Një kumt i keq për shqipen standarde

RamiMemushajNjë javë më parë u mbajt në Tiranë mbledhja e Këshillit Ndërakademik për gjuhën standarde. Në njoftimin për shtyp të kryesisë së këtij Këshilli thuhet se tema e diskutimeve ishte “Drejtshkrimi i zanores ë të patheksuar në shqipen standarde” dhe se, sipas rregullores së Këshillit, “ishin hartuar më parë dy parashtresa lidhur me çështjet problemore të drejtshkrimit të kësaj zanoreje, që shërbyen si bazë e material referimi për diskutimet e anëtarëve të Këshillit”. Më tej, në këtë kumtim lexojmë: “Diskutimet qenë të hapëta, me argumente shkencore dhe me frymë bashkëpunuese për t’i shërbyer gjuhës sonë të përbashkët, për të gjetur zgjidhje më të mira që lehtësojnë zotërimin e përdorimin e drejtë të saj.”

Vërejmë që në fillim se diskutimet për këtë zanore kanë qenë vërtet “me frymë bashkëpunuese”, po për të prishur atë që është ngritur me përpjekjet e disa brezave gjuhëtarësh. Nuk mund të flitet as për diskutime “me argumente shkencore”, përderisa në mbledhjet e Këshillit kanë munguar specialistët e drejtshkrimit, ata që e kanë këtë fushë objekt të veprimtarisë së tyre shkencore a pedagogjike dhe që e kanë dëshmuar këtë njohje me botimet e tyre. Po të shprehemi në mënyrë të figurshme, në gjyqin që i është bërë ë-së së patheksuar (në njoftimin e mësipërm zbulohet padashur se goditja kryesore është drejtuar ndaj saj, si thembra e Akilit e drejtshkrimit të shqipes) kanë qenë të pranishëm vetëm “prokurorët”, që kanë kërkuar dënimin me vdekje të saj, po kanë munguar “avokatët mbrojtës”. Një gjyq komunist apo fashist, quajeni si të doni.

Për të mos u marrë ky pohim yni si një akuzë e rëndë, le t’i kthehemi pjesës tjetër të pohimit se “sipas rregullores së këshillit, ishin hartuar më parë dy parashtresa”. Sqarojmë paraprakisht se pranë Këshillit Ndërakademik vepron edhe një komision i drejtshkrimit, ku secila akademi përfaqësohet me grupin e vet të ekspertëve që relaton për problemin në shqyrtim. Por a kanë qenë të dy parashtresat të hartuara nga grupet përkatëse?

Në këtë pikë, pala e ASHAK-ut është në rregull: ajo është përfaqësuar në mbledhjet e zhvilluara me grupin e vet, i cili ka paraqitur relacionin e tij. Kurse pala e ASHSH-së nuk është përfaqësuar me grupin gjegjës, relacioni fundit i të cilit është i vitit 2006. Që nga riaktivizimi i Këshillit Ndërakademik më 2010-ën, komisioni drejtshkrimit nuk është mbledhur asnjëherë, madje nuk dihet me saktësi edhe se cilët janë anëtarët e tij. Kryetar i tij ka qenë prof. Emil Lafja, i cili, sikundër e bëri të ditur publikisht, e ka pezulluar pjesëmarrjen në mbledhjet e Këshillit Ndërakademik që në fillim të këtij viti, për një varg shkaqesh që ia ka bërë të njohura me dy promemorje Këshillit Ndërakademik. Kështu që mungesën e parashtresës së grupit të Tiranës bashkëkryetarët e Këshillit e kanë parë të udhës ta “kompensojnë” me një relacion të akademikut Kolec Topalli, i cili nuk është as anëtar i grupit të drejtshkrimit (me sa jemi në dijeni), as specialist i fushës.

Pra, është shkelur rregullorja që vetë ky Këshill ka miratuar dhe kjo e komprometon këtë mbledhje, si dhe gjithë veprimtarinë trevjeçare të Këshillit, i cili ka funksionuar me një dhe jo me dy grupe për drejtshkrimin. Do të pritej nga një institucion si Akademia jonë e Shkencave, e cila ka për detyrë të mbrojë kulturën, historinë dhe gjuhën kombëtare, që të kërkonte funksionimin normal të strukturave që ka miratuar. Ajo nuk duhet të lejonte votimin në mungesë të katër anëtarëve të Këshillit, dmth. të një të katërtës së tij, konkretisht të akademikëve Ethem Likaj e Gjovalin Shkurtaj dhe të prof. Emil Lafe e Shezai Rrokaj. Në mungesë të tyre, u votua 7 me 6 për ndryshime të thella në drejtshkrimin e shqipes. Por situata në terren nuk kështu, pasi opinioni i gjerë i studiuesve dhe i lëvruesve të shqipes tejembanë trojeve shqiptare e në diasporë është kundër ndërhyrjeve të thella në normat e gjuhës, kurse këta që fituan me një votë më tepër, përfaqësojnë vetëm një pakicë.

