Shkronja “ë”, Memushaj: Dakord me Majkon, gjuha po politizohet

alt
Nga: FATMIRA NIKOLLI
alt
alt

TIRANE – Gjuhëtari i njohur prof. Rami Memushaj e cilëson të drejtë dhe me vend reagimin e ish-Kryeministrit dhe deputetit aktual të Partisë Socialiste për shkronjën ë, Pandeli Majko. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai sqaron në mënyrë të detajuar atë që po ndodh sot me gjuhën shqipe, rrymat, mangësitë dhe gabimet që bën këshilli ndërakademik i gjuhës shqipe, pranë Akademisë së Shkencave. Pasi e kryqëzon me argumentet e veta, Memushaj i njohur si një prej pedagogëve më të mirë në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Tiranë kërkon shkrirjen e këtij këshilli që sipas tij merr vendime në mënyrë të fshehtë në tempullin e shkencës. Ai bashkohet me Pandeli Majkon edhe në një tjetër pikë, pra politizimi i gjuhës. Dy ditë më parë, për rrjetin social ‘facebook’ shkruante se: “Të më falin gjuhëtarët dhe akademistët tanë shqiptarë, por është e qartë që sharlatanizmi i politikës i ka sëmurur edhe ata më keq sesa duhet…A ka ndonjë dokument për këtë që po ndodh me Gjuhën Shqipe? A ka “proces-verbal”…tek e fundit!?” Sot, Memushaj mendon se Majko ka lexuar mes rreshtash dhe e ka kuptuar mirë se ç’po ndodh. Nga ana tjetër, si Majko ashtu edhe Memushaj mendojnë se: Në shkencën tuaj (të gjuhës) unike “gabimi” nuk ekziston. Ka vetëm “bekim” ose “mallkim”, i cili do ju ndjekë edhe pas vdekjes”. 

Profesor, Z. Majko e quan tallës debatin për shkronjën “ë”. Cili është qëndrimi juaj? 

Mesa e kuptoj unë, z.Majko godet sjelljen e të ashtuquajturit këshill ndërakademik për gjuhën shqipe dhe të vetë Akademisë sonë të Shkencave, në gjirin e së cilës vepron ky këshill. Sepse vërtet, ka vetëm një njoftim të thatë për medien, në të cilin thuhet se “u dhanë mendime e u bënë propozime” për drejtshkrimin e zanores ‘ë’ të patheksuar, por nuk thuhet se aty u votua, në mungesë të një të katërtës së anëtarëve të këtij këshilli, duke marrë një vendim me 6 vota kundër dhe 7 vota pro ndryshimeve të propozuara. Nuk është bërë i njohur as teksti i materialit që është votuar, ndërkohë që njëri prej anëtarëve të këtij komisioni në intervistën e tij shkoqiti me hollësi ndryshimet që duan t’i bëjnë drejtshkrimit të sotëm. Pra, sjellje tinëzare në tempullin e shkencës për të fshehur të vërtetën! 

A i duhet një shoqërie debati dhe si duhet të jetë një debat që të vlejë për frytet që sjell? 

Natyrisht, pas kësaj që ka ndodhur, shoqërisë i duhet të mësojë të vërtetën e hidhur se si një forum shkencor sillet si një parti ku mungon fryma demokratike. Po të kishte funksionuar ky këshill ndërakademik, ashtu si duhet të funksionojë një forum me akademikë e profesorë, dmth, po të ishte bërë ky debat brenda tij midis njohësve në thellësi të çështjeve të drejtshkrimit, atëherë publikut mund t’i ishte kursyer kohë dhe nerva në këto ditë të nxehta vere. Por në atë këshill këta specialistë munguan, më saktë qenë të përjashtuar nga mbledhjet e tij. Kështu që gjuhëtarëve nuk u mbetet rrugë tjetër veçse të shprehen atje ku i pranojnë: Në gazeta dhe televizione, të cilat mbeten të vetmet institucione të hapura. 

