, dihet, s’është aq lehtë të redaktosh një libër,  se edhe çdo redaktor, në çdo libër ka pjesën e vet të “fait” e të “meritës”. Çdo redaktor ka pjesën e vet të “ustait”, të sistemimit, të lartësimit të ndonjë momenti, por asnjëherë, e në asnjë mënyrë, redaktori, nuk duhet të dalë nga “shinat” e autorit…, e lere, pastaj, kur ke të bësh me fakte  historike, s’luan dot asnjë cantime nga drejtimi i tij. Kështu bëra edhe unë. historinë e lashë histori, dhe, diku, bëra  edhe ndonjë punë që duhej, për t’i dhënë krijimtarisë së  autorit pak më shumë forcë. Tërësisht, është merita e autorit Namik Abazi, plot pasion, që ky libër del sot me këtë “fytyrë” para lexuesit, me atë “fytyre” që i ka dhënë  ky autor- kallaratas. 

Një vend të rëndësishëm zë në libër jeta e fëmijëve të  tij, e nipërve e mbesave, që morën udhët e “mallit” nëpër  kurbet, e sidomos, një ngjarje, që e tronditi atë e gjithë familjen e farefisin, ishte “largimi” para kohe, nga jeta, i  bashkëshortes, nënës së dhembshur të fëmijëve, motra e  dashur, e pa harruar Sanie Abazi (Jani), që nuk do ta   shtjellojmë këtu, se në libër vet autori ka një kapitull të tërë malli. Namik Z. Abazi, e përshkruan me hollësi e mall  vendlindjen, Kallaratin e tij të dashur, mëhallën, shtëpinë   e tij, që s’e ka më, të cilës i mungojnë edhe gurët e themelit!? Të gjithë  Abazajt u larguan, por ka mbetur atje, dhe e mban gjallë trollin vetëm një “njeri!”. Ajo është “Arra  e Abaze”, e moçme, akoma e fortë, e cila ua mban abazajve emrin gjalle!

Jo më kot autori i këtij libri i ka kushtuar asaj  një nga poezitë me të bukura! Tek “Arra e Abaze”, ndër të tjera, ai thotë:

Erdhëm të të shihnim

o truall i lashtë

mallin pak ta nxirrnim

të putheshim bashkë!


Po çfarë të shikonim

mallin si ta nxjerrim?!

Se ty të mungonin

gurët e themelit!!


Vetëm ti na prite

e dashura arrë

edhe na “gostite”

“Abazja” e gjallë!…

 

Kush të sheh në këmbë,

ç’monument i rrallë!

Nën Qafë të Ubavit

Gjithë Abazajt janë! 

Namik Z. Abazi po del para lexuesve të vet me librin e tij të parë: “Misërgjonajt e Kallaratit”, që e nis me historinë e sajë por e mbyll me mallin e pashuar, të një kallaratasi të larguar, prej një fisi të mirë, që, gjatë gjithë jetës së tij i ka dhënë fshatit dhe shoqërisë. Qysh 13 vjeç, akoma me shpatulla të brishta, hodhi mbi supe armët për liri. Bëri një jetë të ndershme prej kallaratasi, por edhe si kuadro i shquar në radhët e ushtrisë, si oficer i dalluar deri në fund  të karrierës, si një ushtarak model. Një shembullor si  bashkëshortë e si baba, por edhe si tregimtar me nuanca  të spikatura. Para, se t’i mbyll shënimet e mia për mëhallën  e Misërgjonajve, do të doja t’i uroja me gjithë zemër autorit  suksese në jetë, por edhe në punën e tij krijuese. Tani  “Misërgjonajt e Kallaratit”, dolën nga Kallarati e po ecin  nëpër Shqipëri duke u thëne atyre: “Jemi të Kallaratas,  nga kjo krahinë me emër të mirë të Kurveleshit. Kemi edhe  ne historinë tonë të lashtë me traditë të hershme. Sa  dëshirë kemi ta pimë një kafe së bashku! Jemi shqiptar me shqiptar, dhe historinë e kemi, si të gjithë në ballë të historisë. Kjo është edhe dëshira e autorit, dhe imja si redaktor”.     

Misërgjonajt e Kallaratit” po ecin nëpër Atdhe. Udhë të mbarë! Kështu e përfundon pasthënien e tij Ahmet  Banushi.

Duke falënderuar zotin Ahmet për vlerësimet mjaft realiste, autorit të këtij libri, Namik Abazit, i urojmë shëndet të plotë, i cili nëpërmjet këtij libri,  jo vetëm që ka përmbushë një dëshirë të tij, por ka realizuar një “detyrë” ndaj mëhallës, fisit, familjes, por edhe kallaratasve. Me siguri që ky libër do t’ju shërbejë brezave të “Abaze” që do të vinë, të cilët nëpërmjet  “Arrës së Abaze” në Qafën e Ubavit, të njohin të parët e tyre, të njohin origjinën e tyre Kallaratin. Kjo Arrë me siguri do të ngelet orientimi më i saktë për brezat e ardhshëm të familjes së Namik Abazit.  Botimi i këtij libri le të shërbejë si pikënisje edhe për mëhallat e fiset e tjera të Kallaratit.

 Besnik Gjonbrataj

Botuar ne gazeten Kallarati

 

 

Next Post

FALENDERIM PER “MISERGJONAJT E KALLARATIT”, TE NAMIK ABAZIT

Die Gus 12 , 2012
  Lexoj dhe shfletoj “Mëhalla e Misërgjonajve”, këtë margaritar të çmuar, që më ka reënë në dorë. Është një libër që më solli dhurata të bukura, shpalosi në zemër vendimdjen time e të prindërve të mi, Kallaratin. Përmes kujtimeve të autorit ndoqa një dokumentar të bukur për Kallaratin, për këtë […]