Sikundër zbulon prof. Emil Lafja në promemoriet që i ka dërguar këtij Këshilli, që në fillim aty është punuar me mënyra joluajale për krijimin e një shumice të atyre që deri dje e kanë sulmuar gjuhën standarde, duke kërkuar kthimin te dialektet ose pluricentrizmin (tri variante gjuhësore), sipas modelit të ish-Jugosllavisë. Me prapaskena të tilla janë mënjanuar a përjashtuar nga ky Këshill dhe nga komisionet e tij ata që e shohin gjuhën standarde si një arritje të madhe kombëtare dhe që shquhen për ndihmesat e tyre në kodifikimin e normave të saj. Për të pasur dorë të lirë në punët e veta, kryesia e këtij Këshilli ka përjashtuar edhe dy institucionet që kanë përballuar gjithë punën për kodifikimin e normave të gjuhës standarde: Institutin e Gjuhësisë në Tiranë dhe departamentin e gjuhës shqipe të UT, në gjirin e të cilave janë edhe njohësit më të mirë të çështjeve të drejtshkrimit.

Thirrja jonë drejtuar Akademisë së Shkencave është që të mos e njohë këtë vendim të Këshillit Ndërakademik dhe ta shpërndajë këtë Këshill, pasi, duke praktikuar metoda pune të padenja për një forum shkencor, po i bën dëme të mëdha gjuhës. Përndryshe, duke tumirur veprimtarinë që nga fillimi jonormale të përfaqësuesve të saj në Këshillin Ndërakademik, Akademia jonë e Shkencave bëhet de facto bashkëpunëtore në një vepër që nuk i shërben unitetit, po përçarjes kombëtare. Dhe nëse ajo nuk mbron çështjen kombëtare, atëherë shtrohet pyetja: cila është arsyeja e ekzistencës së vetë Akademisë? për çfarë na duhet një institucion i tillë?

Sa i përket reformës së drejtshkrimit, ashtu si dhe shumë gjuhëtarë të tjerë që mbajnë një qëndrim të moderuar, autori i këtij shkrimi është i mendimit se duhen bërë përmirësime në pika të veçanta, por jo ndryshime rrënjësore sikundër propozohen. Ndryshimet duhet të synojnë drejt zgjidhjeve sistemore dhe në këtë pikë nuk e kundërshtojmë z. Topalli. Madje, mjaft nga zgjidhjet që ai përmend në intervistën e tij, autori i këtij shkrimi i ka jetësuar në një vepër të madhe të botuar një vit e gjysmë më parë (lexuesi le të krahasojë shembujt në intervistën e z. Topalli me zgjidhjet që kemi dhënë në “Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe (2011), që akademikut nuk ka si të mos i ketë rënë në dorë). Por s’mund të pranohen ato zgjidhje që nuk marrin parasysh rregullat fonetike, ku akademikët që kanë votuar për këto ndryshime të thella dëshmojnë mungesë të theksuar kompetence, si p.sh. duke njësuar mjekësi me popullsi, mjeshtëri me mjeshtri, të cilat kanë strukturë theksore të ndryshme të temave a të theksimit, apo mjeshtëror me ministror që kanë strukturë të ndryshme të grupeve të bashkëtingëlloreve para grupit -ër. Shkurt, nuk mund të pranohen propozimet e tyre për mosshkrimin e zanores ë : në fjalët e përbëra nga temat vetë e gjithë (vetvendosje, gjithkohor në vend të vetëvendosje dhe gjithëkohor), ku ata ngatërrojnë formimin e fjalëve me përngjitje (vetvetiu, gjithmonë) me formimet me bashkim të dy temave (vetëvendosje, gjithëkohor); në fjalët e prejardhura të formuara nga tema me ë fundore dhe prapashtesa që nisin me bashkëtingëllore (antar në vend të anëtar) apo në kompozita si anshkruaj për anëshkruaj; si zanore mbështetëse që mënjanon grupet e vështira të bashkëtingëlloreve dhe i jep një strukturë ritmike fjalës (kombtar në vend të kombëtar); dhe shumë propozime të tjera, të cilat vetëm sa ceken në intervistën e z. Topalli