Frytet e një debati mund të jenë pozitive dhe me pak humbje energjish kur ky debat zhvillohet midis specialistëve dhe në forumet, ku arrihet në një vendim vetëm pasi të rrihen mbarë e prapë gjërat. Kujtojmë për lexuesin se gjuhësia është një shkencë e gjerë që përfshin shumë fusha studimi dhe nuk është e mundur që tre-katër akademikë, sado të mëdhenj qofshin, t’i lëvrojnë me sukses të gjitha këto fusha e t’u japin përgjigje të gjitha problemeve. Por ky këshill ndërakademik ka qenë ndërtuar që në fillim me idenë e përjashtimit dhe kjo i komprometon të gjitha veprimet e mëpastajme të tij. Më konkretisht, për palën e Tiranës ka munguar në këtë këshill komisioni i drejtshkrimit, i cili është zëvendësuar nga një prej akademikëve. Madje, edhe anëtari që në 2006-ën qe kryetar i këtij komisioni, duke parë punën jonormale të këshillit dhe synimet e largëta të tij, i ka dërguar dy promemorie Akademisë së Shkencave dhe që nga shkurti i këtij viti nuk ka marrë më pjesë në mbledhjet e këtij forumi. 

Si i gjykoni termat që përdor ish-Kryeministri Majko? Ku jeni dakord dhe kundra mendimit të tij? 

Si qytetar, z.Majko ka të drejtë të shqetësohet për këtë gjë. Si politikan mendjehollë, që i njeh mirë mendësitë dhe sjelljet e mbrapshta, ai lexon midis rreshtash çfarë gjëje jo të mirë fsheh kjo heshtje e akademisë. Këtë shqetësim për çfarë po ndodh dhe si po ndodh me gjuhën, pasurinë tonë më të vyer si komb, në këtë përvjetor të njëqindtë të Pavarësisë ai e shpreh me dhimbje. Është vërtet e rëndë për ata që ia kanë kushtuar jetën e tyre gjuhës të sillen në këtë mënyrë me objektin e tyre të punës. 

Si duhet të jetë në fakt gjuha shqipe në këtë 100 vjetor? 

Nëpër institucionet që merren me gjuhën po mendohet për organizimin e veprimtarive shkencore në të cilat do të flitet për hapat që ka bërë shqipja nga një gjuhë e ndaluar në një gjuhë të kultivuar që po e përballon me sukses trysninë e gjuhëve të kulturave të mëdha me të cilat është në kontaktet më intensive që ka njohur në jetën e saj. Në këto veprimtari synohet të bëhet edhe bilanci i arritjeve të gjuhësisë sonë në studimin e shqipes. Por me keqardhje vërej se mungon bashkëpunimi, çdo institucion që merret me shqipen (këtu dhe në Kosovë e Maqedoni) mendon të organizojë tubime më vete, ndërkohë që do të duhej të bashkëpunonin dhe të bashkërendonin veprimtaritë. 

Cili duhet të jetë roli i gjuhëtarëve në ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhës? 

Gjuhëtarët kanë si detyrë të tyre të studiojnë gjuhën. Gjuhëtari i ngjan kopshtarit, që përkujdeset me dashuri të madhe për bimët në kopshtin e vet dhe nuk e përdor pa vend briskun apo gërshërën. Detyra e gjuhëtarëve është të përshkruajnë të gjitha variantet e gjuhës, dialekte, nëndialekte, të folme, po më kryesorja ndër këto variante, është ajo që e quajmë gjuhë standarde. Kur flitet për mbrojtje, fjala është për mbrojtjen e gjuhës standarde, sepse dialektet nuk kanë nevojë për mbrojtje. Duke u kujdesur për standardin, gjuhëtarët zbulojnë prirjet pozitive në zhvillimin e saj, risitë, të cilat përpiqen t’u hapin udhë duke i ngritur në normë; ruajnë leksikun dhe gramatikën e shqipes nga “infektimi” prej gjuhëve me të cilat kjo është në kontakt; ndihmojnë shkollën, mediet dhe institucionet publike për zotërimin dhe përdorimin e normave të gjuhës standarde në veprimtarinë e tyre ligjërimore. Të gjitha këto bëhen jo me amatorizëm e me paramendime, por duke u mbështetur në metodat që ndjek gjuhësia botërore dhe me mjetet që përdor kjo gjuhësi. 

