SHTËPIA E MADHE, POEZI

Andi Meçaj

I vogël, shtëpia më dukej e madhe,

i madh, shtëpia më ngjan e vogël.

Muret më njohin,

rrinë seriozë,

nuk vishen më gaztorë

duke më argëtuar si dikur.

Nuk është më drethkla

që më përqafonte shpesh

me degëzat e saj të holla

dhe gjethet e mëndafshta,

tani gjelbëron dhomën e kujtimeve të mia.

Nuk është më bufeja

ku pjatat dhe filxhanët kinezë

bënin paradë mode,

tani zbukurojnë

tavolinën e madhe të kujtesës.

As divanet dhe kolltukët e kadifenjtë

që ua kisha dërrmuar brinjët me shqelma

nuk janë më,

tani të dashurit e mi ulen në ta

kur i kujtoj.

As biblioteka e vjetër

që nxinte një mal me libra

e që i lexoja fshehurazi

nuk qenka më,

tani ato libra m’i lexojnë gjyshërit

duke tymosur çibukë në qoshe të kujtesës.

Po ai portreti im biond i fëminisë

ku të jetë zhdukur kështu?!

Tani padyshim rri varur

në murin më të bardhë të kujtesës.

Po nëna e dashur që më donte pafundësisht

ku të ketë shkuar vallë?!

Tani patjetër është këtu me mua,

duke kujtuar shtëpinë tonë të madhe.

2010

Nga Andi Meçaj

Next Post

VITET QË RRODHËN, POEZI

Die Qer 17 , 2012
I mbyllëm vitet që rrodhën në kuti të vogla, të mëdha, i ngjeshëm valixheve të çngjyrosura, thasëve plastikë, xhepave që u grisën nga gëzimet dhe hidhërimet. Në flokë thinja, në fytyrë rrudha, në zemra copëza kujtimesh që i lexojmë rrallë. Faturat e dritave dhe të ujit i paguam dje, telefoni […]
Andi Meçaj