Për të mos u zgjatur në hollësi që do ta lodhnin lexuesin, ndryshimet e miratuara nga Këshilli Ndërakademik shkojnë larg. Ato prekin strukturën fonetike, metrike e morfologjike të fjalës në gjuhën shqipe dhe, në këtë mënyrë, gërryejnë themelet e drejtshkrimit, të drejtshqiptimit e të morfologjisë së gjuhës standarde. Arsyeja e kundërshtimit të ndryshimeve prej gjuhëtarëve që po shqiptohen të shqetësuar në faqet e shtypit të përditshëm dhe në televizionet, është se autorët e këtyre ndryshimeve nisen nga premisa të gabuara. E gabuar është shpallja prej tyre e parimit fonetik si parim absolut i drejtshkrimit, kur në të vërtetë në drejtshkrimin e shqipes mbizotëron parimi morfologjik, i cili i ruan më mirë format e fjalëve dhe, rrjedhimisht i vë fre gërryerjes së formave të fjalëve, duke siguruar kështu qëndrueshmërinë e gjuhës. Propozimeve të miratuara u mungon edhe argumentimi shkencor: përkrahësit e ndryshimeve nuk mbështeten në argumente fonetike, në të dhëna për strukturat rrokjesore a grupet e bashkëtingëlloreve që krijohen nga mos shkrimi i ë-së, për pasojat morfologjike të këtyre ndryshimeve etj.: i vetmi argument i tyre është të mos shkruhet, se folësit nuk e shqiptojnë dhe instrumenti fonetik për ta provuar këtë është veshi i tyre dialektor, asnjë matje akustike, asnjë studim i mbështetur në metoda objektive.

Në fund të intervistës së tij, akademiku K. Topalli përpiqet të qetësojë opinionin duke deklaruar: “Këshilli Ndërakademik nuk ka tagër që të ndryshojë atë që është vendosur në një kongres, por është një këshill që studion, hulumton dhe propozon ndryshimet që mund t’i bëhen drejtshkrimit. Më vonë do të studiohen mënyrat se si mund të kthehen në rregulla ndryshimet e propozuara.” Por pyetjes së gazetares: “Cili do ta ketë tagrin?, i përgjigjet: “Nuk mund ta them sepse nuk është diskutuar kjo. Ne si akademikë studiojmë e hulumtojmë.”

Gjuha shqipe studiohet në institucionet që janë ngritur posaçërisht për studimin e saj, siç janë Instituti i Gjuhësisë në Tiranë, Instituti Albanologjik në Prishtinë dhe departamentet e gjuhës shqipe në universitetet publike të hapësirave shqiptare. Këto mbajnë barrën e madhe të studimit të shqipes dhe jo pesë a gjashtë akademikë të të dy Akademive. Detyra e akademikëve është t’i mbështetin këto institucione në veprimtarinë e tyre kërkimore dhe jo t’u bëjnë karshillëk apo të krijojnë institucione paralele për t’u zënë frymën, sikundër po bëjnë.

Pohimi i z. Topalli se akademikët “studiojnë e hulumtojnë” fsheh edhe një kumt tjetër. Akademikët autorë të ndryshimeve të propozuara ndoshta po përpiqen se si të gjejnë format dhe rrugët për t’i anashkaluar këto institucione dhe për t’i bërë fakt të kryer ndryshimet me anë të ndonjë “konference shkencore” si ajo e Durrësit 2010, ku të ftojnë mbështetësit e tyre. Kjo do t’i damkoste ata me njollën e përçarësve.

Nga prof.dr. Rami Memushaj

SHEKULLI ONLINE

Published on Saturday, 07 July 2012 18:17

 

Next Post

KU FLE LEPURI ?

Die Kor 8 , 2012
Kjo frazeologji popullore përdoret zakonisht për të gjetur shkakun ose arsyen pse ka ndodhur dicka e paqartë ose e dyshimtë. Kjo i shkon më së miri edhe situatës së tashme midis pozitës dhe opozitës, ku beteja për reformën zgjedhore duket se do kulmojë kreshendo, vec zgjedhjes së presidentit që në […]
PetritQejvani