Si mund të bëhen ndryshimet apo ‘rregullimet’?

 Kur flitet për ndryshime a rregullime, është gjithnjë fjala për gjuhën standarde, e cila karakterizohet nga normat: duhet shkruar kështu ose ashtu, duhet përdorur kjo fjalë dhe nuk duhet përdorur kjo tjetra, duhet ndërtuar kështu dhe jo ndryshe fjalia. Mirëpo norma gjuhësore është kategori historike: një gjë që përbën normë sot, mund të bëhet jonormative pas pesëdhjetë apo njëqind vjetësh. Pra, lind nevoja për rregullime të herëpashershme të normës. Por këto rregullime e ndryshime duhet të jenë shumë të vogla, me qëllim që t’i “tretin” përdoruesit e gjuhës dhe së dyti, tagrin për ndryshime e kanë specialistët e fushës, jo komisionet. Po ju sjell vetëm një shembull. Morfologjia e gjuhës standarde shqipe ka njohur disa botime: i pari më 1976, i dyti më 1996 dhe i treti më 2002-in. Në botimin e parë trajtat babanë, vëllanë, xhaxhanë etj, të kallëzores së shquar të këtyre emrave shiheshin si normative. Kurse në botimin e fundit, në vend të tyre jepen si normë trajtat vëllain, babain, xhaxhain etj, duke e njësuar lakimin e këtyre emrave me lakimin e emrave të tjerë mashkullorë që mbarojnë me zanore të theksuar ose me tog zanor. Po në 30 vjet vetëm ky ndryshim ka ndodhur në morfologjinë e shqipes standarde dhe këtë ndryshim e ka bërë morfologu. Pra, ndryshimet u duhen lënë specialistëve të fushave përkatëse, të cilët vetëm pas studimit të hollësishëm të prirjeve të ligjërimit vendosin të ndërhyjnë. Dhe specialistët janë në institucione, si të brendshëm a të jashtëm, prandaj me përmirësimet a ndryshimet duhet të merren institucionet, institutet e gjuhësisë dhe departamentet e gjuhës shqipe që veprojnë në hapësirat ku flitet shqipja. Nuk mund të imponojnë ndryshime komisione ‘ad hoc’, që shpërfillin mendimin e specialistëve të fushës. 

Nëse akoma sot nuk ka një institucion që t’i mbledhë që të gjithë gjuhëtarët që të diskutojnë së bashku (Këshilli Ndërakademik nuk i mbledh të gjithë), atëherë si ndryshe përveç debatit mediatik mund të jepen mendimet? 

Nuk ka dhe nuk do të ketë ndonjë institucion të tillë. Edhe këshilli ndërakademik është një institucion që lindi si imitim i komisionit për pastërtinë e gjuhës që funksiononte këtu viteve ’90. Por ai komision e kryente punën nëpërmjet Institutit të Gjuhësisë dhe katedrave të gjuhës shqipe dhe kishte vetëm fuqi këshillimore. Edhe nismëtari kryesor për krijimin e këshillit akademik tani e ka kuptuar se ky forum është i panevojshëm dhe ka bërë thirrje për shpërndarjen e tij dhe krijimin e një këshilli kombëtar, ide që e kanë nyjëtuar edhe gjuhëtarë të tjerë. Ne mendojmë se ky këshill duhet të shpërndahet, pasi e ka kompromentuar qëllimin për të cilin është ngritur. Nuk ka nevojë për forume të tilla. Shkenca bëhet në institucione dhe ne për fat të mirë i kemi këto institucione, si këtu dhe në Kosovë e në Maqedoni. Në këto institucione janë hartuesit e fjalorëve që vendosin për normën leksikore, gramatikanët që bëjnë normën gramatikore etj. Në rrethanat aktuale, u takon katër institucioneve kryesore – Institutit të Gjuhësisë në Tiranë, Departamentit të Gjuhës Shqipe të Universitetit të Tiranës, Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe Departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës, si institucione që kanë edhe kontributet kryesore në kodifikimin e normave të gjuhës standarde – ta marrin në dorë diskutimin e propozimeve të hedhura në tryezë, duke organizuar në të ardhmen (jo këtë vit jubilar të 100-vjetorit) një konsultë a një konferencë mbarëkombëtare me përfaqësim të gjerë. Vetëm këto janë institucionet që kanë tagër për ndërhyrje në kodet, sepse kodet normative janë pronë e tyre intelektuale. 

A është politik në fakt ky debat? A po shkohet drejt një standardi me gegërishten, ndaj synohet edhe heqja e shkronjës ‘ë’ në disa raste? 

Mbledhja e këshillit ndërakademik që vendosi për ndryshime të thella të drejtshkrimit (dokumenti nuk është publikuar ende), nuk qe një tubim i mbështetur në një analizë serioze të fakteve. Aty mungoi mendimi i ekspertëve të drejtshkrimit, pasi komisioni përkatës i palës së Akademisë Shqiptare nuk është thirrur në asnjë mbledhje që nga viti 2010 kur rifilloi punën këshilli ndërakademik për gjuhën. Zhbërja ‘de facto’ e këtij komisioni dhe vetëpezullimi i kryetarit të tij prof.dr. Emil Lafe janë tregues se tubimeve të këshillit dhe për rrjedhojë, edhe vendimeve të tij u ka munguar fryma demokratike dhe shkencore. Përjashtimi i këtyre është një shenjë diktati, një përpjekje për t’u mbyllur gojën atyre që mendojnë ndryshe, që unë e shoh si një infektim të veprimtarisë së këtij këshilli nga “tabiatet” e këqija të politikës. Nuk po shkohet drejt një standardi me bazë gegërishten. Edhe ata që qysh nga fillimi i viteve ’90 e deri vitin e kaluar ishin për standardizimin e gegërishtes, si një variant letrar që do të përdorej krahas gjuhës standarde, duket se kanë hequr dorë nga ky qëndrim. Debati rreth shkronjës ‘ë’ buron nga ajo që në bazë të propozimeve të miratuara në këshillin ndërakademik nuk qëndrojnë argumente shkencore të mbështetura në studime të fonetikës dhe të morfologjisë, po në veshin dialektor të atyre që janë për operacione kaq të thella. Duke u nisur nga një ide e pambështetur shkencërisht se ‘ë’-ja atje e këtej nuk dëgjohet dhe prandaj nuk duhet shkruar, po synohet të shkohet drejt një shkrimi e shqiptimi të fjalëve dhe të formave të tyre që është më afër të folmeve që i kanë gërryer format e fjalëve, duke i humbur shqipes natyrën vokalike të shqiptimit të saj për shkak të mbizotërimit të bashkëtingëlloreve. Në fillimet, kur vendoset norma drejtshkrimore, merret si parim shqiptimi, por pastaj është shqiptimi ai që shkon pas drejtshkrimit dhe jo e kundërta, sikundër mëtojnë përkrahësit e këtyre ndryshimeve të thella të drejtshkrimit. 

Prandaj anëtarët e këshillit që votuan kundër këtyre ndryshimeve të thella dhe bashkësia e gjuhëtarëve shqiptarë këndej dhe andej kufijve tanë shtetërorë, që po reagojnë përditë në faqet e shtypit dhe në emisione televizive kanë me vete argumentet shkencore që i mungojnë palës tjetër. 

A është ky një politizim i gjuhës, nëse shohim për shembull që në pushtet sot janë politikanët nga veriu, si për shembull Kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit? 

Nuk mund të them se Kryeministri nxit disa gjuhëtarë për këtë që bëjnë, të paktën duke u nisur nga deklarimet e tij në fillimet e këtij debati aty nga viti ’95. Sa për kryetaren e Kuvendit, mund të them se si deklarimet publike të saj për supremacinë e së folurës veriperëndimore, dhe ligjërimi dialektor (as shkodran) i saj janë shembuj të këqij që mund të shërbejnë si frymëzim për patriotët krahinorë. 

Nuk do ta dëshironim një politizim të gjuhës, por për fat të keq ai ka filluar. Në një shkrim të botuar dy ditë më parë në gazetën “Shekulli”, autori i tij i akuzonte kundërshtarët e vendimit të komisionit ndërakademik si “enveristë”. Kjo është një akuzë me të cilën një grusht njerëzish, i përbërë nga pesë a gjashtë gjuhëtarë dhe një pjesë e një departamenti të gjuhës shqipe, duan të shuajnë kundërshtimin e gjithë pjesës tjetër të gjuhëtarëve që përfaqësojnë dy institute dhe gati dhjetë departamente të gjuhës shqipe, duke i futur në kallëpe politike. Nëse këta të fundit janë “enveristë”, çfarë janë ata që i akuzojnë? Le të na përgjigjet autori i këtij shkrimi. 

Dyshimi juaj nuk është pa baza. Në krye të fushatës për ndryshime thelbësore në drejtshkrimin e shqipes është vënë kupola e QSA-së. Kjo kupolë organizoi në dhjetor 2010 një konferencë për gjuhën standarde, e cila, për mënyrën si u organizua dhe për tematikën e propozuar, u bojkotua nga gjuhëtarët më në zë këtu dhe në Kosovë. Po çuditërisht, edhe pse mospjesëmarrja u bë publike, ministri i sotëm i Arsimit i priti në një takim organizatorët e saj, duke u premtuar edhe mbështetjen e Qeverisë. 

Pra, në një mënyrë ose në një tjetër, po bëhen përpjekje që edhe gjuha të politizohet. Kjo është shumë e rrezikshme. Po lejohem të citoj këtu Ardian Vehbiun, një nga njohësit e mirë të problemeve të gjuhës standarde, i cili në një shkrim të kohëve të fundit bën dy pyetje: “(1) Çfarë përparësie ka reforma drejtshkrimore, në kontekstin e problemeve që përjeton sot shqipja e shkruar: dhe a e kanë marrë parasysh këta nismëtarë mundësinë që reforma drejtshkrimore, e kryer sot, ta ndajë shqipen e njësuar më dysh, sikurse ka ndodhur, tani vonë, me gjuhë të tjera që kanë guxuar të eksperimentojnë me drejtshkrimin?” 

Pra, po të këmbëngulet për kryerjen e kësaj reforme të thellë, do të kemi fillimisht një ndarje kulturore, sepse disa botues e universitete nuk do ta pranojnë, dhe më tej ndarja mund të thellohet. Mjaft bukur e kupton z.Majko këtë kur shprehet: “Në shkencën tuaj unike “gabimi” nuk ekziston. Ka vetëm “bekim” ose “mallkim”, i cili do ju ndjekë edhe pas vdekjes”. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

18 Korrik 2012 14:12

alt
alt

Next Post

Pak nga jeta e Rapsodit Pupullor, Elmaz Çelo Breshani (1900-1969).

Sht Gus 18 , 2012
Emaz Breshani lindi në Kallarat më 1900 dhe e shkoi jetën e tij në fshatin e vendlindjes, duke u marrë me blegtori. Siç e thotë e vetë në një këngë të tij: Në pyetshin dhe për mua jam çoban me bagëti nga katundi Kallarat, i vogël 100 shtëpi Elmaz Breshani […]